LAJMI I FUNDIT:

Programi qeverisës – listë objektivash, jo dëshirash

Programi qeverisës – listë objektivash, jo dëshirash

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, gjatë një interviste për Telegrafin ka thënë se Kosova gjatë këtij viti do të përballet me kufizime financiare, por projektet kryesore kapitale nuk do të ndalen. Ai ka folur edhe për faljen e borxheve, si dhe për kthimin e një pjese të TVSH-së. Shefi i financave në Qeveri ka premtuar një ambient më të mirë për bizneset.   

Intervistoi: Lulzim Ahmeti

Nuk ndalet autostrada Prishtinë-Hani i Elezit


Telegrafi:  Para pak ditëve keni aprovuar Programin e Qeverisë. Cili do të jetë fokusi i këtij program në katër vitet e ardhshme?

Hoti: Program qeverisës paraqet vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës përgjatë mandatit katërvjeçar. Orientim themelor i këtij program është promovimi i zhvillimit ekonomik dhe i mirëqenies nëpërmjet ekonomisë së tregut. Prioritet i është dhënë gjenerimit të vendeve të reja të punës, në rend të parë përmes reformave fiskale dhe forcimit të shtetit ligjor. Fushat e tjera të programit janë integrimet evropiane dhe politika e jashtme, shteti ligjor, arsimi dhe shëndetësia.

Secila pjesë e programit përcillet me masat konkretet që do të ndërmerren për të përmbushur objektivat zhvillimore të përcaktuara në këtë program. Ky program do të përcillet me strategji kombëtare zhvillimore dhe me matricën e aktiviteteve dhe masave konkrete, bashkë me afatin ligjor për realizimin e atyre masave. Nga ky program do të derivojë edhe Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2016-2018, si dhe buxheti i vitit 2016.

Telegrafi:  A ka buxhet të mjaftueshëm për të vazhduar investimet kapitale, siç është autostrada Prishtinë-Han i Elezit?

Hoti: Gjatë këtij viti do të përballemi me kufizime buxhetore, përderisa të mos vendosim një rregull të plotë sa i përket shpenzimit të parasë publike. Sigurisht, do të financojmë projektet kryesore të nisura më parë, siç është autostrada Prishtinë-Hani i Elezit, si dhe projekte të tjera. Në të njëjtën kohë do të nisim projekte të tjera që do të kenë efekte më të mëdha për ekonominë vendore. Do të investojmë shumë në bujqësi, përmes programit për promovim të bujqësisë të përgatitur tash së fundi. Do të financojmë arsimin dhe shëndetësinë – për të rritur cilësinë.

Në muajin prill do të përgatisim kornizën afatmesme të shpenzimeve për tri vitet e ardhshme. Aty do të kujdesemi që të fusim projekte kapitale që do të kontribuojnë shumë në zhvillim ekonomik. Mbi të gjitha, do të kujdesemi që të përfshijmë projekte që krijojnë efekte maksimale për ekonominë vendore, bazuar në studime të arsyeshmërisë të atyre projekteve që propozohen nga sektorë – organizata të ndryshme buxhetore. Kjo praktikë ka munguar më parë në procesin buxhetor, ndaj ne do ta fuqizojmë dhe ta bëjmë normë të përgatitjes së buxhetit. Krahas kësaj, do të përgatisim strategjinë e borxhit publik, për të identifikuar burimet e financimit të atyre projekteve kapitale.

Abdullah Hoti - konference - foto ridvan slivova 03

Falja gjithëpërfshirëse e borxheve

Telegrafi: Programi – sa i përket sferës së ekonomisë – është kritikuar duke u quajtur më shumë program dëshirash. Sa do të jetë punësimi në katër vitet e ardhshme?

Hoti: Qeveria e Kosovës është interesuar të rris normën vjetore të rritjes ekonomike, e cila normë do të absorbonte fluksin vjetor të të papunëve që hyjnë në tregun e punës në baza vjetore. Programi qeverisës nuk është listë dëshirash, por listë objektivash zhvillimore për të cilat po punojmë me një dinamikë të madhe – në të gjithë resorët.

Ne jemi Qeveri e spektrit të djathtë dhe fokusi ynë do të jetë në ofrimin e kushteve të nevojshme për funksionim dhe rritje të ekonomisë. Do të zhvillojmë një ekonomi me sa më pak burokraci dhe rregulla; do të mbështesim ndërmarrësin e lirë dhe idetë inovative, do të mbështesim prodhimin vendor për të zëvendësuar importet e mëdha. Të gjithë këto ndryshime do të sjellin vende të reja pune dhe zhvillim ekonomik.

Telegrafi: Sa pritet të jetë rritja ekonomike gjatë këtij viti?

Hoti: Jemi në fillim të vitit, ndaj është herët ta parashikojmë këtë. Vlerësimet janë nga më të ndryshmet. Sapo të përmbyllim tremujorin e parë, do të dalim me vlerësimet e para për performancën ekonomike gjatë këtij tremujori. Mbi këtë bazë ne mund të bëjmë parashikimet për gjithë vitin. Sigurisht, në pjesën e dytë të vitit presim efektin e ndryshimeve në politikat fiskale që po planifikojmë qysh tani.

Telegrafi: Keni ndërmarr një hap për faljen e borxheve të viteve 1999-2008. Kush do të përfitojë dhe cilat do të jenë kushtet?

Hoti: Falja e borxheve do të jetë gjithëpërfshirëse. Do të vlejë për të gjithë qytetarët dhe të gjitha bizneset – në të gjithë territorin e Kosovës. Kemi përgatitur rekomandimet që janë aprovuar në Qeveri dhe tani po punojmë në draft-ligj. Kemi menduar edhe për disa iniciativa shtesë, në mënyrë që qytetarët të nxiten për t`i kryer procedurat për faljen e borxheve. Falja e borxheve – deri në fund të vitit 2008 – do të jetë e kushtëzuar me shlyerjen e obligimeve nga viti 2009 deri në vitin 2014. Për më tepër, nëse shlyhen të gjitha borxhet 2009 -2014, përnjëherë, atëherë do të hiqen ndëshkimet dhe interesat për borxhin gjatë kësaj periudhe. Ndërsa, nëse hyhet në marrëveshje për të kryer obligimet prej vitit 2009 deri në vitin 2014, atëherë pala lirohet nga ndëshkimi, por paguan vetëm për interesin në borxhin e kësaj periudhe.

Bashkim i ATK-së me Doganat

Telegrafi:  Keni premtuar një pjesë të kthimit të TVSH-së për qytetarët. Si do të bëhet kjo dhe a do të vlejnë kuponët fiskal për vitet e më hershme?

Hoti:  Siç e dini, kohë më parë kam formuar grupin punues i cili ka përgatitur udhëzimin e ri për arkat fiskale, që do të mundësojnë liberalizimin e tregut në këtë fushë. Pjesë e këtij udhëzimi administrativ janë edhe iniciativat për mbledhjen e kuponëve fiskalë me anë të të cilave qytetarëve do t`ju mundësohet kthimi i një përqindjeje të TVSH-së që kanë paguar me rastin e blerjes së mallit apo shërbimit. Ne presim që kjo do të ndihmojë në fiskalizimin e bizneseve dhe do të ul ekonominë joformale që po i dëmton shumë bizneset që janë të rregullta në pagesën e obligimeve tatimore. Ky udhëzim së shpejti do të hyjë në fuqi.

Telegrafi:  Mbledhja e të hyrave ka qenë gjithmonë sfidë për Kosovën. Si do të funksionojnë ATK dhe Dogana pas bashkimit të tyre?

Hoti: Integrimi i ATK-së dhe Doganave do të zvogëlojë burokracitë dhe kjo gjë do të mundësojë lehtësim në mënyrën e të bërit biznes. Por, njëkohësisht do të mundësojë edhe performancën më të mirë në inkasim dhe në rritje të të hyrave.

Ne po punojmë në këtë drejtim. Nuk mund të them se sa shpejtë do të lëvizim në këtë drejtim, pasi është një ndryshim shumë i madh në mënyrën e organizimin të këtyre dy agjencive të të hyrave buxhetore. Në këtë drejtim po presim të hyjmë në marrëveshje bashkëpunimi me Slloveninë, e cila nga janari i këtij viti e ka bashkuar administratën tatimore dhe doganore në një organizatë të vetme. Ne do të tentojmë të hyjmë në marrëveshje binjakëzimi me këtë shtet, për të bartur përvojën e tyre në Kosovë. Sigurisht, administrata tatimore dhe doganore në Kosovë është ngritur mjaft në vitet e fundit, fal edhe mbështetjes ndërkombëtare. Por, kemi shumë për të bërë për të ndërtuar një organizatë efikase dhe funksionale të të hyrave.

Telegrafi: Politikat fiskale dhe pagesa e taksave në kufij nga ana e bizneseve, si të TVSH-së dhe Doganës – madje edhe për lëndën e parë – kanë qenë pengesë për zhvillimin e bizneseve. Çfarë do të bëni ju për t’i eliminuar këto barriera?

Hoti:  Po punojmë në finalizimin e tri ligjeve të pakos fiskale: Ligjit për TVSH, Ligjit për të Ardhurat e Korporatave dhe Ligjit për të Ardhurat Personale. Po punojmë që të bëjmë të mundur që këto tri ligje të komunikojnë mirë në mes vete, e të mbyllim hapësirën për ekonominë joformale dhe ikjet nga obligimet tatimore. Mbi të gjitha, po punojmë që këto ligje të ofrojnë një ambient më të mirë për biznes.

Ligji i TVSH-së parasheh heqjen e ngarkesës së TVSH-së në makineri prodhuese dhe në shumicën e lëndëve të para. Do të rrisim efikasitetin e administratës tatimore në rimbursimin me kohë të TVSH-së. Do të bëjmë përshkallëzimin e TVSH-së, duke e ulur dukshëm për mallrat elementare. Do të ulim pragun e TVSH-së, në mënyrë që më shumë biznese të hyjnë në TVSH.

Tek Ligji për të Ardhurat e Korporatave, do të rishikojmë listën e shpenzimeve që ju njihen bizneseve dhe do të bëjmë që Ligji të jenë në frymë të zvogëlimit të barrierave për të bërë biznes. Do të lëmë hapësirë tek ky Ligj për aplikimin e pushimeve doganore, kur kemi të bëjmë me investime substanciale vendore apo ndërkombëtare në sektorë të caktuar të ekonominë kosovare apo në regjione të caktuara.

Në të gjithë këto ndryshime, komuniteti i bizneseve do ta thotë fjalën e vetë. Ne duam që bizneset të përcaktojnë rregullat e tregut që ju përshtaten atyre, normalisht duke mbrojtur edhe interesin publik e shtetëror.Avdullah Hoti  - foto ridvan slivova 01

Nuk do t’i rrisim borxhet

Telegrafi:  Sektori financiar në Kosovë ka performuar stabil. A do të mund të presim ulje të kamatave për kredi?

Hoti:  Kamatat për kredi kanë filluar të ulen. Për herë të parë këtë janar kemi parë norma njëshifrore të interesit për kredi. Nëse kredia merret me një plan biznesi të mirë edhe në sektorët që janë në zhvillim e sipër në tregun kosovar, interesi është deri në 6 apo 7 për qind, varësisht prej kolateralit që ofrohet për atë kredi. Ne jemi duke punuar në themelimin e Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Ky fond do të ofrojë mbështetje për kreditë e marra nga bizneset. Kjo do të bëjë që normat e interesit të ulen më tutje.

Si në çdo vend tjetër, bankat janë biznese që maksimizojnë fitimin. Por, tregu po zhvillohet vazhdimisht dhe unë pres që bankat të reflektojnë në këtë drejtim. Ajo për të cilën ne kemi nevojë është sigurimi i efikasitetit institucional në të gjitha nivelet e qeverisjes. Vetëm kështu bankat mund të jenë të sigurta në kreditë që lëshojnë, duke ulur kështu riskun financiar të kredive nga këndvështrimi i bankës.

Telegrafi: Sa ka gjasa që të kthehen mjetet nga privatizimi i ndërmarrjeve në vend?

Hoti:  Një pjesë e mjeteve të privatizimit presim që shpejt të kthehen në Buxhetin e Kosovës, sapo të kompletohet Bordi i Agjencisë. Pjesa tjetër do të kthehet dhe investohet bazuar në strategji të qartë zhvillimore. Ne do të shtyjmë përpara idenë e ndryshimit të Ligjit për AKP-në, që të vendosim afat kohor kur duhet të mbyllet kjo Agjenci. Me dinamikën që kemi parë deri më tani, do të duhen edhe shumë vite për të përmbyllur këtë proces.

Telegrafi:  Kosova ka borxhe të cilat janë në kuadër të ligjit. A planifikoni hyrjen në borxhe të reja?

Hoti:  Pavarësisht rritjes së borxhit publik, viteve të fundit Kosova vazhdon të ketë nivelin më të ultë të borxhit publik në rajon dhe më gjerë – me rreth 12 për qind të Bruto Produktit Vendor. Shqipëria e ka borxhin publik mbi 70 për qind të Bruto Produktit Vendor.

Ne do të vazhdojmë të jemi shumë të kujdesshëm për sa i përket huazimit në vitet në vijim, për të mos krijuar barrë për gjeneratat që vijnë. Megjithatë, do të shohim mundësitë për huazimin e jashtëm në mënyrë që financojmë projektet kapitale me përfitime publike dhe të mos absorbojmë potencialin kredit të tregut financiar vendor. /Telegrafi/