LAJMI I FUNDIT:

Sharku: ATK me masa konkrete për luftimin e evazionit fiskal

Sharku: ATK me masa konkrete për luftimin e evazionit fiskal

Me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për të hyrat e buxhetit 2015, nga Administrata Tatimore e Kosovës është korrigjuar pjesa e të hyrave.

Kështu, ATK tash është e obliguar të inkasojë 89 milionë euro më pak krahasuar me planin vjetor që kishin me kornizën buxhetore nga Qeveria e Kosovës për këtë vit. Krejt ky ndryshim ka ardhur bazuar në kapacitetet dhe mundësitë që janë në terren.

Për këto, mes tjerash, në intervistën për KosovaPress flet drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës(ATK), Nahit Sharku, i cili tregon se për gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë arritur të inkasojnë 163 milionë euro.


Shefi i ATK-së paralajmëron për ato biznese të cilat përdorin printerë jofiskalë, se përveç që është vepër penale pajisja më këta printerë, inspektorët e këtij institucioni pritet që pas fushatës mediale edhe t’i konfiskojnë këto pajisje.

Megjithëse nuk tregon se kush është borxhliu më i madh i ATK-së, drejtori thotë se borxhet ndaj këtij institucioni janë 291 milionë euro dhe janë duke u trajtuar.

Sharku ka hedhur poshtë mundësinë e të bërit presion bizneseve nga ana e ATK për t’i rritur të hyrat e këtij institucioni.

Evazioni fiskal, sipas drejtorit të ATK-së, arrin diku rreth 38 për qind në Kosovë.

Ai tha se brenda strategjisë 2015-2020 janë përcaktuar masat konkrete që do të ndërmerren për luftimin e evazionit fiskal.

“Disa raporte tregojnë se evazioni fiskal është mbi 30 për qind apo diku rreth 34 apo 38 për qind. Mbi të gjitha ne si administratë tatimore me përkrahje të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar kemi filluar analizën rreth përcaktimit të hendekut tatimor për nevojat e administratës tatimore. Bazuar në këto raporte kemi orientuar kapacitetet tona që ta luftojmë evazionin fiskal. Brenda strategjisë 2015-2020 i kemi përcaktuar masat konkrete që do t’i ndërmarrim për luftimin e evazionit fiskal”, tha Sharku.

Ai thotë se për luftimin e evazionit fiskal mbështeten në kapacitetet e ATK-së dhe në koordinimin e aktiviteteve me doganat dhe me Policinë e Kosovës, në mënyrë që të parandalohet aspekti i evazionit fiskal, si brenda ekonomisë së Kosovës, ashtu edhe evazioni që mund të shfaqet nëpërmjet importeve të caktuara.

Sharku tha se nga ky muaj ATK ka filluar me fushatën mediale që t’i njoftojë bizneset të cilat përdorin printerë jofiskalë se është vepër penale dhe, që nga 1 gushti do t’u konfiskohen këto pajisje.

“Ne mendojmë që të gjitha përgatitjet do të bëhen që ata nga një gushti të fillojnë me zbatimin e kërkesave të reja çfarë përfshihen me specifikacionin teknik”, tha Sharku.

Edhe pse procesi i fiskalizimit ka filluar para pesë viteve, ai ende është në ngecje dhe nuk është normalizuar kjo çështje e cila konsiderohet mjaft e rëndësishme për bizneset e vendit.

Sharku njofton se në muajin mars ATK ka pasur të gatshëm Udhëzimin e ri nga Ministria e Financave dhe pasi ka pranuar këtë udhëzim, i ka ndërmarrë të gjitha veprimet që të ngritë kapacitetet.

Gjatë muajit maj ATK ka kompletuar njësinë dhe ka nisur përgatitjet për pranimin e plikove të kuponëve fiskalë dhe njëkohësisht ka përgatitur specifikacionin e ri teknik për licencimin e operatorëve bazuar në Udhëzimin e ri administrativ”.

“Pasi që të përfundojmë shqyrtimin e kërkesave, ATK do të ketë mundësi më të mëdha të veprimit që shpresojmë se do të futen edhe operatorë të rinj në treg edhe do të krijohet një konkurrencë në mënyrë që të krijohen kushte sa më të volitshme për bizneset për t’i blerë pajisjet fiskale. Normalisht ATK si gjithmonë ka qenë e kujdesshme në trajtimin e këtij projekti. Ne edhe kur kemi filluar projektin e arkave fiskale kemi thënë që ky projekt do të zgjasë dhe zakonisht në regjion kanë zgjatë diku 5 vjet, ne jemi në vitin e 5-të të këtij projekti”, tha Sharku.

Drejtori i ATK-së thotë se kanë planifikuar që gjatë vitit 2015 duhet do të fiskalizohen 19 mijë biznese që kanë qarkullim nën 5 mijë euro.

Pas përfundimit të proceseve rreth ngritjes së kapaciteteve, përgatitjes së specifikacionit të ri teknik dhe licencimit të operatorëve të rinj, ai paralajmëron së në gjashtë muajt e ardhshëm do të jemi dëshmitarë të një pune intensive rreth realizimit të projektit të arkave fiskale.

Sharku tha se në periudhën janar – qershor kjo administratë ka inkasuar diku 163 milionë euro, që do të thotë 9 për qind më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Sipas tij, ATK ka arritur të rikthejë procesin në rrugë të mbarë.

”Ne po ashtu kemi edhe raportin për muajin qershor që tregon një ngritje të të hyrave në aspektin e përqindjes diku rreth 12 për qind”, tha Sharku.

I pari i ATK-së thotë se në kornizën afatmesme, kërkesë buxhetore t ë Qeverisë ishte diku 429 milionë, ndërsa pas rishikimit i janë përcaktuar rreth 89 milionë më pak për inkasim.

“Pasi kemi shpalosur mundësitë e Administratës Tatimore të Kosovës së bashku me misionin e FMN kemi ardhur në përfundim që duhet të korrigjohet pjesa e të hyrave nga ATK bazuar në kapacitete dhe mundësitë që janë në terren. Dhe në kornizën afatmesme pas rishikimit, ATK-së i janë përcaktuar diku 340 milionë euro për të inkasuar gjatë vitit 2015”, tha Sharku.

Për këto ndryshime rreth mbledhjes së të hyrave që janë dhënë si rekomandime nga FMN, drejtuesi i ATK-së beson se do të arrihet të realizohen objektivat për këtë vit.

ATK, thotë drejtori, ka bërë të gjitha përgatitjet që të jetë në funksion të zbatimit të ligjit të ri për faljen e borxheve.

Ai ka shtuar se Ligji do të mundësonte një pastrim të periudhës deri në vitin 2008 dhe do të krijonte mundësi të fusë rregulla të reja dhe të jemi më efikasë në trajtimin e borxheve pas asaj periudhe.

Drejtori Sharku nuk ka treguar se kush është borxhliu më i madh i ATK-së, meqë, siç tha, janë të rezervuar të japin informata për bizneset e caktuara.

Sipas tij, ATK ka ndërmarrë aktivitete shtesë për t’i mbikëqyrur bizneset në aspektin e lëshimit të kuponëve fiskalë.

Drejtori i ATK-së, Sharku theksoi se sipas specifiakcionit të ri, nga muaj gusht i këtij duhet të vazhdojë fiskalizimi edhe i naftëtarëve.

Sa i përket agjencive turistike dhe autobusëve ndërurbanë, Sharku thotë se edhe këto agjenci tashmë janë të obliguara të instalojnë pajisjet fiskale që i përshtaten veprimtarisë që ushtrojnë.

Ndryshe, ATK ka përgatitur Planin Strategjik për periudhën 2015-2020, ku nëpërmjet kësaj strategjie parashihet profesionalizimi, integriteti, efikasiteti dhe përsosmëria e shërbimeve. /KP/