Më 6 apo 12 nëntor të vitit 1917 (ende nuk është bërë një saktësim i datës) u ekzekutua Themistokli Germenjit. Ky u dënua nga një gjykatë ushtarake franceze në Selanik, me akuzën e rëndë të spiunazhit në të mirë të një fuqie tjetër ndërluftuese në territorin shqiptar, siç ishte Perandoria Austro-Hungareze.
Themistokli Gërmenji mbas një gjykimi të shpejtë u dënua me vdekje dhe u ekzekutua po në Selanik. Eshtrat i prehen poshtë monumentit, ngritur për nder të tij me ndihmesën e bashkëqytetarëve korçarë.
Ky monument, vepër e skulptorit të popullit Odise Paskali u ngrit në fillim të viteve ’30 të shekullit të kaluar në njërin prej shesheve kryesore të qytetit të Korçës ku heroi qendron hijerëndë, me kokën pak të anuar nga e djathta, që duket sikur dëgjon me vëmendje fjalët e dikujt.
Vendosja e monumentit në këtë qëndrim, të krijon ndjesinë e një bashkëbisedimi që s’merr fund kurrë midis heroit dhe njerëzve që lëvizin para tij, në rrugën më të rrahur të qytetit.
Monumenti shpreh qartë dëshirën e popullit për të përjetësuar heroin dhe kujtimin e tij mbi të gjitha përpjekjet për njohjen dhe mbrojtjen e kombit shqiptar dhe të territorit ku ai jetonte, që i kishte bërë qëllim kryesor të jetës.
Vlerësimi që i kanë bërë bashkëqytetarët këtij heroi është shoqëruar edhe me nderime të veçanta nga ana e Shtetit shqiptar, që mund e duhet të rriten në të ardhmen. I parë Themistokliu nga një anë tjetër, për ‘të qëndron ende në fuqi vendimi i padrejtë i gjykatës ushtarake franceze, që e shpalli atë fajtor për tradhti, duke e dënuar me vdekje, vendim i cili u ekzekutua më 9 nëntor të vitit 1917.
Përveç monumentit, një shkollë e mesme e qytetit të Korçës mban emrin e tij. Ndërsa një rruge në kryeqytet i është vënë gjithashtu emri “Themistokli Gërmenji”. Rruga ku ndodhet shtëpia e tij, dhe pak metra më poshtë ndodhej gjendej ku ai ngriti flamurin shqiptar (sot e shkatëruar nga themeli) mbante po ashtu emrin e tij. Mbas viteve ’90 emri i rrugës u hoq për ta zëvendësuar me “bulevardi Shën Gjergji”.
Veprimtaria atdhetare e Themistokliut shtrihej larg në kohë, por për aq sa na lejon vendi do të përqendrohemi vetëm në atë periudhë kur filloi të përgatitej arrestimi, dënimi e ekzekutimi i Themistokli Gërmenjit.. Ky ishte dekoruar me kryqin e Luftës për merita të shquara në betejën e frontit të Pogradecit kundër trupave austriake. Dekorata iu dorëzua gruas së tij, Evdhoksisë, prej një ushtaraku francez dy –tre javë mbas ekzekutimit. Të pranishëm në çastin e dorëzimit të dekoratës kanë qenë edhe dy bashkëqytetarët Ndrio Katundi dhe Nikollaq Zoi.[1]
Në Selanik ishte ngritur një qeveri kundërshtare me atë të Athinës. Kjo qeveri e krijuar në vitin 1916 kryesohej nga E. Venizellos. Forma e organizimit të saj ka qenë e natyrës republikane, ndryshe nga qeveria e Athinës që kishte dalë nga regjimi monarkist. Thelbi i kundërshtive midis tyre kishte të bënte me qendrimin që duhej të mbante Greqia në Luftën e parë botërore. Greqia monarkiste në fillim të asaj lufte qe rradhitur krahas fuqive qëndrore të Europës: Gjermani, Austro-Hungari etj.
Ndërsa mbas përpjekjeve të shumta të Venizellosit u bë e mundur që Greqia të kalonte në anën e aleatëve: Francë, Angli, Rusi, Itali dhe më vonë SHBA, Brazil etj. Kjo kthesë e papritur ndikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë në funksionimin administrativ të Krahinës Autonome të Korçës. Njihet nga të gjithë, se krijimi i krahinës autonome ishte vepër e ushtërisë franceze, e cila në bashkëpunim edhe me faktorin shqiptar bënë të mundur krijimin e kësaj strukture shtetërore. Kjo përpjekje e përbashkët ishte e dobishme për të dy palët.
Ndërsa ushtëria franceze kishte synimin kryesor strategjik të saj krijimin e kushteve të përshtatshme për ndalimin e Graqisë që të bashkëpunonte me ushtërinë austro- hungareze, gjermane apo edhe atë bullgare, për shqiptarët ripohohej edhe njëherë karakteri etnik i krahinës dhe pandashmëria e kësaj pjesë të teritorit me atë të shtetit të ri shqiptar, garancia dhe neutraliteti i të cilit ishte njohur prej fuqive të mëdha.
Themistokli Gërmenji ishte ndoshta nga politikanët e rrallë shqiptarë, që së bashku me Esat Pashën rradhitën veten dhe trupat që komandonin krahas aleatëve francezë, fitimtarë të luftës. Jo vetëm kaq, Krahina Autonome e Korçës u bë frymëzim edhe për krahina të tjera, siç ishte ajo e Gjirokastrës më pas (këtë herë e mbështetur nga ushtëria italiane) të cilat mundën të ndiqnin shembullin e saj.
Në kujtim të vrasjes së Themistokliut, në një shkrim të Jorgji Meksit te Gazeta e Konstancës në Rumani nr. 447, nëntor 1930 thuhej se, Gjinokastra protestoi për vrasjen e Themistokliut.[2] Mund të flitet se, në gjithë jugun e Shqipërisë faktori shqiptar qe vënë në lëvizje, për të ruajtur ekzistencën nëpërmjet lidhjes së aleancave me fuqitë fitimtare të luftës.
Ishin pra, kushtet e luftës ato që diktuan nevojën e vendosjes së ushtërisë franceze në këtë rajon, me qendër në Selanik, qytet i cili u bë baza kryesore mbështetëse nga nisnin veprimet e para operative për në thellësi të kontinentit. Siç ka thënë kolonel Odrioni “qëllimi i ndjekur për të pushtuar këto territore në muajin dhjetor 1916 ka qenë sepse kryekomandanti i përgjithshëm donte sidomos të ndërpriste komunikimet e Greqisë Konstandiniste me Gjermaninë, por duhej administruar edhe vendi i pushtuar…”
Me këtë mision delikat dhe të vështirë u ngarkua kolonel Dekuan (Descoins), “oficer i lartë me vlera të vërteta”.[3] Mendoj se për kolonel Dekuan duhet hapur një parantezë. Si shumë të tjerëve edhe këtij oficeri të lartë për ta nderuar (me shumë të drejtë) paraardhësit tanë, që i patën në dorë këto punë, ia kishin vënë emrin një rruge të qytetit. Më vonë (si shumë të tjerëve), emri i këtij ushtaraku të nderuar dhe mik i sinqertë i shqiptarëve u hoq.
Veç emrit të kolonelit u janë hequr disa rrugëve edhe emrat e gjeneralit Sal (Salle), komandantit Lespinas (Lespinasse), togerit Zigfrid (Siegfrid) dhe senatorit Justin Godar (Justin Godard). E mira dhe e drejta e do që hë për hë, sa më shpejt, të paktën t’i rivihet një rruge emri i kolonelit. Më e përshtatshme ndoshta do të ishte heqja e emrit rrugës “Fan Noli”. Nga ky veprim nuk cënohet as emri i Nolit të madh dhe as ndjenjat e shqiptarëve që e kanë Nolin si idhull. Mendoj se është tepruar duke i vënë emrin e Nolit përveç rrugës që po flasim edhe shëtitores të qytetit, Universitetit të Korçës, ish liceut të vjetër e shkollës së mesme Maliq. Shumë të lutura dhe ndere, mërzisin edhe vetë Perëndinë – thotë populli.
Dihet që pak më tepër se një vit, Krahina Autonome e Korçës funksionoi më së miri, dukemarrë ndonse në mënyrën më të thjeshtë- tiparet e një organizmi shtetëror, me anën e të cilit i krijoheshin mundësi edhe faktorit vendas për të luajtur rolin e tij, pavarësisht se në krye të drejtimit qëndronte autoriteti ushtarak francez.
Qënia dhe funksionimi i këtij organizmi mori fund fill pas kalimit të një viti. Akti kryesor juridik i themelimit të Krahinës Autonome i 10 dhjetorit të vitit 2016 u shfuqizua më 17 shkurt të vitit 1918. Shpërbërja e krahinës u bë në mënyrë të menjëhershme, ndonse puna për këtë ndryshim radikal kishte filluar më parë. Urdhëri për largimin e kolonel Dekuan nga detyra e komandantit ishte bërë fakt i kryer. Në nëntor 1917 u ekzekutua Themistokli Gërmenji, bashkëpuntori më i ngushtë i kolonelit.
Një ditë pas ekzekutimit të tij, vendin e Dekuan-it e zuri një kolonel tjetër, Andre Ordioni, i cili kujton: “… Ndoshta ne ishim të detyruar të lëshonim pe ndaj kërkesave të vendeve fqinje, xhelozë për sipërmarrjet tona, dhe koloneli Dekuan u sakrifikua. . . Mos e kërkoi Italia largimin e kolonelit Dekuan? Mos ishte Greqia, ose më fort z. Venizellos, kokë e këmbë i përkushtuar ndaj aleatëve?[4]
Fati i Dekuan-it ndoqi edhe Themistokliun, por ndërsa i pari humbi vetëm postin, i dyti veç postit humbi edhe kokën.
Qëllimi i shkarkimit të njërit dhe i ekzekutimit të tjetrit ka qenë i njëjtë. Grekët nuk mund të duronin një komandant që i kishte dëbuar ata nga Korça dhe që për më tepër kishte ndihmuar shqiptarët të vetqeveriseshin nën flamurin shqiptar dhe atë francez. Qendrimin e Themistokliut si kundërshtar i tyre, grekët e njihnin prej kohësh, por fati i tij u vendos mbas krijimit të lidhjeve të reja franko-greke, lidhje këto që u forcuan në situatën e krijuar, siç shpieguam më sipër. Fati i Themistokliut ishte i paravendosur prej grekëve. Presioni dhe ndërhyrjet e tyre pranë Shtatmadhorisë franceze kanë qenë të përhershme.
Deklarimi që ai pat bërë qysh në takimin e parë me kolonelin, se “grekët janë armiqtë më të këqij të shqiptarëve” krijoi mbështetjen për bashkëpunim midis tyre. Aq më tëpër që lidhur me grekët (për shkak të rrethanave të krijuara), në një mendje me ‘ta ishte dhe kryekomandanti, gjenerali Saraj, i cili kishte urdhëruar dëbimin e grekëve nga Korça. Përmbajtja e bisedimeve u bë e njohur botërisht me anën e botimeve në buletinet ushtarake.
Thëniet e Themistokliut, grekët i vunë vëth në vesh. Në një rast të tillë ata nuk e kishin të vështirë të thurrnin intriga dhe të sajonin edhe ndonjë “provë” për t’ja servirur sigurimit (surete) francez, sidomos që ata në rajonin e Korçës kishin më këmbë rrjetin e tyre. Presioni dhe ndërhyrja e grekëve për të zhdukur Krahinën Autonome dhe vetë Themistokli Gërmenjin ka qenë qëllim në vetvete. E keqja që ndodhi kishte kohë që përgatitej nga shërbimi i fshehtë francez.
Mosmarrëveshjeve që lindnin midis administratës shqiptare dhe sigurimit francez po acaroheshin tepër. Lidhur me këtë temë janë me shumë interes kujtimet e njërit prej punonjësve më të rëndësishëm, më të aftë të Krahinës Autonome, Nikollaq Zoi, i cili ka kryer para dhe pas vrasjes së Themistokliut detyrën e rëndësishme e mjaft të vështirë të drejtorit të financës. Ai ka qenë njëri prej anëtarëve të delegacionit shqiptar që nënshkroi marrëveshjen me delegacionin grek, të ashtuquajturin “Protokolli i Kapshticës” në muajin maj të vitit 1920. Për këtë marrëveshje të natyrës ndërkombëtare Prof. Arben Puto ka shkruar: ”Protokolli Kapshticës është akti i parë i Shtetit shqiptar që është nënshkruar me një shtet tjetër”.
Duke qenë njohës i mirë i çështjeve të ndryshme, si edhe për shkak të zotërimit prej tij të gjuhës frënge, Nikollaq Zoi kishte kuptuar shume gjëra dhe lidhur me mosmarrëveshjet e administratës shqiptare me sigurimin francez i bën të pranishëm Themistokli Gërmenjit një shqetësim tronditës, i cili për fat të keq u vërtetua: “… Situata e sotme nuk më pëlqen. Sureteja (sigurimi-V.M.) kundra neve shpif, gënjen, audienca që ke kërkuar nga Sarai (Kryekomandanti-V.M.) s’të vjen, shkollat greke duan t’i hapin, atmosfera rëndohet për ditë, ty të atakojnë vazhdimisht, prandaj mund të rrezikosh kokën.
Dhe atëhere ja ku e ke tokën italiane fqinje (në atë kohë ushtëria italiane ishte vendosur në qarkun e Kolonjës-V.M.). Mund të jetë më mirë të hidhesh dhe të qëndrosh andej. M’u përgjigj se atëherë frëngjtë do të prishin qeverinë shqiptare. I dhashë përgjigje se, sipas asaj që mendoj unë, qeverinë do të mos e ngasin dhe do të mbetet më këmbë. Por Themistokliu mendonte ndryshe dhe s’mori asnjë vendim. Po punët shpejtonin dhe ekzekutimi i tij nuk vonoi”.[5]
Vetë zgjedhja e Selanikut si vendi ku u gjykua, u dënua dhe ekzekutua Themistokliu, nuk ishte rastësi. Në Selanik kishte vendndodhjen Shtabi Qëndror i Armatës Franceze të Lindjes, me në krye kryekomandantin, gjeneralin Saraj. Po në Selanik kishte selinë qeveria e Venizellosit. Aty ajo kryente të gjitha funksionet që i përkasin një qeverie, me përjashtimin se në atë periudhë gjer në abdikimin e mbretit grek nga froni, nuk kishte ushtri. Të gjitha dëmet, aso kohe Venizellosi ua shkaktonte shqiptarëve me anën e andartëve grekë dhe të shqiptarëve në shërbim të Greqisë.[6] “…
Prandaj Venizelloja që në ato vise(është fjala për viset shqiptare-V.M.) ndiqte një qëllim politik, të mbetej në ato vise për gjithnjë me fuqi andarte s’e plotësonte. Prandaj, edhe për atë qark (Korçën-V.M.), më mirë të mos ishte ajo fuqi, e cila në vend të qetësisë po sillte intriga dhe ngatërresa, siç u provua edhe në prishjen e Voskopojës… Porsa shkoi ushtria greke konstandiniste, Sali Butka u sul të zerë Voskopojën dhe viset rrotull saj të zbrazura dhe (për të përjashtuar çdo keqkuptim) i paralajmëroi voskopojarët se vinte si mik dhe të rrinin të qetë.
Ata që mbetën të armatosur nga kostandinistët e larguar tashmë, dhe me të marrë kurajo nga kosturllinjtë që kishin hyrë në Korçë se do t’i ndihmonin, e kundërshtuan Salinë me armë, pasi më parë e kishin kërcënuar më fjalë të rënda. Nga kjo përleshje, voskopojarë dhe kosturllinj u mundën ligsht, u shkatëruan, u zhdukën, dhe Voskopoja u dogj dhe u prish. Kjo katastrofë u detyrohet kosturllinjve, se këta ishin shkaku kryesor i kundërshtimit voskopojar” – shkruan N. Zoi.
Në rrethanaat e asaj kohe, shkarkimi i Dekuan-it dhe vrasja e Themistokliut nuk kishte si të ishte vepër e Italisë, siç hamendëson kolonel Odrioni, por vepër e faktorit Venizellos. Vrasja e tij ishte gjithashtu në interes të qeverisë greke konstandiniste. Për këtë shqiptarët nuk kishin asnjë dyshim. Mendimin e shumë syresh e shpreh edhe Nikollaq Zoi në kujtimet e tij ku thotë: “Patriotët shqiptarë ishin plotësisht të bindur se shkaktarët e vërtetë të vrasjes të Gërmenjit ishin grekët”.[7] Si shenjë hakmarrje, truproja e Themistokliut, Passa Pema, fill mbas vrasjes së tij qëlloi për vdekje Efrem Gjinin, një spiun i rregjur grek, i cili megjithëse mori tre plumba ia mbriti të jetonte.
Zgjedhja e Selanikut pjesë e një shteti tjetër si vend gjykimi, dënimi dhe ekzekutimi i Themistokli Gërmenjit si qytetar i një shteti tjetër mund të përbëjë një bisedim më vete, aq më tepër kur ky ishte një subjekt civil që merrte pjesë edhe ne veprime luftarake, por jo ushtarak dhe jo pjesë e forcave ushtarake. Ai ishte pjesë e një pushteti administrativ të kufizuar. Gjykata e Lartë e SHBA, nisur nga rasti i Meri Surat e akuzuar për komplot në vrasjen e Presidentit Linkoln më 1865, e cila u gjykua dhe u dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake, si edhe u ekzekutua me varje në litar krijoi precedentin, sipas të cilit, një qytetar civil nuk mund të gjykohet nga një gjykatë ushtarake, qoftë dhe në kohë lufte.
Dyshime lindin edhe përsa i përket gjykimit të Themistokliut, për të cilin mund të thuhet se nuk ka qenë një gjykim i drejtë. Nga arestimi, gjykimi e ekzekutimi nuk shkuan më shumë se 9 ditë.[8] Edhe pse nuk kemi në dorë dokumenta, nuk është e zorshme të nxjerrësh përfundime mbi këtë gjykim.
Prof. Aurel Plasari në një shkrim botuar në gazeta “Tema” na bën të ditur se Themistokli Gërmenji është dënuar nga dëshmia e një njeriu të vetëm, të quajturit Hasan. Nëse kjo është e vërtetë, na lejohet të nxjerrim përfundimin se gjykimi i tij ka qenë i mangët, me shkelje të rënda të procedurës, me kohë të kufizuar që për personin dhe veprën, për të cilën ai akuzohej, do të thotë se fati i tij ishte paravendosur. Mbi të gjitha, siç do të shohim më poshtë, dënimi vetëm me thëniet e një dëshmitari është shkelje nga më të rëndat e të drejtave dhe lirive të njeriut, që vetë Franca dhe populli francez i ka krijuar dhe i ka mbrojtur ndër shekuj me rradhë. Për Themistokliun, nuk ka pasur gjykim të dytë të një shkalle më të lartë.
Nuk dimë, se cili ka qenë mbrojtësi i tij. Në një shkrim të Prof. A.Plasarit jepet i fotografuar proces verbali tip, mbushur me shkrim dore sipas rubrikave të veçanta që përfshijnë të dhëna mbi të akuzuarin, si emri e mbiemri, viti i lindjes etj. Proces verbale të këtij formati janë praktikuar zakonisht për veprime të natyrës hetimore që nuk mund të presin, si përshkrimi i vendit të ngjarjes, pozicioni i kufomës kur ka dyshime për vrasje etj. Mirëpo gjyqi i Th.
Gërmenjit nuk ka qene për një vepër ordinere, por politike. Akuza të tilla të rënda apo dhe debate gjatë gjykimit nuk mund të futen në kornizat e një proces verbali gjyqsor që mund të përmbajë vetëm dy- tre rreshta. Dimë që akuza nuk u pranua prej tij, u deklarua i pafajshëm, vendimin dhe ekzekutimin e priti me qetësi e burrëri të pashoqe.
Gjykimin dhe dënimin politik të Themistokliut e pranon tërthorazi edhe kryekomandanti, gjenerali Saraj, kur mundohet të shfajësohet në librin e tij “Mon commendement en Orient” (faqe 287, 288), duke thënë: “Gjykata jonë ushtarake e Selanikut dënoi me vdekje Prefektin e policisë të Korçës, i cili ëndëronte një Shqipëri të madhe… dhe kishte toleruar të sheshoheshin në Korçë oficerë austriakë të shërbimit të lajmeve” [9]
Kur flasim për të provuar kryerjen e një krimi (aq më tepër kur fjala është për spiunazh në të mirë të armikut) kemi parasysh në rradhë të parë krijimin e një ekuilibri të domosdoshëm në procesin e të provuarit, duke u nisur nga sheshimi i kontradiktave që mund të lindin prej thënieve dhe subjekteve pjesëmarrëse, siç janë për shembull dëshmitarët. Ndër shumë legjislacione që kanë vepruar prej kohësh të vjetra, mënyra e të provuarit ka qenë e ndryshme. Në Mesjetë rëndësi i jepej provës me hekur të skuqur, i cili mbahej në dorë prej të akuzuarit për një farë kohe. Mbasi pritej disa ditë kontrollohej plaga.
Nëse ajo ishte infektuar, fajësia quhej e provuar dhe i akuzuari ekzekutohej. Në kohët më të largëta, në Romën e lashtë, të provuarit e fajësisë apo të pafajësisë, sidomos me anën e provës me dëshmitarë, i nënshtrohej një kontrolli të hollësishëm, duke e kryer procesin prej një trupe gjyqsore të madhe në numer dhe në analizën jo të njërës, por të disa dëshmive; pra, në anën sasiore të tyre nga do të dilnin prova, mbi të cilat do të mbështetej dhënia e nje vendimi të drejtë, fajësi apo pafajësi. Që në atë kohë u bë e famshme në të drejtën romake thënia: “një dëshmitar, zero (asnjë) dëshmitar”. Më vonë, të njëjtin parim, dijetari francez Luazel (Loisel) na i ka lënë në një formë tjetër: ”Një zë, asnjë zë, apo zëri i njërit, zëri i asnjërit”.[10]
Pavarësisht që thënie të tilla të çmuara nuk kanë vlerën e absolutes, sepse edhe thënia e një dëshmitari të vetëm mund të përbëjë një provë të vlefshme, por vlera e saj duhet të vërtetohet nëpërmjet ballafaqimit edhe nga rrethana apo prova të tjera, veçanërisht kur në lojë është jeta e njeriut. Për të pakësuar arbitraritetin, kujdesi i të parëve që kanë punuar për një sistem gjyqësor të mbështetur në ligje që prodhojnë drejtësi drejtohej pikërisht te përpjekjet për sigurimin e provës.
Lidhur me këtë çështje Monteskjë (Montesquieu) është shprehur: “Ligjet që dënojnë me vdekje një njeri, mbështetur vetëm mbi një dëshmi (provë) janë fatale për lirinë. Arsyeja kërkon që dëshmitarët të jenë dy, sepse dëshmitari që pohon dhe i akuzuari që mohon përbëjnë vetëm njërën anë; pra, duhet një i tretë për të zgjidhur çështjen… Grekët dhe romakët, për të dënuar kërkonin një zë më shumë. Ligjet tona franceze kërkonin dy. Grekët mëtonin se zbatimi i dënimit në këtë mënyrë ishte vepër e perëndive, ndërsa ai është krijuar prej nesh (francezëve).” [11]
Mirëpo, veç bollëkut të dëshmive, e drejta dhe e mira kërkojnë që vendimi të mos jetë rrjedhojë e një gjyqtari të vetëm, por e disa syresh. Volteri i është futur shumë thellë këtij mendimi, kur në shënimin 534 Denis i Halikarnasit, mbi gjykimin e Koriolanit (Libri VIII) bën këtë interpretim:
“Autori (është fjala për Monteskjënë- V.M.) haron këtu që, sipas Denisit të Halikarnasit[12] dhe sipas gjithë historianëve romakë, Koriolani[13] u dënua nga trupa e përbashkët e gjyqtarëve (tribuve), ku nga 21 gjykatës (tribu) që e gjykuan atë, 9 ishin për falje, ndërsa 12 të tjerë për dënimin e tij.
Vota e secilit prej gjykatësve ishte e vlefshme. Monteskjë nga një pakujdesi e lehtë e tij shpjegon këtu dhe i jep vlerë të barabartë votës së gjykatësit (tribu) me votën e një njeriu të vetëm (vendimi në këtë rast është dhënë me shumicë të cilësuar, me votën e 2/3 të gjykatësve të pranishëm-V.M.). Sokrati(filozofi grek-V.M.) u dënua me shumicën e 31 votave. Monteskjë na dha nderin dhe të drejtën të shprehemi se ishte Franca tek e cila mënyra e të dënuarit ka qenë e vendosur prej perëndive”.
Volteri ka qenë jo vetëm kampion i mendimit racional, por edhe një luftëtar i madh për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Etja e tij për diturinë, në përgjithësi ka qenë e pasosur. Ngulmi i tij për dijen ka spikatur edhe në fushën e drejtësisë, mbasi mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut apo edhe cënimi apo shkelja arbitrare e tyre, më tepër se kudo shfaqen në një proces gjyqësor.
Pikërisht për këtë, Volteri idetë e tij (veç eseve dhe veprave të ndryshme të tij) i ka paraqitur para proceseve gjyqsorë të bujshme, për të nxjerrë në shesh të vërtetën. Mbrojtja që u ka bërë në gjyqe viktimave të dënuara dh tëe ekzekutuara padrejtësisht ka qenë e jashtëzakonshme.
Faktet e paraqitura nëpërmjet një logjike të thellë dhe patetizmi të lartë çuan në anullimin e proceseve gjyqësore ku ishin dënuar me vdekje Sirveni[14], Kalasi[15] dhe Lali[16]. Përshtypja më e thellë për tre të dënuarit, krijohet nga fakti se rehaabilitimi i tyre ka ndodhur pas vdekjes. Është një rehabilitim zyrtar nga lart, por nën ndikimin e një trysnie të jashtëzakonshme nga poshte, nga njerës të popullit, ose mentorë të tij.
Mesa duket, shoqëritë e qytetëruara në nivele të tilla të larta, si Franca etj., e kanë të pamundur të thonë: ”i vdekuri me të vdekurit, i gjalli me të gjallët”. Për ‘to, më i rëndësishëm është kujtimi i njeriut të njollosur padrejtësisht, se sa vetë jeta e tij. Lufta e Volterit aq domethënëse vetëm nëpërmjet fjalës, u bë një shembull i paçmuar, pjesë jo vetëm e historisë të Francës, por e gjithë popujve të botës që luftojnë për liri e drejtësi.
Nga francezët që kanë punuar e jetuar në Korçë aso kohe, ka pasur disa syresh që nuk e kanë besuar përfshirrjen e Themistokliut në punë të tilla. Të tjerë kanë ndjerë keqardhje të thellë për vdekjen e tij.” Një nga gjeneralët shoqërues të kryekomandantit Gijom gjatë bisedës me Nikollaq Zoin kishte përdorur shprehjen “ pauvre Themistocle- i mjeri Themistokli. Duket ndiheshin të keqardhur për humbjen e tij.
Po dhe me vizitën që kishte bërë në Korçë dhe me drekën që i dha qeverisë shqiptare kryekomandanti deshte të tregonte me mënyrë të heshtur se francezët dëshironin të largonin përshtypjen e keqe që kishte bërë ekzekutimi i Themistokliut dhe të pajtoheshin me kombëtarët shqiptarë. Deshin të pajtoheshin jo se ua kishin frikën po se dëshironin që të ishin me shqiptarët miq të mirë dhe të humbiste çdo keqkuptim.” [17]
Amanetin e fundit të Themistokliut e mbante një copë letër e sjellë në Korçë nga një oficer francez i ngarkuar prej eprorëve të tij për t’ia dorëzuar të shoqes së të ndjerit, Evdhoksisë, bashkë me dekoratën, që i drejtohej Pandeli Cales. Ajo letër kishte këtë përmbajtje “… I dashur Pandeli, frëngjtë po më vrasin pa faj, por me ngritjen e flamurit shqiptar në Korçë, ngritje të cilën e besoj të ngaherëshme, unë qëllimin e jetës e kam mbushur dhe vete në botën tjetër i kënaqur. Rroftë Shqipëria, rroftë Franca”.[18]
Nga Llambi Jorgji është lënë një shënim me rastin e dorëzimit të detyrës si sekretar i prefekturës së Korçës në vitet 1920 gjer në fund të viteve 1930, në të cilin thuhet, se ka dorëzuar edhe një dokument të rëndësishëm për Themistokliun. Mendohet që dokumenti ishte pikërisht letra e fundit e tij. /Shqiptarja/
__________________________________________
[1] Nikollaq Zoi, Një faqe Historie, faqe 143, botim i shtypshkronjës “Kotti”, Korçë, mars 2001
[2] Nikollaq Zoi, Një faqe historie, faqe 127, botim i shtypshkronjës “KOTTI” 2001
[3] A. Odrioni, Një oficer francez në Ballkan, vëllimi I, faqe 357
[4] Po aty, faqe 357
[5] Nikollaq Zoi, Një faqe historie, botim i shtypshkronjës “KOTTI”, viti 2001, faqe 136
[6] N. Zoi, po aty, faqe 85,86,87
[7] Po aty, faqe 148
[8] Nikollaq Zoi thotë se arrestimi i tij është bërë më 3 nëntor 1917 ditën e enjte, ndërsa ekzekutimi i tij është bërë më 12 nëntor 1917, ditën e shtunë. (N.Zoi, po aty, faqe 126)
[9] Cituar sipas N.Zoi, po aty
[10] Luazel(Loisel) në Institute të së Drejtës Zakonore, Libri V, nr.10
[11]Mbi frymën e ligjeve nga Monteskjë (Mostesquieu), botim frëngjisht, Vëllimi I, faqe 184, paisur me shënime të Volterit (de Voltaire), të Krevie (de Crevier), Mabli (de Mably), të Harpë (de la Harpe) etj.
[12] Denisi i Halikarnasit (Denys D’Halicarnasse), historian grek, bashkëkohës i Augustit; autor i “Antikiteteve romake”, vepër e çmuar; vdekur në vitin e 8 para Krishtit
[13] Koriolani (Coriolan)-në latinisht: Gnaeus Marcius Coriolanus, mundës i volskëve (në vitin 493 para Krishtit). Volksët kanë qenë një popull i Italisë së vjetër në jugë-lindje të Lacium (Latium), pjesë e Romës. Kanë qenë armiq të betuar të saj, që u vunë nën zgjedhë gjatë shekullit të IV para Krishtit. Koriolani u dëbua nga vendi i tij pasi kishte cënuar rëndë të drejtat e plebejve. Më pas largoi urrejtjen ndaj atdheut të vet, i ndikuar për këtë edhe nga lutjet e vazhdueshme të nënës dhe gruas së tij.
Me emërin Koriolan është quajtur edhe një dramë e Shekspirit, krijuar rreth vitit 1607. Enciklopedia franceze ”Larousse” v. 1994
[14] Sirveni ishte i besimit protestant. Lindur në Kastre (Castres) më 1709. Parlamenti i Tuluzës (Toulouse) e dënoi atë me vdekje më 1764 për vrasjen e vajzës së tij, për ta penguar që të përqafonte katoliçizmin, por përpjekjet e Volterit bënë që 5 vjet pas ekzekutimit ai të reabilitohej(Enciklopedia franceze ”Larousse”, v.1928)
[15] Kalas (Zhan),(Calas Jean). Tregtar nga Tuluza (Toulouse). Lindur më 1698. Akuzuar gabimisht për vrasjen e djalit të tij për ta penguar që të hiqte dorë nga protestanizmi. U dënua prej Parlamentit me vdekje më 1762 dhe u ekzekutua me anën e goditjeve në trupin e shtrirë e të lidhur mbi një rrotë që vërtitej pa pushim (me shufër hekuri ose druri-V.M.), gjersa dha shpirt. U reabilitua më 1765 në sajë të mbrojtjes famoze të Volterit (Enciklopedia francize “Larousse” v. 1928)
[16] Lali (Laly Thomas-Arthur. Baron i Tollendal. Guvernator i përgjithshëm i ngulimeve franceze të Indisë. Lindur në Romans (Drone). Mbasi u mund prej anglezëve, ai u akuzua për tradhëti ndaj Francës. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 1766. Procesi ndaj tij ishte model i padrejtësisë. Emri iu pastrua falë kurajës të të birit, Trofim Zherar (Trophime Gerard) dhe ndihmës të Volterit
[17] Nikollaq Zoi, Një faqe historie, faqe 139-140
[18] Po aty faqe 143 – See more at: http://shqiptarja.com/dossier/2711/themistokli-g-rmenji-prapaskenat-historike-t–d-nimit-dhe-ekzekutimit-390549.html#sthash.dZ8QcscP.dpuf
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje