LAJMI I FUNDIT:

“Profecitë” e Margaret Thatcherit, në fillimin e mijëvjeçarit

“Profecitë” e Margaret Thatcherit, në fillimin e mijëvjeçarit

Në 19 korrik 2000, Margaret Thatcher, Zonja e Hekurt e Britanisë së Madhe, gruaja e fortë që kishte udhëhequr vendin e saj në një prej periudhave më të vështira të historisë, që bashkë me Ronald Reaganin kishin sjellë shembjen e komunizmit dhe fundin e Luftës së Ftohtë, mbante një prej fjalimeve të saj të fundit në Institutin Hoover.

I lexuar sot, shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, ai fjalim të krijon ndjesinë e një “profecie”. Në vitin 2000, Margaret Thatcheri paralajmëronte botën për rrezikun e forcimit të Rusisë dhe rikthimin e saj në një fuqi armiqësore ndaj perëndimit, por edhe të Kinës, “Komunizmi me “tipare kineze” i të cilës, gjithësesi ka shumë karakteristika të komunizmit”.

Kur ende nuk kishin ndodhur sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur ende nuk ishin zhvilluar dy luftëra, Margaret Thatcheri ishte e qartë për shtetet “batakçinj” dhe aktorët joshtetërorë që kërcënonin paqen dhe stabilitetin në rajon. Si Iraku, Siria, Korea e Veriut…


Në të njëjtën kohë, Zonja e Hekurt mbetej e vendosur në bindjen e saj se orientimi i Britanisë së Madhe duhet të jetë nga Atlantiku dhe Amerika dhe jo nga Europa kontinentale. Se ideja që duke u integruar më shumë në Europë, do të mundej ta bënte më shumë Europën britanike se sa Britaninë europiane nuk do të materializohej. Sipas saj: “Në këtë shekull të njëzetë e një, fuqia dominuese është Amerika; Gjuha globale është anglishtja; Modeli i përhapur ekonomik është kapitalizmi anglo-sakson – prandaj, pse të burgosemi në një Evropë burokratike?” Kushedi sa e lumtur do të ishte sot, po të mësonte se Britania ka nisur shkëputjen nga Bashkimi Europian…

Ne me të vërtetë nuk kemi justifikime. Ne e dimë se çfarë funksionon – modeli anglosakson i lirisë, pasurisë, ligjit dhe kapitalizmit. Dhe e dimë se ku funksionon – kudo që aplikohet.

Nga Margaret Thatcher

KALIFORNI, 19 KORRIK 2000

Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, politika, gazetaria e akademia kanë qenë shumë të zënë duke debatuar se çfarë ndodhi dhe përse. Kjo është e natyrshme. Por kemi parë edhe një përpjekje të padurueshme për revizionizëm – një pretendim se, përkundër asaj se si e kuptuam ne në atë kohë, në të vërtetë Lufta e Ftohtë nuk u fitua, apo edhe nëse u fitua, nuk u fitua prej luftëtarëve të ftohtë, por pavarësisht prej tyre. Ndoshta duhet të them “pavarësisht nesh”.

Por revizionistët gabohen, dhe E Djathta kishte të drejtë. Ne e dimë që Bashkimi Sovjetik në kulmin e tij ishte një fuqi ekspansioniste, armiqësore dhe e rrezikshme. Ne dimë gjithashtu, nga ajo që ka thënë për këtë çështje Minsitri i fundit i Jashtëm i Bashkimit Sovjetik, se investimet e Reaganit në mbrojtje në përgjithësi, dhe sidomos programi SDI, patën një rol vendimtar në detyrimin e sovjetikëve për të ndryshuar kurs.

Nuk ka dyshim që sistemi sovjetik ishte i destinuar të shembej, për shkak të kontradiktave të tij të brendshme. Por i destinuar ai ishte që në vitin 1919, dhe vazhdonte të kontrollonte pjesën më të madhe të globit 70 vjet më vonë. U desh Ronald Reagani, me pakëz ndihmë nga miqtë e tij, që të ushtronte trysninë, e cila më në fund e shembi sistemin.

Ky debat është i rëndësishëm, jo aq shumë për reputacionet e individëve, se sa për pasojat e sotme. Thënë thjeshtë: nëse nxjerrim mësimet e gabuara nga Lufta e Ftohtë, do të rrezikojmë edhe paqen. Nëse besojmë se mënyra më e mirë për të shmangur rrezikun është që ta shmangim në vend se të përballemi; nëse mendojmë se negociimi është gjithmonë opsioni që ka një burrë shteti; nëse preferojmë gjeste boshe multilaterale në vend të reagimeve të fuqishme kombëtare, atëherë do të paguajmë një çmim të lartë – dhe fëmijët e nipërit tanë do ta paguajnë gjithashtu.

LUFTA E FTOHTE MBAROI… PO TANI?

Një nga akuzat më të çuditshme që u bëhen konservatorëve sot është ajo e nostalgjisë për Luftën e Ftohtë. Por ne nuk ndiejmë aspak nostalgji. Nuk na duhet. Në fund të fundit, e kemi fituar atë.

Unë nuk kam asnjë dyshim se e kemi lënë pas epokën kur Perëndimi u përball me një doktrinë të vetme dhe një superfuqi të vetme, që pa dyshim ishte armiqësore ndaj vlerave dhe interesave tona. Dhe, megjithëse Kina komuniste ende mund të shfaqet si një rrezik domethënës, unë nuk besoj se diçka e tillë si Lufta e Ftohtë do të rifillojë. Ajo që duhet të bëjmë tani, është që rreziqeve aktuale t’u vëmë në zbatim mësimet dhe njohuritë e nxjerra nga e kaluara.

Sot detyrat tona janë të trefishta.

Së pari, duhet të mbrojmë vendet tona kundër kërcënimeve të tanishme dhe të ardhshme.

Së dyti, duhet të mbajmë në formë të mirë aftësitë tona ushtarake dhe aleancat tona.

Dhe së treti, duhet të projektojmë vlerat tona dhe institucionet që i ushqejnë ato, anembanë globit.

RREZIQET E REJA…

Prej ku do të vijnë kërcënimet e reja?

Nuk kemi nevojë të shohim shumë larg. Një anëtar jofunksional i bashkësisë sonë globale ka një pamje mjaft të njohur për ne. Me çdo ditë që kalon, Rusia moderne sillet gjithnjë e më shumë si Bashkimi Sovjetik i vjetër. Politika e saj e jashtme duket ende e bazuar në të kaluarën e saj sovjetike – kundërshtime të forta ndaj ushtrimeve të fuqisë perëndimore (si në Kosovë), përpjekje për të ndarë Evropën nga Shtetet e Bashkuara (si për mbrojtjen me raketa balistike) dhe mospërfillje brutale për të drejtat e jo-rusëve, të cilët për fatine  tyre të keq jetojnë brenda Perandorisë Ruse (si në Çeçenin).

Rusia është një përhapëse entuziaste e armëve të shkatërrimit në masë. Ajo gjithashtu synon të krijojë një partneritet strategjik me Kinën, që vë në shënjestër Perëndimin: Putini është në Pekin në këtë moment, duke bërë pikërisht këtë. Nga çdo anë që ta shohësh, Rusia paraqet ende një kërcënim, edhe nëse ky kërcënim është thjesht i përgjithshëm.

Ka gjithashtu disa shenja shqetësuese se dëshira e rusëve të zakonshëm për ligj dhe rend, mund t’u japë autoriteteve një justifikim për të kthyer represionin e brendshëm. Çfarëdo tjetër që të jetë, presidenti i ri i Rusisë nuk është aspak liberal.

Natyrisht, presidenti Putin nuk është duke e rikthyer Rusinë në komunizëm. Në të vërtetë, ai duket se e kupton që kapitalizmi, jo socializmi, ka çelësin e rimëkëmbjes ekonomike ruse. Dhe unë dyshoj shumë, që Rusia do të jetë përsëri në gjendje të krijojë një sfidë globale për Perëndimin. Por Rusia është një fuqi e madhe bërthamore dhe një kujdestare e besueshme i arsenalit të saj. Me kufirin më të gjatë tokësor në botë, dhe pakicat ruse të vendosura në mënyrë strategjike, ajo është e aftë të krijojë trazira të qëndrueshme në disa rajone. Mund të ndihmohet në kushte të caktuara, por edhe duhet edhe të mbahet nën vëzhgim.

KINA…

Ne jemi të prirur të themi – dhe unë ia them vetes, sa herë e harroj – se fitorja në Luftën e Ftohtë nënkuptoi shembjen e komunizmit. Por, sigurisht, kjo nuk është saktësisht e vërtetë. Në të vërtetë, një fuqi komuniste ka përfituar nga shembja e Bashkimit Sovjetik. Kina tani është kandidatja kryesor për t’u bërë superfuqi, dhe qëllimet dhe mundësitë e saj janë me të drejtë temë e një debati të fortë.

Kina është padyshim një fuqi në rritje – popullsia edhe tani shumë e madhe po shtohet, ashtu si edhe ekonomia e saj, po kështu edhe ambiciet – të treja në kontrast me ato të Rusisë. Edhe më shumë se sa Rusia, historia e kaluar e Kinës dhe ideologjia e tashme e saj, sugjerojnë që për të ardhmen e afërt ajo mbetet thellësisht armiqësore ndaj Perëndimit.

Argumenti se progresi ekonomik do ta ndryshojë automatikisht çalon. Sigurisht që presionet për demokracinë do të rriten me rritjen e standardeve të jetesës. Por elita qeverisëse në Kinë, e cila përdor sloganet, aparatet dhe metodat e komunizmit për të qëndruar në pushtet, nuk do të largohet shpejt ose në heshtje. Nuk mund të përballojë që të përqafojë demokracinë, dhe për momentin nuk ka nevojë. Në fund të fundit, është në gjendje të shtypë opozitën, pa shumë vështirësi. Ajo madje ka perfeksionuar një sistem, duke kombinuar sipërmarrjen, korrupsionin dhe punën e skllevërve, që e lejon të përfitojë nga begatia në rritje.

Komunizmi me “tipare kineze” ende ka shumë karakteristika të komunizmit. Megjithatë, pavarësisht të gjitha abuzimeve, Kina nuk duhet të izolohet: është shumë e rëndësishme që të lejohet të ndodhë kjo. Në të vërtetë, ajo duhet të tërhiqet më shumë në ekonominë globale. Por as nuk duhet të zbutemi ndaj saj, veçanërisht për temën e Tajvanit.

Kina nuk do të bëhet një superfuqi me peshë sa të Shteteve të Bashkuara – të paktën, jo ndërkohë që mbahet mbrapa, nga pesha e vdekur e socializmit. Por kjo është një fuqi rajonale potencialisht armiqësore. Në afat të gjatë, India demokratike mund të shfaqet si një kundërpeshë. Por sot dhe për të ardhmen e parashikueshme, është Japonia e cila duhet të jetë partner strategjik i Amerikës në rajon. Mbajtja e këtij partneriteti gjallë është thelbi i stabilitetit në Lindjen e Largme.

… dhe shtetet batakçinj

Rënia e fuqisë sovjetike lejoi edhe ish surrogatët dhe të mbrojturit prej saj, që të dalin nga zinxhirët. Unë e kuptoj se sipas Departamentit të Shtetit nuk duhet të flasim më për shtetet batakçinj, vetëm “shtete shqetësuese”. Por unë mendoj se duhet të jemi të gjithë “të shqetësuar” për përpjekjet për “të larë” regjimet e pakëndshme, si ato në Korenë e Veriut, Irak, Iran, Siri dhe Libi. Të gjitha këto vende kanë nxitur ose praktikuar dhunën. Përhapja e armëve të shkatërrimit në masë u jep atyre mundësi të reja për të na kërcënuar, ne dhe aleatët tanë.

Shtete të tilla e dinë se zotërimi i këtyre armëve do të ndryshonte ndjeshëm ekuilibrin e avantazheve në marrëdhëniet e tyre me Perëndimin. Ata, gjatë një krize, mund të kërcënojnë të “sheshojnë” një qytet të madh perëndimor. Por edhe mundësia e një veprimi të tillë, shpresojnë ata, do të ishte e mjaftueshme për të parandaluar ndërhyrjet perëndimore, në mbështetje të interesave dhe aleatëve tanë.

Rreziku është tashmë i pranishëm. Në vitin 1998 Komisioni Rumsfeld vuri në dukje se vendet si Koreja e Veriut, Irani dhe Iraku “do të mund të shkaktojnë shkatërrime të mëdha në Shtetet e Bashkuara, brenda rreth pesë vjetësh pasi të marrin një vendim për ta krijuar këtë kapacitet”, duke shtuar se për shumicën e asaj kohe, Amerika as nuk do ta dijë që një vendim i tillë është marrë.

UDHEHEQJA E AMERIKES

Vetëm Amerika ka teknologjinë për të ndërtuar një sistem global të mbrojtjes raketore.

Në të vërtetë, udhëheqja teknologjike e Amerikës është kaq e madhe, dhe po rritet kaq shpejt, saqë ka ndryshuar tërë bazën e luftës. Unë e kuptoj se gjatë tetë javëve të para të fushatës së Kosovës, kur moti i keq e mbajti pjesën më të madhe të forcave ajrore aleate pa u ngritur në ajër, vetëm tre bombardues amerikanë B2 shkatërruan 33 për qind të objektivave. Në të kundërt, bombarduesit evropianë nuk mund të funksiononin pa caktimin, mbrojtjen dhe vlerësimin e dëmeve nga SHBA. Kjo është forma e së ardhmes.

NJË SHEKULL AMERIKAN

Henry Luce doli të kishte të drejtë, kur parashikoi në vitin 1941 se shekulli i njëzetë do të jetë shekulli amerikan. Dhe unë, çdo ditë që kalon shpreh falënderime për këtë. Ëndrra amerikane, e mbrojtur dhe e projektuar nga fuqia amerikane, e ka transformuar shtypjen dhe varfërinë, në liri dhe prosperitet.

Por ka shumë për të bërë, shumë më tepër. Sondazhet e Freedom House dhe të Fondacionit Heritage ende nxjerrin, se më pak se gjysma e kombeve të botës gëzojnë një shkallë të lartë të lirisë politike dhe ekonomike.

Ne me të vërtetë nuk kemi justifikime. Ne e dimë se çfarë funksionon – modeli anglosakson i lirisë, pasurisë, ligjit dhe kapitalizmit. Dhe e dimë se ku funksionon – kudo që aplikohet.

Nuk duhet të paralizohemi nga modestia e rreme apo edhe nga sjelljet e mira. Nxitja e vlerave që gjejnë shprehjen e tyre në Amerikë nuk është imperializëm, është çlirim. Dhe të gjithë ne që e gëzojmë atë liri sot, duhet t’i bëjmë fjalët tona të poetit Longfellow:

… Lundro O Anije e Shtetit! Lundro, O Bashkim, i fortë dhe i madh! Njerëzimi, me të gjitha frikërat e tij, Me të gjitha shpresat e viteve të ardhshme, është i varur, pa frymë, nga fati yt! /bota.al/

Në trend Botë

Më shumë
Gaetz tërhiqet prej kandidaturës për prokuror të përgjithshëm, reagon  Trump

Gaetz tërhiqet prej kandidaturës për prokuror të përgjithshëm, reagon Trump

Amerika
Putin: Rusia testoi një raketë të re me rreze të mesme në një sulm ndaj Ukrainës

Putin: Rusia testoi një raketë të re me rreze të mesme në një sulm ndaj Ukrainës

Evropa
Urdhër arresti për Netanyahun, reagon BE-ja: Ky nuk është një vendim politik, por i drejtësisë

Urdhër arresti për Netanyahun, reagon BE-ja: Ky nuk është një vendim politik, por i drejtësisë

Evropa
Netanyahu reagon pas lëshimit të urdhër arrestit ndërkombëtar kundër tij

Netanyahu reagon pas lëshimit të urdhër arrestit ndërkombëtar kundër tij

Azia
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Evropa
Shtatë vendet me ajrin më të pastër në botë

Shtatë vendet me ajrin më të pastër në botë

Botë
Kalo në kategori