LAJMI I FUNDIT:

Pollo, padi për shpifje kundër Ballës

Pollo, padi për shpifje kundër Ballës

Ministria e Teknologjisë dhe Informacionit informon se ministri Pollo po shqyrton mundësinë për të ngritur një padi penale e civile për shpifje kundrejt deputetit socialist Taulant Balla.

Deputeti socialist akuzoi sot në seancë parlamentare ministrin Pollo për “abuzim me detyrën, marrje ryshfeti dhe favorizime në dhënin e lejeve për fibrat optike në vend”. Akuzat u bënë gjatë interpelancës në seancë parlamentare. Përveç thirrjes për të dhënë dorëheqjen, deputeti Balla tha se dosjet me provat e këtyre shkeljeve, PS do t’i dërgojë më tej edhe në prokurori.

"A është liçensuar sipas kuadrit ligjor të sipërpërmendur, shoqëria ATU për vendosjen e rrjetit privat të fibrave optike?… Sa është shuma e ryshfetit që ke marrë. Unë po të them 1. 2 milionë euro. A ke llogari bankare në një bankë arabe në Qipro?", dekaroi ndër të tjera Balla në seancën e sotme parlamentare, raportoi BW.

Ministri Genc Pollo tha se megjithë akuzat, ai nuk do të dëshironte t’i përgjigje në të njëjtën mënyrë.


“Nuk jam i vetmi që e mendoj dhe që e them se disa deputetë të Partisë Socialiste, jo të gjithë ata, demonstrojnë në këtë sallë një deformim të madh njerëzor, madje një deformim anatomik, pasi siç u pa te parafolësi anusi ka zëvendësuar laringun. Por unë, ashtu siç veproi edhe filozofi i lashtësisë Sokrati, kur ia kafshoi këmbën qeni, nuk do të doja t’i përgjigjesha në të njëjtën mënyrë", tha ministri Pollo.

Pas kësaj Ministri Pollo po shqyrton mundësinë për të ngritur një padi penale e civile për shpifje kundrejt deputetit socialist Taulant Balla./Telegrafi/