LAJMI I FUNDIT:

Rona Nishliu, model për politikanët

Muaj më parë për në Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit, ishte nisur një vajzë e re nga Prishtina, e cila mbi supet e saj po barte përgjegjësinë e përfaqësimit të të gjithë shqiptarëve. Ajo kishte përzgjedhur që në skenën e Eurovizionit të prezantohej me vlera vokale, me aftësi interpretimi, me shpirt artisti. Ajo nuk po brengosej nëse disa “këngëtare” do ta konsideronin pa stil të veshjes, pa pamje të mirë, pa linja të trupit… Ajo nuk kishte përgatitur një trup baleti për ta shoqëruar, nuk donte skenografi, thjeshtë do të këndonte fortë.

E gjithë Evropa foli për të. Ata filluan ta admironin; filluan të flasin për Kosovën prej nga vinte këngëtarja; filluan të flasin për çështjet sociale në Kosovë; hulumtuan në internet për Mitrovicën (vendlindjen e saj); u njoftuan me kauzën shqiptare për liri dhe pavarësi, sepse ajo i mahniti ata me vlerat e saj artistike.

Rusia vazhdon të ketë dominim në shumë vende të kontinentit të Evropës, e mbase votimi në Eurovizion ishte i motivuar politikisht, apo Shqipëria është shumë e vogël krahasuar me vendet e tjera… Por, asgjë nuk e ndali Ronën që të renditet e 5-ta, duke lënë mbrapa saj vende dhe kombe dhjetëra herë më të mëdha e më të fuqishme sesa Shqipëria. Ajo arriti t’i unifikonte shqiptarët anë e mbanë Evropës në një qëllim të vetëm: që shqiptarët të zinin një vend meritor në listën e shteteve evropiane.


Po sikur përfaqësuesit e shtetin të ishin personifikim i Ronës ?!

Teksa shikon një takim mes delegacionit nga Kosova dhe zyrtarëve të BE-së, SHBA-ve etj., gjithmonë vihet në dukje se këta përfaqësuesit tanë janë të veshur më mirë, janë më të pashëm dhe duken më “fashion”. Ata mbajnë të veshur rroba firmato, kravata e tyre tejkalon vlerën e një pensioni në Kosovë, kostumi i tyre vlen më shumë se tri paga mesatare në Kosovë, telefoni i tyre është modeli më i ri në treg (më kujtohet kryetari i Komunës sonë Avni Kastrati në një debat publik, në arsyetim për blerje të Iphon-ve për drejtorët pati thënë: nuk je i civilizuar po nuk ke Iphone)…

Unë nuk e di çfarë paraqesin ata nëpër takimet ndërkombëtare kur përfaqësojnë Kosovën. Në rast se flasin se po angazhohen në luftë kundër korrupsionit, mendoj se do të dukeshin qesharak, sepse ata vetë mbajnë mbi supe një sërë akuzash për korrupsion. Në rast se flasin për angazhimin e tyre në krijimin e një shteti ligjor, prapë do të dukeshin qesharak, sepse janë pikërisht ata që po e shkelin ligjin. Në rast se flasin për gjendjen e rëndë ekonomike në vendin e tyre, ata pasqyrojnë një realitet krejt ndryshe, sepse të gjithë nga ta janë milionerë tashmë.

Maskimet vizuale që po bëhen që nga paslufta tejkalojnë qëllimin e të qenurit i bukur. Ata kanë një shkas më të madh, mbulimin e së keqes, verbërimin e qytetarit, mbytjen e gjithë shqisave, zhdukjen e racionalitetit, hipnotizimin e masës! Pra, paraqitja e Kosovës në qendrat botërore të vendimmarrjes është vizuelisht e bukur, por esencialisht e varfër.

Paramendoje një ministër të Kosovës në Këshillin e Sigurimit, qoftë edhe pa kravatë, pa tesha firmato, pa grim, duke raportuar për të arritura konkrete të Kosovës në luftë kundër korrupsionit, në rritjen e zhvillimit ekonomik, në sundimin e ligjit, në shtrirjen e autoritetit të shtetit në çdo pëllëmbë të vendit, në zvogëlimin e papunësisë, për rritjen e GDP-së… A nuk do të ishte ky një përfaqësim më dinjitoz i Kosovës? Do të ishte dhe këtë nuk e vë në dyshim.

Diplomacia vendore e ndërkombëtare kërkon material, kërkon argument, kërkon diçka përtej kollareve dhe veshjes me stil. Diplomacia duhet të jetë diçka më shumë sesa pjesa e protokollit që përcakton stilin e dukjes. Ajo kërkon melodi koherente, kërkon një tekst të bazuar, kërkon zë, mbi të gjitha kërkon audiencë!

Rona fitoi audiencën, duke poseduar parimisht të gjitha virtytet në të cilat fatkeqësisht zyrtarët tanë çalojnë shumë. E pika më e dhimbshme në gjithë këtë kaos është se Rona është një person, e cila u vlerësua shumë ndërkombëtarisht (jo ne vend). Ajo na bëri të ndjehemi krenar për pak ditë sa zëri i saj bënte jehonën. Ama efekti që po krijohet nga përfaqësimi zyrtar i vendit aq shpejt po shkatërron atë krenari të krijuar dhe fatkeqësisht dënimi është shumë më shumë afatgjatë!

Ata nuk duan t’ia dinë për këtë punë. Gjëja e vetme që u ka mbetur për të na turpëruar deri në palcë, është t’ia shtojmë fjalimeve të tyre edhe shprehjen: “Falënderoj mamin që më ka bërë kaq të bukur”. Nuk do çuditsha fort sikur dhe këtë gjë ta dëgjoja. Dështim epik!