LAJMI I FUNDIT:

Politika mund ta fal armikun, por malet tona nuk e falin!

Politika mund ta fal armikun, por malet tona nuk e falin!
Ilustrim

Kur tokat shqiptare mbeten jashtë mbrojtjes nga Perandoria Osmane, Serbia me krejt forcat që kishte, pa pritur një ditë, mësyu shfarosjen e fqinjëve shqiptarë. Pa kaluar dy vjet, në vitin 1914, po nëpër ato rrugë që kishin kaluar falangat vrastare serbe, në vitin 1912, po ato falanga që kishin vra e plaçkitur shqiptarët e pambrojtur nga askush, që nga Kurshumlia e Vranja e deri në Durrës e Krujë, kishin marrë arratinë para ushtrisë austro-hungareze. Derisa populli shqiptar akoma nuk mund të thoshte fjalën e tij, dhe akoma i paorganizuar, duhej të dëgjonte thirrjen e superfuqive të kohës dhe t’ia hapte rrugët e dyert e shtëpive po asaj ushtrie serbe që e kishte masakruar e plaçkitur kudo që kishte shkelur këmba serbe, dy vjet më parë.

Për të mos hyrë në detaje, këto fakte flasin se në çfarë gjendje u katandis fqinji mizor i papërmirësueshëm serb brenda dy vjetësh. Madje, domosdo duhet përkujtuar fjalët e dy oficerëve serb që ishin pjesë e asaj ekspedite vrastare, por që lanë të shkruar ditarët e tyre që dëshmojnë qartë masakrat që kishte bërë ushtria serbe kudo mbi popullin shqiptar. Kosta Novakoviq ka shkruar që sjellja e serbëve në këtë mënyrë ndaj fqinjëve shqiptar do t’i kushtojë Serbisë me shekuj dhe Serbia patjetër do ta paguaj tagrin e krimeve. Edhe Dimitrie Tucoviq i dërgon një letër Gazetës “Socialisticka Zora”, që ishte organ i Social socialdemokratëve serbë, dhe në atë letër i thotë kryeredaktorit që nëse nuk e boton, emri i tij do të shkruhet në kronikën e zezë të borgjezisë serbe si bashkëkryerës i krimeve mbi shqiptarët e pambrojtur.

Kronika qindvjeçare e krimeve serbe mbi shqiptarë është e gjatë dhe ajo vazhdoi deri sot, deri në luftën e fundit të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës.


Edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, regjimet serbe vazhduan çdo lloj tjetër të propagandës antishqiptare deri sot. Ata serbë që dëshirojnë paqe me shqiptarët, akoma numerikisht janë pak dhe forca e tyre është e papërfillshme. Madje, edhe tash e 24 vjet, regjimi serb është kujdesur që të eliminojë çdo individ serb që ka shkruar diçka për pajtimin serbo-shqiptar: duke filluar me mbyllje mediash elektronike, radio e TV, mbyllje gazetash ditore e javore mu pse kanë shkruar diçka pozitive për Kosovën dhe shqiptarët. Janë përjashtuar redaktorë e gazetarë për një lajm ose intervistë me shqiptarë. Janë larguar nga puna profesor universiteti e historianë serb, vetëm pse kanë shkruar diçka për pajtimin mes serbëve e shqiptarëve.

Duke ndjekur këtë kronologji, kemi parë edhe shkarkimin e kryetarit të ASShA-së i cili foli publikisht për raportet reale mes Serbisë e Kosovës. Nuk i ka shpëtuar linçimit dhe përjashtimit nga puna edhe një gazetare e re e gazetës “Blic” që kishte publikuar një intervistë me një shqiptare e cila kishte marrë pjesë në një seancë gjyqësore për krimet serbe të luftës në Kosovë. Shkrimet e autorëve të rrallë serbë që marrin guxim të flasin për pajtim me shqiptarët vazhdojnë akoma, por me vetëdije të plotë se çka i pret nga regjimi aktual serb.

Edhe për të zhdukurit në luftën e fundit në Kosovë, një gazetar tjetër serb shkroi jo vetëm për ata, emrat e të cilëve gjenden në defterët e pushtetit, por edhe për të zhdukurit që nuk kishin qenë asnjëherë të shënuar në ndonjë defter. “Ata të zhdukurit gjatë luftës, të cilëve u dihet emri e mbiemri dhe që janë të regjistruar diku në ndonjë defter, nuk janë krejt të zhdukur”, shkruan gazetari serb dhe shton: “Të zhdukur janë ata të cilët nuk ishin të regjistruar në asnjë defter dhe për fundin e tyre nuk flet askush nga pushtetarët e cilit do vend qofshin ata. Për këtë kategori të të zhdukurve, pushteti nuk pranon të bisedojë asgjë”.

Të paregjistruar e të zhdukur kishte gjatë gjithë pushtimit osman, edhe gjatë gjithë pushtimit serb, por ka edhe deri sot. Shqiptarë të paregjistruar në asnjë defter kishte edhe në Mbretërinë e Jugosllavisë edhe në ish Jugosllavinë e Titos. Edhe sot ka shqiptarë të gjallë që enden të paregjistruar askund. Dëshmi për këtë është edhe fshirja e tashme e adresave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Katër vilajetet shqiptare që ishin akoma nën administrimin osman, as në vitin 1912 nuk kishin kuptuar seriozisht zorin në të cilin kishte rënë Perandoria Osmane. Në çfarë gjendjeje mjerimi ekonomik e shoqëror po dilte Ballkani pas pushtimit pesëqindvjeçar osman, historianët kanë shkruar fare pak vetëm në mënyrë të përgjithësuar për të vërtetën e madhe. Po të mos kishte filluar Lufta e Parë Botërore, këto “feudat” e sotme të Ballkanit nuk do kishin dalur nga kthetrat osmane edhe pesë shekuj të tjerë. Ky konstatim del nga shkrimet e gazetave gjermane të kohës.

Fuqitë e mëdha të kohës ishin fokusuar në shkatërrimin e plotë të Perandorisë Osmane.

Perandoria Osmane shtrihej në tri kontinente dhe mbrojtja e saj ishte vështirësuar aq shumë, sa gati dukej e pamundur. Nga shtypi gjerman e austriak i kohës shihet se ballkanasit nuk kishin as gjasa teorike për të fituar pavarësinë nga Perandoria Osmane. Edhe po të bëheshin bashkë gjithë popujt e Ballkanit nuk do ta largonin ushtrinë osmane edhe për pesëqind vjet. Serbia e Mali i Zi nga Kongresi i Berlinit kishin dalë me njëfarë pavarësie, në gjendje ekonomike e shoqërore të mjerë, por ishin përkrahur me armatim, ushtarë, (vullnetarë me zor) e oficerë rusë. As Serbia, që shtrihej vetëm në Pashallëkun e Smederevës dhe as Mali i Zi që akoma nuk kishte pushtuar tokat shqiptare nga Ulqini e Tivari e krahinat e Plavës dhe Gucisë, nuk mund të ëndërronin të kenë bukë për të kaluar dimrin e lere më të pushtojnë tokat të cilat akoma ishin brenda kufirit të Perandorisë turke.

Ushtria osmane duhej të mbronte Stambollin dhe ishte detyruar të tërheq pjesën dërmuese të ushtrisë nga kufijtë e saj në Ballkan. Nëse Serbia e Mali i Zi kishin marrë njëfarë forme shteti, shtrohet pyetja se cila ishte gjendja në tokat shqiptare dhe në çfarë niveli ishte organizimi i brendshëm i shqiptarëve?

Është fakt se Perandoria Osmane, më në fund, shqiptarëve u kishte premtuar autonomi, por ata mbeten jashtë kufirit osman pa mbrojtje, pa autonomi, pikërisht kur iu duhej. Në çfarë niveli të organizimit ishin vetë shqiptarët, nuk e përshkruan dot askush. Reformat që po kërkonin disa organizata të reja përbrenda Perandorisë, ishte e pamundshme të realizoheshin në një kohë kur vendi ishte sulmuar nga të katër anët nga aleancat e kohës.

Lëvizja e njerëzve përbrenda perandorisë nuk kontrollohej dot. Për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre ndihmonte edhe paria e fesë islame. Masa e gjerë popullore në tokat shqiptare, akoma mendonin se sulltani do të kthehet. Ka edhe marrëveshje konkrete për të ashtuquajturin këmbim të popullatës myslimane me atë të krishterë.

Po të bëhemi real, vetëdija e popullit tonë për përkatësinë kombëtare ishte zvetënuar tepër. Për këtë ka një mal dëshmish. Shqiptarët në rend të parë e konsideronin vetën myslimanë. Por, duhet të kemi parasysh edhe 500 vjet pushtim, jo 50 vjet, por 500 vjet. Bile qëndresa e shqiptarëve kundër asimilimit mund të quhet fitore madhështore po të kemi parasysh sa shekuj ishin bërë nën sundimin e qeverisjen osmane.

Lufta e Parë Ballkanike nuk ishte kurrfarë lufte, por një ekspeditë kasapësh të egër e kriminelësh. Askush nga shtetet e kësaj pjese të Evropës nuk kishte kaçik të përballej me ushtrinë osmane, e cila po tërhiqej para fuqive të mëdha. Perandorisë së kalbur ia kishin vu syrin fuqitë e mëdha të kohës. Atyre nuk ju ngutej për të bërë diçka në Ballkan. Angia e Franca me Rusinë në një anë, kishin bërë planet për copëtimin definitiv të dy perandorive të kohës: shuarjen dhe copëtimin e Perandorisë Austro-hungareze dhe të Perandorisë Osmane. Shtetet fqinje të shqiptarëve kishin vetëm një plan: të pushtojnë sa më shumë toka të Shqipërisë së ardhshme, që akoma nuk figuronte as në letër.

Vetëm rrethimi i Shkodrës nga serbo-malazezët zgjati gjashtë muaj. Shkodrën e mbronin 13,600 ushtarë turq edhe dhjetë mijë vullnetarë shqiptarë (sipas burimeve reale të kohës). Në anën tjetër, në Vlorë ishte shpallur pavarësia nga Ismail Qamali, por ai nuk kishte kurrfarë force për të mbrojtur vendin dhe rendin aq të nevojshëm. Derisa Ismail Qemali shpalli pavarësinë në Vlorë, aty për aty, Esat Pasha shpallë një tjetër pavarësi në Durrës me përkrahjen e serbëve. Bile dihet se edhe Korça kishte shpallur njëfarë pavarësie atje ku kishte depërtuar greku me ushtri, në bashkëpunim të plotë me serbët.

Asokohe, kur lajmet depërtonin me vështirësi të mëdha, Serbia dinte në tërësi gjendjen e përgjithshme politike, ekonomike e shoqërore të popullit shqiptar. Ajo u vërsul drejt tokave shqiptare me një ushtri të mobilizuar me dhunë, pa caktuar moshën e ushtarëve (ka dëshmi për këtë). Ajo e ashtuquajtur ushtri serbe mund të ishte gjithçka, veç jo ushtri. Serbia nuk ishte në gjendje të ju siguronte ushtarëve as veshmbathje, por kishte mësy pushtimin. Krerët e Beogradit, duke ditur se në katër vilajetet shqiptare nuk kanë mbrojtje ushtarake, u vërsulen me të gjitha forcat mbi popullatën civile. Në vitin 1912, ushtria serbe masakroi me mijëra civilë të pambrojtur shqiptarë, të cilët i quante arnautë myslimanë. Ajo ushtri kasapësh leckamanë serbë, depërtoi thellë edhe në Shqipëri, duke pushtuar edhe Tiranën e Durrësin, e duke ia afruar edhe Vlorës. Serbët depërtuan nga veriu e lindja e Shqipërisë ndërsa grekët nga jugu. Qëllimi i tyre ishte ndarja e Shqipërisë në Shkumbin.

Arratia serbe me 1914 u bë po nëpër ato rrugë që kjo ushtri kishte larë me gjakun e shqiptarëve, në vitin 1912. Me krejt çka kishte ushtarë, me çdo armë që mund të bartnin ushtarët e dërmuar, filluan ikën-arratinë në dy drejtime. Njeri kah Selaniku dhe tjetri kah Shqipëria e veriut për të dalë në Durrës. Në të gjitha librat e historisë shkruan “Tërheqja e ushtrisë serbe”, por ajo nuk ishte tërheqje, por arrati (mori arratinë) me krejt çka mund të lëvizte. Mund e paramendoni edhe vetë mbreti serb Petar Karaxhorxheviq hipur në qerre druri të cilën e tërhiqnin kijet po ikte nëpër Shqipëri. Austro-Hungaria nuk i kishte dhënë afat për tërheqje. Megjithëse thuhet në librat e historisë serbe se sulmi ndodhi për shkak se Serbia refuzoi ultimatumin që kishte marrë nga Austro-Hungaria, faktet flasin që Serbia kishte pranuar të gjitha kërkesat austro-hungareze. Fuqitë e mëdha e garantuan largimin e ushtrisë serbe nëpër Shqipëri duke siguruar edhe transportimin e tyre me anije deri në Korfuz.

Fuqitë e mëdha mund të garantonin ushtrinë serbe nga revolta e shqiptarëve (Shqipëria nuk kishte kurrfarë force për të bërë diçka), por kolonat e pafund të serbëve që kishin marr ikën, nuk siguroheshin dot edhe nga dimri i tmerrshëm i maleve me borë e akull. Nëpër malet e Shqipërisë së veriut, nga të ftohtit lanë eshtrat me mijëra ushtarë serbë, shumica pa veshmbathje, me opinga të copëtuara. Numri i ushtarëve serbë që vdiqën nga uria dhe të ftohtit nuk u mësua kurrë. Serbia thotë mbi 300 mijë, por kjo shifër është rrenë e madhe.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Anglia, Franca e Rusia e kthyen ushtrinë serbe në shtetin e tyre që ua kishin përgatitur paraprakisht, pasi Austro-Hungaria kishte kapitulluar. Aleanca anglo-franko-ruse arriti ta shpartallojë perandorinë treqindvjeçare austro-hungareze, por jo edhe Perandorinë Osmane e cila arriti të konsolidohet deri-diku, por asnjëherë më në kufijtë e mëparshëm.

Pavarësia e Shqipërisë u njoh në vitin 1913, por konsolidimi zgjati shumë kohë, krejt për shkak të klaneve, fiseve e bajraktarizmave fatal, që nuk i pajtonte dot pushteti i sapoformuar shqiptar. Derisa Shqipëria brenda atyre kufijve që shohim edhe sot, po konsolidohej, më tepër se gjysma e tokave të katër vilajeteve shqiptare u aneksuan nga Serbia, Greqia e Mali i Zi (Maqedonia e Veriut nuk njihej fare asokohe). Fuqitë fitimtare të Luftës së Parë Botërore, Serbisë ia falen tokat e Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Sllovenisë dhe Vojvodinës. Kështu u formua Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene. Mali i Zi humbi shtetësinë.

Serbia kurrë nuk i kërkoi falje popullit shqiptar për gjithë ato masakra që kishte bërë, por vazhdoi me po atë politikë që kishte nisur me Projektin e Garashaninit, Çubrilloviqit, Andriqit etj. Në vend që të kërkonte miqësi me shqiptarët, Serbia nuk la dhunë pa përdorë kundër shqiptarëve gjithë deri sot. Edhe pas njëqind vjetësh, serbët nuk i kërkuan falje shqiptarëve për gjithë ato të zeza që ua bënë gjatë tri pushtimeve. As shqiptarët nuk mblodhën mend megjithëse kaluan nëpër gjithë atë katrahurë. Kur i kishte parë sa të paorganizuar janë shqiptarët, oficeri serb Kosta Novakoviqi kishte shkruar: “Po të ishin të organizuar shqiptarët, do të na mbysnin me dru, hiq pa armë”.

Nga viti 1918 e tutje deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore (aneksimin e Kosovës) pushteti serb solli trefish më shumë kolonë në Kosovë. Edhe pushteti i partizanëve jugosllav nga viti 1945 e tutje, solli me mijëra kolonë serbë e malazias në Kosovë. Edhe kur Serbia pësoi disfatë të rëndë nga Kroacia në luftën e fundit, prej andej solli shumë refugjatë kolonë në Kosovë. Kolonizimi serb i Kosovës vazhdoi edhe deri me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në trend

Më shumë

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Botë
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Premier League
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Evropa
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Kalo në kategori