LAJMI I FUNDIT:

Përse shumë himne kombëtare tingëllojnë thuajse njëlloj?

Përse shumë himne kombëtare tingëllojnë thuajse njëlloj?

Disa nga himnet kombëtare në botë janë shumë të ngjashme me kompozime të tjera. Është kjo për shkak të huazimit të notave të të tjerëve, apo thjesht një vështirësi për të krijuar diçka origjinale?

Dushan Shestiç është ndoshta kompozitori më i pafat në botë. Në vitin 1998, ai kishte mbetur pa para, ndaj vendosi të hyjë në një konkurs për himnin kombëtar të Bosnjës. Himni supozohej të ndihmonte kapërcimin e ndasive etnike të vendit pas luftës civile.

Shestiç nuk donte të fitonte me të vërtetë. Ai qe më tepër nostalgjik për Jugosllavinë sesa patriotik për shtetin e ri, ndaj ai paraqiti një melodi të shtruar, për të cilën ai mendoi se do të mjaftonte të dilte në vendin e dytë ose të tretë, për të fituar disa para.

Por ai fitoi dhe jeta i ndryshoi brenda natës. Serbët, që e kundërshtonin ekzistencën e Bosnjës, e quajtën atë tradhtar. Shumë boshnjakë dhe kroatë ishin po aq të zemëruar që një serb etnik kishte shkruar melodinë që do të simbolizonte vendin e tyre. Ai nuk mund të gjente punë askund.


Dhjetë vjet më vonë, fitoi një konkurs të dytë për tekstin e himnit, por politikanët e motivuar politikisht e refuzuan. Atij i kanë ende 15,000 euro borxh për punën që kreu.

Më pas, në vitin 2009, sikur të mos ishte mjaftueshëm, dikush bëri një zbulim. Rezultoi se himni i Dushanit ishte shumë i ngjashëm me muzikën që hapte filmin e vitit 1978 “National Lampoon’s Animal House”.

Pati përpjekje të menjëhershme për të hedhur poshtë himnin e tij dhe kompozitori u akuzua për plagjiaturë.

Një gazetë gjurmoi familjen e kompozitorit të filmit dhe u përpoq ta bindte të hidhte në gjyq Dushanin.

Atij iu desh të dilte në televizion për t’u mbrojtur.

“Isha i lënduar nga titujt e gazetave”, tregon ai për BBC. “Nuk ia dija titullin filmit, por e dëgjoja dhe u befasova shumë. Mendova se mos ndoshta e kisha parë atë film në fëmijëri dhe se mos ndoshta kënga i ishte fiksuar. Ishte e mundur, por kjo nuk mund të quhej plagjiaturë”.

Por çudia është se Dushani nuk është i vetmi kompozitor himni që është akuzuar për plagjiaturë. Himni i Uruguait është shkruar në 1846 nga Francisco Jose Debali.

Është një nga himnet më të gjalla, pothuajse si një miniopera, por lajtmotivi i tij ngjan shumë me një fragment të operës “Lucrezia Borgia” nga Donizetti.

Ka gjasa që Debali mund ta ketë dëgjuar operën disa vite përpara se të shkruante melodinë e tij. Himni dhe opera kanë të përbashkët nëntë nota. Por mbështetësit e tij theksojnë se janë vetëm nëntë nota nga një opera dy orë, ndaj ndoshta është vetëm një rastësi. Çështja nuk u ngrit kur Debali ishte gjallë, ndaj ai nuk u përball me akuzat sikurse Dushani.

Edhe pjesa hyrëse e himnit të Argjentinës ka disa ngjashmëri me një vepër të Clementit. Ndërsa Enoch Sontonga, ai që krijoi himnin e Afrikës së Jugut, shpesh akuzohet se e ka marrë melodinë nga një vepër e kompozitorit nga Uellsi, Joseph Parry.

Mund të thuhet se ka një traditë huazimi kur vjen fjala për himnet kombëtare. Himni britanik “Zoti e ruajttë mbretin” ishte një këngë tradicionale e vitit 1745 gjatë përpjekjes së Stjuartëve për të rimarrë fronin. Nuk u desh shumë që trazirat e kohës të kapërceheshin, por kënga mbeti dhe u këndua për dekada më pas, saqë shumë monarkë filluan të dëshironin një këngë të tillë.

Së shpejti, melodia e këngës u përdor në Danimarkë, në shumë shtete gjermane dhe në Rusi. Madje përfundoi si himn i mbretërisë së Havait. Njerëzit morën muzikën dhe ndryshuan fjalët.

Po kështu, Estonia dhe Finlanda kanë të njëjtën melodi për himnin e tyre, gjë që u mundësoi estonezëve të dëgjonin himnin e tyre edhe nën sundimin sovjetik, thjesht duke ndezur radiot finlandeze.

Melodia, e shkruar nga kompozitori gjerman Frederik Pacius, thuhet se është bazuar në një këngë pijedashësish në Gjermani. Shumë himne ndërkohë, përdorin melodi popullore. Samuel Cohen, që ishte kompozitor i himnit të Izraelit në 1888, tha se e mori melodinë nga një këngë tradicionale rumune, ndërsa të tjerë besojnë se e vodhi nga kompozitori çek, Bedrich Smetana.

Po ashtu, Koreja e Jugut dhe Maldivet dikur përdornin të njëjtën melodi për himn. Koreja e Jugut e mori nga misionarët skocezë, ndërsa poeti pas himnit në Maldive e kishte dëgjuar muzikën nga një orë me zile që e kishte xhaxhai i tij.

Çfarë nënkupton e gjithë kjo shfaqje huazimi? Që himnet janë përjashtim nga plagjiatura? Se njerëzit nuk i kushtojnë shumë rëndësi këtyre këngëve për të kuptuar se nuk janë origjinale?

Ndoshta, por sipas Alex Marshall, autor i një libri të ri për historinë e himneve kombëtare, kjo mund të tregojë edhe se sa e vështirë është të krijohet diçka origjinale.

Duhet të krijosh një melodi që është e thjeshtë për t’u fishkëllyer në rrugë dhe për t’u bërtitur në stadiume, e njëkohësisht të jetë diçka dinjitoze dhe nxitëse.

Bosnja e ndryshoi himnin e saj, ndonëse disa vazhdojnë të këndojnë atë të Dushanit. Himni i ri është shkruar nga Dino Merlin, një muzikant i njohur në vend, por ai shkroi vetëm tekstin, sepse për ironi melodinë e mori nga një këngë popullore. /gazetashqip/

Në trend Fun

Më shumë
Fotogafia nga viti 1941 bëhet virale, përdoruesit e rrjeteve sociale pretendojnë se djali po mban në dorë një iPad

Fotogafia nga viti 1941 bëhet virale, përdoruesit e rrjeteve sociale pretendojnë se djali po mban në dorë një iPad

Interesante
Luajti me të njëjtat numra njëzet vjet në lotari - amerikani fitoi 1 milion dollarë, një vjet pasi kishte fituar edhe bashkëshortja e tij

Luajti me të njëjtat numra njëzet vjet në lotari - amerikani fitoi 1 milion dollarë, një vjet pasi kishte fituar edhe bashkëshortja e tij

Interesante
Gruaja e mori macen përmes reklamave, ajo nuk e kishte idenë sesa e rrallë ishte kafsha

Gruaja e mori macen përmes reklamave, ajo nuk e kishte idenë sesa e rrallë ishte kafsha

Fun
Tronditen përdoruesit e rrjeteve sociale, publikohet videoja e burrit që ecën përkrah luanit

Tronditen përdoruesit e rrjeteve sociale, publikohet videoja e burrit që ecën përkrah luanit

Interesante
Takimi i burrit me krokodilin '124 vjeçar' habit përdoruesit e rrjeteve sociale

Takimi i burrit me krokodilin '124 vjeçar' habit përdoruesit e rrjeteve sociale

Interesante
Fermerët afrikanë kultivojnë kumbullën më të rëndë në botë

Fermerët afrikanë kultivojnë kumbullën më të rëndë në botë

Fun
Kalo në kategori