LAJMI I FUNDIT:

Organizohet BarCamp Prishtina #16

Organizohet BarCamp Prishtina #16

Edicioni i radhës i BarCamp Prishtina, sponsorizuar nga IPKO Foundation dhe që është i gjashtëmbëdhjeti me radhë, do të mbahet më 24 tetor 2013 me fillim nga ora 17:30 në Sabaja Drs Beer House.

Ky BarCamp do të sjellë në një vend tre folës të cilët do të diskutojnë për tema të ndryshme të cilat ndërlidhen në një formë apo tjetër. Tema e parë do të jetë Birra, tema e dytë do të jetë sistemet e automatizuara dhe për fund do të bashkëbisedojmë se si kompanitë punojnë për të nxjerrë një produkt në treg.

Alex Butler vjen në Prishtinë nga Rochester, NY. Nga fillimet e para të bërjes së birrës në shtëpi, Alex Butler është tani partner dhe Brewmaster në Sabaja Craft Brewery. Ai do të flas për historinë e birrës dhe rëndësinë e saj. Ai gjithashtu do të flas për birrat e para artizanale në Kosovë, Birrat Sabaja, dallimi me birrat tjera në treg etj.

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Rektor i Universitetit për Biznes dhe Teknologji dhe Dr. Sc. Muzafer Shala, Dekan i Fakultetit të Menaxhimit të Mekatronikës & ud. Dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë do të flasin për rolin e Menaxhimit të Mekatronikës në Industrinë e Kosovës. Ata gjithashtu do të flasin për sistemet automatike të prodhimit. Në fund për audiencën do të paraqiten robotët autonomë “Nao”.


Valon Sopi është dizajner grafik i fokusuar në krijimin e produkteve për web. Si themelues i boldUnderline. llc, bashkë me ekipin e kompanisë ai ka krijuar për klientë të njohur në vend dhe botë. Përvoja e Valonit shtrihet në dizajn, zhvillim, marketing, dhe ndërtim ekipesh. Në BarCamp, Valoni do ta prezantoj produktin e fundit të boldUnderline. llc, Goodwerp.com. Mes tjerash ai do të disuktojë për rrugëtimin e krijimit të produktit prej idesë, ekzekutimit, e deri tek lansimi i platformës dhe marketingut për botë — si dhe sfidat, sukseset, e mësimet e ndryshme gjatë rrugës. Goodwerp.com është aplikacion për menaxhimin e projekteve dhe bashkëpunim, i krijuar enkas për firmat kreative në botë.

Sabaja Drs Beer House (http://goo.gl/maps/09CRZ) është hapur së fundmi dhe ndodhët në rrugën “Tirana” përballë bar-it Si n’Bahçe dhe Stadiumit në Prishtinë. Nga një birrë Sabaja falas do të ketë për secilin pjesëmarrës. Sponsor medial të BarCamp janë Telegrafi.com dhe Digjitale.com, ndërsa ngjarja mund të përcillet edhe në rrjetet sociale (https://www.facebook.com/events/408678075925612), veçanërisht në Twitter ku mund të kërkoni më shumë me hashtag #BCPRN.