LAJMI I FUNDIT:

“Për” dhe “kundër” krijimit të kombit kosovar

Sa i përket krijimit të kombit qytetar kosovar, shumë analistë janë ndarë në dy taborë: në njërën anë kemi ata që e përkrahin formimin e kombit kosovar dhe janë të bindur që ky komb është krijuar pas formimit të shtetit të Kosovës apo është duke u krijuar dhe tabori tjetër, i cili është kundër krijimit të këtij kombi dhe e sheh të paarsyeshme dhe të pamundur krijimin e këtij kombi duke këmbëngulur në atë se ne jemi pjesë e kombit shqiptar dhe kështu dëshirojmë të mbetemi duke u mbështetur në shembullin e dy Gjermanive, dy Koreve etj.

Në këtë konflikt mes dy taborëve ngatërrohet etnia me kombin dhe kombi me shtetin.

Nëse një popull ka një gjuhë, kulturë, traditë dhe prejardhje të përbashkët nuk mund të quhet domosdoshmërisht komb, pra veçoritë që janë pothuajse të përbashkëta mes shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë nuk e përbëjnë kombin. P.sh. ka kombe që pjesëtarët e tij flasin gjuhë të ndryshme (Zvicra), si mund të themi që kultura e përbashkët është element që e përcakton kombin kur tani në këtë kohë njerëzit më shumë kanë vlera kulturore universale sesa unike të kombit, ndërsa sa i përket prejardhjes së përbashkët kjo është më shumë mit sesa realitet duke marrë parasysh migrimet dhe dyndjet e popujve, prandaj nga kjo që u tha më lartë mund të themi i tërë debati rreth ekzistimit apo mosekzistimit të kombit kosovar është i përcjellë nga ndjenja nacionaliste nga njerëz që nuk bëjnë analiza se a po krijohet kombi kosovar, por janë të prirë që mos ta lejojnë të krijohet, por në aspektin shkencor e vërteta duhet të thuhet pa marrë parasysh kujt dhe sa i pëlqen e vërteta.


Unë nuk dua të ndalëm tek ideja se a duhet apo nuk duhet të krijohet kombi kosovar, sepse kjo varet nga vullneti që kanë qytetarët e Kosovës, por ajo që unë e potencoj është që ky komb kosovar po fillon të formohet, por meqë ideja ka ardhur nga jashtë me imponimin ndërkombëtar dhe në mungesë të vullnetit nga brenda, ai nuk mund të funksionojë, sepse nacionalizmin etnik që është karakteristikë e popujve të Ballkanit është shumë vështirë ta zbutë bashkësia ndërkombëtare dhe ta integrojë në shoqëri multietnike.

Për t’u krijuar një komb qytetar kosovar nevojitët që të gjitha komunitetet ta ndiejnë vetën si kosovarë dhe ta pranojnë njeri-tjetrin si pjesë të atij kombi, t’i tejkalojnë veçantitë e tyre dhe të krijojnë vlera të përbashkëta kulturore.

Ideja e krijimit të kombit qytetar kosovar duhet të burojë nga brenda, pra të jetë vullnet i popullsisë që jeton në Kosovë dhe jo të jetë një imponim nga jashtë, në këtë rast nga bashkësia ndërkombëtare e cila duke parë rrezikun, trazirat dhe luftërat që sollën kombet etnike në Evropën juglindore po mundohet të krijojë një komb qytetar dhe ta zhdukë nacionalizmin etnik, i cili ishte mjaft agresiv dhe ekskluziv.

Shteti mund t’i detyrojë qytetarët e etnive të ndryshme që t’u binden ligjeve të tij, por jo edhe të behën pjesë e kombit të atij shteti, anëtarësimi në një komb bëhet me vullnet dhe jo me dhunë.

Bashkësia ndërkombëtare nëpërmjet decentralizimit në Kosovë duke iu dhënë shumë kompetenca komunave me popullsi shumicë serbe, është munduar që t’i qetësojë serbët dhe t’i integrojë në shoqërinë kosovare, por ja që i doli pak më ndryshe me një pjesë të veriut të Kosovës, i cili ende nuk po pajtohet me realitetin e ri të Kosovës dhe jo vetëm që nuk po integrohet, por po behët një Kebek i ri në Kosovë të cilit përmes kompetencave të shumta që kanë çdo herë e më pak po e ndiejnë nevojën për të qenë bashkë më Kosovën.

Sfida e radhës e bashkësisë ndërkombëtare dhe e Qeverisë së Kosovës është që t’i integrojë serbët e veriut dhe t’i bindë ata që ta pranojnë realitetin e ri në Kosovë.

Duke marrë parasysh kahun e proceseve politike si pasojë e globalizimit, më shumë besoj se një ditë të gjithë që janë në Evropë do të quhen evropianë sesa të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë ta quajnë vetën kosovarë, pasi që bota po shkon drejtë bashkimit të popujve dhe krijimit të vlerave universale dhe duke i shkatërruar vlerat tradicionale. Prandaj ne duhet t’i ruajmë vlerat tradicionale shqiptare dhe të krenohemi me etninë tonë shqiptare, ndërsa që për kombe më nuk do të këtë nevojë sepse globalizimi po e humb kuptimin e kombit.

Është fakt që kombi qytetar po tentohet të formohet në Kosovë, por që këtij projekti po i dalin shumë sfida të cilat është shumë vështirë të tejkalohen dhe duhet kohë relativisht e gjatë për t’i bindur të gjitha komunitetet që ta quajnë vetën si pjesëtar të kombit kosovar pa marrë parasysh etninë e tyre.

Mendoj që politika e bashkësisë ndërkombëtare është që tani kombi të identifikohet me shtetin dhe secili qytetar pa marrë parasysh etninë e tij, do të jetë pjesë e kombit të atij shteti në mënyrë që t’i ndalojë pretendimet e popujve të ndryshëm etnikisht që jetojnë brenda një shteti të mendojnë për pavarësim nga shteti ku ata jetojnë apo bashkim me pjesën tjetër të kombit.

(autori është sociolog)