LAJMI I FUNDIT:

Shaptahoviqi kishte kaluar për 30 mijë euro te Prishtina

Shaptahoviqi kishte kaluar për 30 mijë euro te Prishtina

Ndoshta tingëllon paksa e pabesueshme për basketbollin kosovar, por gjatë një interviste me faqen Eurobasket, plejmejkeri Samir Shaptahoviq ka bërë të ditur se dhjetë vite më parë MEB Prishtina ia kishte paguar Primorkas 30 mijë euro për shërbimet e tij.

Ai në këtë intervistë shpalosi pothuajse të gjitha kujtimet që nga fillimi i karrierës në Mal të Zi e deri te klubi i tanishëm, Peja.

“Kalova te MEB Prishtina, sepse e ndjeva se ishte momenti i duhur i karrierës sime që të largohesha nga Mali i Zi. Klubi im Primorka, përfitoi 30 mijë euro për transferimin tim në Prishtinë dhe këtu filloi karriera ime e bujshme”.

Kur u pyet se cilat janë ambiciet e tij këtë vit dhe se a ka gjasa që ta fitojë titullin me Pejën, Samiri u përgjigj: “Peja është në vendin e parë në këtë ligë dhe në këtë ekip kemi shumë emra të mëdhenj, siç është plejmejkeri i Polonisë, Dardan Berisha, i cili do të luajë në Kampionatin Evropian këtë verë”.


”Ekipi udhëhiqet nga njëri prej trajnerëve më të mirë kroatë, Rudolf Jugo. Ambiciet e klubit janë që ta fitojmë ligën dhe Kupën e Kosovës, por rivali ynë i përbetuar Prishtina e ka të njëjtin objektiv. Sidoqoftë, nuk dyshoj në aftësitë tona”.

Krejt në fund, Shaptahoviq tha se shpreson që basketbolli kosovar të pranohet sa më shpejtë në Evropë, sepse njerëzit e këtij vendi vërtet e meritojnë këtë. /Telegrafi/