LAJMI I FUNDIT:

Sakrifikimi i shtetit – jo për shtetin

Pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese se presidenti i vendit e ka shkelur Kushtetutën, për ta përmbushur në tërësi obligimin e vet kushtetues dhe qytetar ndaj vendit e sidomos ndaj partisë së tij, pos nga posti i presidentit, zoti Sejdiu do të duhej të jipte dorëheqje edhe nga posti i kryetarit të LDK-së. Një gjë të tillë do ta bënte secili kryetar i secilit vend demokratik në botë.

Pas dorëheqjes së zotit Fatmir Sejdiu nga posti i presidentit të Kosovës, po tentohet që ai të ngritet në hero të demokracisë. Më së largu në këtë kualifikim shkoi kryesia e LDK-së, e cila aktin e dorëheqjes së tij e quajti hiç më pak se sakrificë. Vetë Fatmir Sejdiu, me paraqitjet e tij publike vazhdon të besojë se është i sakrifikuar nga lojëra të pandershme që të tjerët luajtën mbi kurrizin e tij. Cila duket të jetë e vërteta këtu?

Projektimi i humbjes si fitore


Për të mos krijuar keqkuptime, më duhet ta bëjë një sqarim të pazakonshëm. Me Fatmir Sejdiun njihem që prej tridhjetë vitesh. Gjithnjë kam pasur respektin e duhur për të si për njeriun e ndershëm dhe mikun e mirë. Pa dashur të lëshohem më tutje, në raporte personale, besoj se kjo paraqitje imja publike, në këtë rast kundër tij, mund ta befasojë atë personalisht por edhe të gjitha ata që mendojnë që ta privatizojnë hapësirën publike deri në masën e banalizimit dhe të komprometimit të fjalës publike. Fatmir Sejdiu, edhe pse në dukje një burrë serioz dhe i matur, asnjëherë nuk është shfaqur me tipare të njeriut sakrifikues. Këtë nuk e ka bërë as në raport me shtetin e as me partinë e vet. Në të vërtetë, nëse fjala sakrificë gjen ndonjë përdorim në këtë kontekst, atëherë mund të thuhet se Fatmir Sejdiu për interesa personale ka sakrifikuar të dyja, edhe partinë, edhe shtetin.

Momenti i parë i këtij sakrifikimi ka qenë kur ai ka vendosur që fraksionin e kryesuar nga Nexhat Daci ta detyronte të ndahej nga LDK-ja. Jo për ndonjë kualitet politik e moral të Nexhat Dacit, por për shkak se themelimi i subjektit të ri politik, pra i një Lidhjeje tjetër (Dardane ) Demokratike, nga ana e këtij fraksioni ka dobësuar LDK-në si forcë kryesore politike në vend dhe ka hapur rrugë që të ndërrohej konfiguracioni i forcave politike në dëm të LDK-së.

Momenti i dytë, ka qenë kur Fatmir Sejdiu në emër të interesit shtetëror ka bërë koalicion me PDK-në e që në të vërtetë ka qenë interesi i tij personal për ta siguruar një mandat, madje më të gjatë se deri atëherë të kryetarit të vendit. Sado që ka argumente se një koalicion i tillë i ka sjellë vendit një ambient më stabil politik, sjellja e mëtutjeshme servile e Sejdiut në raport me koalicionin qeverisës, duke cenuar dinjitetin e partisë se vet, ka treguar se mbetja e tij në maje të pushtetit ishte synimi i tij mbi të gjitha synimet. Duke marrë parasysh anti-disponimin e partisë së tij për këtë koalicion e sidomos për sjelljen e tij nënshtruese është parë qartë se ai ka sakrifikuar partinë për të mbetur president.

Momenti i tretë është mbajtja paralele e dy posteve të ndryshme, ajo e presidentit të shtetit dhe e kryetarit të partisë në kundërshtim me Kushtetutën. Me këtë rast, Fatmir Sejdiu ka sakrifikuar interesin e shtetit, sepse nuk ka qenë në gjendje që tërë kapacitetin e tij intelektual e politik t’ia përkushtojë funksionit të kreut të shtetit. Tutje, ai ka sakrifikuar përsëri interesin e partisë, sepse duke mbajtur peng postin e kryetarit të saj, LDK është vënë në pozitë inferiore me partitë tjera në vend e sidomos me PDK-në gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale.

Pra, siç shihet, udheheqësia e LDK-së ka përdorur një gjuhë tërësisht joadekuate kur ka vlerësuar dorëheqjen e presidentit si sakrificë personale e jo si akt obligues, madje në kohën kur siç dihet, të gjitha rrugët tjera për presidentin kanë qenë të mbyllura. Një mbrojtje e tillë nga vetë partia është e ngjashme me viktimën kur për motiv të paqartë në vend se ta denoncojë abuzuesin, ajo e mbron atë. Sjelljet e këtilla të viktimave nuk janë të panjohura në jetën reale. Viktima duke qenë e abuzuar përditë fillon të besojë se ajo vetë është fajtore dhe meriton ndëshkimin. Anglisht: Learned Helplessness që mund të përkthehet përafërsisht si Pamundësia e mësuar. Është edhe një kategori tjetër psikologjike që quhet Projekcioni. Sipas kësaj kategorie, subjekti e sheh vetën në të kundërtën e ralitetit faktik. I pikëlluari e projekton veten si të lumtur, të zezën e projekton si të bardhë, humbjen si fitore etj.

Ndeshja e demokracisë me logjiken e numrave

Si është e mundur që deputetët (të paktën tridhjetë e dy sish), liderët opozitarë, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe qytetarët e zakonshëm kanë ditur se presidenti i Kosovës e ka shkelur Kushtetutën me mbajtjen paralele të postit të kryetarit të partisë e vetë presidenti, që me profesion është jurist i dëshmuar ka besuar ndryshe?! Sikur vetëm njëherë Fatmir Sejdiu ta abstrahonte personin e tij nga funksioni i presidentit dhe të reflektonte si qytetar i këtij shteti, nuk besoj se edhe më tej do të mendonte se ajo çfarë po bënte ai ishte konfrom Kushtetutës. Sikur vetëm njëherë të largohej nga bota e këshilltarëve servilë dhe të konsultohej me ndonjë mik laik, ai do ta merrte mendimin e drejtë për “brengën” e tij. Për ta dhënë përgjigjen në një pyetje të tillë nuk ka pasur nevojë për mendim të ekspertëve ligjorë. Por mjerisht, faktet flasin për një akrobacion imoral e jo për injorancën e ekspertit të Ligjit.

Ish presidenti e dinte që po e shkelte Kushtetutën, por ajo që ai besonte ishte fuqia absolute e koalicionit qeverisës. Koalicioni i tillë, teoritikisht kishte dhe vazhdon t’i ketë krejt numrat, nëse jo për të parandaluar, atëherë për t’i sfiduar të gjitha iniciativat, qofshin edhe demokratike në vend. Kjo ka qenë logjika matematikore, e cila as si e tillë nuk ka funksionuar për dëshirën e presidentit. Për ironi, bashkangjitja e vetëm një deputeti nga radhët e LDK-së (zotit Ali Lajçi) grupit të deputetëve për iniciativën e kërkimit të ligjshmërisë kushtetuese të presidentit me dy poste, në mënyrë simbolike i ka dhënë vulën formalizimit të kësaj iniciative në Kuvend. Sikur partia prej nga vinte presidenti të ishte kompkatësisht dakord me ambiciet e dyfishta të kryetarit të saj, një situatë e tillë nuk do të ndodhte.

PDK përpiqej që kjo iniciative të mos kalonte, meqë nuk ishte në interesin e saj. Ky është shembulli më tipik se si logjika e demokracisë rrënon logjikën e numrave! Ai ruante pozitën e kryetarit në LDK që të bëhej perandor i saj, si paraardhësi i tij Ibrahim Rugova. LDK ishte makina e tij e shtrenjtë që kishte “trashëguar” pa u lodhur shumë , sipas një testamenti të imagjinuar që as nuk ish parë as nuk ish dëgjuar. Çelësat nuk mund t’i jepeshin askujt tjetër, edhe kur makina po ndryshkej nga mospërdorimi!

Thuhet gjithandej se kishte një marrëveshje. Marrëveshje me kë? Me Enver Hasanin (“babën”!), me ambasadat e huaja, me PDK-në?! Marrëveshje për t’i mbajtur të dy postet dhe për ta shkelur Kushtetutën? Marrëveshje për t’i zënë frymën partisë së tij që ta pengojë konkurrencën demokratike për ide, për programe të reja politike, për liderë të rinj? A nuk duken këto argumente sa qesharake për t’u besuar e po aq të idhëta për t’u shijuar?

Krizën e shkaktoi presidenti – dora vetë

Sejdiu dhe tellallët e tij u thirrën në qëndrimin e Kushtetueses se nocioni shkrirje, përkatësisht pezullim (siç po e quan tani ish presidenti jurist), nuk njihej si nocion juridik në këtë rast, sepse presidenti, decidivisht, duhej ta kishte vetëm një funksion, atë të presidentit. Mirëpo, Sejdiu dhe tellallët e tij anashkalojnë faktet tjera që kishte gjetur Kushtetuesja, ku vërtetohet se presidenti Sejdiu e kishte ushtruar postin e tij të ngrirë – pezulluar të kryetarit të LDK-së. Ishte presidenti, dora vetë, që kishte emëruar për sekretar të LDK-së Blerim Kuqin dhe e kishte shkarkuar të njëjtin vetëm pas një muaji për kalkulime thjesht personale. Në cilësinë e kujt e kishte bërë ai këtë ngarkim e shkarkim? Të presidentit të Kosovës? Të kryetarit të LDK-së? Në të dy rastet kjo do të ishte shkelje klasike e Kushtetutës.

Edhe në rastin e partisë Ora, kur kjo u shkri në LDK, ishte vetë presidenti Sejdiu që kishte biseduar dhe kishte dhënë garancionet e veta. Në reformatizimin e qeverisë, ministrat e LDK-së i emëronte dhe shkarkonte kush tjetër pos Fatmir Sejdiut? Gjithnjë në cilësinë e kryetarit të LDK-së. Po kur Fatmir Sejdiu thërriste deputetët e LDD-së e të AKR-së në zyrën e tij të presidentit dhe u ofronte pazare për të kaluar në LDK? A nuk ishte kjo para së gjithash sjellje joparimore e një kryetari të partisë edhe sikur fare të mos ishte president? Pra, le të më falin juristët, sepse nuk është puna e një mjeku t’ju tregojë atyre për ligjin, por a nuk ishte kjo një shkelje klasike e Kushtetutës? A po do të thoshit se presidenti e ka shkelur Kushtetutën, por e ka shkelur atë me masë. E ka shkelur pak, jo shumë! A ka në kategoritë ligjore një shprehje të tillë: shkelje me masë?! Sepse, sjelljet e ish presidentit sikur shprehin lutjen e tij për mirëkuptimin e popullit për këtë shkelje të tij “me masë”.

Është shumë interesant se si disa oratorë, politikanë dhe analistë krizën kushtetuese ia atribuojnë 32 deputetëve që nënshkruan kërkesën për të parë nga Gjyqi Kushtetues nëse kishte shkelje të Kushtetutës ose jo. Jo vetëm kaq. Ata fajësojnë Gjyqin Kushtetues për interpretim të gabueshëm të Kushtetutës, ose madje edhe KTV-në e Surroit pse në një intervistë me Enver Hasanin, kryetar i Gjykatës Kushtetuese, kishte nxitur krejt kaosin e mëtejmë rreth presidentit. A nuk është kjo një marrëzi? Të fajësohen deputetët, gazetarët, profesionistët… që bëjnë punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme që ky vend ta mësojë dhe ta respektojë ABC-në e shtetit demokratik (!!!) dhe të harrohet se fajtor për futjen e vendit në krizë është ish presidenti, dora vetë. Ish presidenti që pretendon ta fitojë edhe një mandat të kryetarit të LDK për ta udhëhequr vendin jo më si president ku ka lënë namin më të keq të mundshëm, por tani si kryeministër. Njeriu që i shkaktoi krizë partisë së tij, që i shkaktoi krizë politike e kushtetuese vendit dashka të vijë edhe njëherë për të krijuar kriza të reja! A thua do ta lejojnë këtë dyfytyrësi anëtarët e LDK-së? Po qytetarët e Kosovës? Është çështje e demokracisë kjo, e votës së lirë të sovranit.

Fatmir Sejdiu i bëri dhe vazhdon t’i bëjë rezistencë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Kur flet, ai duket se po polemizon me gazetarët, me deputetin Naim Rrustemaj, me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Enver Hasanin e harron se pikërisht shkelja që ai vetë i bëri Kushtetutës ishte shpata e Demokleut që preu njërën kokë të tij politike dhe që rri pezull mbi kokën tjetër politike të tij. Kjo rezistencë tregon naivitetin e tij politik dhe shton dyshimin e njeriut të zakonshëm se Fatmir Sejdiu nuk paska qenë i denjë për president. Njeriu që ka sakrifikuar gjithë ato interesa vitale të partisë dhe të shtetit për epshin e tij të pushtetit; ish presidenti që ka shkelur Kushtetutën në kohën kur ishte i obliguar të shërbente si garant i saj, synon edhe më tej të mbetet lider i partisë së dytë më të madhe në vend?! I partisë që thirret në vlerat më të larta demokratike! A nuk ngjan kjo në katarzën morale të një personi?!

Në këtë “mundim Sizifi” ai ka edhe ndihmën e shokëve të partisë dhe të ndonjë të humburi tjetër në horizontet e pluralizmit politik. Për gjithë ata individë që karrierën e tyre politike e mbështesin duke krijuar piramida të Keopsit për padronët e tyre një qëndrim i tillë nuk është absurd. Por, nëse LDK-ja dhe krejt shoqëria kosovare ka synim krijimin e vlerave të mirëfillta demokratike për t’u bërë pjesë e kësaj bote sa të dëshiruar aq edhe të largët për mentalitetin kosovar, rasti Sejdiu është një shembull i keq i të menduarit dhe të sjellurit në politikë. Një rast për të mos u përsëritur më. “Mos na raftë me harrue! – do të thoshin gjyshet tona.

Sikur ish presidenti Sejdiu të mblidhte energjitë e veta për ta kaluar një jetë të qetë dhe pa angazhime politike, do të ishte shërbimi i tij më i miri i radhës për vendin dhe partinë e tij. A do t’i takojnë benifitet? Kjo është pyetja kryesore që më mundon këto ditë! Kosova vetëm hallin e benifiteve të tij ka!

Në trend

Më shumë

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori