LAJMI I FUNDIT:

Rimodelimi i Murit të Berlinit !

“Isa Boletini vet ka ardhë/ O man allti e man k’sul t’bardhë/ Duhet pritë o si asht zakoni/ Veç kujdes t’ma kontrolloni …”

Nën tingujt e sharkisë dhe kujtimet e së kaluarës, që të rrëqethin mishtë, në kafenenë tonë politike po thyhen heshtat rreth udhëtimit historik të “Agës” në Bruksel! Atje është ftuar për drekë! Me Daçiçin!

Po të mos ishte drekë, do të merrja guximin me e quajt “darka e fshehtë”. Por, darkë nëpër diell nuk ka, e aq më tepër të fshehtë. Por, mbase krejt kjo mund të shpjegohet me mjegullën që e ka mbuluar skenën tonë politike. Politika jonë, siç e dini, është krejtësisht ndërkombëtare. Pra, në politikën tonë (ndër)kombëtare ka më shumë mjegull se kurrë! Dëgjohen në prapaskenë edhe ulërima ujqish.
E mjegulla në Bruksel është krijuar këto ditë me modelin e famshëm të “dy Gjermanive”.


Në Uashington, përkundrazi, është shumë kthjelltë! Sot do të merret vesh se kush dhe kah!
Zonja Klinton nuk qëlloi në atdhe në kohën e uraganit, prandaj edhe nuk pati rast me i pa peshkaqenët virtualë që notonin rrugëve të New Jerseyt . Ajo, në këtë kohë në një vizitë të cilën (krye)ministri serb e quajti “lamtumirëse”, po fotografohej me peshkaqenët real të Ballkanit! Bashkë me baroneshën Ashton!

Sidoqoftë, nga një drekë askush nuk humbë asgjë. E për një drekë të mirë nuk duhet shumë! Pak mish e pak lakra mjaftojnë për një sarme të vërtetë ballkanike. Vetëm të mos na servohet ndonjë specialitet jofunksional boshnjak se pastaj o do të bëhemi kaps, o do të na kapë barku! Si në Bosnjë!

E në këtë drekë pune, do të takohen dy miqtë aktualisht më të mirë në Ballkan, kryeministri i Serbisë dhe ai i Kosovës! Kuptohet, për arsye krejtësisht të qarta secili do të mohojë miqësinë! Përndryshe, mohimi i miqësisë është veçse edhe një element asociues lidhur me darkën e fshehtë!

Por, pavarësisht mohimit, në fakt karriera e tyre varet krejtësisht nga njëri-tjetri. Ose do të merren vesh për diçka që do të kënaqë të dy palët ose do të kalojnë në histori. E dy palët e interesuara nuk janë aq shumë Kosova e Serbia sa janë SHBA dhe Bashkimi Evropian. Sa për këta “tanët”, kriza do të vazhdonte! Biznesi me krizën po u sillte ekstra përfitime. Kjo po i bënte ekstra kombëtare edhe elitat e të dy vendeve tona “sijameze”! Po i quaj “sijameze” sepse nuk po na ndajnë dot me një operacion të thjeshtë. Sikur Çekosllovakinë e dikurshme, për shembull! Për ne nevojitet operacion më i sofistikuar politik.

Është e qartë se të jesh në pushtet me çdo kusht, kjo po që i ka telashet e veta. Kur të gjithë rrëzojnë mure, ti i ndërton ato. E dreka po bëhet rreth murit. Pikërisht atij “Murit të Berlinit” në Mitrovicë. Po kërkohet modeli! Po përmendet modeli i dy Gjermanive!

Po e quajmë “Muri i Mitrovicës” e nuk po e quajmë urë, sepse ura ka kuptim tjetër. Ajo lidhë brigjet! E muri – ndanë! Tash, dilema është a po e shembin, apo po e ndërtojnë murin? Këtu në skenë del mjegulla dhe ulërimat e ujqërve mitikë!

Tash po e kuptoj përse po e rrahin Albinin, pavarësisht se për çka po proteston. Sidomos kur kërkon vetëvendosje! Albini më kot po i mëshon murit me kokë, por arsyen e vërtetë nuk po e gjen! Mos e lodh kryet kot Albin! Për shkak të Murit e kanë! Murit të Berlinit! Modeli i Berlinit. Berlini i jonë edhe i tyre, njëkohësisht! Pastaj duhet një korridor!

Por, më mirë le krejt e të shohim çka po bëhet! Çka po del nga dreka?!

E, politika kanë thënë se është një femër e llojit të veçantë. Pas kësaj mund të ndodhë që përpara disa institucioneve të ndërrohen poçet elektrike dhe të vihen ato me ngjyrë të kuqe! Me u përshtatë!

E, në Bruksel, “Aga” do të shkojë me telefon në brez. Me dy telefona! Si “Aga”! Kur e thirrin prej kabineti, sipas porosisë, në mes të Brukselit do të jehojë në vend të ziles klasike të “Nokia”-s, kënga e madhe, e cila me tekstin e vet patriotik sqaron gjithçka lidhur me motivet e kësaj udhe historike.
Sidomos teksti: “Më ka qu populli shqiptar, o veç krajlive me ua thanë dy fjalë…”! Nejse, këtu teksti bëhet krejt i paqartë! Edhe shumë mirë që bëhet i paqartë, sepse runa Zot (krye)ministri serb do të mund të ndihej i ofenduar me përmbajtjen e tekstit të këngës dhe mundet të ndërpresë bisedimet.

(Krye)ministri i cili ende mendon se do të kishte fituar luftën me këtë “tonin”, sikur të mos ishte përzier bashkësia ndërkombëtare. Këta po e përzinin një popull të tërë nga shtëpitë e veta, vetëm e vetëm për me e mundë më lehtë “Agën”! Jo se po bënin spastrim etnik! Runa zot!

Tipi ende në tripa të luftës! Ende po mendon se mirë na e patën bërë. Ende ndihet krenar! Se si e keni kuptuar të gjithë tashmë Serbia është superfuqi! Krejt bota duhet me e lutë me u ulë me bisedua me ne! Shyqyr që po pranojnë! Prandaj, po provojnë modele sikur këpucët në butik. Me rëndësi Serbisë me i ra tamam. Për ne nuk ka lidhje se. Ne mundemi edhe zbathë me ecë. Kjo qeveri edhe rrugët ka me na i bë me nxemje qendrore!

U pa puna! Si Gjermania-t, po na bëjnë! Model tjetër nuk na bie për trupi! Sepse, kryeministri ynë ka thënë jo! E kur ai të thotë jo, nga diplomacia përkthehet si aprovim.

Por, a po na bëjnë si Gjermania Perëndimore apo si ajo Lindore? Pastaj, çka do të ndodhë në fund të procesit: a do të na bashkojnë prapë apo do të na ndajnë?

Ra kjo puna e dy telefonave dhe jam paksa më rehat me ndërgjegjen qytetare e kombëtare! Qëkur dëgjova të flitet se kryeministri në Bruksel ka shkuar me dy telefona, me “asishne” të modelit të vjetër që nuk i kapë asnjë sistem, më nuk kam asnjë dyshim! Nuk çarmatoset ai. Nuk i dorëzon të dytë ai!

Njërin e ka dorëzuar te hyrja, veç për me e hutua sigurimin!

Tjetrin nuk e dorëzon…! Prapë modele! Modeli i “Agës Isë” !

Kështu, brez pas brezi do të këndohet kënga: “Sa për rregulla i zbatova/ Telefonin s’e dorëzova/ Gjithë jetën o prej brezit s’e lëshova”.