LAJMI I FUNDIT:

Rikthimi nga harresa

Rikthimi nga harresa
The Dexys Midnight Runners më 1982 (Kevin Rowland, i dyti nga e djathta)

Nga: Helen Barrett / The Daily Telegraph (titulli: Kevin Rowland: ‘I thought, if anyone tries it on with my woman – I’m going to hit him’)
Përkthimi: Telegrafi.com

Kevin Rowland ka kujtesë të shkëlqyeshme. Lideri i [grupit] Dexys thotë se jetën e vet mund ta kujtojë në detajet më interesante. “Çuditërisht është gjë e mirë”, thotë ai. “Mund të kujtoj se çfarë kishin veshur njerëzit, ta përshkruaj dhomën. Gjëra të tilla të çmendura”.


Pra, është skeptik në lidhje me Searching for Dexys Midnight Runners, me librin që do të dalë më 6 qershor, ku një duzinë e anëtarëve aktualë dhe ish-anëtarëve të grupit – të cilin e formoi para më shumë se 45 vjetëve – flasin për kohën në një nga aktet më të suksesshme britanike në vitet 1980.

Në formacionin e saj, Dexys (Rowland e shkurtoi emrin e grupit Dexys Midnight Runners më 2011) ka pasur gjithmonë politikë të dyerve rrotulluese. Disa anëtarë – trombonisti Jim Paterson, kitaristi Kevin Archer, violinistja Helen O’Hara mes tyre – thotë se ishin thelbi i grupit; të tjerët ishin me qira. Jo të gjithë kanë fuqinë e tij të kujtimit dhe jo të gjithë ishin të kyçur sa ai.

Rowland nuk bashkëpunoi për librin. “Nuk jam i interesuar”, thotë ai. Ajo që duket se e shqetëson më shumë është se Dexys është futur në tregun e nostalgjisë. “Nuk mjafton për mua që të shikoj prapa dhe të them: ‘Oh, sa mirë ishte atëherë’. Kjo do të ishte vdekje për mua. Ka të bëjë me atë që tani po bëj”.

Në moshën 70-vjeçare, Rowlandi është më produktiv se kurrë. Jemi në pabin ku jeton, një vendtakim i mirë në Hekni të Londrës, për të folur për publikimin e radhës të Dexys – versionin live të albumit të vlerësuar nga kritikët më 2023, The Feminine Divine – dhe turneun e ardhshëm të grupit, me nëntë koncerte në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Irlandë për të njëjtin album.

The Feminine Divine është album konceptual, një lloj biografie rrëfimtare e Rowlandit në nëntë këngë. Rrëfen historinë e zhvillimit të tij 30-vjeçar nga një mashkull seksist që i shihte gratë si pasuri (mentalitet të cilin pjesërisht ia atribuon edukimit) te një mbrojtës i përndritur i grave.

Këngën e parë, The One That Loves You, e shkroi në fillim të viteve 1990. “Në thelb do të thotë, nëse dikush e bën të njëjtën me gruan time, do ta godas”, thotë ai. “Kështu mendoja dhe ndjeva”.

Pjesa tjetër e këngëve janë kompozime të reja, plot emocione që shënojnë braktisjen e Rowlandit nga egoja e tij në marrëdhëniet me femrat.

Pyes veten nëse lëvizja MeToo e ndryshoi, por thotë se nuk kishte epifani. Nisi të heq dorë nga maçoizmi pas vitit 1993, kur shkoi në një program shërimi nga varësia nga kokaina – pas viteve të humbura nga droga, të shkaktuar nga dështimi komercial i albumit të tretë të Dexys.

Terapia e tij zbuloi të gjitha llojet e pakënaqësisë së rrënjosur. “Babai im ishte tip i ashpër. Nuk ishte duke luftuar me të gjithë, por disi kuptova se kjo ishte ajo që duhej të bëja. Përndryshe do të më shkelnin. Kuptova se ishte maskë e madhe, ai maçoizmi me të cilën u rrita”.

Jam prekur nga kontrasti te I’m Going to Get Free – kënga e tretë e albumit dhe singli i fundit – një këngë jashtëzakonisht tërheqëse në të cilën Rowlandi dhe këngëtaret mbështetëse interpretojnë në një lloj të seancës terapeutike.

U trembe?
Po.
Nga dhuna jote?
Oh, po. Kisha kaq shumë urrejtje në vete.
U ndala, shikova dhe thashë me vete, nuk më pëlqen ajo që shoh.
Dhe, tash do të çlirohem.

Kevin Rowland (2024)

Tingëllon si shpengim. “Mendova se ishte deklaratë e fortë. E ndjeja çdo fjalë”, thotë ai.

Rowland lindi në një familje katolike irlandeze në Uolverhampton në vitin 1953, ndërsa fëmijërinë e kaloi duke lëvizur – fillimisht në Irlandë, përsëri në Uolverhampton dhe më pas në Londrën veriore.

“Ishte sfondi i klasës punëtore. Natyrisht, nëse babai yt është ndërtimtar dhe ti ke origjinë irlandeze. Derisa u futa në biznesin e muzikës, kurrë nuk kam takuar njerëz të klasës së mesme”.

Si i ri, e donte shpirtin e Filadelfias dhe u mbërthye nga grupi Roxy Music. Bryan Ferry ishte ndikimi më i madh në stilin e tij të këndimit. “Kur e dëgjova për herë të parë, thash çka dreqin është kjo? Ishte mahnitës”.

Sfondi i ashpër i Rowlandit ia dha atij nxitjen dhe produktiviten. E kishte një vizion të qartë për Dexys Midnight Runners – në fund të viteve 1970 dhe në fillim të viteve 1980 – gjë që çoi në suksesin e hershëm komercial. Singli i dytë e grupit, Geno, shkoi në numrin një në toplistë.

Pranon se ishte lider, duke këmbëngulur për prova me kohë të plotë, uniforma të detyrueshme me kapele dhe xhaketa, madje edhe një program ushtrimesh që përfshinin vrapimin në grup për të nxjerr në pah shpirtin kolektiv luftarak.

A do të kishte karrierë në muzikën pop, po t’ia niste sot? “Nuk besoj, jo. Faktor i madh ishte lëmosha, përfitimi nga papunësia me çfarë mund të jetoje. Nuk jam i sigurt nëse mundesh tash; nuk e di nëse mund të mbijetosh. Por, atëherë ke mundur”.

Albumi i vitit 1980, Searching for the Young Soul Rebels, u pasua nga Too-Rye-Ay me shitje platini dhe me hitin e madh global, Come on Eileen.

Në fillim të viteve 1980, Britania e Madhe u trondit nga Kriza [problemet në Irlandën e Veriut]. Kopertina e Young Soul Rebels paraqiste një fotografi gazete të një djali që largohej nga shtëpia e tij në Belfast, duke mbërthyer gjërat e veta, teksa rreth tij shpërthejnë trazirat civile.

Menjëherë pasi u lansua Come on Eileen, në verën e vitit 1982, IRA vrau 11 njerëz me bomba në paradat ushtarake në Londër. Rowland përshkruan se si, kur kënga u lëshua për herë të parë në një stacion radioje në Birmingem, një prezantues kërkoi falje për detajet irlandeze, “vetëm sepse kishte tingull irlandez”.

Tekstet nuk ishin aspak politike. Por, Rowland thotë se e ndjente si për detyrë të sillte detaje irlandeze në muzikë në një kohë problematike. “Ndihej subversive. Në vitet 1980, nuk duhej thoshe asgjë për Irlandën. Askush nuk donte të dëgjonte për të. Edhe njerëzit më të majtë nuk folën për këtë dhe ndjeva se kultura irlandeze ishte keqkuptuar”.

Pastaj erdhën periudhat e gjata të zhgënjimit. Albumi i vitit 1985, Don’t Stand Me Down, nuk u shit. “Ishte zhgënjim i madh; nuk mund bënim asgjë më mirë se ai album”, thotë ai. “Na zgjati shumë, tri vjet, dhe i gjithë peizazhi ndryshoi. [Koncerti] Live Aid kishte ndodhur e neve nuk na ftuan. Gjithçka dukej më e madhe, më korporative”.

Rowland u fut në përdorimin e kokainës, humbi shumë nga pasuria dhe nisi të shërohej. Më pas, My Beauty i vitit 1999, albumi i tij i rikthimit solo – me këngë të të tjerëve ku riinterpretoi tekstet që pasqyrojnë përvojat e tij dhe ku në kopertinë u shfaq i veshur me fustan dhe çorape grash – u prit me hutim dhe tallje. U akuzua për krizë nervore. Edhe ditorja Guardian e botoi një intervistë me Rowlandin me titullin: “Horrori me tesha të grave”.

“Dhe, ky është Guardian-i! E pabesueshme”. Them se ishte 20 vjet para epokës së fluiditetit gjinor. Pajtohet. “E bëra atë që në mënyrë intuitive ndihej si gjëja e duhur për mua. Gjëja më e keqe ishte se të gjithë menduan se ishte mirë të thuheshin gjithë ato gjëra”.

Kur Rowlandi shkon te banaku për të porositur një tjetër ujë mineral, mysafirët e lokalit prekin njëri-tjetrin duke pëshpëritur se e njohën njërin prej liderëve më të veçantë të muzikës britanike. Cilësia e tij prej ylli vjen nga qetësia pothuajse e mbinatyrshme dhe stili fin i veshjes. Thotë se vetë i dizajnon rrobat, me ndihmën e një rrobaqepësie në Dalston.

Rowlandi mund të mos e miratojë idenë për librin ardhshëm. Por, theksova se publikimi i tij bën me dije për një bazë besnike të adhuruesve. Është dakord. Në fakt, po bazohet në kujtesën e tij të mirë për të shkruar historinë e vet – një projekt të cilin e nisi 20 vjet më parë. “Shpejt e përfundoj”, thotë ai. “Nuk e di se çfarë do të thotë fjala kujtime, por kam shkruar për jetën time”. Shpreson ta botojë librin së shpejti, megjithëse thotë se vazhdon ta ndryshojë.

Teksa largohemi nga pabi, vëren kopjen time të Searching for Dexys Midnight Runners.

“Tani jam kureshtar për atë libër”, thotë ai. “Më duket disi si ide e çuditshme, por ja … mund ta lexoj, veç për inat”! /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
DASHURIA

DASHURIA

Fjala+
Babai i Anne Frankut dhe jeta pas vdekjes së saj

Babai i Anne Frankut dhe jeta pas vdekjes së saj

Kulture
Mendja e robëruar

Mendja e robëruar

Fjala+
AMANTE

AMANTE

LUFTA

LUFTA

Poezi
PAS PËRMBYTJES

PAS PËRMBYTJES

Kalo në kategori