LAJMI I FUNDIT:

“Procesi i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor”

“Procesi i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor”

Në Kolegjin “Pjetër Budi” u përmbyllën punimet e konferencës shkencore ndërkombëtare ”Procesi i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Mbi 50 studiues nga vendi dhe rajoni u paraqitën me kumtesat e tyre shkencore, si zhvillimi i doganave dhe shpedicioneve në perspektivën e integrimeve evropiane, zhvillimi i biznesit, turizmit, hotelerisë, industrisë së sigurimeve etj. Po ashtu, studiuesit referuan edhe për tema si investimet e huaja, zhvillimi i resurseve njerëzore, legjislacioni i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe i BE-së, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, transparenca, dialogu dhe bashkëpunimi rajonal, politikat migruese, liberalizimi i vizave, procesi i riatdhesimit etj.

Në hapje të konferencës, pjesëmarrësit i përshëndetën ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, zëvendësministri në detyrë i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, dhe sekretari i Parë i Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, Brunoi Rexhaj.

Nikaj u kryesisht u fokusua në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe përfitimet e qytetarëve të Kosovës nga ajo.


“Negocimi i MSA-së ndikon edhe në rritjen e investimeve të huaja. Kosova e ka negociuar këtë marrëveshje duke u bazuar plotësisht në kapacitetet e veta”, tha ai.

Kurse, Kasapolli tha se Kosova ka dhënë dëshmi të qarta se është serioze në procesin e integrimit në BE. Ai foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe theksoi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet.

“Koha e migrimit jo të rregullt dhe e azilit ka kaluar. Kosova tash është vend i sigurt, me zhvillim gradual ekonomik dhe perspektivë evropiane”, theksoi ai.

Të pranishmëve në sallë, akademikë e studentë nga Kosova dhe vendet e ndryshme të rajonit, iu drejtua edhe Sekretari i Parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Bruno Rexhaj.

Ai përshëndeti pjesëmarrësit e punimeve dhe u shpreh se rruga e Shqipërisë dhe e Kosovës është e përbashkët dhe e pakthyeshme drejtë Evropës së bashkuar, pavarësisht se Shqipëria është disa faza më të avancuara sa i përket integrimit, megjithatë rrugët tona drejtë BE-së, janë një trend i unifikuar që në një të ardhme sa më të afërt të jemi bashkërisht pjesë e familjes së madhe evropiane”, theksoi ai.

Kjo konferencë shkencore ndërkombëtare, tashmë tradicionale, organizohet në kuadër të aktivitetit shkencor-hulumtues të Kolegjit “Pjetër Budi”, me qëllim që studiuesve t’iu jepet mundësia që të kontribuojnë me punët e veta shkencore, ndërkaq opinioni të njihet me propozimet dhe zgjidhjet që kanë të bëjnë me shumë çështje, në perspektivën e integrimeve evropiane. /Telegrafi/