LAJMI I FUNDIT:

Plani i Galluccit për veriun dhe realiteti i ndryshueshëm

Tanimë është pothuajse e sigurte. Nuk ka ndarje të Kosovës. Kosova do t’i ketë kufijtë e vet ashtu siç i ka në simbolet e saj. Së paku në aspektin formal. Serbët e veriut duket se janë të gatshëm për pranimin e planit të ashtuquajtur Ahtiasari+ i sponzoruar nga ish administratori i Mitrovicës, Gerard Gallucci. Me këtë plan, Kosova realisht mund të ketë nën kontroll pjesën deri tek ura e Ibrit në Mitrovicë. Me veprime të matura dhe të mençura ne do të bëjmë që ai plan të dështojë.

Galluccin e njohim pothuaj të gjithë si një përkrahës i fuqishëm i kauzës serbe e sidomos të kërkesave të serbëve të veriut të Kosovës. Atij duket se nuk i bëjnë fort përshtypje serbët nga Ibri e këndej meqë për ta mendon se Plani i Ahtisaarit mjafton. Ai do që serbët e veriut “që nuk e pranojnë Prishtinën” të kenë një autonomi speciale apo Planin e Ahtisaarit të modifikuar që ndryshe e quan si Ahtisaari+. Një shikim i atij plani tregon se bëhet fjalë për një zgjidhje që nënkupton mbetjen formale (në letër) të veriut në Kosovë ndërsa në aspektin funksional, veriu mbetet tërësisht nën kontroll të Serbisë.

Ky propozim dhe argumentim, jo vetëm i Galluccit por edhe përkrahësve të kësaj ideje nga pala serbe, është se “serbët e veriut nuk e pranojnë Prishtinën” dhe “realitetin e krijuar në terren”. Duke u nisur nga këto fakte ata mendojnë se duhet gjetur një zgjidhje të tillë që pranohet fakti se Kosova është e pavarur por nuk mund të ketë kontroll në veri në masën që pretendon Prishtina. Natyrisht që për “argumentet” e prezantuara ekzistojnë edhe kundër-argumentet që rrëzojnë në tërësi një qasje të tillë.


Argumenti se serbët e veriut thjesht nuk duan që të pranojnë qeverisjen nga Prishtina për arsye se “nuk i besojnë”, nuk qëndron. Arsyet se pse serbët e veriut “nuk i besojnë Prishtinës” na qenkan vrasjet e civilëve serbë, djegia e shtëpive dhe objekteve fetare serbe, qoftë pas qershorit 1999, por edhe në ngjarjet e marsit 2004. Në fakt të gjitha këto ngjarje nuk kanë ndodhur asnjëherë në pjesën veriore të Kosovës. Si qenka e mundur atëherë që serbët nga Ibri e këndej paskan përjetuar ato ngjarje dhe “paskan besim” te Prishtina meqë janë kyçur në institucione e ata të veriut jo? Natyrisht kur dihet se serbëve të veriut nuk u ka munguar as një qime floku.

Argument tjetër i palës kosovare ndaj një qëndrimi të tillë janë ngjarjet në Luginën e Preshevës. Dihet se atje ndodhi një konflikt ndërmjet popullatës shqiptare të diskriminuar me vite të tëra në njërën anë dhe shtetit të Serbisë në anën tjetër. Me gjithë faktin e atij konflikti, shqiptarët e Luginës u detyruan të pranojnë të jenë pjesë e institucioneve të Serbisë pa marrë parasysh se edhe ata nuk i besojnë fare po asaj Serbie.

Një çështje tjetër që parashtrohet është “realiteti i krijuar në terren”. Në fakt nuk është vetëm pala serbe ajo që parashtron këtë çështje. Ka edhe analistë me përvojë të gjatë tek ne që “frikësoheshin për realitetin e krijuar” e që do të ishte e vështirë për t’u ndryshuar. Ajo që harrohej është së kur jemi tek realitetet në terren atëherë kemi dy situata: e para është realiteti në terren i pandryshueshëm dhe e dyta me realitetin në terren të ndryshueshëm.

Pavarësia e Kosovës dhe fakti se Serbia nuk mund të vendosë kontroll në Kosovë në cilindo rast është rasti i realitetit të pandryshueshëm. Serbia nuk mundet ta bëjë këtë ndryshim as me dialog (meqë pala kosovare kurrë s’do ta pranonte këtë), por as me ndërhyrje ushtarake. Në këtë kuptim është shumë naiv ndonjë prononcim i ndonjë politikani ose analisti në Kosovë për frikën e ndërhyrjes ushtarake të Serbisë. Edhe pse ne vazhdimisht e shajmë rezolutën 1244 duhet cekur se në pikën 9 të saj në mënyrë tepër decidive kërkohet nga KFOR-i, përkatësisht NATO-ja, që të ruajë paqen dhe sigurinë në Kosovë, si dhe të ndalojë kthimin e forcave ushtarake dhe policore të Serbisë në Kosovë. Natyrisht që kësaj do t’i shtohej edhe rezistenca e popullit të Kosovës në rast të tillë. Duke ditur këtë atëherë është e qartë se Serbia nuk mund ta kthejë Kosovën as me dialog as me dhunë. Vetëm ndonjë i çmendur mund të besojë se Serbia guxon të hyjë në konflikt me NATO-n dhe me gjithë shqiptarët. Realiteti i pavarësisë së Kosovës në terren është pra i pandryshueshëm.

Për dallim prej pavarësisë së Kosovës dhe realitetit të pandryshueshëm kemi rastin e realiteteve të ndryshueshme. Kur njësitet e UÇK-së çlironin zona të tëra në Kosovë më 1998, kishim një realitet të përkohshëm në terren sepse mjaftonte një ofensivë e forcave serbe dhe ai realitet ndryshonte. Është dashur luftë e përbashkët (ushtarake dhe politike) me aleatët tanë që realiteti i pavarësisë së Kosovës të jetë i pandryshueshëm

Po edhe nëse në veri ka qenë situata siç ka qenë, me struktura paralele e me grupe kriminale të kontrolluara nga Serbia, me aksionin e fundit u pa se ai realitet është i ndryshueshëm. Ajo që është më e rëndësishme në këtë rast është (me terme të medicinës) mbyllja e arterieve qarkulluese për grupet kriminale dhe strukturat paralele përkatësisht kontrollimi i pikave 1 dhe 31 në veri. Ata do të shfrytëzojnë për një kohë kapilarët (kalime alternative të vogla) për furnizim, por pa gjak në arterie organizmi nuk mund të funksionojë. Kështu do të ndodhë edhe me grupet kriminale dhe strukturat jolegale në veri. Le të bëjnë ata bllokada nëpër rruge, sepse ashtu ata e bllokojnë më së shumti vetveten.

Në këtë situatë, veprimet e mençura dhe të matura janë primare për ne. Nuk na duhet kurrfarë euforie e shprehur tash e sa ditë në media, por as skepticizmi i atyre që gjithë jetën kanë qenë të tillë. Ne nuk po bëjmë kurrgjë që nuk është normale për një shtet, por po duam të kontrollojmë kufijtë tanë. Ne nuk kemi asgjë kundër bashkësisë serbe në veri. Le të mendojnë ata çfarë të duan për shtetin e Kosovës. Ata do të duhet të veprojnë si bashkëkombësit e tyre në Graçanicë, Shtërpcë, Partesh e gjetiu që kanë kuptuar se me institucione e me jetë virtuale nuk jetohet. Nëse sot nuk po ndërhyhet me dhunë ndaj tyre nëpër barrikada, këtë nuk duhet kuptuar si dobësi, por si mundësi që të kuptohet se shteti i Kosovës po u ofron mundësi për të jetuar të qetë në Kosovë. Ata së shpejti do të kuptojnë se nuk është Prishtina “armiku” i tyre por bandat kriminale dhe institucionet paralele jolegale të cilët po i kërcënojnë edhe me jetë nëse nuk iu binden urdhrave të tyre.

Ashtu siç thotë shprehja popullore “që mishi të piqet e helli mos të digjet”, ashtu duhet të jenë edhe veprimet tona. Plani i Galluccit mund të dështojë nëse ne bëjmë veprime të mençura dhe të duhura e kjo nënkupton pra ngushtimin e rrethit të grupeve kriminale e kontrabandiste në veri dhe kontrollin e pikave kufitare. Natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me miqtë tanë të NATO-s, të cilët ashtu si edhe në kohën e çlirimit tani kanë rol krucial në arritjen e objektivave tona.

Ndërkohë, ashtu siç serbët protestuan me javë e muaj të tërë në gjykatat e veriut dhe vetë hoqën dorë kur e panë se s’ka gjë prej asaj proteste, kështu do të veprojnë edhe ndaj vendosjes së kontrollit në kufi. Me kohë do të binden se shteti i Kosovës nuk ka qëllime armiqësore ndaj tyre dhe se duhet të veprojnë njëjtë si bashkëkombësit e tyre në pjesët tjera të Kosovës. Ndonjë veprim tjetër i pamenduar mirë nga ne do të thoshte humbje përfundimtare e asaj pjese të Kosovës.

Në trend

Më shumë
Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Magazina
Banorët thyejnë rregullat duke folur për nominime: Planifikojnë që nëse iu bie Kutia e Pandorës të nominojnë Gjestin, Eglin dhe Rozanën

Banorët thyejnë rregullat duke folur për nominime: Planifikojnë që nëse iu bie Kutia e Pandorës të nominojnë Gjestin, Eglin dhe Rozanën

Magazina

"Babait i ra pika, më tha nuk ke përkrahje prej familjes", Arbër Bytyqi tregon se nuk ia miratuan dëshirën për t'u bërë grimer dhe u detyrua të studionte diçka tjetër

Magazina
Kaplohet nga zjarri ish-kinemaja në qendër të Prishtinës

Kaplohet nga zjarri ish-kinemaja në qendër të Prishtinës

Kronika e Zezë
U munduan ta fusin në grackë duke e dehur dhe detyruar Loredanën ta joshë, Rozana zbulon kurthin që banorët përgatitën për Gjestin

U munduan ta fusin në grackë duke e dehur dhe detyruar Loredanën ta joshë, Rozana zbulon kurthin që banorët përgatitën për Gjestin

Magazina
Koreja e Veriut tërheq ushtarët nga vija e frontit në Ukrainë

Koreja e Veriut tërheq ushtarët nga vija e frontit në Ukrainë

Evropa
Kalo në kategori