LAJMI I FUNDIT:

Organizohet BarCamp Gjakova #8

Organizohet BarCamp Gjakova #8

Të Shtunën, me 3 Maj me fillim nga ora 17:00, Komuniteti Aktiv Qytetar organizon konferencen jo-formale të radhës - BarCamp Gjakova #8

Edhe këtë radhë do të kemi folës dhe tema shumë interesante, ku do të ndajnë eksperiecën dhe prezantojnë: Asdren Xërxa, Migena Arllati, Zana Kurtishi-Rudi dhe Abetare Gojani, biografitë e të cilëve mund ti gjeni në vazhdim:

Migena Arllati lindi në Elbasan, shkollimin e gjatë 20 vjeçar zënë vend: Fakulteti Filologjik, dega gjuhë-letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan; Studimet posdiplomike të magjistraturës në Qendrën e Studimeve Albanologjike – QSA, Tiranë: Studimet e doktoraturës po në QSA; Kursi pasuniversitar për diplomaci në Akademinë Diplomatike Shqiptare. Aktualisht është mësimdhënëse e gjuhës shqipe dhe letërsisë në shkollën e mesme “Hajdar Dushi” në Gjakovë, ndërsa Karriera e saj paraprihet nga dhjetë vjet angazhimi në gazetarinë radiofonike, të printuar dhe televizive ku ka marrë çmime disa herë. Është anëtare e Institutit panshqiptar të studiuesve të gjuhës shqipe Alb – Shkenca me seli në Tiranë, Prishtinë e Shkup, si dhe anëtare e Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi” si dhe sekretare e degës së Pegasi Kosova. Gjatë vitit 2012, ajo solli në autorësinë e saj dy botime: librin monografik “Lindur për t’u bërë mjek” dhe vëllimin me poezi “Mendime në kornizë”. Autorja punoi katër vjet në përgatitjen e botimit studimor “Vështrim mbi frazeologjinë e të folmes së Gjakovës”. Ajo ka në dorë studimin e rradhës “Prania e orientalizmave në frazeologjinë shqipe”. Është nderuar me një sërë çmimesh dhe mirënjohjesh në Shqipëri, Kosovë e më gjerë. Migena do flas për: Patronimia e Gjakovarëve – Historia e nje qyteti pasqyruar në mbiemrat familjarë.

Zana Kurtishi – Rudi është mësimdhënëse e Informatikës dhe Teknologjisë në shkollën fillore “Zekeria Rexha" në Gjakovë. Ajo është koordinatore e klubit të teknikëve të rinjë në shkollën që ajo punon. ‘Klubi i teknikëve të rinjë’ është një iniciativë e Basic Education Program, pjesë e USAID ku kanë punuar me Lego robots dhe pjesë tjera të Teknologjisë.
Klubi saj ofron asistencë teknike brenda shkollës dhe ka digjitalizuar mësimdhënjen në disa prej klasave. Për më shumë rreth punës së Zanës mund të vizitoni site-n e saj: http://zanakurtishi-rudi.weebly.com/
Zana në BarCamp Gjakova do të prezentoj punën e saj dhe të nxënësëve të saj.


Abetare Gojani menaxhon të gjitha programet në Fondacionin IPKO dhe është përgjegjëse për suksesin e përgjithshëm të fondacionit në bashkpunim me stafin. Ajo ju bashkua fondacionit IPKO qysh në Nëntor 2010 dhe qysh atëherë ka qenë pjesë e shumë aktiviteteve të suksesshme si: Next Generation Scholarship, App Camp Kosovo, Wiki Academy I&II, Bar Camp, Digital Kosovo, etj. Abetarja ka përfunduar studimet Bachelor në A.U.K në partneritet me Rochester Institute of Technology në Menaxhment dhe Politika Publike. Ndërsa momentalisht ajo është duke përfunduar studimet MBA në Riinvest në partneritet me Staffordshire University.
Abetare do të flas rreth asaj se si IPKO Fondacioni perdor metoda të ndryshme të teknologjisë për të transformuar diplomacinë e Kosovës në diplomaci dixhitale.

Asdren Xërxa që nga viti 2010 punon si menaxher i programit në CEED Kosova, organizatë që është pjesë e rrjetit ndërkombëtar dhe që merret me përkrahjen e ndërmarrësisë. Asdreni po ashtu ka mbi 10 vjet përvojë menaxhuese në sektorin privat si dhe ka punuar si konsulentë dhe trajnues i bizneseve. Ai ka diplomuar në programin e menaxhmentit në IIMP, Prishtinë në vitin 2007, si dhe ka certifikime të ndryshmë profesionale. Asdreni po ashtu është bashkëthemelues i Komunitetit Aktiv Qytetar (KAQ), nismë vullnetare që një prej aktiviteteve të saj ka edhe organizimin e BarCamp Gjakova. Asdreni do të flas për punën e tijë me ndërmarrës si dhe për iniciativen “KAQ” dhe komunitetet.

Vendi ku do të mbahet ngjarja është DEL House, ndërsa për ata që arrijnë me kohë do të ketë pije falas.
Sponsor medial të Barcamp janë Telegrafi.com, Digjitale.com dhe PCWorld.al. Ngjarja mund të përcillet edhe në rrjetet sociale, në Twitter kërkoni me hashtag #BCGJK./Telegrafi/