LAJMI I FUNDIT:

Prishtina e fortë për RTV 21

Prishtina e fortë për RTV 21

Edhe pse kjo përballje nuk pati kualitet të madh prapë se prapë solli një rivalitet të madh prej të dyja skuadrave. Prishtinasit me përvojën e tyre dhe me fond më të mirë të lojtarëve arritën ta sigurojnë një fitore modeste ndaj Teleboysave, 79-74, në kuadër të xhiros së 17-të të BKT Superligës së Kosovës në basketboll.

Në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ishin mbledhur disa qindra tifozë të Plisave për t’i dhënë mbështetje skuadrës së tyre të zemrës.

Ndeshja filloi me një ritëm të shpejtë, ku të dyja skuadrat shumicën e pikëve i shënuan nga trapezi. Prishtinës i hapi telashe shtatlarti, Urim Zenelaj (212cm), me 12 pikët e tij, për t’ia dhënë ekipit të tij një avantazh të lehtë, 21-22.

Në çerekun e dytë pamë një Prishtinë krejt tjetër. Bardhekaltërit u treguan më të guximshëm dhe më efikas në sulm, duke krijuar kështu një epërsi prej tetë pikëve, 41-33.


Edhe në çerekun e tretë Prishtina u tregua më e mirë duke e kontrolluar ndeshjen dhe duke rritur epërsinë në 10 pikë, 57-47.

Çereku i katërt filloi me ritëm të shpejtë ku skuadrat nuk i dhanë fare rëndësi repartit defensiv. Prishtina arriti ta mbajë mirë epërsinë e saj dhe kështu siguruan një fitore të rëndësishme, me rezultat përfundimtar 79-74.

Te bardhekaltërit u dalluan Julian Terrell me 19 pikë dhe Fisnik Rugova me 17 pikë, i cili prej se u inkuadrua në lojë e ndryshoi rrjedhën e takimit. Ndërsa, te Teleboysat u dallua Urim Zenelaj me 17 pikë dhe Roberson me 22 sosh. /Telegrafi/