LAJMI I FUNDIT:

Saimir Pirgu, fitues i çmimit “Pavarotti d’Oro”

Saimir Pirgu, fitues i çmimit “Pavarotti d’Oro”

Një vit i mbarë ky për Saimir Pirgun. Pas suksesit të gushtit me Dukën e Mantovës në Arenën e Veronës, sa për të përmendur një nga të fundit, tenori këto ditë shtatori ka ngjitur skenat e Londrës, Bukureshtit dhe Grafeneggut të Austrisë. E deri në fund të vitit datat janë të shumta: më 27 shtator e më 3 tetor vesh sërish petkat e Dukës së Mantovës të operës Rigoletto në Zurich Opernhaus (Zvicër) e për dhjetë data në nëntor e dhjetor do të jetë perandori Tito Vespasiano i “La clemenza di Tito” në Opera National de Paris”.

Ndërkaq fiton çmimin “Pavarotti d’Oro 2013”, çmim i përvitshëm i ngritur nga komuna Correggio e Reggio Emilias në nder të tenorit të madh të ndarë nga jeta gjashtë vjet më parë. Çdo vit, “Pavarotti d’Oro” i jepet një artisti me karrierë të spikatur, në një mbrëmje ku krahas emrave të mëdhenj të botës së muzikës ka edhe të rinj plot talent, mbrëmje që ka për qëllim promovimin e operës në Itali. Në pesë edicionet e para çmimin e kanë marrë artistë si tenori Jose Carreras, tenori Andrea Bocelli, sopranot Mirella Freni e Raina Kabaivanska, apo këngëtari Zucchero.

Këtë vit, çmimi i shkon Saimir Pirgut, tenorit të suksesshëm shqiptar. Do t’i jepet mbrëmjen e 22 shtatorit në teatrin Asioli të qytetit.

Çmimi ka një rëndësi të veçantë, është një vlerësim tejet emocionues për Pirgun, që Pavarottin e ka pasur mik. Me Maestron është lidhur rastësisht që kur ishte 19 vjeç dhe e ka konsideruar fat, privilegj e nder njohjen me të. Ja si ka treguar për shqiptariiitalise.com lidhjen e tij me tenorin e madh: “Nëse e ndiej veten njeri me fat është edhe për mundësinë që m’u dha të takoja Pavarottin e më pas ta kisha mik. Tamam vitin e parë që unë kisha arritur në Bolzano, maestro ndodhej për mjekim në Merano e kish pyetur se cilët ishin të rinjtë e qytetit që merreshin me muzike lirike në mënyrë që të dëgjonte e të mund të ndihmonte ndonjërin. Herën e parë që shkova për audicion, pa arritur t’i them as mirëdita as mirëmbrëma, ai më pyeti: "Çfarë këndon?". I thashë "Una furtiva lagrima". E kështu u afruam. Që kur jemi njohur, s’jemi shkëputur më, u mundua gjithnjë të më ndihmonte në perfeksionimin e zërit. Pastaj unë nisa rrugën time. Kur debutova me Maestron Abbado, më telefonoi e më tha: "Dëgjo buçko, se kështu më thërriste "Ciccio albanese", ke hyrë nga dera kryesore, vazhdimin e ke ti në dorë. Po gabove, fajin e ke vetë". Kjo miqësi zgjati derisa maestro u shua….”. /SHI/BW/