LAJMI I FUNDIT:

Reagon edhe bordi i Sigal Prishtinës

Reagon edhe bordi i Sigal Prishtinës

Pas skandalit të djeshëm në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, që çoi deri në ndërprerjen e ndeshjes derbi ndërmjet finalistëve të stinorit të kaluar Sigal Prishtinës dhe Trepçës, bordi i Sigal Prishtinës në mbledhjen e jashtëzakonshme ka analizuar incidentin duke dalë me këtë deklaratë.

Deklaratën po ua sjellim pikë e për pe siç është shkruar nga zyra për informim e klubit, pa asnjë ndërhyrje, me shkronja të theksuara.

“Bordi i Sigal Prishtinës dënon ashpër incidentin që ndodhi në ndeshjen e mbrëmshme. Kërkojmë nga organet e rendit t’i identifikojnë individët e papërgjegjshëm që provokuan dhe shkaktuan incidentin, si dhe ndaj tyre të merren masat përkatëse ligjore”.

“Klubi ynë sikurse herave tjera ka bërë punën që organizimi të jetë në nivelin më të lartë. Në kuadër të organizimit, përveç stafit tonë teknik, kanë qenë të angazhuara edhe forca të mëdha policore dhe pjesëtarë të sigurimit privat, që kanë mundësuar mbarëvajtjen, pritjen dhe pëcjelljen e ekipit mysafir, referëve dhe personave tjerë zyrtarë”.


“Lusim organet e rendit që në të ardhmen të jenë më syçelë që t’i parandalojnë këta individë të papërgjegjshëm, të cilët me sjelljet e tyre të pamatura prishin imazhin e klubit, të ndeshjes dhe sportit”.

“Deri në momentin e incidentit, loja ka qenë korrekte dhe nuk ka qenë e tensionuar. Edhe pas këtij incidenti klubi ynë do të ruaj marrëdhëniet e mira me të gjitha klubet e basketbollit”.

“Sigal Prishtina pranon çdo vendim meritor që do të merret nga organet përgjegjëse të FBK-së, gjithmonë nëse ai do të jetë në proporcion me peshën dhe efektet e vendimeve që janë marrë në të kaluarën për incidente të së njejtës natyrë të ndodhura në palestrat tjera të Kosovës”.

“Shpresojmë se vendimi që do të merret do të ndikojë në evitimin e e këtyre ngjarjeve të pahijshme dhe do t’i shërbejë pozitivisht rrugës sonë për inkuadrimin në familjen e basketbollit evropian”. /Telegrafi/