LAJMI I FUNDIT:

Rrugët tona (ndër)kombëtare!

Bechtel-Enka ka vendosur të konkurrojë në momentin që nga Qeveria e Kosovës do të shpallet tenderi për rrugën Prishtinë-Shkup. Kështu, pak a shumë, ka deklaruar zëdhënësja e kësaj korporate me renome botërore. Jam i bindur se edhe Qeveria e Kosovës, pas kësaj deklarate, nuk ka çka pret dhe gjithsesi, do të marr vendim për me e shpallë tenderin për ndërtimin e kësaj rruge.

Zëdhënësja e Bechtellit tashmë e ka deklaruar këtë qëllim, ndërkohë që zëdhënësi i qeverisë ende nuk është prononcuar. Ndoshta se qeveria nuk ka zëdhënës!Por, gjithsesi, dikush do të prononcohet. Apo, ndoshta nuk prononcohen hiq!

Se si mu kujtua ajo anekdota me Nasradinin, mbretin dhe elefantin. Ajo anekdota kur fshati i vogël dhe i varfër turk ankohet se nuk ka kapacitete me ushqye elefantin e mbretit dhe ata me Nastadinin në krye nisen për me e lutë mbretin që të liroheshin nga kjo barrë. Por, te dera e pallatit, ata, nga frika, e lanë Nasradinin vetëm dhe ky bën si ja bën dhe e bindë mbretin se elefanti i tij i dashur po mërzitej dhe se fshati e kishte dërguar të kërkoj edhe një elefant tjetër për me i bë shoqëri… Nuk dihet a mbijetoi fshati, elefantët e madje nuk dihet a kanë ekzistuar ndonjëherë. Por, deri në ditët tona mbijetoi kjo storje për Nasradinin e famshëm dhe dinakëritë e tij.


Por, “D” shkoi. Sipas kryeministrit, diplomati iku me më pak flokë në kokë sesa që kishte ardhur. Për tjerat nuk dihet, se ambasadorët i mbron imuniteti diplomatik. Ndërkaq, në ndejën publiko-private në periferi të Prishtinës, kryeministri nuk e la pa ia përmend, përplot emocione, edhe flokët e veta, të thinjura në ndërkohë. Mbeti e paqartë se në kë po ankohej: në “D” apo në opozitën!

I brengosur për flokët e rëna të “D” dhe flokët e thinjura të pushtetit, për flokët e mija harrova krejt. U nisa sivjet për në Adriatik. I rashë rrugës (ndër)kombëtare. Dorën në zemër, porsa dola në “Duhël”, u binda se puna në autostradën “Ibrahim Rugova” duket e standardeve të jashtëzakonshme për këto hapësira. Nëse krahasohet me rrugën “Prishtinë-Komoran e pak ma andej” (sepse pak kush e di deri ku do të shtrohet), e shihni se janë të pakrahasueshme. Nuk jam ekspert për anën inxhinierike apo financiare të rrugëve, por gjithsesi puna që shihet nuk do “kallauz”!

Natyrisht, edhe rruga “Prishtinë-Komoran e pak ma andej”, ndoshta do të ishte kryer me kohë, e ndoshta edhe më mirë, e ndoshta do të kishte kushtuar edhe më shtrenjtë (se çorba e lirë, kanë thënë, ti sosë buzët) sikur të mos ishin krijuar gjithë ato afera të përcjella me zhurmën shurdhuese të sirenave të Policisë Televizive të EULEX-it. Sepse, si u pa puna, nga polemika e famshme e këtyre ditëve të zhegitshme verore, krejt kohën zotërinjtë nuk paskan pasur asnjë provë valide. Sidoqoftë, krejt procesin gjyqësor nuk e konsideroj aspak politik, pasi ish-ministri është gjithsesi fajtor, sepse qysh në momentin kur ka filluar fushata ai është dashur të pranojë fajin dhe të ofrojë të gjitha provat e nevojshme. Por, ai nuk tregoi respekt! Nuk besoi në ata që duhet! Por, në veten! Në vend se të ofronte provat, ai po kërkonte prova! Hmmm!

Por, kujt i hyjnë në punë provat në republikën e tipit “D”, kur edhe vet “D” e paska pranuar se s’ka pasur kurrfarë provash. Në Amerikën Latine, për shembull, ky tip i republikave quhej “Banana Republikë”. Por, ne s’kemi banane, e as majmunë autoktonë, edhe pse ish-majori i KFOR-it , Kristian Kahrs, na paska quajtur me dashamirësi “vend majmunësh”.

“Ju të gjithë jeni majmunë. Ky është vend i majmunëve”, u paska thënë z. Kahrs policëve të Kosovës, në ditën e Vidovdanit.

Nejse, kur jemi te rruga (ndër)kombëtare, personalisht e shoh veç një të keqe nga kjo rrugë. E rrafshët, e larme, për me vozitë e me pi kafe njëkohësisht. Mundet me të zanë gjumi në timon!

Nejse, edhe kostoja po del, sipas shoqërisë civile, dy-tri herë më e lartë sa as opinioni ynë “sylesh” nuk po e përpinë dot. Dorën në zemër. Lidhur me koston, të dyja palët, Qeveria dhe Bechtelli i kanë borxh opinionit publik kosovar më shumë sqarime. Por, ne si duket nuk jemi as opinion e as publik. Nuk po na njohin as për opinion as për publik.

Arsyet pse nuk na japin kurrfarë sqarime mund të jenë së paku dy: Bechtell-Enka nuk kanë staf serioz të marrëdhënieve publike, i cili e njeh këtë shoqëri dhe këtë mentalitet. Ose, mundësia tjetër , e cila po ashtu duket krejtësisht reale, është se nime s’na bëjnë hesap. Por, nëse e kanë kryer punën me të zotin e punës, pse me na bë hesap neve qytetarëve e katundarëve “tu” Kosovës?

Por, të kthehemi te rruga tjetër e kombit, për të cilën pritet të shpallet tenderi, pasi Bechtel-Enka tash ka shprehur gatishmërinë. Element tjetër i cili i jep përparësi Bechtelit – natyrisht nëse vendosin me konkurrua edhe në pjesën maqedonase – është se edhe qeveria maqedonase posa të marrë vesh nga zëdhënësja se do të konkurrojnë, do të shpallë tenderin. Përndryshe , qysh me konkurrua pa tender.
Kështu që rrugët (ndër)kombëtare në Ballkan do të përmbyllen dalëngadalë, përfshirë këtu edhe “Korridorin 11” në Serbi, ku si duket Bechtell-Enka po ashtu ka vendosur të konkurrojë, apo tashmë veç ka konkurruar. Ju lutem mos më kapni për fjale. Verifikojeni!

Kështu, infrastruktura rajonale do të përmbyllej me korridoret (ndër)kombëtare në Serbi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni , Mal të zi, të gjitha të ndërtuara me motive(ndër)kombëtare e patriotike dhe të cilat do të hyjnë në funksion të drejtpërdrejtë të integrimeve rajonale. Na mbetet të shpresojmë që as “Korridori 8” nuk do të jetë jashtë vëmendjes së kompanive globale. Sepse, u pa puna, që vetëm kështu mund të ndërtohet diçka suksesshëm në Ballkan.

Infrastruktura rrugore, dhe jo vetëm ajo, janë pa dyshim interes (ndër)kombëtar i të gjithë popujve të cilët synojnë integrimet kontinentale dhe veriatlantike. Deklaroj se të gjitha pohimet në këtë paragraf janë pa asnjë trohë ironie. Këtë e shoh të nevojshme për shkak të interpretuesve zyrtarë, të cilët të punësuar “me të njofshëm” shpeshherë nuk e kanë as idenë se çfarë ke shkruar. Por, kjo nuk i pengon aspak të të fusin në ndonjë listë! Aso me “anti”!

Pra, një gjë është e sigurt. Edhe rruga Prishtinë-Shkup do të jetë rrugë (ndër)kombëtare dhe kushdo që mendon ndryshe është i dyshimtë në aspektin (ndër)kombëtar. Antishqiptarë po se po, por… ky nuk është aq problem… sot!

“Në shoqëritë demokratike çdo biznes fillon me lejen e publikut dhe vazhdon të ekzistojë me aprovimin e tij. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë organizata duhet të ndajë politikat e veta, aktivitetet afariste dhe qëllimet e saj me publikun. Ky është obligim i tyre”. Kështu, pak a shumë, thoshte dikur Artur W. Page. Kjo, pak a shumë, e përshtatur vlen edhe për qeveritë në një shoqëri demokratike.

Hajt se bëhet mirë! Neve edhe ashtu nuk na bëjnë fort hesap për qytetarë! As për publik.
Derisa nga CD-ja e një veture sportive, pa kulm, po përhapej gëzueshëm refreni i këngës me vlera (ndër)kombëtare: ”O lop’t e mija, ma t’mirat në katuneee…!” , para syve tonë hapej mrekullia e quajtur autostrada e kombit dhe…! Mos ja shkel fort!

Shyqyr që shpëtoi ministri! Nga të tjerët nuk kanë rrezik! Ruaji Zot nga vetvetja!

Në trend

Më shumë
Nesër bëhet varrimi i tre fëmijve që humbën jetën nga shembja e objektit në Jabllanicë të Gjakovës

Nesër bëhet varrimi i tre fëmijve që humbën jetën nga shembja e objektit në Jabllanicë të Gjakovës

Lajme
“Diellza imagjinare”, Bledi Mane ironizon me Gjestin: Është një fantazist i fortë, dashuron vetëm veten dhe famën

“Diellza imagjinare”, Bledi Mane ironizon me Gjestin: Është një fantazist i fortë, dashuron vetëm veten dhe famën

Magazina
Tragjedia në Jabllanicë, pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin e shembjes së objektit ku humbën jetën tre fëmijë

Tragjedia në Jabllanicë, pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin e shembjes së objektit ku humbën jetën tre fëmijë

Lajme
Mesazhi brutal që Ruben Amorim i dha Rashfordit para se të transferohet tek Aston Villa

Mesazhi brutal që Ruben Amorim i dha Rashfordit para se të transferohet tek Aston Villa

Premier League
Milani arriti marrëveshje me skuadrën italiane për shitjen e Theo Hernandez, por francezi refuzoi këtë lëvizje

Milani arriti marrëveshje me skuadrën italiane për shitjen e Theo Hernandez, por francezi refuzoi këtë lëvizje

Serie A
Sonte në Big Brother martohen Jozi dhe Loredana, por nuk ftojnë në dasmë Rozanën dhe Laertin

Sonte në Big Brother martohen Jozi dhe Loredana, por nuk ftojnë në dasmë Rozanën dhe Laertin

Magazina
Kalo në kategori