Emigracioni ka qenë përherë element themelor i historisë së Ballkanit, ndërsa pozicioni gjeografik strategjik dhe kostot relativisht të ulëta të lëvizjes, duket se kanë luajtur një rol të rëndësishëm. Lëvizjet emigruese drejt Perëndimit janë shkaktuar kryesisht nga diferencat e mëdha ekonomike dhe qeverisëse. Si faktorët shtytës (push), edhe ata tërheqës (pull) të emigracionit, vështirë të injorohen. Situata bëhet më shqetësuese, sepse emigrimi duket të jetë i përhershëm, me vetëm një numër të kufizuar kthimesh, pa një strukturë emigrimi qarkulluese.
Fenomeni “brain drain” (i rrjedhjes së trurit, për të cilin kam shkruar disa vite më parë në këtë gazetë) është një shprehje e re “në modë” në fjalorin politik në Ballkanin Perëndimor, në mungesë të hulumtimeve analitike, ose ndonjë ideje të qartë se si të trajtohet ky fenomen. Lajmi i mirë është se institucionet e Bashkimit Evropian kanë filluar t’i kushtojnë vëmendje kësaj sfide dhe qeveria gjermane e ka kthyer atë në një përparësi të rëndësishme të Presidencës së saj të BE-së. Një konferencë virtuale treditore e sponsorizuar nga Ministria e Jashtme gjermane mblodhi së bashku qindra ekspertë për të diskutuar mbi këtë temë, dhe më e rëndësishmja është se fokusi u përqendrua në dëgjimin e zërave të të rinjve nga Ballkani Perëndimor.
Valët aktuale të emigracionit nga rajoni nuk duhet të jenë aspak surprizuese, duke pasur parasysh se efekti i dëshiruar i konvergjencës ekonomike dhe sociale me BE-në nuk ka ndodhur siç pritej, dhe të ardhurat mesatare për frymë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë vetëm 14 për qind e të ardhurave të BE-së, sipas të dhënave të FMN-së.
Sipas të dhënave të Raportit të Emigracionit Botëror 2020, tri vende të rajonit janë të renditura në mesin e njëzet vendeve që kryesojnë listën në botë, si vendet me numrin më të lartë të emigrantëve si përqindje e popullsisë, që nga fillimi i viteve 1990, të tilla si Bosnja dhe Hercegovina (33 për qind), Shqipëria (29 për qind) dhe Maqedonia e Veriut (24 për qind). Popullsia në rajon është duke u plakur, të rinjtë po largohen dhe nivelet e lindjeve të reja kanë kolapsuar në nivele mesatare prej 1.6 (i njëjti nivel me vendet e BE-së). Këta tre faktorë të ndërlidhur fort po krijojnë një cikël të vështirë për t’u thyer të rënies demografike në rajon. Në të vërtetë, ky është një fenomen, me të cilin po luftojnë shumica e vendeve të Evropës Juglindore. Vendet e pasura dhe të zhvilluara perëndimore kompensojnë nivelet e ulëta të lindshmërisë përmes imigracionit, fenomen ky jo i parë në Ballkan.
Që nga viti 1989, popullsia e Ballkanit Perëndimor është ulur me pothuajse 2.5 milionë banorë, duke shkuar kështu nga më shumë se 20 milionë në 17.6 milionë banorë. Projeksionet tregojnë se në 30 vitet e ardhshme, humbja e popullsisë do të jetë edhe më e lartë, mesatarisht rreth 13 për qind ose përkthyer në 2.3 milionë më pak banorë. Popullsia rajonale parashikohet të arrijë në vetëm 15 milionë banorë në vitin 2050.
Në Ballkan, fenomeni i emigracionit nuk është konsideruar ndonjëherë si një sfidë, por është parë më shumë si një mundësi, duke marrë parasysh remitancat e larta (mesatarisht deri në 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto), dukshëm të rëndësishme për stabilitetin ekonomik të rajonit. Në njëfarë mënyre, këto vende janë bërë të varura nga dërgesat e parave nga emigracioni, jo vetëm për ritmet e konsumit të brendshëm dhe investimet të vogla private, por edhe si valvula thelbësore sociale, të nevojshme për të ruajtur stabilitetin social në rajon, në mungesë të shërbimeve publike.
Në realitet, shumica e udhëheqësve në Ballkanin Perëndimor duket se i janë mirënjohës emigracionit, duke marrë parasysh nivelet e larta të papunësisë (sidomos te të rinjtë) dhe mungesën e kapacitetit për të thithur fuqinë e re punëtore në ekonomitë e tyre. Në një studim të Gallup mbi rrjedhjen e trurit (kryer nga 2015-2017), vendet e Ballkanit Perëndimor janë të renditura më dobët në Evropë, duke treguar shifra alarmante të njerëzve që dëshirojnë të emigrojnë nga rajoni, si për shembull 42 për qind nga Kosova, 32 për qind nga Shqipëria dhe numra të ngjashëm nga Bosnja dhe Hercegovina, 30 për qind nga Maqedonia e Veriut dhe 25 për qind nga Serbia. Aktualisht, të rinjtë janë të pakënaqur me gjendjen e politikës, mungesën e meritokracisë dhe mungesën e mundësive në vendet e tyre të lindjes.
Papunësia e të rinjve në Ballkanin Perëndimor është mesatarisht rreth 40 për qind, krahasuar me atë mesatare të BE-së prej14 për qind. Segmentet e popullsisë së të rinjve që nuk janë në punësim ose arsimim (NEET) janë gjithashtu jashtëzakonisht të larta, duke vendosur shumë njerëz në kategoritë në rrezik të varfërisë dhe përjashtimit social, me një mesatare prej 24 për qind krahasuar me mesataren e BE-së prej 10 për qind.
Një ndër faktorët kryesorë për nivelet e larta të papunësisë te të rinjtë është cilësia e dobët e arsimit, që nuk arrin të përmbushë kërkesat e tregut të punës. Së bashku me tendencat e emigracionit të profesionistëve, krijohen mungesa të mëdha në sektorët prodhues të këtyre ekonomive, duke zbrazur forcën e punës dhe duke ulur nivelin e atraktivitetit të Ballkanit Perëndimor për investitorët e huaj. Fatkeqësisht, këto sfida të kapitalit njerëzor do të kufizojnë edhe më shumë perspektivat për rritjen e ardhshme ekonomike dhe uljen e varfërisë në rajon.
“Rrjedhja e trurit” nga Ballkani Perëndimor është e vështirë të vlerësohet pa statistika të besueshme, por duke parë trendët, rajoni do të jetë humbësi kryesor, pasi ky fenomen mund të ndikojë lehtësisht negativisht te vendet e vogla, duke konsideruar nivelet e ngadalta të zhvillimit ekonomik dhe financat e pakta.
Fatmirësisht, ne jetojmë në një botë të globalizuar me kufij të hapur dhe mobiliteti i të rinjve nuk mund të kufizohet. Por emigrimi duhet të jetë një zgjedhje e njerëzve të lirë, që janë të etur për të arritur potencialin e tyre në ekonominë globale, nuk duhet të jetë një obligimi shtyrës nga faktorët e brendshëm në vendet e tyre të origjinës. Në situatën e sotme, për fat të keq, emigrimi nga rajoni konsiderohet si një tregues suksesi për të rinjtë.
Kufizimi i emigracionit nga Ballkani Perëndimor nuk është zgjidhje. Edhe nëse do të kufizoheshin për të emigruar, kjo nuk do të përmirësonte situatën ekonomike në vendet e tyre dhe nuk do të përparonte aftësitë e tyre. Nga ana tjetër, duhet të jemi të qartë se faktorët tërheqës (pull factors) te vendet e përparuara nuk do të ulen. Çështja është si mund të zvogëlojmë faktorët e shtytjes (push factors) që i bëjnë njerëzit të largohen nga vendet e tyre dhe si të rritet niveli i atraktivitetit ekonomik të Ballkanit Perëndimor?
“Rrjedhja aktuale e trurit” mund të jetë një mundësi, e cila duhet të shihet si një investim në kohë. Emigrantët e aftë, një eksport i kapitalit njerëzor nga Ballkani Perëndimor drejt vendeve të përparuara për të fituar aftësi, njohuri dhe financa të reja, mund të riimportohen përsëri në vendet e origjinës, duke krijuar të ashtuquajturin emigracion qarkullues.
Qarkullimi i trurit sjell njohuri, transferim të teknologjisë, por mbi të gjitha standarde dhe praktika demokratike. Prodhimtaria e punës në rajon është më e ulëta në Evropë dhe zhvillimi i ardhshëm ekonomik i Ballkanit Perëndimor duhet të orientohet në kapitalin njerëzor dhe ekonominë e dixhitalizuar. Programet aktuale të BE-së, siç janë Procesi i Berlinit dhe Plani i BE-së prej 9 miliardë eurosh për ekonominë dhe investimet për Ballkanin Perëndimor, janë thelbësore për të mbështetur zhvillimin ekonomik modern, por edhe ndryshimin e mendësisë në rajon.
Rajoni ka përpara një dritare të re mundësish si rezultat i ristrukturimit të ekonomisë evropiane, si pasojë e krizës globale të Covid-19, ku afërsia gjeografike do të luajë një rol të ri, duke ofruar potencialin e tërheqjes së investimeve serioze perëndimore.
Çdo sukses do të jetë i mundur vetëm nëse kushtet e duhura do të ekzistojnë; një mjedis i favorshëm dhe i drejtë biznesi bazuar në shtetin e së drejtës, transparencën dhe integrimin ekonomik rajonal. Qeveritë e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të përqendrohen në kthimin e njerëzve, por në krijimin e stimujve për te rinjtë që të shohin mundësitë e rritjes dhe zhvillimit në vendet e tyre. Gjithçka fillon nga vendosja e sundimit ligjor ekonomik të ndershëm dhe përfshirja e vërtetë e të rinjve në vendimmarrje.
(Dr. Valbona Zeneli është Drejtore e Departamentit të Iniciativave Strategjike në Qendrën Evropiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall”. Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të Marshall Center, dhe të qeverive të ShBA-së dhe të Gjermanisë)
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëSuspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Atilla Kardesh rikthehet sonte në spektaklin Big Brother VIP Kosova?
Shkoi për t'i ndihmuar Putinit, ukrainasit plagosin një gjeneral nga Koreja e Veriut në Rusi
Pas suksesit ndërkombëtar kompania kosovare ZiuuRugs befason Zhegrovën dhe Muric me dhurata të personalizuara
Hovenier: Sistemi i drejtësisë në Kosovë ende me dënime të buta
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje