LAJMI I FUNDIT:

Për poetin laureat dhe çmimet letrare

Për poetin laureat dhe çmimet letrare

Nga: Preç Zogaj

Çmimet dhe titujt letrarë janë pjesë e rëndësishme e politikave kulturore që ndjekin shtetet, qeveritë, institucionet publike dhe ato private.

Rëndësia e tyre e shumëfishtë konsiston në synimin për të veçuar, lartësuar e shpërblyer veprat më të mira, autorët më të talentuar të një periudhe kohore të caktuar apo të karrierës. Ndërsa nxisin produksionin letrar, ato ndihmojnë në krijimin dhe ruajtjen e hierarkisë së vlerave, në promovimin e tendencave dhe stileve, në jetësimin e një panteoni emrash, jeta dhe vepra e të cilëve është pasuri kombëtare. Dhe e njerëzimit në rastin e shkrimtarit tonë me famë botërore, Ismail Kadare.


Të gjitha këto, pavarësisht se “askush nuk shkruan për të marrë çmime”, siç është një shprehje jo aq e sinqertë e disa autorëve, por edhe e sinqertë e disa të tjerëve, që shkruajnë kryesisht për kënaqësinë e tyre apo për suksesin e drejtpërdrejtë në publik dhe janë vërtet indiferentë për çmimet e jurive që i etiketojnë si qoka dhe darovitje. Sidoqoftë, duhet të shënojmë se çmimet e titujt nuk janë në thelb një punë e autorëve, por një diskrecion i atyre që i japim për promovimin e artistikes.

Ndërsa bota është plot me çmime lloj-lloj në prestigj, në vjetërsi, në larmi, në vendin tonë aktualisht kemi çmimet e Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit (QKLL), çmimin e Panairit të Librit, çmime aty-këtu që i japin bashkitë, shoqatat a ndonjë institucion privat. Pikërisht një institucion privat, Universiteti Europian i Tiranës ka të drejtën e çmimit më të madh letrar që ka aktualisht Shqipëria nga pikëpamja e shpërblimit dhe prestigjit në përgjithësi: çmimin “Kadare”. Ky çmim ka specifikën që i jepet një vepre në dorëshkrim, i jepet një autori dhe s’ka të tjerë, s’ka çmim të dytë a të tretë, s’ka çmim “Kadare” edhe për ketë, edhe për atë.

Gjithë honorarët i shkojnë një fituesi. Ai ka për qëllim të nxisë të shkruarit, të promovojë talente dhe risi në letrat shqipe. Nëse do të ketë vazhdimësi dhe do të arrijë të sigurojë mbështetje edhe me të gjerë nga ente të tjera të interesuara, duke krijuar një lloj trusti të çmimit, gjasat janë që “Kadare” të konsolidohet si çmimi numër një jo vetëm në pikëpamje të masës së shpërblimit, por edhe të dobisë, qëndrueshmërisë dhe jetëgjatësisë, dy cilësi këto të fundit që rrisin ndjeshëm prestigjin e një çmimi letrar.

Fakti është se në këto dy pika, çmimet e Ministrisë së Kulturës nuk kanë zënë karar. Një thyeje e madhe në ecurinë e tyre ndodhi (dhe s’mund të mos ndodhte) pas ndryshimit të sistemit politik tri dekada më parë. Ndërkaq, në vitet e tranzicionit çmimet kanë ndryshuar vazhdimisht “gjendjen civile”. Herë janë quajtur thjesht “çmime kombëtare vjetore”, herë “çmimi i madh”, herë “Penda e Argjendtë”, herë “Gjergj Fishta”, herë “Faik Konica”, “Lasgush Poradeci”, “Mitrush Kuteli”, “Migjeni”, “At Donat Kursi”, “Petro Marko”, “Jusuf Vrioni” e ndonjë tjetër, për t’u rikthyer sërish tek emërtimi i parë. Shumë pak kanë rezistuar këto çmime me pagëzimet e radhës dhe natyrisht kjo nuk mund të mos ketë ndikuar në uljen e autoritetit të tyre.

Çmimet apo edhe titujt që jepen nga Presidenti, Qeveria, Ministria e Kulturës dhe institucionet e tjera publike duhet të shquhen për seriozitet dhe qëndrueshmëri. Ky është një problem për t’u zgjidhur njëherë e mirë aty ku paratë janë të taksapaguesve. Rrotacionet apo rokadat e pushtetit në këto institucione nuk duhet të reflektohen të ndryshimi i emërimit të çmimeve njëlloj siç ndodh me administratën, fjalë vjen. Por problemet që ka cirkuiti i çmimeve letrare në Shqipëri janë më shumë e me të mprehta se kaq.

Mbetet gjithnjë për t’u diskutuar a duhet të kemi një çmim kombëtar vjetor me një shpërblim të konsiderueshëm për autorin, siç është praktika në disa vende të botës, apo një çmim për romanin, një për prozën e shkurtër, një për poezinë, një për përkthimin, një për letërsinë për fëmijë, siç është tani, që shoqërohet me pjesëtimin apo “copëtimin” e shpërblimit. Ministria dhe QKLL le të qëndrojnë në këtë pluralitet, sepse përkthimi, letërsia për fëmijë apo eseja kanë nevojë për mbështetje. Por mund të veçojnë “Librin e Vitit”, duke e pagëzuar me një emër kuptimplotë e dinjitoz e duke i dhënë një status më vete ku të përcaktohen edhe rregullat e garës.

Ndërkaq, në funksion të çmimeve sa më të merituara ka plot gjëra për të rregulluar. Duke filluar me kualifikimin paraprak të botimeve të shumta të vitit. Kjo punë nuk mund t’i lihet në dorë jurisë. Ka kaq shumë botime gjatë një viti. Juria, cilado qoftë ajo, nuk mund t’i marrë nëpër duar të gjitha veprat. Pra, është Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit që vendos për listën e librave kandidatë për çmimin kombëtar. Librat e kualifikuar nuk mund të jenë numerikisht shumë.

Duke qenë se çmimet jepen për libra të botuar një vit më parë, QKEE ka gjithë kohën e nevojshme në dispozicion për të përgatitur listën në fjalë brenda një kohe optimale që i mundëson jurisë t’i lexojë veprat në garë e të gjykojë me qetësi për ta. Qendra e merr përsipër si institucion ketë. Presupozohet se aty punojnë kritikë dhe njohës shumë të mirë të letërsisë.

Së dyti, është e nevojshme që juria apo juritë të ngrihen shpejt dhe QKLL t’u verë në dispozicion anëtarëve të saj kopje të printuara të librave në garë. Anëtarët e jurive duhet të jenë njerëz të fushës, shkrimtarë të njohur, kritikë, studiues, gazetarë të shquar që kanë dhënë prova të shkruara të vlerësimit dhe gjykimit të veprave letrare në poezi dhe prozë. Emrat e tyre duhet të bëhen publikë që në krye të herës. Kësisoj, autorëve që mendojnë se juria nuk është ajo që duhet të jetë, u jepet mundësia të tërhiqen në kohë nga gara.

Së treti, diskutimet në juri duhet të dokumentohen dhe së paku QKLL duhet të ketë akses dhe t’i administrojë vlerësimet e anëtarëve të jurisë. Disa praktika të vëna re ndër vite dhe sot e kësaj dite kanë lënë përshtypjen se librat në garë nuk lexohen nga të gjithë ose lexohen kalimthi, nuk ka diskutim profesional për ta, konkurrojnë botuesit dhe jo veprat, konkurrojnë paramendime dhe jo mendime të bazuara në leximin e veprave, improvizohen anëtarë jurie sa për të bërë kuorumin e tjerë. Këto praktika i komprometojnë çmimet dhe qëllimet, për të cilat jepen.

Duke qëndruar të qëllimet e çmimeve, institucioni që i jep nuk mund të jetë indiferent rreth faktit se çfarë letërsie po promovon, si shkon dhe sa shkon ajo te lexuesit, çfarë impakti ka në emancipimin e tyre mendor dhe shpirtëror. Në këtë pikë janë të nevojshme diskutimet profesionale, rrahja dhe ballafaqimi i mendimeve rreth gjendjes dhe tendencave të letërsisë korente, a është ajo në rrjedhat e letërsisë bashkëkohore, a i reflekton kuotat më të larta të letërsisë shqipe, a sjell risi, a është e hapur, apo një pjesë e saj është në keqkuptim si e tillë, është në një konformizëm të përmbysur, vuan nga tendenciozitetin vrasës për veprën letrare e të tjerë. Liria e shprehjes dhe e krijimit është një arritje e madhe e pacenueshme. Gjithkush është i lirë të shkruajë siç di dhe siç i pëlqen. Kritika letrare dhe çmimet janë instrumente që tregojnë se çfarë letërsie promovojmë.

Këtë vit, Qendra Kombëtar e Librit dhe Leximit futi për herë të parë në Shqipëri titullin e Poetit Laureat, që u propozua nga njohës dhe studiues të shquar të letërsisë shqipe dhe u pranua me gëzim dhe guxim nga drejtoresha e këtij institucioni, Alda Bardhyli. Poeti laureat për vitet 2020-2022 u shpall poeti dhe përkthyesi i shquar, Rudolf Marku. Kjo ishte një ngjarje e rëndësishme që ka nisur të ketë që tani e do të ketë më shumë në vijimësi efektet e veta pozitive. Qendra, me siguri, po punon për t’i dhënë formë të plotë statusit që do të ketë titulli apo institucioni i Poetit Laureat në Shqipëri.

Rëndësia e tij duhet rritur dhe kjo varet sa nga fituesi, sa nga mbështetja që do t’i jepet atij si një ministër par exellance i poezisë shqipe në vend dhe në botë. Ky është një titull karriere dhe talenti njëkohësisht. Për dhënien e tij, Qendra, sipas meje, duhet të ndjekë praktikën e njohur të dhënies së titujve. Do të thotë se nuk shpallen lista të gjata sikur ky është një konkurs ku harresa, nga shkujdesja apo pa qëllim, është gjithashtu plot me emra. Asnjë vend në botë, as vendet e mëdha me qindra milionë banorë apo mbi një miliard banorë, si Kina dhe India, nuk mund të kenë kaq shumë poetë laureatë të gjallë.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mund të kërkojë mendime nga ekspertë të shquar të letërsisë, por duhet ta shpallë vetë poetin laureat. Ose mund të krijojë një komitet permanent që përtërihet me rregulla të qarta, siç ndodh kudo me komitete dhe juri të ngjashme. Qendra dhe mjedisi letrar ia kanë si borxh letërsisë të ndikojnë sa të munden edhe pranë institucioneve shtetërore që kanë tagrin të japin tituj, ku jo rrallë, poezia, fjala vjen, konfondohet me vjershërimin apo bejten.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. /Panorama/