LAJMI I FUNDIT:

Prindërit e mbajnë si skllave vajzën 12-vjeçare

Prindërit e mbajnë si skllave vajzën 12-vjeçare

Për muaj të tërë një vajzë e vogël ka përjetuar periudhën ndoshta më të frikshme të jetës së saj, duke u detyruar të bëjë skllaven për të atin e saj shqiptar dhe të ëmën një ekuadoriane.

Ngjarja i ka fillesat në qytetin Rapallo, provincë e Xhenova në Itali, ku një 37 vjeçar shqiptar dhe bashkëshortja e tij 33 vjeçare nga Ekuadori janë arrestuar nën akuzën e keqtrajtimit të fëmijës, sekuestrim personi dhe heqje e paligjshme e lirisë, si dhe mbajtje njeriu nën skllavëri, raporton korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA.al.

Policia lokale tha se shqiptari dhe ekuadoriania mbanin vajzën e tyre 12 vjeçare të izoluar në kushtet e skllavërisë.

Shefi i komisariatit të Rapallo, Carlo Di Sarro, duke folur zyrtarisht mbi ecurinë e hetimeve, zbardhi se vajza e vogël ishte e detyruar të kujdesej për vëllezërit më të vegjël, ajo i shërbente rregullisht dy prindërve të saj, u gatuante, u shtronte vaktet e ngrënies atyre dhe bënte të gjitha punët e shtëpisë. Për më tepër, ushqehej me gjërat që mbeteshin nga ushqimi që hanin prindërit e saj.


Herë pas here kur prindërit nuk ishin të kënaqur sa duhet nga puna e saj, e ndëshkonin duke e lënë për orë të tëra në tarracë, gjysmë e zhveshur ose thuajse lakuriq në të ftohtin e natës.

Zbulimi i historisë së dhimbshme erdhi pas një telefonate anonime në Telefono Azzurro (Telefoni i gjelbër) që çoi në operacionin policor tek banesa e emigrantit shqiptar, banesë që e shihni në këtë foto.

Vajza, kur u mor në banesë nga shërbimet sociale dhe policia, u konstatua se kishte shenja dhune fizike në trup. Ndërkohë, ajo nuk arrin të flasë pasi është memece.

Nga ana tjetër, është gjykata e Chiavari ajo që pritet të vendosë për masën e mëtejshme të sigurisë për prindërit skllavopronarë. Kurse dy vëllezërit më të vegjël të 12 vjeçares, po ashtu janë marrë nën mbrojtje nga autoritetet lokale. /Telegrafi/