LAJMI I FUNDIT:

Prokuroret flenë herët!

Prokurorët tanë flenë shumë herët. Flenë me pula! Kjo është një shprehje lokale, që nuk duhet kuptuar fjalë për fjalë, por e ka kuptimin me ra në të njëjtën kohë me pulat. Pra, shumë herët. Së paku këtë kuptim e kishte dikur, kur pulat kishin funksionet e tyre biologjike të pakorruptuara, e gjelat të vetat. Pulat flinin herët, e gjelat shërbenin si sahat. Diçka si një orë digjitale! Por, me kohën edhe kjo përgjegjësi u mor nga gjelat e pafat dhe ata nga dëshpërimi u dhanë pas pijes. Filluan të këndonin kohë e pa kohë. Më nuk tregonin agimin. “Këndesat e parë” dhe “këndesat e dytë”, këto shprehje sot nuk kanë kurrfarë kuptimi. Sot disa zgjohen me ezanin e hoxhës nga altoparlantët kumbues, e disa me alarm digjital. Të dy janë efektivë. Disa zgjohen me dëshirë, e disa kundër dëshirës. Disa madje refuzojnë të zgjohen. Jetojnë ëndrrën e tyre prej princash! Sikur princi dhe i varfëri në përrallë që ndërruan rrobat e tyre dhe… identitetet.

Disa batakçinj të lagjes politike u vunë gjelave nga një enë me raki rrushi, nën sqep. Atë natë nuk fjetën askush. Gjelat e dehur këndonin vend e pavend, kohë e pakohë! Dikush mund të mendojë se këtu po flas për opozitën tonë apo një pjesë të shoqërisë civile. Disa mund të mendojnë se për këtë shkak edhe ka humbur besimi dhe fuqia për ndryshime. Mesazhe konfuze e të zhurmshme! Pra, nuk po dihet tamam kush është opozitë dhe kush shoqëri civile.

Por, jo! Nuk e kam me opozitën! Është veç një anekdotë! E pulat na interesojnë për aq sa ka të bëjë me shprehinë e tyre për të fjetur herët. Deklarata e mikut tim për prokurorët dhe pulat që flenë në të njëjtën kohë, më shtyri në një analizë pa fund për të gjetur arsyet përse! Mendimet morën pak a shumë këtë rrjedhë!


Përpara kur nuk kishte platforma digjitale, prokurorët nuk flinin herët. E ndiqnin krimin. E ndiqnin edhe armikun e brendshëm dhe të jashtëm. Pulat atëherë flinin herët, si të pafajshme që ishin. E krimi bëhej natën. Tash nuk dihet. Krimi bëhet ditën me diell! Ka fjalë se të dy palët flenë menjëherë pas lajmeve në RTK. Qeveria edhe prokurorët! Pushtetet janë të ndara, prandaj flenë veç e veç! Por, në të njëjtën kohë! Në të njëjtën kohë flenë edhe pulat.

Ju keni dëgjuar që nëpër ferma të shtazëve në Perëndim, për të marrë më shumë qumësht, nëpër stalla me lopë të racës, lëshohet muzikë serioze. Është konstatuar se produktiviteti rritet ndjeshëm. E, në ferma të pulave muzika nuk bënë punë. Për të bërë më shumë ve, pulave u lëshohen audio seancat e Parlamentit.

Për shembull, kur flet kryeministri apo Qeveria, pulat bëjnë ve. Dihet, ato vezë tashmë janë të shitura. E, kur flet opozita, pulat i kap stresi. Vezët dalin me defekt! Për të evituar këtë bëhet monitorimi selektiv i mediave! Pulave u lëshohet vetëm ditari i RTK-së. Kur kryhen lajmet, fiket drita. Pastaj, bien me fjet. Nuk dihet përse, por sipas disa thashethemeve edhe prokurorët i dëgjojnë lajmet në RTK. Për me i ikë stresit ndoshta. Se ata nuk bëjnë ve! As nuk i qelin! Emisionet kritike nuk i dëgjojnë, sepse nëse denoncohen, mund të mos (ri)zgjidhen. Politika i emëron! Një ditë e shikova një emision të tillë, të flakur diku në kanalet përtej numrit 80. Më mire të mos e kisha pare. U bëra zeher. U mbusha stres.

Iliri po fliste për presidenten dhe po thoshte se nuk e (ka) pyet askush, asgjë. Unë u shqetësova, si institucionalist që jam, po sa e kam kuptuar ajo nuk është shqetësuar fare për këtë injorim. I ka këqyrë punët e veta.

Si morëm vesh me këtë rast, Iliri na paska shpëtuar nga lufta me datën e famshme 25 korrik. Apo ishte 26? Sidoqoftë, 25 korriku tingëllon si diçka historike (në tekstin e mëtejmë: histerike). Nëse nuk e kam harruar, kjo ka pasë të bëjë diçka me një mësymje në veri, për me shpëtua Mitrovicën pa u nda, edhe për me e integrua vendin. Mitrovica, si e dimë të gjithë, shpëtoi pa u nda, tash i kemi veç dy Mitrovica në Kosovë! Është edhe një në Vojvodinë, por ajo nuk numërohet! Edhe veriu u integrua. Po shpresojmë se me neve. Me dikë po! Për këtë “meritat” historike tashmë i kanë ndarë. Kandidat për çmime janë Ivica e Hashimi!

Por, ne jemi shumë me fat se e kemi një presidente që i këqyrë lajmet rregullisht. Në RTK! Prandaj, ajo është e informuar mirë për situatën në vend dhe në botë. E, Iliri tha se “Presidentja nuk ka qenë e informuar për aksionin e 25 korrikut. Është informuar përmes lajmeve në TV”! Paramendojeni po të mos e shikonte rregullisht televizionin tonë nacional, i cili edhe e patë përcjellë “live” krejt situatën rreth “mësymjes histerike” në veri. Ka mundur mos me e marrë vesh as sot e kësaj dite çka dhe si ka ndodhë! Kishte kujtuar se ka dështuar aksioni!

Duke shpresuar se së paku ministri i Brendshëm të ketë qenë i informuar, pak a shumë po arrijmë të kuptojmë përse ky aksion i pat arritur të gjitha objektivat e qeverisë. Këtë e kuptuam, kur i njëjti u shpall historik, sipas modelit “dështo dhe festo”! Pra, askush s’paska ditur. Ndoshta edhe kryeministri krejt ma vonë e ka marrë vesh që pikërisht ai e ka urdhëruar këtë sulm histerik. U pa puna! Policia u patën nisë vet ndoshta! Nejse, këto janë sekrete të shtetit.

Iliri, si asnjëherë tjetër foli gjatë e gjerë. Foli edhe për distribucionin dhe për PTK-në. Fati se “Rubikonin” nuk e shikojnë prokuroria! Pastaj, kush e gjen tashmë kanalin e dënuar “83”! Bota e platformës digjitale të qeverisë fillon me RTK.

Por, më mirë që kanë fjetur herët. Jo pulat! Po mendoj për prokurorët! Se, pas deklaratës së Ilirit, ose duhet të shkojnë në burg gjysma e qeverisë, ose Iliri. Mes nuk ka. Kështu, duke fjetur prokurorët, pa bërë asgjë e shpëtuan shumëkënd! Ndoshta qeverinë?! Ndoshta Ilirin! Ndoshta popullin! Se akuza ishte konkrete! Nëse paratë e distribucionit i ka marrë dikush nga Qeveria…? Nëse dikush nga Qeveria po donë me e ble (sh)lirë PTK-në?! Nëse paratë qenkan të gatshme, por nuk po dinë si me i futë në sistem, se Gjermania nuk bënë shaka me prejardhjen e pasurisë!

“Me e shitë qeverinë”, po thotë, kryetari i Parlamentit. Në fakt, Qeveria është organ ekzekutiv i Parlamentit. Kanë drejtë me e shitë! Kryetari e di më së miri sa vlen! Por, as ai nuk është I besueshëm. Kohëve të fundit si duket as ai nuk po e këqyrë RTK-në! Ka dalë prej vije! Pastaj kush e blen qeverinë? Ndoshta ndonjë fond investiv?! E blejnë vetveten!

Edhe unë po shkruaj pas mesnate! Jam i bindur se prokurorët janë në gjumë! Krejt kjo mundet me u kuptua keq! Runa zot!

Por, ndoshta po hyj në gjynah! Se as prokurorët nuk kanë faj! Nuk e luftuan krimin sa ishte I paorganizuar! Sa nuk kishte fuqi e pushtet! Tash është vonë!

Lajmet në RTK janë kryer! Më mire po flemë të gjithë herët! Gjumë të ëmbël, popull!