LAJMI I FUNDIT:

Për kombin, gjithçka 2.5!

Sa po mendohej se “Lugina” po lihej në harresë, kombi ynë i lavdishëm e dëshmoi se ka ende patriotë që janë në gjendje të bëjnë gjithçka (2.5) për të sjellë sërish në qendër të vëmendjes çështjet e harruara të Kombit.

Bisedimeve Kosovë-Serbi nuk po u shihet fundi edhe pse Qeveria jonë i pranoi krejt çka mund të pranohej! Por, “Lugina” nuk është pranuar të jetë pjesë e dialogut. Kështu që politika e “Luginës” mbeti galuc në vijën startuese, pa guxua me u nisë. Por, në semaforin politik ndërkombëtar, lidhur me çështjen e “Luginës”, po rri e ndezur portokallia! Mos u nisni ende, po u thonë.

Kështu, “Lugina” e sidomos qyteti i Preshevës këto ditë sërish doli nga errësira mediatike. Mediat nga të tri shtetet fqinje, të banuara kryesisht, apo krejtësisht me shqiptarë, e sidomos rrjetet sociale, e shënuan aktin patriotik, vetëflijues, të Tunës në Preshevë. Ajo ka marrë më shumë llajka se po të ishte bërë një kryengritje e armatosur apo demonstratë në mbrojtje vlerave të luftës.


Këto ditë në Presheva nuk po e hanë më bukën thatë. Po e ngjyejnë me fjalë dhe imazhe. Administratorët e Facebookut e kanë regjistruar me të kuqe zonën e “Luginës”. Si zonë lufte! Nga klikimet e nga llajkat është skuqë ajo pjesë! Pjesët e tjera të kombit plasën nga xhelozia, por s’po kanë çka me ba. Po mundohen me ra në sy Korleone, Guximi, hoxhë Irfani, që reprezentojnë fuqinë ekonomike dhe ushtarake të kastës sunduese dhe frymën e së ardhmes në këtë vend, por kot. Ku Tuna, ku ata!

Por, tash krejt është më lehtë për “Luginën”. Edhe robëria shekullore. Edhe Ramazani që sivjet ishte i lodhshëm pak, se ishte vapë. Po harrohej çështja e “Luginës”, vëllezër!

Emrin “Luginë” ju lutem të mos e ngatërroni me filmin “Lugina e Ujqve” se ai ka të bëjë me krejt trojet “tona” osmane, jo veç me trojet tona kombëtare. Se ka disa intelektualë në Turqi që pretendojnë se Perandoria kishte qenë e pushtuar nga arnautët. Arnautët e sundonin Perandorinë, e jo Perandoria ata, po thonë! Po nxjerrin edhe fakte! Plot kryeministra, ministra, pashallarë, eunukë politikë shqiptarë! E keni pa çfarë roli luante Zymbyl Aga? Mustafë Pasha?

Veç për nevoja të këtij shkrimi dhe nën “ethet” e performansës historike të Tunës, e për mos me e ngatërru me “Luginën e Ujqve”, ne “Luginën” tonë po e quajmë “Lugina e Zogjve”. Natyrisht, ky nuk është një kontest i ri për emrin, mes republikave fqinje dhe “Luginës”! Kjo është veç një metaforë.

Por, të kthehem te ngjarja historike dhe pasojat e saj.

Pra, Tuna kohëve të fundit po shërben si antidepresiv. Një popull i izoluar sikurse ky i yni, ka nevojë! Kohëve të fundit në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, të gjithë analistët, kolumnistët, poetët e kanë mbushur këtë verë me cicërimën e zogjve. Kjo ka ngjallur edhe diskutime akademike ku u përfshinë madje edhe ekspertë të emergjencave, sidomos ata kundër zjarrit. Dilema themelore është: ishte rastësi apo e bëri me qëllim, Tuna? Populli në “Luginë”, por edhe i gjithë kombi, është ndarë në dy pjesë. Njëra palë mendojnë se ishte aksidentale! Të tjerët se ishte e qëllimshme. Këta të dytët mendojnë se këngëtarja ndërhyn sa herë qeveritë tona janë në krizë! Për shumë analistë, historia do të matet, para dhe pas Tunës.

Pjesa tjetër, disa analistë smirëzinj, po thonë se kur e fiton vëmendjen me skandale, gjithnjë duhet të bësh ndonjë hap më shumë, për të mbajtur vëmendjen. Një komentues nëpër portale po thoshte se ajo për suksesin edhe do të zhvishej! Ndoshta e bën! Nëse i duhet Atdheut!

Por, ka edhe reagime nga xhelozia. Jo zogu im më i mirë! Jo i asaj! Se ajo po thotë: “I jemi, i jemi, i jemi”!

Një heroinë tjetër shqiptare tjetër që zhvishej krejt lakuriq në media, në Maqedoni, këtë nuk e bëri për Atdheun, po për Afrikën. Ajo, sipas mediave, u martua me një miliarder nga Afrika. Tash po thonë se po e bënë kokrrën e sefasë në Shkup. Ishte bërë atraksion i mediave në Maqedoni. Ajo po promovonte “kulturën” tonë urbane. E lindur dhe e rritur në Shkup, ajo po rrezikonte të binte në fushën e nderit të zhveshjes, nga qarqe që synojnë me e mbulua çdo cep të lëkurës së saj!

Për dallim prej figurave të tjera të lavdishme, fqinjët tanë atë nuk po e përvetësojnë. Po e pranojnë se është shqiptare. Shqiptare, moderne, po thonë!

Krejt kjo po ndodhë në kohën që në republikën fqinje vazhdon aksioni i fuqishëm për me i mbulu femrat. Disa thonë me i mbulu krejt, aq sa mos me u dallu se janë femra! Veç kështu largohet nga ne qoftëlargu, mendojnë ata! E, disa të tjerë, që konsiderohen më të matur, po angazhohen veç për mbulesa të arsyeshme. Lidhur me këtë po marshojnë nëpër media dhe institucione. Po thonë se janë obligative. Kështu, për të dëshmuar se e kanë seriozisht, ata shkuan me luftu për kauzën e përbashkët të “Vëllazërisë”! Disa prej këtyre djemve ranë dëshmorë në frontin e Sirisë ! Kjo nga dikush do të quhej edhe përplasje e civilizimeve brenda nesh! Brenda lagjes. Madje edhe brenda familjeve.

Kështu, Maqedonia shqiptare po vlon prej ekstremi në ekstrem, dhe si duket këto dy lëvizje (para) politike e kanë filluar edhe luftën për çlirimin e “Luginës”. “Lëvizja e ujqërve” dhe “lëvizja e zogjve” po shtyhen me bërryla e nuk po dihet se kush do të fitojë në “Luginë”. Njëra për me i m’lue, e tjetra për me i shplue! Por, këto nuk janë alternativat e vetme! Kjo luftë po ka edhe pasoja!

Përndryshe nga kjo luftë dikush edhe po fiton! Kjo po paraqitet me interes për spitalet private në Prishtinë dhe (krye)qytetet e tjera të kombit. Si po raportojnë mediat, ata po bëjnë kërdi me stendat. Kush e ka zemrën e ligë më mirë me ja vu nja tri apo katër stenda, për çdo rast. E pat apo nuk e pat, më sigurt është! Me tri-katër stenda lirisht mundet me shku edhe në diskotekë!

Tash, ju që besoni, do të pajtohemi se Zoti i krijoi ujqit, edhe zogjtë, të cilët ndjekin instinktet e tyre, dhe nuk janë aspak përgjegjës për veprimet e veta. Por, e krijoi edhe njeriun i cili di të mendojë dhe mundet me e bë zgjidhjen e vet! Pra, edhe me qenë përgjegjës për veprimet e veta. Për krejt këto, disa thonë se është mirë, e disa se është keq!

Por, a nuk është arbitrare të thuhet se në botë ekzistojnë vetëm dy rrugë: e mira dhe e keqja! Kjo ishte parë vetëm në filmat partizan-gjerman! Në librin “Afërdita përsëri në fshat”! Edhe në librat e historisë, në Ballkan!

Gjithnjë ekziston edhe zgjedhja jote, njeri!