LAJMI I FUNDIT:

Përmasat e ekonomisë gri mbeten të larta në Bullgari, Rumani

Dy anëtarët më të rinj të BE, Bullgaria e Rumania kanë ende ekonomi të mëdha informale. Ndërtimi e turizmi janë midis sektorëve më të prirur për veprimtari gri të tregut, thonë analistët.

Rreth 200,000 bullgarë punojnë në ndërtim, sipas Institutit shtetëror Kombëtar të Statistikave (NSI). Zyrtarisht, paga mesatare mujore në sektor është 211 euro. Por kjo shifër të shpie thellësisht në gabim, këmbëngul Georgi Angelov, ekonomist i lartë në Institutin e Shoqërisë së Hapur në Sofje. Në realitet, nuk ka punëtor ndërtimi në vend që të paguhet më pak se 500 euro, tha ai. Kjo do të thotë se sistemet e taksave dhe sigurimeve shoqërore po humbasin rreth 665 milion euro në vit, shtoi ai.

Sipas Angelov, gjendja në sektorin e hoteleve dhe restauranteve, që punëson më tepër se 100,000 vetë, është e njëjta, në mos më keq. Nuk ka kamarjere apo pastruese hoteli që do të pranonte të punonte për vetëm 161 euro cituar në statistikat zyrtare si mesatarja mujore në sektor në tremujorin e parë të vitit 2008, tha ai. Kështu që të ardhurat e fshehura të sektorit shkojnë së paku në 250 milion euro në vit.


Ndërkaq, një informim politike lëshuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë (CSD) më parë këtë vit cilësonte bujqësinë dhe shërbimet, veçanërisht riparimet, arsimin privat dhe kujdesin shëndetësor, si të shoqëruara me veprimtarinë e ekonomisë informale. "Studimi ka treguar gjithashtu se ka gjithashtu xhepa të konsiderueshëm gri në prodhimin industrial, në veçanti në industritë e aksizave (prodhimin e cigareve dhe të karburantit), tekstileve dhe transportit," tha instituti kërkimor me bazë në Sofje.

Ndonëse disa nga masat e marra nga autoritetet bullgare gjatë pak viteve të shkuar kanë ndihmuar reduktimin e pjesës së ekonomisë gri të vendit, ajo mbetet një pengesë kyçe për investimin e rritjen, paralajmëroi grupi.

Qëllimi i reformave të taksave dhe sigurimeve shoqërore ishte t’u ofronte bizneseve pengesa për nënraportimin e të ardhurave dhe për shmangien nga taksat dhe detyrimet shoqërore, u tha pjesëmarrësve në një diskutim të organizuar nga CSD mbi ekonominë gri në fund të majit, ministri i financave Plamen Oresharski.

Si pjesë e këtyre reformave, taksa e korporatave u shkurtua me 10% dhe ngarkesa e sigurimeve shoqërore ra nga 43% në pak mbi 30%.
Përmasat e ekonomisë gri në Bullgari në vitet 2002-2003 qenë rreth 40% e PKB-së, tregonte një raport i OECD mbi punësimin informal në Rumani, lëshuar në korrik.

Reformat e taksave dhe sigurimeve shoqërore kryer nga qeveria bullgare kanë ndihmuar reduktimin e shtrirjes së tij me rreth 30% në vitet e fundit, me një ulje pesë-vjeçare në 2006, sipas CSD. Megjithatë, një shtytje u vëzhgua në vitin e parë të pranimit në BE të Bullgarisë, ashtu si edhe një zhvendosje në veprimtaritë e fshehta, nga puna e padeklaruar në të ardhurat e fshehura.

Sipas analistëve bullgarë, përmasat e ekonomisë informale aktualisht qëndrojnë midis 20% dhe 35% të PKB-së. Në disa sektorë, më tepër se 50% e vlerës aktuale të transaksioneve thuhet se mbetet jashtë regjistrave.

"Sfida kryesore për reduktimin e përmasave dhe gamës të ekonomisë gri në Bullgari është forcimi i rendit të ligjit, zbatimi i rregullave," thoshte raporti i CSD. "Ndoshta prova më e rëndësishme lidhur me këtë është prishja e lidhjeve të paligjshme midis zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe bizneseve gri, domethënë, e rretheve mbrojtëse të kompanive, në veçanti në industritë e aksizave dhe industrive të rënda me kontratë publike të tilla si prodhimi i alkoholit dhe cigareve, ndërtimi dhe infrastruktura, energjia, etj."

Raporti i OECD tregon se në Bullgari, veprimtaritë informale janë përqëndruar në një shkallë të madhe në industritë e ndërtimit, hoteleve dhe restauranteve. Të tjerë sektorë të prekur përfshijnë tregtinë e shitjes me pakicë, transportin, shërbimet e riparimit dhe mirëmbajtjes, bujqësinë, shëndetësinë dhe arsimin.

Studimi ka treguar gjithashtu se përmasa e ekonomisë gri në Rumani ishte pakëz më e vogël se ajo në Bullgari në 2002-2003 duke qëndruar në 37% të PKB-së, shumë përmbi Kroacinë, Republikën Çeke, Hungarinë, Lituaninë, Poloninë dhe Republikën Sllovake.

Në lidhje me rastet e punës së padeklaruar, Rumania është në krye të vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, ndjekur nga Bullgaria, thoshte raporti 83-faqesh, duke i përshkruar nivelet e punësimit informal në dy vendet e Ballkanit si "tepër të larta".

Sipas raportit të OECD, përqindja më e madhe e punëtorëve pa kontratë pune është gjetur në rishitjet dhe shitjet me pakicë, ku shifra arrin në 22%. Prodhimi industrial dhe ndërtimi vijnë të dytat me 21% dhe 15% respektivisht. Në bujqësi dhe administratën publike, përqindja është më e ulët se 10%.

"Punësimi i përgjithshëm informal në vetvete apo i kombinuar me veprimtari të tjera, duket të jetë një strategji e rëndësishme jetese për shumë familje pasi ai ndihmon të ardhurat shtesë nga burime të tjera," tha organizata 30-vendëshe me bazë në Paris. "Megjithatë, kjo nuk është pa rreziqe potenciale të lidhura me mungesën e mbulimit shëndetësor apo pensioneve, papunësisë dhe pasigurisë."

Nivelet e larta të taksave janë përmendur si arsyeja kryesore për punëdhënësit për të mos regjistruar një biznes dhe punonjësit, apo për punonjësit për të mosdeklaruar pjesë apo të gjithë të ardhurat e tyre. Të tjerë faktorë që shihen se i shpien njerëzit të priren ndaj informalitetit dhe jo formalitetit, përfshijnë mungesën e besimit në institucionet publike, perceptimin negativ të rolit të shtetit, mirëkuptimin e pjesshëm apo nënvleftësimin e përfitimeve të rrjedhura nga sigurimi shoqëror, sipas OECD.

Sipërmarrësit në Rumani kanë rreshtuar gjithashtu ngarkesën e procedurave administrative, rregullat e komplikuara dhe strikte dhe procedurat e zgjatura komerciale si të tjerë faktorë që shpesh i shpien ata në anashkalimin e strukturave formale dhe veprimit në mënyrë informale.

Taksat e larta ndaj pagave dhe kontributet e larta të sigurimeve shoqërore janë përmendur si pengesa në regjistrimin e punonjësve. Rregullat strikte të punës dhe procedurat e zgjatura administrative shërbejnë si pengesë e mëtejshme që punëdhënësit të regjistrojnë punëtorët e tyre, sipas OECD.

Rumania ka bërë një përpjekje serioze për të reduktuar përmasën e ekonomisë gri, thoshte raporti, duke përmendur hapa të tillë si futja e taksës së sheshtë, reforma e kodit të punës, një minimum page më i lartë dhe fushatat kombëtare kundër punës informale. Por këto masa nuk janë mjaft, thoshte ai.

"Trajtimi i çështjes së punësimit informal është me rëndësi të madhe për qeverinë rumune," thoshte OECD. /Setimes/