LAJMI I FUNDIT:

Pluhnaja e kaloshinës turke (Fetishizimi i robërisë)

– Hyrja zelltare e me korrespondencë nga larg, e shqiptarëve në oborrin politik turk, vete përtej donkishotizmit. Është më tepër se kaq. Godet drejt e në themelet e kombit. Dëshmon paaftësinë e tyre për jetë të lirë e të mëvetësishme –

1. Në kuvendimin e vajzës së tij, Katërinës, me rastin e botimit të “Njeriut të parë” të Kamysë (dorëshkrim që pati me vete në çastin e aksidentimit tragjik), do të gjeja portretimin e mahnitshëm për babanë e madh: “Ishte vetmitar dhe i qëndrueshëm”. Pas kënaqësisë së leximit, do t’më vinte vetishëm ideja e një analogjie të dhimbshme. I vështruar në rrafsh kolektiv, ky vlerësim kaq i saktë e sintetik më bëhej se i shkonte krejt përshtatshëm dhe kombit shqiptar. Së paku, kështu mësonin lekturat e historisë.

Ishim të paktë, nuk i përkisnim asnjë trungu familjar popujsh dhe, me vullnetin e Epërm, kishim zënë hapësirën jetike që gëzonte epitetin fatkeq të fatalizmit gjeopolitik.


Mirëpo, në “ vetminë qëndrestare”, kishte mëkatin e vet dhe përçarja tipike dhe njëlloj akomodimi shfytyrues me okupatorë aq të shumtë e barbarë. Pikërisht kjo rrëzomë rreket të rikthehet, si dorasi në vendin e krimit: mallëngjimi për të qenë i sunduar!

Ndërdyshjen në shënjimin e shtegut strategjik e dëshmon edhe përpjekja për të mësuar shtet e demokraci dhe për rigjetjen historike të gjurmës së humbur.

Ditë më parë (fillimi i qershorit), në Shkup do të demonstronin një tubë shqiptarësh në favor të pozicionimit ashpërsor të premierit turk Erdogan në përplasjet e tij me Lëvizjen e Taksimit. Përflitet që ai tu ketë shprehur atyre miradijen e thellë. Vetëm pak më vonë, pa u shpërndarë tymi i solidarësisë shkupjane, në Tiranë (mesi i qershorit) do të ndodhte një angazhim tjetër qytetar, tashmë në kahun diametral: një masë shqiptarësh do ti bëheshin krah revoltës antiqeveritare turke!

Shkaqet e një ndërmjetëse të tillë folklorike dhe, po aq të pamirë, gravitonin nga sentimentet fetare në Shkup dhe deri tek pretendimet e paraleles politike në Tiranë. Votra cytëse e tyre s’është pa implikime në vrujimet nacionale – por për vështrimin tonë e parëndësishme. I rezervojmë ato për një temë tjetër. Çështje fundore, ndërkaq, do t’ishte: ç’xanxë kanë shqiptarët që, përgjithësisht, me kritikë ose apologji të murmurimës stambollite, duan, e, sikur ingranohen aktivisht në proceset dhe jetën politike turke?

2. Kur para shumë vitesh, Jorg Heider (tashmë i vdekur), që u pat latuar si neonacist i pandreqshëm, do t’i fitonte zgjedhjet në Austrinë dalëzotëse të indipendencës, e pastaj gjithnjë, të interesit kombëtar shqiptar, Evropa vuri nën bllokadë sanksionesh guvernën e tij ksenofobike. Madje, më zëforta e të gjithëve ishte Gjermania vllazërore. Ajo desh të provonte se fantazma e messhekullit të ikur nuk do të gjente më strehë në shpirtin e saj.

Por, Jorgu vetë ishte një burrë i zoti. Kishte dije dhe njihte e çmonte miqësitë. Më kujtohet, si sot, fjala e tij mbresëlënëse në hapjen e një ekspozite të trashëgimisë etnografike shqiptare nga patriotë të devotë (në Vjenë, me sa di unë). Kish vizituar atë dhe, në dalje, do të pohonte pietetshëm: Po, po, e kam të njohur e të dashur këtë kulturë të lashtë ilirike!

Shqiptarët atëbotë nga asnjë feudë e tyre nuk dolën shesheve as për të mbrojtur vlerat e qytetnisë së Evropës, të mohuara nga djathtizmi ekstrem, e as në mbështetje të Heiderit dhe Austrisë së tij të vetmuar. Zgjedhja ishte tepër e lehtë. Nuk pati kurrfarë dileme të rëndë morale a politike: Evropa kishte të drejtë. Por, fillesë e diskursit të shtruar nuk është qortimi: pse pati heshtje? Sepse dhe shfajësimi ke i thjeshtë: sepse duhej të heshtej! Zallahia publike ishte e panevojshme, madje infantile.

Kështu kishte ndodhur anëpërtej kontinentit. Fijet politike i artikulonin qeveritë, pra (nëse e kanë bërë) dhe qeveritë tona të shumta shqiptare. Abstenimi ose shkujdesja për lëçitjen e Heiderit nuk ishte kumt i harresës, bukëpërmbysjes apo i pandjeshmërisë së tyre. Aq më pak i ndarjes së udhëve mes shqiptarëve dhe Evropës.

3. Përse, prandaj, manifestantët a, më saktë, mentorët e tyre frymësorë, ndërsa nuk ndoqën atëherë itinerarin e xhixhshëm politik të Republikës alpine – rendin kësokohe të ndërkryer pas kaloshinës turke në rrugëtimin e pluhurosur prapa diellit?

“Spiegel” i Hamburgut konstatonte ekzistimin e dy Turqive: asaj të zezës, me banorësi të ngjyrosur që kërkon islamizimin politik a ngulitjen aziatike dhe Turqisë së bardhë që anon nga Evropa e civilizimi oksidental. Asgjë e re. Këto korrente i gjejmë si rivalizime që do t’i merrnin jetën edhe sulltan Murat Hanit në betejën e Kosovës. Po, pavarësisht prirjeve politike, ç’punë do t’kenë shqiptarët me fitimtarët apo humbësit e saj?

Ç’të jetë, pra, kjo ligësi fantasmagorike? Vepër rrethesh të shpirtshitjes fitimprurëse? Komplot i armiqve sllavë? Sindrom i Stokholmit, kur viktimat përjetojnë një afrimitet të ngrohtë e nyjëtim emocional me dhuntarët? Apo, ngjashëm me stokholmianen, revansh i kujtesës perandorake që nuk arkivohet dot?!

Krejt ndryshe, imanentisht ndryshe janë trazirat tejbosforike dhe rrjedhojat e impenjimit të marrëzishëm shqiptar. Është antihistori klasike ky lloj identifikimi negativ dhe ndjesie familjariteti të pasojë me punët e pasrendësve otomanë. Kam parë me herët, në motet e diktaturave që patëm jetuar, shumë përshfaqje të tilla groteske. Përkraheshin lëvizje proletarësh e të painkuadruarish tek, si thoshin atëherë të ngazëllyer e me trishtim shtihan, vuanin nga shtypja e shfrytëzimi i tiranisë brutale të kapitalit. Natyrisht, për dramat që spërkateshin me gjak, gjenin rastin të prononcoheshin legjitimisht dhe organizma civilë të të drejtave e njeriut, fragmentë opozitarë, intelektualë të përndjekur apo sovranë të rrëzuar.

Por, e ngjashme me grotesken, simbolika e rrëmujës shqiptare është vetore në veçanësinë e saj: ajo thërret e rekomandon përngjitjen fizike me korpusin turk. Përmallimin, shkruan John Pilger në librin e tij "Qëllimet e fshehura", kishte marrë obligim ta shpërndante edhe Radioja britanike e BBC-së, si opium në ish-kolonitë e mëvetësuara! A nuk e paralajmëronte këtë doktrinë, pa mjeshtëruar fare, vetë ministri i jashtëm turk në Ligjëratën e Sarajevës, Davutogllu, kur theksonte se Gadishulli kurrë s’ka qenë më i paqtë e i lumtur se në kohët e dikurshme të osmanëve?

Ç’hipokrizi!

Asnjë religjion nuk është më i rëndësishëm se e vërteta (pohonte Gandi), po, sidomeqenë, do ta mirëkuptonim ngushëllueshëm atë mbetje fisnikësh imperialë (të yshtur a jo, nga politika dorëfshehtë) që sikur ende bashkëjetojnë me dertet e tij.

Mirëpo, këtu nuk mbaron lumnisht e gjitha. Zgjimet nostalgjike ose, sidomos interesat meskinë, janë zindjellës dhe ekspansivë. Që këtej, për shkak të pushtimit të vjetër dhe trysnisë së re të turqve për të ngjizur një status marrëdhëniesh speciale me Kosovën e Shqipërinë, hyrja zelltare e me korrespondencë nga larg, e shqiptarëve në oborrin turk, vete përtej donkishotizmit. Është më tepër se kaq. Godet drejt e në themelet e kombit. Dëshmon paaftësinë e tyre për jetë të lirë e të mëvetësishme. Dhe ç’është më keq, tani vasalitetin që merr formën e përmasës fenomenale, e kërkojnë përmallshëm e kundërnatyrshëm në ish-metropolin sulltanor: prehjen e sërishme në parzmin e madh të Azisë së vogël!

Ngasja e binjakërisë vetëmohuese të shqiptarëve konvergjon plotësisht (ndoshta si pjellë e tyre?) me politikat paternaliste të Ankarasë. Po ky s’është veçse një mashtrim. Tokat e arbërit nuk janë caku i projektuar i dashamirësisë. Janë vetëm një stacion në transversalen e piketuar islamike, që do tu bënte atyre një shërbesë në aventurën e ringjalljes së trokut të moçëm dhe të sipërisë së gjakuar kompetitive në Ballkan.

4. Një qëndrim i hershëm i Jean-Paul Sartre, do t’më nxiste një meditim frymëshuar. Anipse admironte sovjetët bolshevikë, i pyetur se e shihte ai vetë të mundshme jetesën nën sistemin e tillë, kishte thënë: “Jo, është i mirë për të tjerët, po jo për mua”! A mos, ndoshta, shqiptarët mesazhojnë po këtë dyzim moral – veç me logjikë e drejtim tjetër, më pellgor, thirravajës e çekulibrues, që vijëzon trojet e tyre si hinterland turkie? Që domethënë se liria, barazia dhe egalitarizmi evropian, janë të mira – po nuk janë për ta?

Sartre e pëlqente komunizmin larg tokës franceze. Ishte i mirë vetëm për të tjerët që “janë ferr”. Ndaj, megjithë flatrimet teorike, ai, hedonist e atdhedashës, refuzonte të keqen. Ndryshe prej tij, shqiptarët, një eshalon i eksponuar i përbetimit të errtë, grishin të keqen duke dërguar, ashtu, verdiktin për nënqiellin e rihapur anadollak: nuk është i mirë, por është për mua!

Është gati e pamundur të mos beh ora e dëshpërimit, që, pasi ka akumuluar gjithë psherëtimën e botës, shpërthen në pyetjen ekzistenciale: athua, paskësh qenë e thënë që liria e shqiptarëve të mos jetë veçse një moment, një intermexo e alternimit të sundtarëve të huaj? E, gjithnjë me ideologji e flamuj tjerë që diktojnë konjukturat e kohës?

Në nisje të qindvjetit të kaluar iku turku e mbërrini serbi, kurse tash, një shekull më pas dhe në simbolikën e tij, si në makth të pambarim, iku serbi e turku jepet sërish në horizont. Kulmi i tragjikes nuk janë ata. Janë shqiptarët, ajo galeri rimohuesish të pakokë, që shkojnë vetë drejt tyre. Një fatkeqësi që fqinjëron me vdekjen. Gjeopolitike sigurisht, po, si thamë, dhe fetish i përsosur i vetasgjësimit.

5. Porse, që nopraniteti të mos bëj ligjin përherë, në gjithë katrahurën kishte dhe një shenjëz të vogël të mbarë. E çuditshme? Gjithsesi! Nëse plasjet e përjetshme ishin një brejcë që bjerrte lirinë e rrudhte trojet shqiptare, ajo kësaj radhe do të tradhtonte fillin e permanencës: nuk njësoheshin dot në këtë nismë greminore. Një palë i përfaleshin parisë së Ankarasë, ndërkohë që tjetra e shpallte të ligjshme kauzën rebeltare.

Ah, sikur të bashkoheshin njëherë, jo për të uruar a mallkuar xyfjet turke, serbe a greke – por për një ideal tjetër: për të mbushur udhët e sheshet e kryekasabave të tyre (Tiranë, Tetovë e Prishtinë) me aspiratën supreme popullore (kur e lyp puna – e kjo ndodh, gati, përherë) për qeverisje të moralshme dhe efikase.

Që Evropa të mos perceptohet si një kodeks normash të përdhunshme, po si çelës e kulturë i politikës dhe jetës. Dhe, tutje, konsistenca të ishte e tillë, pra unike dhe mondane, që ose t’i shtrëngonte të jetësonin ëndrrën ose t’përtrollisnin pushtetet e degjeneruara të tyre. Vota e shkretë, deri tash, nuk inauguronte dot shpresë. Në landet e shqiptarëve ajo ishte jetime në duar despotësh të përgjakur. Gjithë popujt e civilizuar që bëjnë referencën tonë përndritëse, kanë kaluar pengore e krusma monokracish tinzare. Dhe, po ashtu, pothuajse, të gjithë kanë dhënë tagrin e kryengritjes e mortit për shfronsimin e tyre.

“Atje ku përjashtohet forca, nuk ka asnjë të vërtetë”, thotë sërish Kamy, njeriu i vend-djepit të lirisë. Është ngrohtësisht e çmueshme Prania e huaj, mbrojtëse dhe edukative, në Kosovë. Është e papërftyrueshme mosqenia e saj. Por ajo, megjithëse përparëson qëndrueshmërinë me çdo kusht, do t’i vlerësojë “indigjenët” vendorë për aq sa ata vlerësojnë vetëjetesën e tyre. Fundja as aleanca nuk ka kuptim nëse liria e shqiptarëve keqkuptohet si flijesë apo ndeshvlerë e principeve dhe filozofisë së saj!

Përmbyllshëm konkludojmë se, përgjigja e mundshme nëse një dorë shqiptarësh urrejnë qenien e vet, mbase, do të kishte dhe peshën e ftomës pasndjekëse: është i vështirë alfabeti i lirisë!

Në trend

Më shumë
Publikohet rrëfimi i Gjestit: E kaluara e errët, nga largimi prej familjes deri te depresioni

Publikohet rrëfimi i Gjestit: E kaluara e errët, nga largimi prej familjes deri te depresioni

Magazina
Mbrëmë u eliminua nga Big Brother VIP Kosova, të nesërmen Rovena Stefa shfaqet duke pastruar borën nga shtëpia e saj në Bërnicë

Mbrëmë u eliminua nga Big Brother VIP Kosova, të nesërmen Rovena Stefa shfaqet duke pastruar borën nga shtëpia e saj në Bërnicë

Magazina
Besim Dina në një rrëfim të rrallë: Kam dëshirë të kem fëmijë, uroj të m'i sjell Zoti - i kam gjetur edhe emrat që do ia vendosja djalit e çikës

Besim Dina në një rrëfim të rrallë: Kam dëshirë të kem fëmijë, uroj të m'i sjell Zoti - i kam gjetur edhe emrat që do ia vendosja djalit e çikës

Magazina
Pensionistët kërkojnë rritje pensioni dhe heqjen e kërkesës për paraqitje çdo gjashtë muaj

Pensionistët kërkojnë rritje pensioni dhe heqjen e kërkesës për paraqitje çdo gjashtë muaj

Lajme
Ngjarja në Tiranë: Zbardhet dëshmia e shoqeve të 21-vjeçares, shkuan me dëshirë në banesë për të qëndruar me djemtë

Ngjarja në Tiranë: Zbardhet dëshmia e shoqeve të 21-vjeçares, shkuan me dëshirë në banesë për të qëndruar me djemtë

Lajme
Barduani tregon arsyen e refuzimit të kërkesës për dislokimin e FSK-së në veri

Barduani tregon arsyen e refuzimit të kërkesës për dislokimin e FSK-së në veri

Siguri
Kalo në kategori