LAJMI I FUNDIT:

Përplasjet sindikale dhe lënia anash e punëtorisë!

Udhëheqësit sindikalë që thirren dhe proklamojnë mbrojtjen dhe përfaqësimin e punëtorëve (gjë që me statutin e tyre e kanë pikërisht këtë çështje), ata në fakt nuk i mbrojnë të drejtat e punëtorëve, por merren me çështje personale se si të arrijnë që të jenë udhëheqës sindikalë.

Të vetëquajturit kryetarë të BSPK-së, sikurse Arifi ashtu edhe Shabanaj, tani para pak ditësh u bie në mend se në këtë vend ka punëtorë, duke kërkuar në këtë mënyrë retroaktivet e pa marra në disa sektorë, për dy muajt e parë të rritjes së pagave.

Derisa ishte ulur ne kolltukun e butë, Haxhi Arifi, asnjëherë nuk doli publikisht të fliste për retroaktivet (shtesa e pagave për dy muajt e parë të vitit). Por, kjo tash sido që të jetë nuk mund të merret ndryshe, pos si fushatë për t’u rehatuar prapë në vendin e mëparshëm, edhe pse i akuzuar publikisht nga rivali i tij për keqpërdorim të mjeteve financiare. Ndonëse rival!


A ju duhet punëtorëve ky veprim i pretendentëve për udhëheqjen sindikale? A do të ishte më mirë që punëtorët të përfaqësoheshin nga një Sindikatë e vetme dhe e fuqishme? A ju duhet punëtorëve të Kosovës kjo përçarje sindikale?

Të gjitha këto pyetje të shtruara sigurisht që kërkojnë përgjigje të ndryshme dhe të shtjelluara në mënyrë të mirëfilltë. Punëtorët e Kosovës kanë nevojë për t’i përkrahur, mbrojtur, respektuar dhe për të bërë presion tek institucionet adekuate për krijimin e kushteve të punës. Punëtorët, po ashtu nuk kanë nevojë për krijim të sindikatave e fraksioneve sindikale. Ata kanë nevojë për një sindikatë të fuqishme, e cila do t’i zgjidhte problemet e tyre.

Unë si punëtor i arsimit, para tri vitesh u bëra anëtar i sindikatës duke menduar që udhëheqësit sindikalë do të merreshin me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, menaxhimin e mjeteve të mia dhe të mijëra punëtorëve, krijimin e kushteve më të mira për punë, dhe se gjithçka do të shkonte në mënyrën e duhur. Por, tash po e ndjej vetën të zhgënjyer, madje si asnjëherë më parë kur po e kuptoj se anëtar i çfarë organizate sindikale u bëra. Të gjitha këto që unë i mendoja para se të anëtarësohesha në të nuk ndodhen.

Publikisht e njoftoj Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës se unë më nuk do të jem anëtar sindikal. Me këtë veprim timin, apeloj edhe tek anëtarët tjerë sindikalë, se nuk lejoj që mjetet e mia t`i keqpërdorin disa individë të pandërgjegjshëm, që nuk merren me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, por mendojnë vetëm për rehabilitimin e tyre.