LAJMI I FUNDIT:

Përparësitë e samitit të ardhshëm të NATO-s

Përparësitë e samitit të ardhshëm të NATO-s
Ilustrim

Samiti i radhës i NATO-s do të mbahet më 11-12 korrik, në Vilnius të Lituanisë. Kjo ngjarje e madhe përballet me luftën pushtuese të paprovokuar të Presidentit Putin, e cila e ka ndryshuar mjedisin tonë të sigurisë për gjatë, po kështu, terrorizmi, sulmet kibernitike, përhapja e armëve të shkatërrimit në masë, apo ndryshimet klimatike. Në këto kushte, që karakterizohen si më të rrezikshmet me të cilat përballet një brez, NATO po adaptohet të sigurojë një miliard qytetarë, të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat dhe të mbështesë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Përparësitë e Samitit të Vilniusit janë: mbështetja e Ukrainës dhe miratimi i një pakete ndihme shumëvjeçare për të; forcimi i shkurajimit (deterence) dhe mbrojtjes, rritja e investimeve për mbrojtjen dhe pranimi i Suedisë si anëtari i 32-të i NATO-s.

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO


Vendet baltike dhe disa aleatë të tjerë kanë propozuar që në Samitin e Vilniusit Ukrainës t’i bëhet ftesë për t’u anëtarësuar në NATO, ose t’i përcaktohet koha e pranimit edhe nëse do të jetë më e gjatë për shkak të luftës, me qëllim që Ukraina të nisë procesin për plotësimin e kushteve. Por, në Vilnius, me konsensusin e 31 anëtarëve, Aleanca nuk do ta ftojë Ukrainën për t’u anëtarësuar në NATO.

Shtetet e Bashkuara dhe shumë aleatë preferojnë që vendet e NATO-s t’i japin përparësi mbështetjes të vazhdueshme për Ukrainën sipas kërkesave të fushëbetejës. Ata e shohin anëtarësimin si çështje, që duhet të shqyrtohet si pjesë e një zgjidhjeje përfundimtare të luftës. Këto vende theksojnë se në qoftë se Ukraina do të pranohej në NATO, NATO do të futej në konflikt me fuqinë më të madhe bërthamore të botës, për shkak të Nenit V të Aleancës, ndërsa hapat e shpejtë drejt anëtarësimit mund të nxitnin Presidentin Putin të përshkallëzojë fushatën e tij në Ukrainë.

Siguria e Ukrainës

Administrata amerikane dhe aleatët e vet në NATO po përgatisin plane për ndihmën ushtarake, që do t’i ofrojnë Ukrainës. Ata besojnë se një paketë ndihme shumëvjeçare, që pritet të miratojë Samiti i muajit të ardhshëm, do ta ndihmojë në rindërtimin e sektorit të sigurisë, do të ndihmojë Forcat e Armatosura ukrainase të kalojnë nga epoka sovjetike në standardet e NATO-s dhe do ta afrojë Ukrainën me Aleancën, e cila do t’ia mbajë derën hapur.

Në Samit, pritet, gjithashtu, që Komisioni ekzistues NATO-Ukrainë të kthehet në një Këshill të ri NATO-Ukrainë, si një forum i përbashkët konsultativ për të diskutuar si të barabartë çështjet kyçe për sigurinë e Ukrainës. Sekretari i Përgjithshëm vëren se nuk dihet kur mbaron lufta, por, kur të përfundojë, Aleanca duhet të ketë gati marrëveshje të besueshme për të garantuar sigurinë e Ukrainës në të ardhmen dhe për të thyer ciklin e agresionit të Rusisë.

Shkurajim dhe mbrojtje që mënjanon reagimin e kundërshtarit (by denial)

Gjatë procesit të adaptimit, NATO po kalon me shpejtësi nga shkurajimi me kundërpërgjigje në shkurajim, që mënjanon, apo i mohon reagimin kundërshtarit (by denial).

Shkurajimi me kundërpërgjigje kishte kuptim në një periudhë relativisht paqësore, që karakterizohej nga Marrëveshja Bazë NATO Rusi e vitit 1997 (NATO-Russia Founding Act), e cila synonte të krijonte një paqe të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të bazuar në besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Por, Presidenti rus në mënyrë krejt të njëanshme e shkatërroi bazën e kësaj iniciative të NATO-s: së pari, braktisi me qëllim këtë marrëveshje në 2014, kur pushtoi Krimenë dhe në 2022, kur sulmoi pjesën tjetër të Ukrainës; së dyti, mizoritë, që bënë trupat e tij në Buka dhe territore të tjera ukrainase, demonstruan se çfarë mund t’i priste qytetarët e vendeve baltike, polakët apo finlandezët, në rast të ndonjë sulmi, deri sa të mbërrinin njësitë e NATO-s. Këto zhvillime treguan se shkurajimi me kundërpërgjigje duhej të përmirësohej.

Mënjanimi apo mohimi i reagimit të kundërshtarit është një revolucion në aspektin praktik, por kjo dukuri kërkon: më shumë trupa të përhershëm përgjatë kufirit rus, integrim të mëtejshëm të planeve të luftës amerikane dhe të aleatëve, më shumë shpenzime ushtarake, koncepte të reja dislokimi në mënyrë që aleatët të kenë të gatshme lloje të posaçme forcash e pajisjesh, që të jenë të dislokuara në vende të paracaktuara, po të jetë e nevojshme. Në këtë mënyrë, aleatët e Evropës Lindore do të dinë me saktësisë se çfarë synon të bëjë NATO për t’i mbrojtur, çfarë duhet të bëjnë vet ata dhe çfarë detyre do të kenë aleatët e tjerë.

Modeli i ri i forcës së NATO-s dhe procesi i planifikimit të mbrojtjes

Modeli i ri i forcës parashikon të reshtohen, ku të jetë e nevojshme, 300 mijë trupa në gatishmëri të lartë, të mbështetur me kapacitete ajrore dhe detare nga 40 mijë, që janë sot. 100 mijë trupa do të jenë në gjendje të dislokohen brenda 10 ditëve, ndërsa 200 mijë të tjerë brenda 30 ditëve. Po kështu, NATO po planifikon të rritë në përmasën e brigadës të tetë batalionet e rreshtuara në tetë vende të krahut lindor, d.m.th., të dislokohen 4 000 deri 5 000 trupa në çdo vend.

Strategët vërejnë se për të siguruar shkurajim dhe mbrojtje të besueshme, Evropës i duhet të investojë më shumë edhe për përmirësimin e mbrojtjes ajrore, lëvizshmërisë dhe logjistikës. Për të tejkaluar pengesat, që hasin sot trupat e Aleancës gjatë lëvizjeve për në destinacion, ekspertët sugjerojnë miratimin e një “zone ushtarake Shengen”, që do t’i lejonte kolonat ushtarake të NATO-s të kalojnë kufijtë shtetërorë me të njëjtën lehtësi si kamionët me portokalle. Samiti i Vilniusit, pos modelit të ri të forcës, pritet të miratojë edhe plane afatgjata rajonale të përforcuara dhe të përditësuara për mbrojtjen e krahut lindor. Nga pikëpamja gjeografike, këto janë plane të posaçme për t’u mbrojtur nga dy kërcënime të përshkruara në Konceptin Strategjik dhe Strategjinë Ushtarake të NATO-s: Rusia dhe Grupet Terroriste.

Zotimi

Zotimi i vitit 2014 për të shpenzuar për mbrojtjen dy përqind të PPB rriti ndjeshëm fondet ushtarake të Aleancës, në rreth 350 miliardë dollarë. Forcimi i mëtejshmi i shkurajimit dhe mbrojtjes kërkon fonde më të mëdha dhe në Vilnius, aleatët pritet të miratojnë propozimin e ri të NATO-s që shpenzimet për mbrojtjen të jenë jo më pak se dypërqind PPB-së.

Suedia

Turqia e ka penguar anëtarësimin e Suedisë në NATO pasi ka kërkuar që Suedia të mos mbështesë grupet e armatosura kurde, që Ankaraja i cilëson si terroristë dhe t’i heqë Turqisë embargon për shitjen e armëve.

Kohët e fundit, për të këndellur shqetësimet e Turqisë, Suedia bëri ndryshime kushtetuese, të cilat heqin embargon e armëve dhe rritin bashkëpunimin kundër terrorizmit, përfshirë edhe agresionin e PKKsë. Legjislacioni i ri hyri në fuqi ditët e fundit, kur Suedia ekstradoi një të kërkuar, mbështetës i grupit militant PKK.

Për të pranuar Suedinë në Aleancë, Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg po bashkëpunon ngushtë me Presidentin Erdogan, gjë që ra në sy edhe në takimin e para disa ditëve të përfaqësuesve të Mekanizmit të Përhershëm ndërmjet Finlandës, Suedisë dhe Turqisë, ku merr pjesë edhe përfaqësuesi i NATO-s. Ata vendosën të shtojnë përpjekjet për të mundësuar pranimin e Suedisë në Aleancë sa më shpejt që të jetë e mundur. Sekretari i Përgjithshëm vëren se nuk ka garanci që Suedia do të pranohet në Vilnius, por të gjitha palët po punojnë intensivisht.

Gara për Sekretarin e Përgjithshëm

Mandati i Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, që ka udhëhequr NATO-n në mënyrë të pashembullt përballë sfidave globale për sigurinë, mbaron më 1 tetor 2023.

Për të zgjedhur një sekretar të përgjithshëm shtetet anëtare të NATO-s përpiqen të arrijnë konsensus nëpërmjet konsultimeve jozyrtare, por katër ekonomitë kryesore: Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndikim të jashtëzakonshëm. Shtetet e Bashkuara nuk aspirojnë sepse tradicionalisht mbajnë një nga postet kryesore ushtarake të Aleancës: Komandantin Suprem të Evropës (SACEUR).

Përpjekjet e deritashme po nxjerrin në pah rivalitete rajonale: Aleatët nga Evropa Lindore e kërkojnë nga vendet e tyre, zyrtarë evropianoperëndimorë kanë shprehur shqetësimin se një sekretar i përgjithshëm nga krahu lindor mund të shtyjë NATO-n në konflikt me Rusinë. Vende të tjera e dëshirojnë nga Evropa Jugore, etj. Sidoqoftë, shefi i ardhshëm i NATO-s duhet të mbështesë Ukrainën dhe të ketë staturën, me gjasë, të një ish-kryetar shteti ose qeverie dhe të marrë miratimin e të 31 anëtarëve. Por, kush mund të jetë? Disa vende evropiane shohin Mette Frederiksen, Kryeministren e Danimarkës, si pretendenten më të fortë. Burime diplomatike perëndimore thonë se ajo konsiderohet si një komunikuese e mirë, që mund të ruajë drejtqëndrimet midis aleatëve. Ndër emrat e tjerë më të përmendur janë: Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë dhe Kryeministrja e Estonisë.

Dy media norvegjeze, transmetuesi NRK dhe gazeta “Dagens Naeringsliv”, thanë se Presidenti Bajden i ka kërkuar zotit Stoltenberg të qëndrojë në detyrë deri në samitin e Uashingtonit, i cili do të shënojë 75 vjetorin e Aleancës. Lufta në Ukrainë dhe anëtarësimi ende i papërfunduar i Suedisë janë argumente të fortë për të mos ndryshuar tani sekretarin e përgjithshëm. Kjo shpjegon edhe formulimin e paqartë të zotit Stoltenberg, si: “nuk kam ndërmend të kërkoj zgjatje” të mandatit. Po kështu, duket se konfirmohen edhe deklaratat e zyrtarëve të Aleancës, sipas të cilëve NATO po shkon drejt rinovimit dhe, kryeministrja daneze Fredriksen, duke qenë ndër më favoritët, mund të marrë drejtimin e Aleancës vitin e ardhshëm.

Autonomia strategjike evropiane

NATO mirëpret përpjekjet e Bashkimit Evropian për mbrojtjen, por ato duhet të shmangin dyfishimin dhe konkurrencën sepse BE-ja nuk mund ta mbrojë Evropën. Nga ana tjetër, 80 përqind e shpenzimeve të NATOs për mbrojtjen dhe 78 përqind e ndihmës që i është ofruar Ukrainës vinë nga aleatët, që nuk janë anëtarë të BE-së. Kështu, çdo përpjekje, që dobëson lidhjen midis Amerikës së Veriut dhe Evropës jo vetëm që do të ndante NATO-n, por do të ndante edhe Evropën.

Partnerët

Partnerët dhe partneritetet e NATO-s do të jenë një temë tjetër po kaq e rëndësishme e këtij Samiti. Sfidat më të mëdha kërkojnë përgjigje më të forta dhe më të koordinuara, kësisoj, është krejt logjike që partneritetet e NATO-s të forcohen. Besimi, ndërgjegjësimi dhe angazhimi i ndërsjellë, janë themele kritike për stabilitet, veçanërisht, kur regjimet autoritare sfidojnë gjithnjë e më shumë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Tani, sapo kanë përfunduar përgatitjet për Samitin. Vendimet e Liderëve për çështjet e mëdha që shtjelluam më sipër do ta forcojnë më tej shkurajimin dhe mbrojtjen e NATO-s dhe do t’i japin fund tranzicionit, që zë fill pas pushtimit të Krimesë, më 2014.