LAJMI I FUNDIT:

Qeveria e Kosovës i bëri palë ndërkombëtare serbët e veriut

Marrëveshja trelaterale, serbët e veriut – KFOR – Prishtinë, legjitimon dhe legalizon gjendjen e cila në veri të Kosovës ekziston që prej tre vitesh. Marrëveshja e përkohshme synon të jetë platformë për një marrëveshje përfundimtare që sanksionon “specificitetin” e Veriut të Kosovës.

Në një intervistë në RTK-në, menjëherë pas aksionit të dështuar të Qeverisë së Kosovës në veri, shpreha dilemën time se aksioni ka dështuar ose nga padija e papërvoja e Qeverisë, ose se dështimi ka qenë i qëllimshëm për të arsyetuar një marrëveshje të mëvonshme. Pas marrëveshjes trelaterale, serbët e veriut – KFOR – Prishtinë, del se aksioni paskësh dështuar qëllimshëm dhe se njësia speciale e Policisë së Kosovës qenka sakrifikuar qëllimshëm.

Në teren mbetet gjendja e njëjtë


Marrëveshja trelaterale në thelb nuk ndryshon asgjë situatën në teren me atë që është që nga dita e nesërme e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Në formë ajo ka ndryshuar, sepse pas marrëveshjes trelaterale lëvizja e mallrave serbe pa mbikëqyrjen e institucioneve financiare të Kosovës është legale. Kufizimi për kamionët mbi 3.5 tonë nuk është ndonjë pengesë nëse nuk është e kufizuar sasia totale brenda një harku kohor. Në vend të një kamioni 35 tonësh dërgon 10 kamionë 3.5 tonësh dhe është e njëjta sasi. Moskufizimi për mallrat e Kishës Ortodokse, lë po ashtu hapësirë të madhe manipulimi dhe autonominë e serbëve nuk e kufizon vetëm me Veriun, por edhe në komunat me shumicë serbe në jug të Kosovës. Le që as biznesmenët e përkatësisë etnike shqiptare nuk është se nuk do të përfshihen në transaksione të Kishës Serbe dhe malli i Serbisë i padoganuar dhe pa TVSH do të vazhdojë të bëjë konkurrencë jolojale në tregun kosovar.

Qeveria e Kosovës s’është dashur të ndërhyjë në marrëveshjen mes KFOR-it dhe përfaqësuesve të serbëve të Veriut të Kosovës?

Njeriu mund të thotë se çfarë ka mundur të bëjë më shumë se kaq Qeveria e Kosovës? Se çfarë ka mundur të bëjë më shumë për këtë mund të shkruhen libra të tërë, por më e lehtë është përgjigjja çfarë ka mundur të mos bëjë Qeveria e Kosovës. Ajo çfarë mund të mos bënte Qeveria e Kosovës është të mos ndërmerrte një aksion të dështuar. Ajo çfarë tjetër ka mundur të mos bëjë ka qenë të mos ndërhyjë në marrëveshjen mes KFOR-it dhe përfaqësuesve të serbëve të veriut të Kosovës. Të paktën marrëveshja e KFOR-it me përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës të mos legjitimohej e të mos legalizohej nga Qeveria e Kosovës, kjo do të ishte një bazë më e fortë për negociatat e mëtejme.

Marrëveshje e dëmshme dhe pa kurrfarë nevoje

Tani Qeveria Kosovës ka bërë marrëveshje me serbët e veriut përmes një pale të tretë ndërkombëtare (KFOR-it). Dhe ç’është ironia edhe më e madhe, Qeveria e Kosovës merr obligime nga kjo marrëveshje (për Kishën Serbe, qarkullimin etj), por serbët e veriut nuk marrin obligime ndaj Qeverisë së Kosovës. Ata obligohen ndaj KFOR-it që do t’i heqin barrikadat për KFOR-in, por nuk garantojnë se nëse do t’i shohin andej ROSU-t nuk do të gjuajnë ndaj tyre si ndaj patave të egra. Qeveria e Kosovës fare nuk nxjerr mend nga veprimet e Beogradit, i cili nuk e legjitimoi planin e Ahtisaarit edhe pse i leverdiste që bashkësia ndërkombëtare e Qeveria e Kosovës ta kryenin procesin e decentralizimit në jug të Kosovës. Tani Beogradi është në pozicion shumë më komod.

Merita e gjeneralit Erhard Buehler

Është meritë personale e gjeneralit Buehler që me trimërinë, sakrificën e intelektin e tij dhe me maturinë prej burrit të shtetit e tejkaloi deri më tani vetëm me një viktimë gjithë këtë katrahurë të krijuar nga aventurat politike e policore të Qeverisë së Kosovës dhe atyre kriminale të Qeverisë së Serbisë.