LAJMI I FUNDIT:

Riformatim sa për sy e faqe

Para se të mendoja të shkruaja për riformatimin e Qeverisë së Kosovës doja të shkruaja mbi 11- vjetorin e hedhjes së bombave të SHBA-së dhe aleancës Veriatlantike të NATO-s mbi kokën e diktaturës së ish-Jugosllavisë, respektivisht shtetit serb që gjakosi në mënyrë më të tmerrshme rajonin e Ballkanit duke e lënë këtë rajon ende të rrethuar nga grimca mbeturinash, diktatorësh, nacionalistësh ekstremë dhe pasionantë. Por duke parë se edhe pas ndihmës dhe çlirimit nga ana e miqve tanë historikë dhe të mëdhenj, Kosova dhe liderët e saj si duket kanë harruar se ç’ka ndodhur dje dhe të gjitha përpjekjet në histori të popullit të Kosovë për liri dhe mëvetësi të tij.

Janë këta liderë institucionalë që po shkelin çdo ditë mbi gjakun e njerëzve dhe që po e poshtërojnë rrugën e nisur nga ata për të jetuar të lirë dhe të barabartë me vendet e botës demokratike. Po ashtu janë këta liderë politikë që kanë harruar se SHBA-ja dhe vendet aleate (NATO) ishin ato që e çliruan Kosovën nga represioni serb. Janë këta liderë politikë e institucionalë që po çojnë Kosovën në një rrugë pa vizion dhe pa e respektuar fare testamentin e të parëve tanë që e trasuan rrugën për liri dhe pavarësi, janë këta liderë që kanë ndryshuar të gjitha gjërat për të keq, janë këta liderë politikë e institucionalë që nga ajo liri që në erdhi si ndihmë nga SHBA-ja me aleatët (NATO) po e kthejnë në skllavëri e varfëri gjunjëzuese për popullin, ndërsa për vete në “liri absolute” për t’u pasuruar dhe për t’u korruptuar deri në gryk etj. etj.

Megjithëkëtë, që në fillim do të nënvizoj këtë ditë (11 -vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s) si mjaft të rëndësishme dhe historike për Kosovën, e cila i shpëtoi shuarjes totale si popull nga egërsia e nacionalizmit pasionant serb.


Ndërhyrja e SHBA-së me aleatë

Ndërhyrja e SHBA-së me aleatët (NATO) ishte një nga aktet më sublime dhe humane të mbrojtjes së qenies njerëzore nga shuarja e tij dhe nga mungesa e lirisë së tij brenda vendit të tij me shekuj. Kjo jo vetëm se e shpëtoi një popull të tërë nga zinxhirët e skllavërisë, por edhe e ndihmuan pikërisht këta miq si SHBA dhe aleatët (NATO) që ky popull të marrë këmbët, të fillojë rrugën e re të ripërtëritjes, pastaj të ngritjes së tij drejt formimit të vullnetit dhe përgatitjes së rrugës për ndërtimin e shtetit dhe të ardhmes së tij evropiane.

Sidoqoftë, tani pas gjithë kësaj Kosova u bë shtet i mbikëqyrur dhe në ndërtim e sipër, por edhe pas bërjes së Kosovës shtet, ajo ende ka probleme dhe sfida të mëdha apo më mirë do të thosha ka tensione të brendshme në mes të paaftësisë institucionale të lidershipit (liderëve institucionalë e politikë të korruptuara dhe të paaftë) dhe kërkesave të shumta e të shpejta që dalin para në dinamikën e rrugës së Kosovës si shtet në zhvillim.

Siç shohim, Kosova edhe pas marrjes së shtetësisë ajo po rënkon nga dhimbjet e brendshme, këto dhimbje nuk i ndien elita institucionale dhe politike, por është populli (sovrani) që po i shkaktojnë dhimbje politikat e mbrapshta dhe korruptive të qeverisjes së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës. Prandaj, sot populli i Kosovës në përgjithësi është bërë si i mpirë duke e kapluar kështu një ndjenjë dyzimi mes pasionit për të vepruar dhe ndalur këtë rrugëtim të keq të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës nga njëra anë, dhe kërkimit të rrënjëve të vërteta politike të lidershipit të ri apo të rrugëve të tjera për të dalë nga kjo amulli apo kjo gjendje rrënuese për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës dhe popullit të saj në anën tjetër.

Ndërkaq, ditëve të fundit flitet mjaft për një lloj riformatimi të Qeverisë, riformatim ky i cili i ngjan lloji të riformatimit pro forma apo sa për sy e faqe, asgjë të re apo të freskët nuk sjell riformatimi, siç edhe kam nënvizuar shumë herë se këto lloj arnimesh nuk i mbajnë gjallë institucionet këto vetëm sa i dëmtojnë ato dhe rrugëtimin e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës drejt proceseve të tjera zhvillimore dhe integruese.

Jo riformatim, por ndërrim

Gjithashtu me këto lloj arnimesh nuk mund të justifikohet mospuna dhe paaftësia e qeverisjes së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, po ashtu as me ndërrim vendesh ministrash herë në një dikaster e herë në tjetër, sepse kjo më shumë ngjan lojërave në fushë hokej që lëvizin lojtarët sa në njërin kah sa në tjetrin, gjë që kjo gjendje e arnimeve apo ndërrimeve vetëm sa do ta rëndonte akoma më shumë procesin e qeverisjes joefektive dhe të paaftë për ndërtimin e shtetit juridik pastaj sfidave të tjera në proces dhe orientimin e Kosovës drejt rrugës së integrimeve euroatlantike.

Dhe krejt në fund, institucionet qeverisëse në Kosovë nuk kanë nevojë për riformatim, por për një transformim apo ndërrim total të kësaj garniture politike e institucionale, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ecet mbarë dhe sigurt në rrugën e ndërtimit të një shteti demokratik e juridik, pastaj të një shteti ekonomikisht të qëndrueshëm si dhe që ka në zemër të të gjitha projekteve nevojat dhe kushtet e mirëqenies së qytetarit, zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit dhe rrugën e integrimit në familjen evropiane.

Duhet theksuar se ndryshimet në shtetin e mbikëqyrur të Kosovës mund të ndodhin vetëm nëse populli arrin ta kuptojë se kjo garniturë politike dhe institucionale po e rrënon ardhmërinë e tij, pastaj të popullit dhe të proceseve tjera të rrugëtimit të vendit drejt së ardhmes. Kështu që shpëtim i shtetit dhe ardhmërisë së tij është në duar të popullit (sovranit) vetëm ai mund t’i ndalë këto lëvizje të çmendura dhe të dëmshme për Kosovën nga ana e kësaj garniture politik e institucionale, vetëm në këtë mënyrë mund që të ndalet dora e rrënimit të fatit të këtij vendi etj. etj.

Kosova si asnjëherë më parë ka nevojë për një qeverisje të mençur, të përgjegjshme, efektive, transparente e llogaridhënëse, që është në shërbim të popullit dhe që ka si qëllim punën dhe vetëm punën në ndërtimin e një shteti demokratik, juridik dhe evropian.

(Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare)