LAJMI I FUNDIT:

Problemi me barnat esenciale, problem kronik

Problemi me barnat esenciale, problem kronik

Institucionet publike shëndetësore prej pasluftës nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale me barna, për shkak të buxhetit të ulët që ka Ministria e Shëndetësisë.

Zyrtarë të lartë shëndetësor thonë se lista esenciale ka qenë shumë e gjerë, andaj edhe ka qenë e pamundur përmbushja në tërësi. Si rezultat i kësaj, është bërë klasifikimi i listës në tri kategori: Lista vitale, ajo esenciale dhe jo-esenciale.

Lista vitale do të duhej të përmbushej me 100 për qind, në mënyrë që pacientët të mos vuajnë brenda institucioneve shëndetësore për barna prej të cilave u varet jeta. Por, as kjo listë asnjëherë nuk arriti të përmbushet 100 për qind.

Ekonomisti Lulzim Bajrami, 50-vjeçar, thotë se mungesa e barnave në institucione publike shëndetësore është evidente dhe se sa herë që ka pasur rastin të shkojë në spital, qoftë për vete apo për ndonjë familjar, barnat i ka blerë vetë.


Njëjtë shprehet edhe pensionisti Haxhi Morina: “Janë të shtrenjta barnat. Unë jam pensionist. Bashkëshorten e kam qe 16 vjet të palëvizshme. Krejt i blej vetë. Me 100 euro pension. Njëjtë sikur unë që jam pensionist, si për dikë që e ka rrogën tremijë euro. Shteti është dashur shteti të mendojë për ne”.

Edhe Arbnore Krasniqi flet për mungesën e barnave në institucione publike shëndetësore, si një problematikë kronike: “Kur shkon në spital, menjëherë të dërgojnë nëpër barnatore, për të blerë barna”.

Problemin nga mungesa e barnave e pranojnë edhe vetë zyrtarë në qendrën terciare, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si e vetmja qendër referente për gjithë Kosovën. Zëdhënësi i këtij institucioni, Shpend Fazliu, bën të ditur se shkaku i buxhetit të limituar, lista asnjëherë nuk është përmbushur më shumë se 60 për qind.

Ngushtë me furnizim ndërlidhen edhe procedurat e prokurimit.

“Procedurat e prokurimit shpeshherë nuk u përgjigjen specifikave në shëndetësi. Ne jemi të obliguar si institucion ta respektojmë Ligjin e prokurimit, derisa në anën tjetër procedurat zgjaten e stërzgjaten dhe e vonojnë furnizimin me barna”, shpjegon Fazliu.

Neurokirurgu Haxhi Avdyli ka dhënë detajet kur edhe në sallat e operacionit ka mungesë evidente të barnave esenciale, e që ato kompensohen nga vetë pacientët.

“Gjithmonë ka ngecje në plotësimin e listës esenciale. Unë mendoj se pa rritjen 100 për qind të buxhetit, është shumë e vështirë të furnizohemi me barna. Pacientët do të vuajnë dhe do të dëmtojnë buxhetin e tyre familjar”, pohon Avdyli.

Ndërkaq, për kryetarin e Sindikatës së Shëndetësisë, Xhemajl Selmani, një prej arsyeve pse asnjëherë nuk është përmbushur lista esenciale me barna, përpos buxhetit të limituar, janë edhe keqpërdorimet nga vetë zyrtarët e niveleve të ndryshme.

”Me keqardhje mund të konstatoj se keqpërdoruesit në nivele të ndryshme e rrisin koston e barnave, materialit shpenzues, dhe derisa t’i kemi keqpërdoruesit në sistem, do të përballemi me probleme të këtyre natyrave”, thotë ai. /REL/