LAJMI I FUNDIT:

Pse francezët i kanë inat të pasurit

Pse francezët i kanë inat të pasurit

Një herë familja ime ishte ftuar për drekë në një chateau në pronësi të mikut të një miku. Ndërsa u afruam me makinë me qira kështjellës gjigante, fëmijët e mi thanë: “Duhet të jenë të pasur!” “Sido që të ndodhë, mos i përmendni paratë”, i paralajmërova. Pas një ore, djali im 6-vjeçar bënte rrotullime në kopsht dhe murmurinte: “Para, para, para, para”, vazhdimisht. Ndërsa Parisi konkurron të bëhet kryeqyteti financiar i Evropës pas daljes së Britanisë nga BE, marrëdhënia delikate e Francës me pasurinë është nën vëzhgim global. Vetëm në Londër janë 700 000 vende pune të lidhura me financën.

Ndërsa disa nga këto kompani mund të jenë me sytë nga Parisi, një anë negative në listën e të mirave dhe të këqijave është qëndrimi armiqësor i Francës ndaj biznesit dhe pasurisë. Reputacioni i saj është kompromentuar nga taksa 75 për qind mbi të ardhurat mbi një milion euro. A munden francezët ta tejkalojnë dyshimin e tyre ndaj parave për të joshur bankierët e Londrës? Kjo marrëdhënie dyshimi është disa shekullore. Aristokratët u ekzekutuan në gijotinë gjatë Revolucionit Francez dhe taksat e reja vendoseshin bazuar në pasurinë e njerëzve – duke matur pjesërisht nga numri i dyerve dhe dritareve që kishin në shtëpitë e tyre. Të pasurit mësuan të fshihen. Ende ka shumë njerëz të pasur në Paris. Një faktor tërheqës për kompanitë e financave është se në qytet ka shumë restorante luksoze dhe apartamente cilësore dhe që ka një zonë të gjerë biznesi, La Defense, në perëndim të qytetit. Lagje të tëra të Parisit boshatisen çdo verë, ndërsa banorët shkojnë në shtëpitë e tyre të dyta.

Por ka ende rregulla për reklamimin e pasurisë. Parisianët rrallë shëtitin me diamante gjigante në qafë, gjë që ndeshet në disa lagje të Nju Jorkut. “Më shumë pasurinë e shikon në darka private”, më shpjegoi një mik francez.


Nuk ka problem të flasësh për paratë në Paris, aq kohë sa ankohesh se nuk ke sa duhet, ose mburresh për ndonjë pazar me leverdi që ke bërë. Këtu askush nuk e çmon drithërimin që mua më shkakton shpenzimi i tepërt, ose nuk e kuptojnë pse ne kemi një festë kombëtare (Thanksgiving) gjatë së cilës njeriu është praktikisht i detyruar të hajë me tepricë.

Ata revoltohen kur duket që paraja flet për gjithçka. Verën e kaluar, banorët lokalë protestuan kur mbreti saudit dhe enturazhi i tij u lejuan të bllokonin një plazh në Rivierë. “Ajo që duam të evidentojmë është se jo gjithçka mund të blihet”, më tha një politikan që udhëhiqte protestën.

“Ëndrra franceze” tipike (ose ajo që njerëzit pranojnë) nuk është pasuria e madhe, por siguria e madhe, përfshi një pagë të qëndrueshme dhe pension. Kur aplikoni për kredi shtëpie këtu, ata nuk e çajnë kokën për aksionet që keni në pronësi, sepse aksionet zhvlerësohen; ata duan të shikojnë një pagë të përmuajshme dhe një kontratë pune.

Francezët nuk mendojnë se të gjithë duhet të kenë të njëjtën llogari bankare, por ata ofendohen nga ekstremet e pabarazisë. Duke vënë në dukje që kryetari dhe shefi i ekzekutiv i Renault fituan 764 herë më shumë se paga minimale e Francës vitin kaluar, Le Monde shtoi se “në një kohë që ekonomia është me flamurin në gjysmë shtizë dhe papunësi masive, kjo është hape e vështirë për t’u gëlltitur.”

E shikoj këtë parim në jetën e përditshme. Kur i thashë një zyrtari në Paris se një grup prindërish ishin të gatshëm të blinin një kamerë sigurie për shkollën e fëmijëve tanë, ai ma ktheu: “Po shkollat e tjera ku prindërit s’kanë mundësi të blejnë kamera të reja?”

E gjithë kjo shfaqet në debatin pas daljes së Britanisë nga BE. Në një anë, Franca mundohet të joshë industrinë financiare të Londrës. Të mërkurën, kryeministri Manuel Valls lajmëroi ulje taksash për individë dhe kompani që duan të vendosen këtu, përfshi francezët që kthehen në shtëpi. Në shtator, qeveria do të hapë qendra t’i ndihmojë për të marrë viza, apartamente, zyra, dhe vende në shkolla dygjuhëshe. “Ne duam që Parisi të bëhet tregu financiar kryesor në Evropë”, tha ai.

Z. Valls iu bëri thirrje drejtuesve të kompanive këtu që t’iu kujtojnë homologëve të tyre britanikë se taksa famëkeqe e 75 përqindëshit nuk ekziston. “Nëse disa nga ju do të bëhen patriotë dhe t’iu shpjegojnë medieve britanike që nuk ekziston më, do t’ju isha mirënjohës.”

Por mikpritja nuk është pa rezerva. Jean-Louis Missika, nënkryetari i bashkisë së Parisit për planifikimin urban dhe zhvillimin ekonomik, më tha në një intervistë javën e kaluar që dalja e Britanisë dhe një histori paralajmëruese se çfarë ndodh kur qytetin e dominojnë super të pasurit, duke i vënë gjithçkaje një çmim. Kohët e fundit unë vizitova miq në Londër, në kulmin e karrierave të tyre të klasës së mesme, që jetonin të ngjeshur në një dhomë e kuzhinë, me qira. Në veri të Anglisë ka njerëz – shumica e të cilëve votoi për daljen e Britanisë – që nuk janë në gjendje të paguajnë një kafe në kryeqytet. Parisi nuk është i lirë, por është më i përballueshëm.

Z. Missi tha se Franca ende përballej me “pyetje të vështira e të ndërlikuara, por urgjente” si deri ku shkonte gatishmëria e saj për të ulur taksat me qëllim të joshte kompanitë financiare. “Unë i them po financës, por asaj që është etike dhe respekton rregullat fiskale” dhe mjedisin, tha të mërkurën kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo.

“Unë mendoj se duhet t’ua shtrojmë tapetin e kuq”, tha z. Missika. “Por, nëse shtrimi i tapetit do të thotë përafrim i taksave dhe financave franceze me ato të praktikuara në Paris, nuk mendoj se është serioze. Nuk është e mundur. Dhe shpresoj që as Gjermania dhe as Holanda apo çdo qytet tjetër që konkurron me Parisin, do ta bënte atë gabim të madh.” Ai parashikoi që sektorët e industrisë së financave të vendoseshin në qytete të ndryshme.

Parisi do të fitojë ca vende pune në financë, por nuk besoj se do të bëhet ndonjëherë Londra e ardhshme. Ai nuk dëshiron të bëhet i tillë. E ndoshta ka të drejtë.

(Autorja është analiste në New York Times)