LAJMI I FUNDIT:

Oligarkët e hanë bukën me sheqer!

Një studiues nga Holanda, vend ky i njohur për ligjet liberale lidhur me përdorimin e narkotikëve, tërheq vërejtjen për rrezikun e përdorimit të tepruar të sheqerit. Ai thotë se sheqeri është droga më e rrezikshme e kohës tonë. Jo kanabisi Sativa! Jo kokaina! Jo drogat e tjera për luftimin e të cilave në shkallë globale harxhohen shumë bilionë dollarë. Pikërisht sheqeri!

Nejse, ne e kemi Lazaratin, e dikur e kishim edhe fabrikën e sheqerit! Te ne ka sa të duash Kanabis Sativa, e edhe sheqer! Të dyja shiten lirisht! Por, sheqeri shitet lirë! Populli nuk ka para për kanabis! Prandaj, hanë sheqer! Prandaj, jemi kombi më optimist në kontinent!

Por, Evropa ka evoluar përtej sheqerit! Po e shikoja një fotografi në mediat tona, në të cilën kryeministri britanik po flinte për shtatë palë qejfe, derisa “balldëska” e tij e ka përjetësuar këtë çast me kamerën e sajë. Kjo u pa si një skenë shumë simpatike, aq më tepër që kryeministri po flinte zbathur. Mesazhi ishte se në këtë vend ka mjaftë siguri, por edhe se kryeministri punon shumë sa edhe në dasmë të “balldëskës” po fle! Ne e lexojmë edhe ndryshe. I ka një ndreqë senet njeri!


Kryeministrin tonë, ndërkaq, nuk mundet askush me fotografu në horizontale! As në gjumë e lëre më zbathur! Kohëve të fundit flitet se nuk po fle. Aq më tepër, zbathur! Po fle mbathë, po thonë! Në kuptimin figurativ, natyrisht! Jemi tashmë në fushatë! Edhe “delet” në Parlament nuk po dalin në numër!

Kështu, slogani i dikurshëm i një OJQ-je tonë, ka gjetur aplikim në Angli! Ndër ne ishte dhe mbetet veç si batutë e lezetshme! “Flej dathë”!

Ndërkohë, kryeministri jonë, i lodhur nga fushata nuk po flenë as në mbledhje të Qeverisë e cila njihet për nga harmonia dhe monotonia! Për të gjitha pajtohen. Kryeministri, këto ditë nuk ishte aktiv në seli të partisë, por gjithsesi prej Qeverisë drejtpërdrejtë angazhohet në parti dhe fushatë!

Ai nuk po i ndërron kandidatët e vjetër, e as taktikën. Edhe kësaj radhe premtoi me ua rritë të gjithëve! Rrogën! Sidomos punonjësve të arsimit. Sepse, ata përbëjnë numrin më të madh të votuesve të organizuar. Edhe policisë! Për çdo rast! E kjo, do të ndodhë, si premton kryeministri, tek në vitin e ardhshëm! Krejt kjo lë me u kuptu se kryeministri po mendon për të ardhmen! Për zgjedhjet nacionale të vitit të ardhshëm. Tash veç po e gjuan grepin. Me një të rame…!

E, FMN-ja, zakonisht grindavece, kësaj radhe tha “ani”! Ose u pajtua, ose u lodh duke thënë jo, e duke marrë mbi vete mllefin e nëpunësve të zemëruar.

Por, duke e ditur se ku është burimi i pushtetit, ku është sovrani, kryeministri fushatën kryesore po e zhvillon në SHBA! Atje po takohet me çdokënd, veç për të prodhuar së paku një lajm në ditë për televizionin ton (a)nacional! E këndej, kundërshtarët po vlojnë! Po zihen në vete! Kazani po vlon!

Përndryshe, Qeveria është argëtuesja kryesore në këtë vend. Kështu, nuk e di në ishte në funksion të ndonjë fushate edhe deklarata e zëvendësministrit të ri të FSK-së i cili tha se ne fare nuk kemi nevojë për aeroplanë. Gabim z. zëvendësministër! Jo vetëm aeroplanë, por na duhen edhe disa aeroporte (para)ushtarake në Skenderaj, Podujevë, Deçan, Graçanicë! Kështu, të premtave pasdite, kur të bllokohet trafiku te Fushë-Kosova, Qeveria mundet me shku në shtëpi me aeroplanë luftarakë! Me “Apacha”! Rrugës mundet me ja kallë kashtën ndonjë armiku lokal sa me i provu raketat. Pastaj, ky armiku, në të shkuarën mund të i ketë lëshu lopët në livadhin e tyre. Asgjë nuk harrohet!

Kështu, as policia nuk i ndalë dot as djemtë e oligarkëve kur dalin me aeroplanë për gjueti. Kështu shpëtojnë edhe vet pa telashe! Nejse!

Këto ditë mësuam se edhe fletëvotimet do të shtypen jashtë. Kështu po thonë mediat. Edhe këtu, aeroplanët munden me e thjeshtësu situatën, zëvendësministër! Më mirë të gjithë ne me shku me votu jashtë! Nëse sillen fletëvotimet këtu, gjatë rrugës munden prapë me humbë! Prandaj, mënyra më e lehtë po shkojmë ne jashtë e po votojmë!

Natyrisht, edhe shkuarja jashtë i ka problemet e veta! Janë së paku dy probleme, të cilat kryeministri duhet me i rregullu me Ivicën edhe me Ketin (Ashton)! Në radhë të parë, vizat! Mjafton me i dhanë njëdrejtimëshe. Pastaj, kështu zgjidhet edhe problemi i Kosovës! Eliminohet edhe Danubi si destinacion “turistik” i kosovarëve. Problemin tjetër, po e dini! Edhe me na i dhënë vizat Evropa, shteti ynë na qetë viza dalëse! Nuk na beson shteti!

Pra, më mirë me votu jashtë! Kështu në lokalitetet tona, në të ardhmen nuk do të gjendeshin më kuti të tjera “të humbura” votimi, sikur ajo në Zllakuqan! As kamionët me fletëvotime nuk do të merreshin më në shtëpi, nga shoferët e hutuar!

Siç e dini, këto ditë policia ka gjetur një kuti votimit që besohet se i takon procesit zgjedhor të mbajtur më 17 nëntor të vitit 2010. E sa nuk janë gjetur, ende nuk dihet! Dikush si duket, nëpër errësirë, derisa e ka zëvendësuar kutinë e sapombushur me kutinë e mbushur ditë më parë në shtëpi, e ka ngatërruar procedurën. Ky është përjashtim, se te ne dëshmitë zhduken! Ja kemi marrë dorën kësaj pune! I kemi dhomat e dëshmive!

Kështu, duhet të mësohemi me kutia! Me dalë jashtë kutive, thonë edhe teoritë më bashkëkohore psikologjike! Duhet të mësohemi me shumëçka! Po merremi me probleme të mëdha, globale!

Dikur ishte ndryshe! Thuhet se dy fëmijë fshati duke ruajtur delet po bisedonin mes vete për gjëra të mëdha! Athua, me çka e hanë bukën shoku Tito, po pyeste i vogli? Me sheqer, me çka tjetër, thuhet të jetë përgjigjur më i rrituri! Asokohe kjo tregohej si një anekdotë! Edhe sheqeri ishte diçka e rrallë. Prodhohej nëpër fabrikat e proletariatit ndërkombëtarë dhe ishte veç për shtresat e larta të shoqërisë, ku të gjithë ishin të barabartë!

Po mendoja për vendin tonë të bukur dhe për perspektivën e tij të ndritur. Kjo perspektivë u qel pasi i hëngra nja dy bakllava dhe një copë tortë. Sheqeri, po thonë, është drogë shumë e rrezikshme. Më e rrezikshmja. Më zuri edhe mua! Për fjalët që pasojnë mbajë përgjegjësi të kufizuar!

Tash, pas deklaratës së shkencëtarit holandez i kuptuam shumë gjëra. E gjetëm alibinë! Sidomos po i kuptojmë më mirë disa zhvillime ndër oligarkët e rinj ende të pamësuar me muskujt e tyre të mbushur me sherbet dhe plot fuqi për me ba keq. Tash është krejt e kuptueshme përse qeveritarët tanë nganjëherë, qoftë në Parlament, qoftë në deklarime publike, sillen si të droguar. Apo përse po bëjnë kaq probleme fëmijët e oligarkëve tanë lokalë. Sheqeri!

Vijnë kushërinjtë për vikend nga vendlindja, për ndonjë punësim apo tender dhe sjellin me vete ravani. Apo tespishte. Apo bakllavë. Qysh mos me krye punë! Pastaj të hënën dalin në “punë” të droguar nga sheqeri.

“Prej së ëmbli më dogji, menjëherë e largova”, shkruante dikur poeti kosovar e ne nuk e kishim kuptuar! Ëmbël vëlla, tepër ëmbël.