Shoqëria jonë po rrit njerëz që nuk e dinë çka është Zoti, çka është shteti, çka është ligji, çka është institucioni, çka është autoriteti prind, që nuk i dinë kufijtë dhe kompetencat e veta, që ndeshen me konfuzionin kohë dhe hapësirë, që ndeshen me konfuzione morale, të çakorduar me realitetin social, pa disiplinë dhe pa empati, që duan të arrijnë kënaqësi në kurriz të të tjerëve, pa inteligjencë emocionale e me vetëkënaqësi të tepruar, të zhytur në Comfort Zone.
Pra, adoleshentë që nuk dinë të dallojnë të mirën nga e keqja, lajmin e vërtetë nga lajmi i rrejshëm, propagandën nga realiteti, faktin nga opinioni, iluzionin nga shpresa.
Adoleshentët për shkak të boshllëkut kulturor janë të prirur të imitojnë, të idolizojnë figura publike kontroverse e radikale maskuliniste si Andrew Tate (mentalitetin dhe frymën e tij). Sepse, njeriu është produkt i shoqërisë, produkt i mjedisit, produkt i kulturës, nuk është produkt i racës. Dhe, ai pashmangshëm ndikohet edhe nga influencerët e ndryshëm radikalë e ideologjikë të mediave që po shndërrohen në mësues, mentorë, prindër, shtet, institucion, liderë shpirtërorë dhe autoritete morale të fëmijëve tanë të cilët i kemi lënë pa mendim kritik. Natyrisht që qëndrime si të Andrew Tateit kanë një pjesë jo e vogël e shqiptarëve konservatorë. Pra, fëmijët pa strukturë, pa disiplinë, pa mekanizma të vetëkontrollit, pa rezistencë kulturore, që mendojnë si turma e veprojnë instinktivisht, pa mendim kritik, janë më të prirur të idolizojnë dhe të identifikohen me figura të famshme.
Ekziston një sindromë që shpie në adhurimin e të famshmëve dhe liderëve, Celebrity Worship Sindrome, që njihet si idhujtari moderne e kohës së sotme. Nëse dikur njerëzit adhuronin statuja, tani adhurojnë njerëz me ndikim. Kjo idhujtari moderne – kulti i personalitetit, është më e rrezikshme sesa adhurimi i statujave. Sepse statujat, të paktën, nuk bënin propagandë, nuk manipulonin, nuk e shpëlanin trurin, nuk indoktrinonin, nuk frymëzonin në përmbysje të vlerave. Ishte thjesht naiviteti, injoranca e thellë e trashëguar e njerëzve që besonin se statujat janë burim i mirëqenies apo ndërmjetësimit hyjnor. Ndërsa sot kjo sindromë është më e rrezikshme sepse po e përcakton sjelljen, komunikimin, mënyrën e jetesës, stilin, besimin, thjesht po e strukturon dhe modelon njeriun në krejt qenien e tij jo vetëm shpirtërore, por edhe kulturore.
Fëmijët nuk edukohen më nga prindërit që sot është “in” të jesh nxënës i mirë, lexues librash i mirë, punëtor i mirë, familjar i mirë, novator i mirë, intelektual i mirë, sportist i mirë, autor i mirë, shpikës i mirë, ndërmarrës i mirë, ndërsa të jesh “gangster” dhe “mangup” i lagjes, shkollës a vendit është një primitivizëm, një status me rrezikshmëri kriminale, një reputacion antinjerëzor që të zhvesh nga dinjiteti dhe integriteti, një identifikim imoral, një kthim prapa dhe një vetëfundosje, që vetëm konflikte të panevojshme prodhon, konflikte këto që shterin energjinë e tyre.
“Ky është djali i X të fortit” – është ai miti që kthehet në makth të shoqërisë kur flitet për disa “djelmosha të rrezikshëm” të edukuar keq nga prindërit e tyre të cilët e kanë humbur njerëzoren dhe të cilët krenohen para të tjerëve me fjalët “djalit tim s’guxon me ia prishë askush”! Këta prindër po i shkatërrojnë vetë me duart e tyre fëmijët e tyre sepse po i futin në një zonë të minuar ku jo vetëm që “humbet këmba”, por amputohet edhe mendja.
Nuk duhet të presim që një film si Adolescence të na i hapë sytë, ndonëse përmbajtësisht dhe artistikisht ishte shumë i mirë dhe i nevojshëm. Shoqëria jonë përjeton situata shumëfish më dramatike e më komplekse se ngjarja e filmit më të populluar të këtyre ditëve.
Gangsterizmi asnjëherë nuk ka sjellë të mira. Gangsterizmi është karakteristikë e njerëzve të dobët emocionalisht, e njerëzve që tuten nga hija e vet dhe që janë të pushtuar nga paranojat, e njerëzve që vuajnë nga komplekse të pashëruara, e njerëzve që nuk disponojnë asnjë aftësi krijuese dhe e zëvendësojnë këtë zbrazëti me forcë dhe arrogancë. Gangsterizmi i ka futur shumë të rinj në cikle të dhunës dhe ua ka shkatërruar jetën, ëndrrat, potencialin, familjet, shoqërinë, ekonominë dhe çdo gjë të mirë. I ka çuar në theqafje dhe humnerë të përhershme, duke futur edhe familjet në konflikte.
Pse e kemi këtë gjendje? Sepse ka dështuar sistemi, kanë dështuar elitat politike, elitat kulturore, elitat fetare, elitetat intelektuale, akademia, shkolla, mediat, familja, për ta ofruar një edukim dhe disiplinë cilësore. A mundet dikush nga 1.5 milion banorë të Kosovës të më tregojë se për çka ekziston sot Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës – AShAK, zëri inferior i së cilës nuk ka peshë publike në sfidat më të vështira kulturore që po kalon Kosova? Sistemi i arsimit te ne shumë pak investon në inteligjencën emocionale si mekanizëm parandalues përballë potencialit të dhunës, duke i dhënë rëndësi më shumë IQ-së mendore, duke menduar se vetëm ata që zgjidhin probleme të ndërlikuara matematikore në dërrasë të zezë janë inteligjentë. Jo! Edhe ata që përmbahen dhe kanë vetëkontroll në situata konflikti, që nuk reagojnë në mënyrë proporcionale ose hakmarrëse sa herë kërcënohen, janë inteligjentë. Madje inteligjenca e tyre emocionale është kurora e të gjitha inteligjencave. Shkolla mund t’i identifikojë adoleshentët me potencial dhune përmes qasjes dhe mësimdhënies diferencuese, bazuar në hulumtime të specifikave individuale të nxënësve, jo me qasje të përgjithshme improvizuese. Dhe, ata që identifikohen me prirje agresive, të trajtohen me shërbime të veçanta profesionale. Ose-ose, do të na shkojë gjithë jeta duke vajtuar pasojat e dhunës ndër breza – pa përjashtuar edhe faktin se kriminelët apo dhunuesit potencialë “marrin zemër” në rrethana ku ligji dhe sistemi i drejtësisë “nuk i tregon dhëmbët e vet”, pra me ligje që dënojnë minimalisht kriminelët, me sanksione që gjobitin në mënyrë qesharake armëmbajtësit pa leje (dënimet ndaj tyre duhet të jenë së paku tri vite burg), në rrethana ku prokurori e gjykatësi korruptohen, shantazhohen, frikësohen ose infiltrohen vetë në krim. Zot, na ruaj, çfarë e ardhme e pasigurt po i pret fëmijët tanë!
Një nga disiplinat shkencore që merret me problemet e dhunës është sociologjia e krimit dhe sjelljeve devijante. Dhuna nuk zgjidhet me populizëm dhe ligjërata improvizuese. Ajo zgjidhet me strategji konkrete duke sistematizuar resurset profesionale, sidomos duke rritur dinamikën dhe efikasitetin e psikologëve dhe sociologëve në shoqëri dhe duke i bërë ata prioritet dhe referencë në çdo projekt kulturor, arsimor, artistik e filmik.
Sociologët duhet të jenë këshilltarë të politikanëve, liderëve, ministrave e deputetëve. Athua pse ish-kryeministri britanik Tony Blair e kishte këshilltar sociologun eminent Anthony Giddens (të cilin e kam intervistuar në vitin 2016)?
Shoqëria jonë kurrë nuk ua ka ditur vlerën si duhet psikologëve dhe sociologëve. Vetëm kur ndodhin fatkeqësi kriminale, ata kthehen te psikologët dhe sociologët duke marrë mendimin e tyre të vonë. Por, është shumë vonë. Një shoqëri që funksionon si turmë, zakonisht i injoron sociologët. Edhe shteti po ashtu.
Vetëm këtyre ditëve, me dhjetëra media më janë drejtuar për qëndrimet e mia sociologjike lidhur me vrasjet e fundit, se si është e mundur brenda dhjetë ditëve të vriten pesë persona në Kosovë. Mendimi profesional i sociologut duhet të adresohet para se të ndodhin vrasjet apo para se të bëhet gjendja alarmante. Mendimi i sociologut duhet të shkojë në ato mjedise e rrethana ku ka predispozita për dhunë, jo aty ku tashmë numërohen pasojat e një dhune të përfunduar me vrasje sepse është vonë. Siguria publike sot është aq e brishtë, ajo duhet të shndërrohet në një urgjencë kombëtare e shtetërore.
Sot partnerët futen në martesë dhe krijojnë familje të papërgatitur emocionalisht, kulturalisht dhe sociologjiksht dhe mendojnë se familja është një eksperiment social. Dhe, harrojnë se suksesi më i madh i prindit është vendosja e rregullave strikte të lojës dhe pavarësimi i fëmijës, jo lënia në mëshirë të fatit. Sepse, ashtu influencerët e rrezikshëm po grabitin potencialin, çiltërsinë, kreativitetin, pafajësinë dhe spontanitetin e fëmijëve duke i instrumentalizuar për qëllime ideologjike ose ekonomike. Dhe, ka një hendek kulturor mes prindërve dhe fëmijëve, sepse mungon komunikimi emocional mes tyre pasi fëmija në shtëpi po ndihet më i izoluar se jashtë, që është një paradoks. Dhe, ai mllef i akumuluar dhe izoluar mund të prodhojë reaksione të pakontrolluara.
Ekstravaganca që e paraqesin figurat publike krijon iluzion. Po krijohet miti që nga shkolla fillore se për me qenë i suksesshëm duhet të keshë shumë “followers”, duhet të kesh vetura të shtrenjta (me çfarë vetura vijnë në mbrëmjet e maturës?!) dhe veshje me marka të shtrenjta … pra krejt fokusi shkon te sipërfaqja, dukja dhe ekspozimi, jo te thelbi, suksesi, empatia, kultura, disiplina, puna me djersë dhe sistemi i vlerave.
Ky është makthi modern. Të rinjtë me potencial dhune nuk duhet t’i demonizojmë dhe kryqëzojmë. Ata duhet t’i edukojmë dhe integrojmë në shoqëri, t’i mbajmë nën kontroll, t’ju ofrojmë qasje dhe shërbime profesionale, t’ju ofrojmë storje suksesi dhe ekspertë të fushave që kishin me qenë frymëzues dhe transformues të tyre. Shkurt e shqip, t’i bindim që ai i cili tërhiqet në situata kërcënimi apo konflikti dhe nuk përfshihet në dhunë është njeri inteligjent. Ky është testi më i rëndësishëm në jetë, që pak njerëz e kalojnë: testi i inteligjencës emocionale në situata konflikti.
Se dhuna është natyrshmëri e njeriut ishte qëndrim i darvinizmit social – përfundimi se vetëm me forcë mbijetohet në shoqëri. Sociologjia hodhi poshtë këtë pretendim të cilin e keqpërdorën shumë ideologji dhe diktatorë. Sepse, askush nuk lind i dhunshëm, njeriu bëhet i dhunshëm. Dhuna nuk është natyrshmëri e njeriut. E ripërsëris: njeriu nuk është produkt i racës, por i kulturës. Krimi nuk është gjenom i ADN-së. Shoqëritë me sistem të brishtë të vlerave prodhojnë dhunues e kriminelë dhe shoqëritë me sistem të shëndoshë human dhe ligjor mund t’i disiplinojnë dhunuesit dhe kriminelët apo t’i parandalojnë ata.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika

Papa Françesku: Pontifi revolucionar që ndryshoi botën dhe Kishën Katolike (por, nuk arriti ta bashkonte)

Ka një mënyrë për ta kthyer kaosin e Trumpit në mundësi: Ja çfarë duhet të bëjnë liderët evropianë

Armëpushimi i Putinit tregon se ndaj tij më funksionon shkopi sesa karrota

As Klopp dhe as Xabi Alonso, ky është trajneri që Florentino Perez dëshiron te Real Madridi

Egli reagon për herë të parë në rrjete sociale pas daljes nga Big Brother: Faleminderit nga zemra publiku im, ëndrra vazhdon

Tifozët e futbollit janë të bindur se Papa është bërë viktima më e fundit e "mallkimit të Aaron Ramsey"

Avokatja e Diamant Gashit kërkon sqarim nga Prokuroria për pretendimet rreth motiveve fetare të vrasjes policit

UEFA ndanë 233 milionë euro për klubet, përfitojnë tre skuadra nga Kosova - Ballkani fiton më së shumti

Rrëzohet vinçi te “Rruga A” në Prishtinë

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Jeta përtej Tokës: Mund të jemi në prag të zbulimit më të madh në histori

Ishte misterioz deri më tani, Danja Koka shfaqet me të dashurin në festën pas Big Brother

‘Shakaja pa kripë’ e Gani Gërmisë, opinionistët e Ferma VIP: E turpshme dhe abuzuese ajo që bënë me Alba Pollozhanin

Thiago Alcantara shpjegon ndryshimet në stilin e Barcelonës nën drejtimin e Hansi Flick

Në Kongresin amerikan paraqitet rezoluta që kërkon ndëshkimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

I riu që jeton në një nga qytetet më të shtrenjta në Indi, tregon sekretin se si me pak para arrin t’ia dalë