LAJMI I FUNDIT:

Sa kanë pasur të drejtë Konica dhe Gëte?

Faik Konica, një kohë përveç shumë këshillave që i bënte popullit shqiptar, ai një këshillë shumë interesante ua kishte drejtuar edhe gazetarëve…!

“Në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je ‘hamall’ e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegërisht prapë ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysmë gegërisht, gjysmë toskërisht, do të thonë se është ‘çervish’. Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për literaturë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prish punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të japë Sulltani të holla që ta pushosh gazetën. Në mos gjetsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s’je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjetsh të holla je intrigant a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur një qind vjet më parë; në folsh për nevojën të përpiqemi ta shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s’qenke shqiptar i vërtetë. Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligët, atëherë do të hidhërohen të gjithë. Aq për sot, s’e kam frikë mos të zërë gjumi”.

Kështu thoshte dikur Konica, duke ironizuar profesionin gazetar. Ndërkaq, Gëte thoshte se shpeshherë gazetarët nuk e dinë se çfarë thonë, ndërkaq ndonjëherë nuk mund ta thonë atë që e dinë!


Por, a thua gazetaria e sotshme po harron problemet e vërteta të vendit dhe të shoqërisë duke u ngulfatur në problemet politike të partive dhe se shoqëria po politizohet gjithnjë e më shumë dhe partitë po zënë një vend dominues që s’e kanë pasur gjithnjë.
Me këtë gazetarët po humbin intuitën e tyre, duke u shfaqur thjesht si argatë të zëdhënësve politikë dhe duke humbur dellin profesional prej gazetari. Gazetaria sot në Kosovë ndoshta për shkak të rrjedhave ekonomike apo për shkaqe që duhet investiguar është shndërruar në gazetari selamesh nëpër kuluare.

Misioni i gazetarisë, duhet të jetë kontributi progresiv i shoqërisë, qoftë përmes gazetarisë investigive apo llojit tjetër. Mjerisht, gazetaria, sot është një satelit i grupeve të ndryshme të interesit dhe kjo bën që të mos kemi informim dhe analiza objektive.

Ndoshta për shkak të rutinës dhe presionit të momentit në të cilin gjendemi shpesh si pasojë e trysnisë së momentit ndërhyrjes së politikës apo një pjesë të botës së biznesit në vend, gazetarët kanë harruar tashmë edhe të shkruajnë.

Nuk ka asgjë për të mos u besuar. Nëse do të jemi vëzhgues të mirë të një lajmi duke parë mënyrën sesi ai shkruhet ndërtohet dhe i serviret publikut duket qartë se kronikat që transmetohen shpesh në media elektronike apo shkrimet që botohen në gazeta janë krejt të ngjashme me njëra-tjetrën dhe me njoftimet e zëdhënësve të partive pozitë-opozitë apo edhe zëdhënësve të institucioneve kushdo qofshin ato.

Një arsye për këtë që ndodh është dëshira për të përcjellë atë që kërkon të kumtojë zyrtari apo politikani. Kurse arsyeja tjetër dhe më e rënda ajo që ndodh vetvetiu është lehtësia që krijohet nëpërmjet mësimit dhe përshtatjes me mënyrën standarde të të shkruarit të zyrave të shtypit.

Në aspektin profesional kjo është shumë e gabuar për gazetarët. Sot ekzistojnë media televizive pa përmendur cila prej tyre, qe shpesh e aplikojnë praktikën e komentit redaksional menjëherë pas dhënies së lajmit për një çështje të caktuar, por në një masë të madhe të mediave komenti zë pjesën më të mirë të vetë lajmit.

Gazetaria sot ka humbur misionin e saj edhe gazetarët janë kthyer në punëtorë me mëditje që më shumë sesa për profesionin mendojnë për të mos humbur vendin e tyre të punës. Sot gazetarët nuk i ka frikë askush sepse gazetaria ka bërë kompromis me politikën, por në dëm të saj ama duke cenuar edhe dinjitetin, por edhe aspektin profesional. E keqja tjetër është se kjo lloj gazetarie dhe këta lloj gazetarësh në shumë raste mbështeten nga politikanet të cilët janë të sigurt se do t’i kenë shërbëtorë të zellshëm gjatë gjithë karrierës së tyre. Ata mbështesin të dyja palët pasi edhe praktika e punës dhe interesat e tyre janë të njëjta. Në këtë mënyrë krijohet ajo që shpesh quhet elitë gazetarie, e cila më shumë sesa profesionit u bën hyzmet mënyrave apo praktikave të pandershme që u mundësojnë kështu mbijetesën madje në nivele të larta në këtë profesion aq të nderuar.

Në një nga raportet mbi situatën e mediave në Kosovë organizata “Reporterë pa kufij” nënvizon se, gjatë viteve të fundit në Kosovë nuk janë bërë përpjekje për krijimin e kushteve për krijimin e një gazetarie të lirë dhe të pavarur, ndërkohë që shumica e mediave nuk janë të pavarura as në aspektin redaksional dhe as në atë financiar. Janë kryesisht politikanët që përpiqen t`ua mbyllin gojën, ose t`i detyrojnë për vetë censurë gazetarët dhe përgjithësisht ato media qe kanë kritikë ndaj qeverisë. Një metodë që përdoret rëndom janë fushatat frikësuese nën moton: Kush guxon të kritikojë hapur veprimet e qeverisë apo korrupsionin, damkoset publikisht si “antipatriot”, “tradhtar i kombit”, apo thjeshtë si një njeri që “është kundër Kosovës”, thuhet në raport prej 14 faqesh të vitit 2010 të “Reporterëve pa kufij”.

Dihet se gazetaria përballet me shumë pasiguri dhe me shumë kërkesa. Gazetaria sot është nën presionin e komercializimit dhe nga fuqia e kompanive të mëdha. Gazetaria, sot është nën presionin dhe nga shumë faktorë që prodhon lajm. Rasti më i freskët ishte edhe “loja” e Kuvendit të Kosovës me gazetarë që dolën në shesh disa mosmarrëveshje që çuan deri te thirrja e Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë për bojkotimin e punës së legjislativit. Ku bëhej fjalë për rregulloren e re të punës së kuvendit dhe pjesës ku flitej për qasjen e medieve. Me këtë është bërë një provokim non sens i legjislativit… ndaj mediave të këtushme, duke i mbështetur për muri, duke i injoruar pamasë!

Pa dyshim se kjo është kohë e përshtatshme, me mundësi të reja për t`u shprehur dhe për të ndërtuar e ndihmuar demokracinë. Por, a është kjo e mjaftueshme? Ne kemi nevojë për një gazetari profesionale, për një gazetari që mund sigurojë një informacion të cilësisë të lartë. Ne jemi të uritur për një informacion që është shkruar në përputhje me kërkesat e rregullave gazetareske.

Ne kemi nevojë për një gazetari që është kritikëhapur ndaj burimit të informacionit dhe standardeve etike. Kemi nevojë për gazetarë që kanë aftësi e mprehtësi intelektuale për të analizuar, duke përfshirë këtu edhe aftësinë për reflektimin vetanak.

Kemi nevojë për gazetarë, të cilët me gjithë mend e kanë lexuar dhe e respektojnë kodin moral të gazetarisë, ku, ndër të tjera, pa dyshim, duhet të ceket se “obligim i gazetarisë është që të hulumtojë se si mediat vetëpërmbushin rolin dhe detyrat e tyre në shoqëri”. Kemi nevojë për gazetarë që kuptojnë jo vetëm rolin e tyre në media, por edhe fuqinë dhe pushtetin që këta e posedojnë prej mjeteve të informimit.

Në këto ndryshime të mëdha që gjendet populli kosovar, ne kemi nevojë për gazetarë të cilët i kuptojnë kufijtë e tyre, që kuptojnë politikën ekonomike moderne të mediave. Sot, siç po duket, gazetaria jonë po shkon në drejtim të kundërt nga se i kërkohet nga lexuesi. Kemi nevojë për gazetarë, të cilët janë qind për qind të sigurt me opinionet e tyre rreth asaj se çfarë dëshiron ky popull.

Kemi nevojë për gazetarë që kanë të zhvilluara mirë njohuritë për zanatin gazetaresk dhe që kanë vetëbesim për atë që shkruajnë. Pra, ne kemi nevojë të madhe për gazetarë që dinë diçka, që dinë më shumë sesa të bëjnë vetëm pyetje të kota. Dhe në fund, vetvetiu të vjen në mendje pyetja: mediat a janë vërtet profesionale e të pavarura?

(Autori i shkrimit është gazetar i pavarur)