LAJMI I FUNDIT:

Selimi: Pasiguria në veri, skenar i Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë

Selimi: Pasiguria në veri, skenar i Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë

Propozuesi i interpelancës për gjendjen në veri, deputeti Rexhep Selimi tha se situata e sigurisë e krijuar në Kosovë, veçanërisht në veri e ka bërë të nevojshme këtë interpelancë, ndërsa sipas tij, krijimi i një klime të pasigurt në veri duket qartë se është skenar i harmonizuar mirë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se kërkesa për interpelancë është bërë para dy muajsh.


Selimi tha se në vend që të shuhen strukturat e sigurisë, të rritet siguria, Qeveria e Kosovës arriti marrëveshje edhe për ndarje fizike të qytetit të Mitrovicës.

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi tha se Qeveria e Kosovës ndali njërin tren, por nuk dha kurrë shpjegim për qarkullim të trenit në linjën Kralevë-Mitrovicë dhe atë pa licencë të institucioneve të vendit.

Duke folur për rrënimin e murit në veri, ai tha se tash pritet të shihet cila është ‘hilja’ pas saj.

“Muri prej betoni, treni, krijimi i një klime të pasigurt duket qartë se është skenarë i harmonizuar mirë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Ai tha se një rezolutë do të ishte e nevojshme.

“VV propozon mocion përmbajtjesor meqë situata mund të ketë ndryshuar, projekt rezolutë të cilën do ta lexoj në fund të debatit”, tha ai. /Telegrafi/