LAJMI I FUNDIT:

Pushteti politik mbi mediet

Përkundër abuzimeve të pushteteve, mediet përgjatë dekadash të tëra, kanë qenë, në suazën demokratike, një ndihmë për qytetarët. Në fakt, tre pushtetet tradicionalë – legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori – mund të mos funksionojnë. Sigurisht që këto ndodhin shumë më shpesh në shtetet autoritare dhe diktatoriale, ku pushteti politik mbetet përgjegjësi kryesor i të gjitha dhunimeve të të drejtave të njeriut dhe i të gjitha censurave ndaj lirive.

Por, edhe në vendet demokratike mund të kryhen abuzime të rënda, edhe pse ligjet janë votuar në mënyrë demokratike, qeveritë formohen si rezultat i votimeve të përgjithshme, e drejtësia – teorikisht – është e pavarur nga ekzekutivi. Ndodh që kjo e fundit të dënojë një të pafajshëm; ndodh që parlamenti të votojë ligje diskriminuese kundrejt disa kategorive të popullsisë; ndodh që qeveritë ndjekin politika të tilla, pasojat e të cilave dalin të kobshme për një grup të tërë shoqëror. Në një kontekst demokratik të tillë, mediet e kanë konsideruar shpesh si një detyrë madhore të denoncojnë këto dhunime të drejtash. Nganjëherë ata e kanë paguar shumë shtrenjtë këtë. Pikërisht për këtë arsye është folur për “pushtetin e katërt”. Ky “pushtet i katërt”, falë ndjenjës qytetare të medieve dhe kurajës së gazetarëve, ishte ai që kishin qytetarët për të kritikuar në mënyrë demokratike, vendime të paligjshme që mund të ishin shumë të padrejta ndaj personave të pafajshëm. Ishte, siç është thënë shpesh, zëri i të pazëve.

Sa më tepër që përshpejtohej mondializimi liberal, aq më tepër ky “pushtet i katërt” zbrazej nga kuptimi i tij, humbiste dora-dorës funksionin e tij thelbësor si kundërpushtet. Ky fakt tronditës të imponohet duke studiuar nga afër funksionimin e globalizimit, duke vëzhguar se si një tip i ri kapitalizmi ka marrë vrull, jo më thjesht industrial por sidomos financiar, shkurt, një kapitalizëm i spekullimit. Në këtë fazë të mondializimit, ne po jemi të pranishëm në një ndeshje brutale ndërmjet tregut dhe shtetit, sektorit privat dhe shërbimeve publike, individit dhe shoqërisë, intimes dhe kolektives, egoizmit dhe solidaritetit.


Pushteti i vërtetë tashmë po mbahet nga një tufë grupesh ekonomike planetare dhe sipërmarrjesh globale, pesha e të cilave në çështjet e botës duket ndonjëherë më e rëndësishme se ajo e qeverive dhe shteteve. Pikërisht në këtë kuadër gjeoekonomik është prodhuar një metamorfozë vendimtare në fushën e mediave masive, mu në zemër të strukturës së tyre industriale. Mjetet e komunikimit masiv grupohen gjithnjë e më shumë për të formuar grupe mediatike me prirje botërore. Sipërmarrje gjigante botërore kanë tashmë mundësi të reja ekspansioni si shkak i bumit teknologjik.“Revolucioni digjital” i ka thyer kufijtë që ndanin më parë tri format tradicionale të komunikimit. Ai ka lejuar daljen dhe vrullin e internetit, që përfaqëson një modë të katërt komunikimi, një mënyrë të re të shprehuri, të informuari, të argëtuari.

Që këtej, sipërmarrjet mediatike janë të tunduara të formohen në “grupe” për të mbledhur në gjirin e tyre të gjitha mediat klasike por, po ashtu, të gjitha veprimtaritë e asaj çka mund ta quajmë sektorët e kulturës masive, të komunikimit dhe informacionit. Këto tri sfera dikur ishin autonome: nga një anë, kultura masive, me logjikën komerciale, krijimet popullore, objektivat e saj thelbësisht përfitues; nga ana tjetër, komunikimi, në sensin publicitar, marketingu, propaganda, retorika e bindjes; dhe, së fundi, informacioni, me agjencitë e tij të lajmeve, buletinet radiodifuzive apo televizive, shtypin, kanalet e informimit të vazhduar, shkurt, universin e gjithë gazetarive.

Këto tri sfera, më parë aq të ndryshme nga njëra-tjetra, për të përbërë një sferë të vetme ciklopiane në gji të së cilës po bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallosh veprimtaritë që tregojnë kulturë masive, komunikim apo informacion. Për më tepër, këto sipërmarrje mediatike gjigante shumëfishojnë përhapjen e mesazheve të çdo lloji, ku ndërthuren televizioni, filmat multiplikativë, kinemaja, lojërat video, CD muzikore, DVD, botime, fshatra të tipit Disneyland, sport, spektakël, etj. Me fjalë të tjera, grupet mediatikë zotërojnë tash e tutje dy karakteristika të reja: së pari, ata merren me gjithçka që ka të bëjë me të shkruarit, me gjithçka që ka të bëjë me imazhin, me gjithçka që ka të bëjë me tingullin, dhe e transmetojnë këtë me anë kanalesh nga më të ndryshmit.

Karakteristika e dytë: këta grupe janë botërorë, planetarë, globalë dhe jo vetëm kombëtarë apo lokalë. Këto hiper-sipërmarrje bashkëkohëse, nëpërmjet mekanizmave përqëndrimi, fusin në dorë sektorët mediatikë më të ndryshëm në shumë vende, në gjithë kontinentet, dhe bëhen, në këtë mënyrë, nëpërmjet peshës së tyre ekonomike dhe rëndësisë së tyre ideologjike, protagonistë të mondializimit liberal. Duke qenë se komunikimi është bërë industria e rëndë e kohës sonë, këta grupe kërkojnë të zgjerojnë shtatin e vet me anë blerjesh të pareshtura dhe u bëjnë presion qeverive për të prishur ligjet që kufizojnë përqëndrimet apo që pengojnë formimin e monopoleve apo duopoleve.

Mondializimi ka të bëjë, pra, edhe me mondializimin e mediave masive, të komunikimit dhe të informacionit. Të shqetësuar para së gjithash nga vazhdimi i gjigantizmit të tyre, që i detyron t’u krehin bishtin pushteteve të tjerë, këta grupe nuk duan më, si objektiv qytetar, të jenë një “pushtet i katërt”, as të denoncojnë abuzimet ndaj së drejtës, as të korrigjojnë mosfunksionimet e demokracisë për lëmimin dhe përsosjen e sistemit politik. Ata nuk duan më as të hiqen si “pushtet i katërt”, le më të veprojnë si një kundërpushtet.
Kur, në rast nevoje, ata mund të përbëjnë një “pushtet të katërt”, ky i shtohet pushteteve të tjerë ekzistues – politik dhe ekonomik – për të shtypur po njëlloj, si pushtet plotësues, si pushtet mediatik, qytetarët.

Pyetja qytetare, që tash e tutje na është shtruar, është kjo: si të veprosh? Si të mbrohesh? Si t’i rezistosh ofensivës së këtij pushteti të ri që, si të thuash, ka tradhtuar qytetarët dhe ka kaluar me gjithë armë e pajime në anën e armikut?

Duhet krijuar as më pak e as më shumë, një “pushtet i pestë”. Një “pushtet i pestë” që na lejon t’i kundërvëmë një forcë qytetarie koalicionit të ri të dominantëve. Një “pushtet i pestë”, funksioni i të cilit do ishte denoncimi i superpushtetit të mediave, të grupeve të mëdhenj mediatikë, bashkëfajtorë dhe transmetues të globalizimit liberal. Ato media që, në rrethana të caktuara, jo vetëm që kanë reshtur së mbrojturi shtetasit, por që shpeshherë veprojnë kundër popullit në tërësi.

Grupet mediatike të tërbuara marrin përsipër haptazi funksionin e tyre të ri prej “qensh roje” të rendit ekonomik të vendosur, dhe statusin e tyre të ri si pushtet antipopullor dhe antiqytetar. Këta grupe të mëdhenj nuk luajnë vetëm rolin e pushtetit mediatik, ata përbëjnë para së gjithash krahun ideologjik të mondializimit, dhe funksioni i tyre është të përmbajnë kërkesat popullore gjithë duke u përpjekur të kapin pushtetin politik. Fushata të tilla, ku mediat kërkojnë të mposhtin demokracinë, do mund të ribëheshin kundër çdo reforme të ligjshme që rreket të ndryshojë hierarkinë shoqërore dhe pabarazinë e pasurisë.

Pushteteve të oligarkisë tradicionale dhe atyre të reaksionit klasik i bashkëngjiten tashmë pushtetet mediatikë. Së bashku – dhe në emër të lirisë së shprehjes! -, ata sulmojnë programet që mbrojnë interesat e shumicës së popullsisë. E tillë është fasada mediatike e globalizimit. Ajo zbulon në mënyrën më të qartë, më të dukshme dhe më karikaturore, ideologjinë e mondializimit liberal.

Mediat masive dhe mondializimi liberal janë të lidhur ngushtë. Ja përse ngjan urgjent zhvillimi i një reflektimi rreth mënyrës se si qytetarët të mund të kërkojnë nga mediat e mëdha më shumë etikë, vërtetësi, respekt për një deontologji që i lejon gazetarëve të veprojnë në funksion të vetëdijes së tyre, dhe jo në funksion të interesave të grupeve, të sipërmarrjeve dhe të padronëve që i punësojnë.

Në luftën e re ideologjike që imponon mondializimi, mediat janë përdorur si një armë lufte. Informacioni, për shkak të shpërthimit, shumëfishimit dhe teprisë së tij, është i molepsur, i helmatisur nga të gjitha llojet e mashtrimeve, i ndotur nga deformimet, shtrembërimet, manipulimet.

Në vendet diktatoriale, nuk ka informacion të sigurt, të plotë, cilësor. Nga ana tjetër, në vendet demokratike, informacioni vërshon nga të gjitha anët. Ai na asfikson. Empedokli thoshte se bota ishte përbërë nga kombinimi i katër elementeve: ajri, uji, toka, zjarri. Informacioni është bërë aq i bollshëm saqë përbën, si të thuash, elementin e pestë të botës sonë të globalizuar.

Por, në të njëjtën kohë, çdokush vëren se informacioni është i molepsur. Ai na helmon mendjen, na moleps trurin, na manipulon, na intoksikon, ai përpiqet të vendosë në pavetëdijen tonë ide që nuk janë tonat. Kjo është arsyeja përse është e domosdoshme të përpunojmë atë që do mund ta quanim një “ekologji të informacionit”, me qëllim që të pastrojmë, t’i heqim informacionit lerën e “lumit të zi” të mashtrimeve. Në të njëjtën mënyrë që kemi mundur të përfitojmë produkte ushqimore “bio” a priori më pak të molepsura se të tjerat, do duhej të fitohej një lloj informacioni “bio”.

Qytetarët duhet të mobilizohen për të kërkuar që mediat të cilat u përkasin grupeve të mëdhenj globalë të respektojnë të vërtetën, sepse vetëm kërkimi i së vërtetës përbën, përfundimisht, legjitimitetin e informacionit. Kjo është arsyeja që ne kemi propozuar krijimin e Observatorit të Mediave, për të pasur më në fund një armë qytetare, paqësore, e cila mund t’u shërbejë qytetarëve për t’iu kundërvënë superfuqisë së re të mediave të mëdha masive. Mu në mes të ofensivës së globalizimit liberal, ai shpreh shqetësimin e gjithë qytetarëve para arrogancës së re të industrive gjigante të komunikimit.

Liria e mediave nuk është gjë tjetër, veçse shtrirja e mëtejshme e lirisë së përbashkët të shprehjes, themel i demokracisë. Si e tillë, ajo nuk mund të përvetësohet nga një grup të fuqishmish. Për më tepër ajo kërkon një “përgjegjshmëri shoqërore”, dhe, për rrjedhojë, ushtrimi i saj duhet të mbetet nën kontrollin e përgjegjshëm të shoqërisë. Është pikërisht kjo bindje që na ka çuar drejt propozimit të krijimit të Observatorit të Mediave. Sepse mediat janë sot i vetmi pushtet pa kundërpushtet, dhe në këtë mënyrë është krijuar një çekuilibër i dëmshëm për demokracinë. Forca e kësaj shoqate është para së gjithash morale: ajo qorton duke u bazuar mbi etikën dhe sanksionon mungesat e ndershmërisë mediatike me anë raportesh dhe studimesh që ajo përpunon, boton dhe përhap.

Observatori i Mediave përbën një kundërpeshë të domosdoshme ndaj shpërdorimit të pushtetit të grupeve të mëdhenj madiatikë që imponojnë, në fushën e informacionit, vetëm një logjikë – atë të tregut – dhe një ideologji të vetme – mendimin neoliberal. Observatori duhet të përmbledh tre lloj anëtarësh, që kanë të drejta të njëjta: 1) gazetarë profesionistë të të gjitha mediave; 2) universitarë dhe studiues në të gjitha disiplinat, e sidomos specialistë të medias, sepse Universiteti, në konteksin aktual, mbetet një nga të rrallët vende ende pjesërisht të mbrojtur ndaj ambicieve totalitare të tregut; 3) përdorues të mediave, qytetarë të zakonshëm dhe personalitete të njohur.

Duke qenë se informacioni është një e mirë e përbashkët, cilësia e tij nuk do të garantohej dot nga organizata të përbëra vetëm e vetëm nga gazetarë, shpeshherë të lidhur me interesa korporatiste. Kodet deontologjikë të çdo sipërmarrjeje mediatike – kur ato ekzistojnë – dalin shpeshherë pak të afta për të sanksionuar dhe korrigjuar shmangiet, mbulimet dhe censurat. Është e domosdoshme që deontologjia dhe etika e informacionit të përkufizohen e të mbrohen nga një instancë e paanshme, e besueshme, e pavarur dhe objektive, në gjirin e së cilës universitarët të kenë një rol vendimtar.

Një nga të drejtat më të çmuara të qenies njerëzore është ajo e komunikimit lirisht të mendimeve dhe opinioneve të saj. Asnjë ligj nuk duhet ta kufizojë arbitrarisht lirinë e fjalës apo të shtypit. Por kjo liri fjale nuk mund të ushtrohet nga sipërmarrje mediatike veçse me kusht që të mos shkelë të tjera të drejta po aq të shenjta siç është ajo, për çdo qytetar, e mundësisë për të pasur një informacion të pamolepsur. I mbrojtur nga liria e shprehjes, sipërmarrjet mediatike nuk duhet të kenë mundësinë e transmetimit të informacioneve të rreme, as të bëjnë fushata propagande ideologjike, apo manipulime të tjera.

Observatori i Mediave mban parasysh se liria absolute e mediave, e kërkuar me ngulm nga padronët e grupeve të mëdhenj të komunikimit botëror, nuk mund të ushtrohet në dëm të lirisë së gjithë qytetarëve. Këta grupe të mëdhenj duhet ta dinë tashmë se një kundërpushtet ka lindur dhe ai ka për vokacion të mbledhë të gjithë ata që e gjejnë veten në lëvizjen shoqërore planetare e që luftojnë kundër përvetësimit të të drejtës së shprehjes. Gazetarë, universitarë, lexues gazetash, dëgjues radiosh, telespektatorë, përdorues interneti, të gjithë bashkohen për të farkëtuar një armë të përbashkët debati dhe aksioni demokratik.

Në trend

Më shumë
Zbulohet “plani i rrjedhur i paqes i Donald Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë” - këto janë disa nga detajet

Zbulohet “plani i rrjedhur i paqes i Donald Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë” - këto janë disa nga detajet

Botë

"S'është i besueshëm për SHBA-në", Kurti e komenton deklaratën e Grenellit

Politikë

"Fituesi i zgjedhjeve pothuajse dihet në Gjermani" - tre skenarët se si mund të duket qeveria e ardhshme

Evropa
Një ditë pas përjashtimit nga Big Brother - Jozi i çon mesazh Valbonës dhe Loredanës: Mos u dorëzoni

Një ditë pas përjashtimit nga Big Brother - Jozi i çon mesazh Valbonës dhe Loredanës: Mos u dorëzoni

Magazina
Arne Slot po e transferon te Liverpooli top yllin e Barcelonës që nuk është në planet e Hansi Flick

Arne Slot po e transferon te Liverpooli top yllin e Barcelonës që nuk është në planet e Hansi Flick

Premier League
“Ëndrra ime është që një ditë të kthehem”, Ish-lojtari i Real Madridit konfirmon se do të dëshironte të vishte sërish fanellën e bardhë

“Ëndrra ime është që një ditë të kthehem”, Ish-lojtari i Real Madridit konfirmon se do të dëshironte të vishte sërish fanellën e bardhë

La Liga
Kalo në kategori