Nga: Agim Baçi
Në një fragment të filmit gjerman “Labirinti i heshtjes”- një film që përshkruan rrugën e vështirë të një prokurori të ri, Johan Radman, për të zbuluar komplotin e disa institucioneve dhe degëve të mirënjohura qeveritare për të mbuluar krimet naziste nga Lufta e Dytë Botërore – është një moment tejet i veçantë e domethënës, kur prokurori së bashku me gazetarin Tomas Gnilka janë përballë rrënojave të Aushvicit. Kur Gnilka, që kish qenë aty 17 vjeç me të rinjtë nazistë, e pyet prokurorin se çfarë shihte, prokurori i tha se shihte vetëm mure dhe rrënoja. “Ato histori që kanë ndodhur këtu do të mbeten thjesht rrënoja për sa kohë që shoqëria nuk do t’i njohë ato”, i tha gazetari prokurorit.
Filmi, i cili ishte në vitin 2015 kandidat për “Oscar”, vë përballë njëri-tjetrit disa prej njerëzve që nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për Aushvicin dhe disa tjerë që duan ta harrojnë atë të shkuar sa më shpejt që të jetë e mundur. Rrugëtimi i prokurorit në hetim e fut atë thellë e më thellë në një labirint fajesh e gënjeshtrash. Por, ajo çka ai do të zbulojë në fund, përmes kurajës për të mësuar dhe thënë deri tek e vërteta edhe për të atin e vet, është edhe çelësi që ndryshoi përgjithmonë Gjermaninë përballë të shkuarës së krimeve naziste.
Figura e prokurorit Johan Radmanit është bazuar te tre prokurorët, të cilët përgatitën në vitin 1963 padinë për procesin gjyqësor të Aushvicit në Gjykatën e Frankfurtit: Joachim Kügler, Georg Friedrich Vogel dhe Gerhard Wiese. Kujtimet e prokurorit Wiese për procesin gjyqësor janë hedhur në skenar.
Në fakt, kohë më përpara se të vinte ky film, sociologu dhe filozofi i famshëm polak, Zygmunt Bauman, në librin e tij “Holokausti dhe moderniteti”, kishte shprehur hapur shqetësimin lidhur me atë çfarë kish ndodhur me holokaustin, të cilin bota moderne, sipas tij, ka dashur ta shohë vetëm si një çast çmendurie, sikur i përket vetëm një segmenti shoqëror. Fiks ashtu siç ka ndodhur në Shqipëri ku shumë aktorë politikë e publikë kanë dashur ta shohin të shkuarën kriminale në diktaturë vetëm si një lajthitje të asaj kohe, pa pasoja për jetët tona.
Por, në fakt, a mund ta shohim të shkuarën vetëm si fragment, si një lajthitje çasti që mbetet vetëm në një çast të historisë?
Në Shqipërinë e pasvitit 1990, nga dëshira për të vrapuar drejt asaj që na kish munguar gjatë diktaturës, u praktikua ajo që Bauman e quajti “vetëshfajësim historik”, gjë që çoi një pjesë të shoqërisë në mosdashje të hapur për të dëgjuar çfarë krimesh kishin ndodhur realisht gjatë diktaturës. Kjo heshtje ndaj së shkuarës ka qenë një nga shkaqet që e keqja që pllakosi shoqërinë shqiptare për mbi gjysmë shekulli të bredhë lirisht rreth nesh. Si pasojë e këtij “vetëshfajësimi” është krijuar, në jo pak raste, ideja sikur debati mbi të shkuarën është thjesht një çështje historie dhe se u përket studiuesve të historisë apo politologjisë. Pasojat e kësaj sjellje në Shqipëri kanë vijuar t’i vuajnë më shumë se kushdo ish-të burgosurit politikë dhe ish-pronarët, të cilët në shumë raste janë trajtuar si viktima, pa rehabilitimin e duhur që shoqëria ua kish borxh.
Ndërtimi i keq i zbardhjes së të shkuarës nisi me sloganin “bashkëfajtor-bashkëvuajtës”. Ky lexim hipokrit dhe tinëzar i marrëdhënies fajtor-vuajtës e bëri ndëshkimin e së shkuarës të vështirë. Dhe, mjaftojnë rezultatet e disa sondazheve vit pas viti për të kuptuar se ai mosndëshkim prodhoi shifra alarmante të nostalgjikëve ndaj kohës së diktaturës. Kjo solli edhe ato ngjarje që kemi parë që po shohim edhe sot, se si shkollat dhe institucionet shqiptare nderojnë simbolikat e diktaturës duke përdorur fëmijët – hapa këto që kanë vulosur faktin se ne si shoqëri kemi dështuar në zbardhjen e së shkuarës kriminale që kaluan gjyshërit dhe prindërit tanë, jo pak herë duke qenë dëshmitarë apo aprovuar të asaj të keqeje. “Mendo se çfarë di bëje ti po të kishe qenë pjesë e asaj kohe”, i thonin Rodmanit në filmin “Labirinti i heshtjes” prokurorët e vjetër apo zyrtarë të ndryshëm, duke e shtyrë që ai të mos përpiqet që të zbardhë të shkuarën. Një dialog që i ka ndodhur thuajse kujtdo që në Shqipëri ka ngritur zërin në këto tridhjetë vite për zbardhjen e së shkuarës.
Sociologët që janë marrë me studimet e krimeve, duke iu referuar nazizmit, fashizmit, e sidomos regjimeve totalitare që shfarosën miliona qytetarë, kryesisht të pafajshëm, kanë shprehur shqetësimin për faktin se, nëse nuk e shohim atë të shkuar si tentative e përhershme të së keqes për të përmbysur vlerat shoqërore, atëherë do të jemi nën rrezikun e asaj të keqeje vazhdimisht.
E për aq kohë sa nuk do të tentojmë të lexojmë si duhet të keqen e ndodhur ne, edhe pse do të vijojmë të shprehim keqardhje për ata që u shfarosën apo vdiqën në burgje dhe kampe internimi, edhe pse do të kemi ditën e kujtesës për ata krime, edhe pse do të mbajmë fjalime prekëse për ata që u torturuan dhe u syrgjynosën, sërish ne nuk do të mund të nxjerrim të keqen që ka bërë fole në kokat tona.
Për aq kohë sa nuk e mendojmë si pjesë tonën atë të keqe, nuk do të mundet dot ta zbojmë, por thjesht do të shtojmë nihilizmin tonë ndaj asaj të shkuare, e cila tashmë është rikthyer thuajse fitimtare. Dhe do të mjaftonte zbythja e aktorëve publikë e politikë ndaj presionit që iu bë ish-kreut të ISKK-së, Agron Tufës, nga ish-drejtuesi i burgut famëkeq të Qafë Barit, Caja, për të kuptuar se beteja jonë me të shkuarën ka qenë sipërfaqësore, pa fakte konkrete, pa asnjë hetim thelbësor mbi atë të keqe. Sepse ne nuk arritëm të nxirrnim dot në sipërfaqe tragjeditë e fshehura në Spaç, në Qafë Bar e në dhjetëra vende internimi ku vdiqën nga uria e torturat mijëra shqiptarë nga viti 1944 e deri në vitin 1990.
Në fakt, vështirësitë që hasi prokurori gjerman në filmin “Labirinti i heshtjes” për zbardhjen e krimeve naziste e kish paraprirë edhe politologu dhe filozofi francez, Chanta Millon-Delsol, përmes një pyetjeje në librin e tij “Idetë politike në shekullin e XX-të”. Ai pyeste: “Cila ishte ajo forcë që bëri bashkë inteligjencën e vendeve ish-komuniste, madje edhe elitën në mjaft shtete perëndimore, për të mbështetur apo simpatizuar regjimet totalitare, kriminale, që shfarosën miliona të pafajshëm?”.
Një lloj përgjigje ndaj Delsol e ka dhënë nobelisti polak, Czesław Miłosz, në librin e tij “Mendja e robëruar” ku shprehet se, “është dëshira jonë e brendshme për të mos besuar se njeriu mund të arrijë në krime aq të tmerrshme”. Edhe shkrimtari hebre, Filip David, në romanin e tij “Shtëpia e harresës dhe kujtesës”, shprehet se shpesh “fara e së keqes fshihet pas harresës”, ose më saktë “pas absurditetit të harresës ndaj të vërtetave”. Ai shprehet se “brezat tentojnë ta rishkruajnë historinë çdo 40 vjet, duke tentuar të mos kenë dëshmitarët e së shkuarës nëpër këmbë. Kështu humanizojnë të keqen në të shkuarën dhe kërkojnë të kontrollojnë të ardhmen”
Sociologu Zygmunt Bauman, politologu Millon-Delsol, poeti dhe filozofi Czesław Miłosz apo kriminologu i madh norvegjez, Nils Christie, ngrenë si alarm për shoqëritë postkomuniste pikërisht rutinizmin e së keqes, burokratizimin e krimit dhe sidomos neutralizimin e qëndrimeve etike të shoqërisë ndaj së keqes. Është pikërisht kjo e fundit që rrezikon çdo shoqëri, sidomos shoqëritë që nuk kanë guxuar të lexojnë të shkuarën kriminale si një e keqe që fle mes nesh edhe kur ke arritur ta lexosh mirë atë.
Deri më sot, shoqëria shqiptare ka jetuar me “krimet e askujt”. Për pasojë, nëse do të vijojnë sondazhet në vitin 2022 mbi atë se çfarë shqiptarët dëshirojnë të jetojnë sërish, rezultatet mund të jenë në favor të diktaturës edhe më katastrofik se në vitin 2016, pasi ish xhelatët, ish-persekutorët dhe ata që kanë shkruar historinë po vijojnë të na flasin çdo ditë për “ndershmërinë e tyre në zbatimin e ligjit”.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Faktet më të çuditshme që mund të mos i dini për Elon Musk
Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë armët amerikane në Rusi, reagon Zelensky
“Më mirë të më shajnë nënën, sesa të këndojnë “Serbi, Serbi”” - Llullaku shpjegon për mediat rumune se pse lojtarët e Kosovës vendosën të largohen
“Do thyejmë të gjitha rekordet”, Ronaldo thotë se mysafiri i tij i radhës në YouTube është më i famshëm se ai
“E dimë si ke shkuar në finale” - përplasje në mes të Edona James dhe Santianës live gjatë emisionit