LAJMI I FUNDIT:

Posteri “The World is Mine”, në Bienalen Ndërkombëtar të Posterëve (Foto)

Posteri “The World is Mine”, në Bienalen Ndërkombëtar të Posterëve (Foto)

Për herë të parë në historinë e 24 edicioneve të Bienalit Ndërkombëtar të Posterit në Varshavë, do marrë pjesë edhe një vepër nga Kosova - posteri “The World is Mine” i artistit nga Rrezeart Galica.

“The World is Mine” u radhit i 71-ti në mesin e 2600 posterëve tjerë nga mbarë bota.

Bienalja Ndërkombëtare e Posterit është e para nga viti 1966 dhe më kryesorja në botë në zhanrin e posterit. Në edicionin e 24-të e Bienales së Posterit në Uilanou të Varshavës kanë aplikuar me 3814 posterë 1672 autorë – nga Polonia 414 aplikantë dhe nga shtetet tjera 2655.

Për kategorinë A do të garojnë 2601 posterë për të fituar vendin e parë (medalja e artë), vendin e dytë (medalja e argjendtë) dhe të tretin (medalja e bronztë). Për medaljen e artë nga kategoria B garojnë 1213 posterë.


Pjesë e jurisë janë: Stephan Bundi nga shkolla e dizajnit në Bern; Dawid Crowley, kritik i artit nga Kolegji Mbretëror i Artit në Londër; Kenya Hara, dizajner i njohur; Jerzy Porębski, profesor në Fakultetin e Dizajnit Industrial dhe Akademisë së Arteve të Bukura në Varshavë; Silvia Sfligiotti, profesoreshë dhe kritike e dizajnit në Milano të Italisë; Jakub Stępień, i listuar si njëri nga top 50 artistët botërorë të rëndësishëm të posterit.

Sot në botë ekzistojnë disa muze, por ai më i më hershmi është muzeu i posterit në Uilanou (polonisht: Múzeum Plakatu w Wilanowie). Ky është muzeu i parë dhe më i vjetri i posterit në botë, i cili u hap më 1968 si degë e Muzeut Nacional të Varshavës në Poloni. Në themelimin e tij muzeu kishte 13 mijë artikuj, duke përfshirë rreth 500 posterë të ruajtur që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

Koleksioni i muzeut është vazhdimisht në rritje, nëpërmjet dhuratave nga donatorë polakë e ndërkombëtarë.

Artisti nga Kosova, Rrezeart Galica, ka thënë se duke pasur parasysh që për herë të parë nga Kosova e Shqipëria zgjidhet një poster prej që ekziston ky muze i posterit dhe kjo bienale e posterit në Uillanou, reflekton në radhë të parë afirmimin e Kosovës në një ngjarje botërore në fushën e artit pamor.

"Ma merr mendja që është një arritje e veçantë për mua si artist dhe për vendin të cilit i takoj", është shprehur Galica, tek ka shtuar se ky poster nga Kosova do të jetë përgjithmonë e ekspozuar si pjesë e Muzeut.

Ky poster, sipas Galicës, ka qenë në mesin e posterëve të cilët i ka ekspozuar në Gjenevë të Zvicrës vitin e kaluar, në ekspozitën e tij personale të pestë me radhë.

"Fjalia ‘The World is Mine’ ka dy kuptime në vetvete: ‘Bota është e imja’ dhe ‘Bota është e minuar’ e që nëpërmjet shenjës trekëndëshe sinjalizuese të minave kam dizajnuar hartën me të cilën kam dashur të reflektoj edhe rrezikun që i kanoset botës nëpërmjet kësaj materie vrasëse. Kuptimësia merr formë edhe më të qartë kur posteri është vepër e artistit vendi i të cilit pak më shumë se një dekadë ka dalë nga lufta”, shton Galica. /Telegrafi/