LAJMI I FUNDIT:

Prapaskenat e rivendosjes së një lidhje

(Diplomati Genc Mlloja rrëfen si e ka parë dhe përjetuar rilidhjen e vështirë të Tiranës me Uashingtonin dhe përpjekjet e disa qarqeve në Tiranë për të barazpeshuar marrëdheniet me SHBA dhe Rusinë)

Në 1987 kur shkova në Nju Jork si këshilltar i misionit shqiptar pranë OKB-së nuk kishim ndonjë udhëzim për ndryshim qëndrimi ndaj SHBA, as edhe ndaj ish- Bashkimit Sovjetik; akoma ata konsideroheshin si dy superfuqi, armike të popullit shqiptar. Në fjalimet tona në OKB nuk kurseheshin tonet kritike ndaj tyre ashtu sikurse vazhdonte praktika diplomatike që të evitohej çdo takim me diplomatët amerikanë, rusë, izraelitë e të ndonjë vendi tjetër. Por as amerikanët as rusët nuk mërziteshin nga fjalimet tona; ishte bërë rutinë e cila kuptohej se po shkonte drejt fundit.

Tentativa të mirëfillta për të vendosur kontakte mund të konsiderohen rastet kur dy Ambasadorët amerikanë Vernon Walters dhe John Reed, diplomatë të lartë karriere, gjenin rastin dhe i drejtoheshin për këtë çështje Ambasadorit tone Z. Bashkim Pitarka mbas caktimit të tij si përfaqësues i përhershëm në OKB më 1986. Por përpjekja më konkrete dhe hapi përfundimtar u bë nga ish- zëvëndës sekretari i përgjithshëm për Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së, Z. Ronald Spiers, që kishte qënë zëvëndëssekretar i Departamentit të Shtetit për administratën dhe personelin. Ai i kërkoi Z. Pitarka nëpërmjet sekretares së tij të takoheshin në një drekë gjatë të cilës ai e shtroi konkretisht ofertën e tij e cila, sikurse tregon Z. Pitarka, konsistonte në këto fjalë: “Jam gati të ndërmjetësoj me Departamentin e Shtetit për të zhvilluar bisedime për marrëdhëniet meqë i kam edhe dyert edhe dritaret e hapura atje”.


Kurse për të kuptuar atmosferën në Tiranë që lehtësonte këto demarshe mjafton të përmëndim se ish- Presidenti komunist Ramiz Alia deklaronte më 18 prill 1990 në një mbledhje të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë se “nëse SHBA dhe BS, sikurse thonë, do të ndryshojnë me të vërtetë qëndrim ndaj Shqipërisë, ne nuk kemi asnjë arsye që të mos e mirëpresim atë”. Më parë, me rastin e festës së pavarësisë së vendit tonë më 28 nëntor 1989 drejtori për Europën Lindore në Departamentin e Shtetit, James W. Suihart do të deklaronte se “sigurisht, ne nuk shikojmë asnjë pengesë të madhe” për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Tiranën”, duke shtuar se Administrata amerikane “ishte gjithmonë e gatshme për dialog”.

Dy deklarata kuptimplote që tregonin se asgjë nuk pengonte tashmë nisjen e përpjekjes për të rifilluar lidhjen pas shkëputjes që prej vitit 1939 dhe dështimit për ti rivendosur ato më 1946, kur diplomatët amerikanë u detyruan të largoheshin nga Shqipëria. Pas një udhezimi që na erdhi në Mision nga Tirana në prill të 1990-ës u ra dakord me palën amerikane që takimi i parë të zhvillohej fillimisht në Nju Jork në ambientet e OKB-së dhe pastaj të vazhdohej në Uashington.

Në takimin e parë të Nju Jorkut, i cili u zhvillua në një nga sallat e punës të Këshillit të Sigurimit, çka u zgjodh si vend asnjanës, ishim Z. Pitarka, Z. Sazan Bejo, sekretar i parë, dhe unë si këshilltar. Kurse amerikanët ishin katër: Ambasadori Kramer, i cili ishte në atë kohë ndihmës i zëvendës-sekretarit të shtetit, përfaqësuesi i përhershëm i SHBA në OKB Ambasadori Tomas Pikering, dhe dy diplomatë të sektorit të Ballkanit në Departamentin e Shtetit.

Ai takim zgjati rreth 30 minuta, dominoi kortezia e kombinuar me anën pozitive se amerikanët dhanë shenja të qarta se ishin të përgatitur për t’i përshpejtuar procedurat e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ne që ishim atje, pa dyshim, ishim entuziastë.

Ky ritëm u mbajt dhe u pasqyrua me siglimin e projekt-marrëveshjes së mirëkuptimit per rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike nga Ambasadorët Kramer dhe Pitarka në takimin e dytë që zhvilluam në Departametin e Shtetit në Uashington. Ishte hera e parë që pas disa dekadave diplomatë të Tiranës hynin në ambjentet e selisë së diplomacisë amerikane. E ky është një kapitull tjetër mbresëlënës.

“Zaret u hodhën”, thamë Pitarka dhe unë pas atij takimi. Por për vulosjen përfundimtare të atij Memorandumi u desh edhe mjaft kohë, e humbur kjo, deri më 15 mars 1991.

Me palën amerikane ishte rënë dakort që gjërat të ecnin shpejt se nuk dukeshin pengesa veç disa anëve të vogla teknike. Pas takimit të parë Z. Pitarka kishte rënë dakort me Ambasadorin Pikering që pas kthimit të tij në Nju Jork të takoheshin dhe të bihej dakord për datën e ceremonisë së nënshkrimit të dokumentit. Më parë ishte sugjeruar nga pala jonë që Memorandumi të nënshkruhej në një nivel edhe më te lartë, jo në atë të ambasadorit siç bëhej zakonisht, por në nivel zëvëndës ministrash të jashtëm ose edhe më lart – atë të këshilltarit politik e diplomatik të Z. Ramiz Alia, pra të të ndjerit Sofo Lazri. Kjo nuk u pranua nga amerikanët. Ata thanë se nuk kishte nevojë për një nivel të tillë se në praktikën e tyre niveli i ambasadorëve ishte rang më se i mjaftueshëm.

Këtu filloi shtyrja e nënshkrimit nga pala jone – e strumbullari, sikur doli më vonë, ishin disa qarqe në KQ të ish- PPSH-së, të cilët mbronin teorinë e barazpeshimit ose sikurse përdorej termi politik atëherë – ekuidistancën, në marrëdhëniet mes dy supërfuqive, SHBA e BS. Shkurt ata insistonin e bënin presion që rivendosja e marrëdhënieve me SHBA të bëhej në të njëjten kohë me ish- BS.

Z. Pitarka e mbajtën gjatë në Tiranë më 1990 – rreth dy muaj ndonëse ishte rënë dakord me Z. Pikering që ai të takohej me të pas një jave fill pas kthimit te tij nga Tirana pas vizitës së ish- sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Javier Perez De Kuelar në Shqipëri.

E këtu është rasti të përmendet se pati një dyndje vizitorësh të lartë, të ndaluar më parë të vizitonin Shqipërinë si Nënë Terezën e administrator i PNUD-it William Draper.

Z. Pitarka u kthye në Nju jork më 15 qershor dhe amerikanët ishin zemëruar me të vërtetë. Natën e kthimit Ambasadorin tonë e mori në telefon Z. Pikering, i cili, pasi i uroi mirëkthimin në Nju Jork i tha me një ton shpotitës fjalë për fjalë: “Pse u vonuat kaq shumë, mik? Ne kishim rënë dakord të takoheshim një javë pas kthimit tuaj në maj. Nuk ka problem; do të kemi kohë plot dhe mundësi të takohemi dhe të flasim”.

Kjo ishte boll e kuptueshme dhe e mjaftueshme për ne atje për të kuptuar dëmin që ishte bërë. Dhe diplomati i lartë amerikan anulloi takimin që do të bënin me Z. Pitarka më 16 qershor, të cilin ky i fundit e kishte kërkuar nëpërmjet meje.

Pra amerikanët, siç e provoi rrjedha e gjërave, mbajtën qëndrim dhe megjithë disa tentativa tonat e shtynë procesin e nënshkrimit të Memorandumit ndërsa në Shqipëri gjërat zhvilloheshin me shpejtësi në disfavor të regjimit të atëhershëm duke i hapur rrugë pluralizmit të shumëpritur nga populli shqiptar.

Edhe pas 20 vjetësh Z. Pitarka dhe unë ndajmë të njëjtin mendim se hapja më e shpejtë e një ambasade amerikane në Tiranë, me pak fjalë prania e tyre në Shqipëri, ndoshta do të kishte influencuar pozitivisht që zhvillimet e mëvonshme demokratike të beheshin më të buta dhe jo aq të ashpra e me përleshje, vrasje e shkatërrime siç ndodhi në të vërtetë. Pra, zvarritja ishte punë e disa “skifterëve” në Shqipëri, për të mos thënë e ndonjë lobi të mundshëm pro-sovjetik në KQ e institucione të tjera shtetërore e ndokund tjetër. Mjafton të kujtoj ngazëllimin që pati në Tiranë në disa qarqe kur u godit Mihail Gorbaçovi në verën e vitit 1990; ishte një puç ushtarak, që dështoi shpejt me qëndrimin e fortë të Boris Jelcinit.

Këto ‘manovra’ të Tiranës zyrtare sollën edhe qëndrimin që mbajtën amerikanët ndaj vizitës së ish- presidentit Ramiz Alia në SHBA në shtator të 1990-ës. Kur Z. Pitarka dhe unë bisedonim me të në Nju Jork për marrëdhëniet dhe përfundimin e Memorandumit të Mirëkuptimit sa më parë, kishim kërkuar takime të tij me ish- presidentin Xhorxh Bush apo qoftë edhe me sekretarin e shtetit Xhejms Bejker. Por si rezultat i qëndrimit të mëparshëm të Tiranës zyrtare per shtyrjen e nënshkrimit të Tiranës të Memorandumit amerikanët madje refuzuan fillimisht (dy ditë para mbërritjes së delegacionit tonë) që t’i ofronin eskortë sigurimi dhe një limuzinë. U desh ndërhyrja dhe koordinimi me palën amerikane për këtë vizitë. Ata thonin nuk i ofronin Z. Alia asnjë mbështetje logjistike apo sigurimi sepse “jeta e tij nuk është në rrezik” dhe se për limuzinën ajo nuk u jepet delegacioneve të nivelit të lartë të atyre shteteve me të cilat SHBA nuk kanë marrëdhënie.

Ambasadori ynë nderhyri tek ambasadori Kramer, i cili bëri të mundur që të angazhoheshin dy oficerë sigurimi, të cilët ishin të përsosur e na ndihmuan mjaft gjatë kohës që ish- presidenti ishte në Nju Jork dhe Boston.

‘Shmangia’ amerikane vazhdoi deri më 27 dhjetor kur Z. Pitarka u largua nga OKB-ja. Në atë kohë Z. Pikering veç i tundte dorën nga larg dhe nuk e takonte. Çdo gjë rinisi në janar të 1991. Në një takim që pata nga fundi i janarit në Departamentin e Shtetit pala amerikane sugjeroi fillimin e marsit për ceremoninë. Tirana e priti mirë njoftimin se në fakt herë pas here na thuhej t’ua rikujtonim, t’i nxisnim për ndonjë datë. U ra dakort edhe niveli i zëvëndësministrit të jashtëm dhe vendi do të ishte Uashingtoni. Kur po fiksonim datën e saktë më njoftojnë nga MPJ nga mesi i shkurtit që të kërkoja shtyrjen e nënshkrimit të marrëveshjes. U ndjeva keq, më e pakta që mund të them, kur po lexoja telegramin. U bënë aq shumë përpjekje për të kapërcyer problemet që i pa edhe vetë Z. Alia e ndonjë tjetër, por nuk ishte e thënë që gjërat të ecnin normalisht.

Gjej rastin të citoj këtu mendimin e Z. Pitarka të shprehur këto ditë në korrespondencën miqësore që kemi se vonimi i qëllimshëm i nënshkrimit të marrëveshjs së mirëkuptimit për shkak të palës sonë ishte një veprim tepër i dëmshëm i elementëve ekstremistë në udhëheqjen komuniste të asaj kohe. Ruajtja e të ashtuquajturës ekuidistancë me dy superfuqitë ishte veç një pretekst dhe rezultat i presionit që i vinte Z Alia nga “skifterët” dhe frikës qe ai kishte ende nga ata në prag të zhvillimeve të mëdha, të cilat, në fakt, ndodhën.

Shqipëria ishte përfshirë në një fushatë të ethshme elektorale, e para pluraliste me pjesëmarrjen e Partisë Demokratike, e cila ishte krijuar në janar të 1990. Zgjedhjet do të mbaheshin më 31 mars 1991. Më 20 shkurt kishte rënë busti i Hoxhës. Një vizitë e të ndjerit Reiz Malile në Pekin i kushtoi karrigen nga presioni i PD-së që organizonte demonstrata ku kërkohej dorëheqja e tij me parrullën nuk e duam Shqipërinë si Kina komuniste, e duam si gjithë Europa demokratike etj. etj. Kaluan ca ditë pas dorëheqjes së Z. Malile vendin e të cilit e zuri zëvëndësi i tij Z. Muhamet Kapllani dhe në Mision në Nju Jork vjen një telegram që ndryshonte çdo gjë. Pak a shumë përmbajtja ishte kjo: rritej niveli i përfaqësimit të palës shqiptare, çka do të thoshte se Memorandumi do të nënshkruhej nga ministri ynë i jashtëm pa kërkuar reciprocitetin e palës amerikane për këtë nivel. Në takimin që pata menjëherë në Departmentin e Shtetit më thanë se do ta shikonin këtë çështje për të ricaktuar një datë tjetër.

Në fakt këtë rradhë nuk vonuan dhe u caktua 15 marsi. Këtu gjej rastin për të përmendur emrin e diplomates amerikane Suzën Satën, e cila ishte pika jonë e kontaktit në atë kohë, e mirënjohja për të është e madhe sepse me sjelljen e saj na i ka bërë gjërat më të lehta në situata të vështira, nganjëherë edhe qesharake, domosdo jashtë kompetencave apo dëshirave tona. Ne shkuam në Uashington më 14 mars nga dreka dhe u vendosëm ne Hotelin Embassy Suits ku na thanë se ministri ynë vinte me dy orë vonesë nga Parisi. Arsye teknike. I binte që delegacioni i përbërë nga Z. Kapllani dhe Z. Shpëtim Çaushi, atëherë drejtor në drejtorinë që mbulonte edhe SHBA e tani ambassador i Shqipërisë në Beograd, të arrinte nga ora 9 e darkës. Z. Pitarka, ish- ambasadori, ishte ‘paqejf’, prandaj nuk mund të vinte, u thamë kolegëve amerikanë, se kështu na u tha tu thonim kur ra rasti e na pyetën.

Funksionari i Departamentit të Shtetit që do të priste delegacionin tonë kishte edhe surprizën e tij. Pasi i uroi mirëseardhjen Z. Kapllani gjeti një moment dhe më mori mënjanë; më tha se në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit do të ishin edhe dy liderë të PD-së, konkretisht Sali Berisha dhe i ndjeri Gramoz Pashko. U habita dhe kaq, duke qënë i sigurtë se të njëjtën gjë do të ndjente edhe Z. Kaspllani, sepse më parë kishim rënë dakord më palën amerikane që Misioni ynë të përzgjidhte 15-20 shqiptaro-amerikanë për të marrë pjesë në ceremoni. Po kaq do të përzgjidhte edhe pala amerikane. E siç doli në perzgjedhjen amerikane ishin figura të njohura te emigracionit, që ishin kundër regjimit komunist, drejtues të Ballit Kombëtar, të Legalitetit etj. Ne përzgjodhëm kryesisht shqiptaro-amerikanë të emigracionit ekonomik, sikurse i quanim në atë kohë, ndër të cilët spikaste figura e të ndjerit Antoni Athanas. E nuk mund të mos shpreh homazhe të veçanta për këtë njeri që bëri aq shumë për rivendosjen e marrëdhënieve Tiranë – Uashington, duke e kthyer restorantin e tij të famshëm “Pier 4” në Boston në qendër të patriotizmit të vërtetë shqiptar.

Vetë zoti Kapllani u gjet i befasuar nga kjo pjeswmarrje. Ai po vinte nga Tirana dhe ishte shef i diplomacisë. Aq më tepër Z. Berisha kishte qënë i njohuri i tij por, si duket, kampet e ndryshme politike i kishin ndarë aq sa edhe për një ngjarje të tillë të mos komunikonin. E ky ‘moskomunikim’ u pa edhe më pas. Z. Berisha shmangu çdo kontakt me ne, çka nuk u insistua as edhe nga ana jonë. Veçse dua të kujtoj se figura të tjera të PD-së si i ndjeri Pjetër Arbnori na kanë bërë vizita në Mision kur kanë ardhur në Nju Jork. Dhe me Arbnorin kam patur fatin të kaloj tre ditë shumë interesante në Boston ku e shoqërova tek Antoni Athanas.

Për tu kthyer në temë kur kishim rënë dakort me Departamentin e Shtetit për të ftuarit në ceremoni asnjë aludim nuk ishte bërë për këtë prani të liderëve të PD-së. I thamë diplomatit amerikan se do t’i përgjigjeshim më vonë. Kurse ne e lamë ta diskutonim në hotel. Po ishte e kotë çdo gjë. Zotërinjtë Berisha e Pashko ishin të ftuar të Departamentit të Shtetit, domethënë të të zotit të shtëpisë në atë rast. Ne nuk arritëm të njoftojmë njeri në Tiranë, çka ish- ministri e kishte merak me të drejtë; diferenca 6 orë në mes Tiranës dhe Uashingtonit dhe mungesa e lidhjeve telefonike të rregullta bëri çdo gjë të pamundur.

Zotërinjt Berisha dhe Pashko, sikurse më tha diplomati amerikan, kishin ardhur një ditë para Z. Kapllani dhe kishin patur takime me funksionarë në Departamentin e Shtetit. Edhe po t’i thonim njeriu në Tiranë, mendoj se askush nuk mund të bënte aventura të tjera me Memorandumin.

Më 15 mars 1991, gjumë aspak. Askush nuk fjeti atë natë dhe nuk ka nevojë për koment. Ndodheshim para një dite historike. Axhenda filloi në ora 9 – takim në Kongresin amerikan ku na pritën disa kongresmenë. Çdo gjë e ngrohtë. Donin të dinin për gjendjen në Shqipëri, por dukej se ishin të mirëinformuar, përfshi edhe fushatën e ashpër elektorale në vijim. Njëri prej tyre e pyeti direkt Z. Kapllani: Çfarë do të bëni po fitoi PD në zgjedhjet e ardhshme kur mund të mos jeni më Ministër i Jashtëm? Pak meditim e Z. Kapllani iu përgjigj sa e mbaj mend: Do të jap mësim të gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës.

Arritëm në Departamentin e Shtetit gjysëm orë para ceremonisë që ishte fiksuar në ora 11:00. Një zyrtare e protokollit më mori dhe më dërgoi në sallën e ceremonisë për të më treguar protokollin e nënshkrimit, disa hollësi të procedurave. Salla e Traktatave quhej vendi ku do të zhvillohej ceremonia. Folën zëvëndës-sekretari amerikan i shtetit Raymond Sajx dhe Z. Kapllani para nënshkrimit të Memorandumit.

E pastaj shampanja; rast i papërsëritshëm ai. E këtë e tregon edhe fakti i thjeshtë se në sallë përveç nesh si përfaqësues të shtetit kishte shqiptaro-amerikanë të të gjitha bindjeve politike, dijetarë e patriotë të shquar, legalistë, ballistë, por edhe ndonjë të ashtuquajtur enverist, si dhe dy përfaqesuesit e PD-së, që do të vinin në pushtet në 1992-in. Por ama ata do ta merrnin pushtetin me një ambasadë amerikane të hapur në tetor të 1991, me marrëdhënie të vendosura edhe me Anglinë, Rusinë e Izraelin. Pra do të viheshin në krye të një Shqipërie demokratike që kishte dalur nga izolimi hermetik komunist.

Prokolli vazhdoi pas nënshkrimit me një drekë që filloi ‘ftohtë’ por u ngroh ‘rrugës’. Pastaj takime në departamentet e Thesarit dhe Tregtisë. Në atë të Thesarit më është ngulitur çfarë tha një prej zëvëndës-sekretarëve të departamentit: Ka 200 vjet që kemi ngritur sistemin demokratik në SHBA, por përsëri shikojmë gjëra që duhen zhvilluar dhe këtë e bëjmë gjithnnjë… Edhe popullit shqiptar do t’i duhet një rrugë e gjatë, por e domosdoshme për të vendosur çfarë i ka munguar: demokracia e vërtetë. Kurse nga ana jonë iu fol për gjëndjen e vërtetë të rëndë ekonomike; ishte lënë pas euforia e shkuar e socializmit shqiptar.

Një ditë më pas ne e vazhduam ‘festën’ me një pritje në misionin shqiptar në Nju Jork, ku nuk munguan shumë diplomatë amerikanë, edhe ata vizitorë të parë zyrtarë në selinë tonë atje.

Tani, pas 20 vjetësh, veçse kënaqësi e madhe për zhvillimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë me SHBA dhe kjo nuk ka pse të duket propagandë. E thënë thjeshtë si rrodhën gjërat konkretisht: pa ndihmën e Uashingtonit nuk do të kishim arritur shumë gjëra, ndër të cilat mund të përmend anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe Pavarësinë e Kosovës. Këto janë historike dhe ëndërra mbarëshqiptare.