LAJMI I FUNDIT:

Nuk mjaftojnë syzet, duhen dylbitë

Gjatë periudhës prej kur Serbia kërkoi mendimin e GJND-së për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e deri me dhënien e këtij mendimi, Serbia ka bërë një luftë intensive diplomatike për ta mbajtur të ngrirë numrin e shteteve që do ta njihnin Kosovën. Në këtë drejtim, ajo ka pasur rezultate konkrete duke ngadalësuar procesin e njohjeve për Kosovën deri në atë masë sa të krijohen ndjenja skeptike për ardhmërinë e shtetit të Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka qenë aq pasive në afirmimin ndërkombëtar të shtetit tonë sa është fituar përshtypja se kur është fjala për raportin me botën, Kosova gjithnjë qëndron e mbajtur përdore nga “prindërit” e vet, SHBA dhe Evropa, pa u përpjekur për të ndenjur “dubë” ndonjëherë e lëre më për të ecur vertikalisht në këmbët e veta. Pas shpalljes së koordinuar me faktorin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës, diplomacia jonë është sjellë sipas një logjike çoroditëse se ne nuk kemi për çka të lodhemi, meqë SHBA-të dhe Evropa janë aq të fuqishme sa është e pamundur që ky projekt të dështojë. Sipas kësaj logjike, e cila lehtë mund të nxirret qoftë nga retorika qofte nga (mos)veprimet e zyrtarëve tanë, Serbia është shumë e pafuqishme karshi “miqve tanë”, kurse Kosova ka fuqinë e një pleshti në kandar dhe nuk ia vlen për të shpenzuar energji në këtë drejtim!

Diplomacia jonë, me gjithë vështirësitë e fillimit, qofshin ato materiale apo kadrovike, ka bërë shumë pak ose fare në drejtim të organizimit dhe mobilizimit të resurseve ekzistuese dhe te krijimit të resurseve të reja që do të siguronin parakushte më të mira për shtetin tonë në perspektivën ndërkombëtare. Vizitat jashtë vendit të ministrit për Punë të Jashtme kanë qene tepër të kufizuara, ndërkohë që puna e stafit të tij ka qenë shumë e padukshme. Disa zyrtarë të kësaj ministrie kemi arritur t’i njohim përmes replikave stereotipe me liderin e AKR-së e kurrsesi përmes aktivitetit të tyre të mirëfilltë politik e diplomatik. Procesi i emërimit të ambasadorëve, edhe pse është dukur transparent në sy të opinionit, ka qenë i përcjellë me dobësi të shumta. Paneli intervistues ka qenë inkompetent për t’i vlerësuar kandidatët për ambasadorë, ndërkohë që është parë hapur se përkatësia partiake, klanore e familjare ka dominuar mbi çdo kriter tjetër.

Si pasojë e kësaj, në një kohë kur Kosovës i janë duhur ambasadorë energjikë dhe inventivë për t’i sfiduar fillimet e vështira, shteti ynë ka dërguar në botë përfaqësues jo adekuatë dhe të padenjë për misionin e pretenduar. Ndërkohë që edhe në rastin më të mirë një deficit i kualitetit kadrovik ka qenë i pritur, Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka bërë asgjë që efektet negative të këtij deficiti të ndihen në një masë më të vogël, edhe pse është parë hapur se ka pasur resurse jashtqeveritare që kanë mundur të inkurajohen dhe të ftohen në bashkëveprim. Kjo ministri jo vetëm që ka injoruar potencialet e tilla, por ka treguar edhe shenja të mosdurimit dhe të xhelozisë patologjike ndaj atyre që duan të përzihen në “punët e brendshme” të Ministrisë së Jashtme duke harruar se puna kryesore është për t’ i siguruar Kosovës një pozitë më të denjë në arenën ndërkombëtare e kurrsesi uzurpimi, përkatësisht përjashtimi individual i marrjes së ndonjë krediti në momentet e caktuara.


Tani që dështimi i diplomacisë në planin e njohjeve, është një fakt i kryer, shtrohet pyetja: çka tutje? Deri me tani nuk kemi dëgjuar ndonjë notë kritike nga udhëheqësit institucionalë për diplomacinë e vendit. Partitive opozitare as që iu ka interesuar ky problem, përjashtuar AKR-në e cila ka kërkuar më shumë mirëkuptim për aktivitetin diplomatik të liderit të tyre. Nëse nuk është harruar një zotim i kryeministrit Thaçi se “reformatimi” i qeverisë është një proces i vazhdueshëm, atëherë duhet parë se ora për të vepruar ka kaluar dymbëdhjetëshin. Asnjëri nga dy zyrtarët më të lartë të kësaj ministrie, që natyrisht se vijnë nga partitë në koalicion, nuk e kanë arsyetuar funksionin e tyre me rezultate të matshme. Ndërkohë, numri më i madh i ambasadorëve kosovarë nuk kanë treguar ndonjë produktivitet në punën e tyre.

Nëse qeveria dhe presidenca nuk ndërmarrin hapa adekuatë, atëherë është koha që Kuvendi ta thërrasë në interpelancë ministrin e Punëve të Jashtme për të parë se cili është arsyetimi i tij për rezultate aq të dobëta të ministrisë që ai drejton. Në këtë kontekst duhet parë edhe rolin e Kuvendit , përkatësisht të Grupit për Politikë të jashtme të udhëhequr nga zoti Sabri Hamiti. Cili ka qenë roli i këtij individi në politikën e jashtme të Kosovës, përveç aktivitetit të bujshëm për ta emëruar ndonjë mik dhe familjar të vetin në ambasadat e para të Kosovës?! Cili ka qenë roli i anëtarëve të tjerë të këtij komisioni, përveç rolit teknik për t’i përligjur punët e kryera nga lart? Cili ka qenë roli i vetë Kuvendit, përkatësisht i deputetëve në lobimin për Kosovën, përveç ekskursioneve të tyre turistike përtej pragut të Kosovës? Dhe më në fund, sa e ka luajtur rolin e vet opozita në këtë drejtim?

Kur jemi te opozita, në frymën e debatit parlamentar, do të duhej të shtjellohej edhe një çështje shumë interesante që lirisht mund të quhet “çështja Pacolli”. Zoti Behxhet Pacolli, si deputet që është, do të duhej që t’i drejtohej Kuvendit me një raport për aktivitetin e tij diplomatik dhe rezultatet që ai pretendon se i ka arritur. A ka qenë puna e tij e harmonizuar me institucionet tona dhe nëse jo, pse? A e ka bërë Behxhet Pacolli Kosovën më të njohur, siç pretendon ai, apo e ka kompromituar atë, siç pretendojnë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ata të presidencës së Kosovës? A ka ndihmuar ai institucionet e Kosovës, apo i ka penguar ato? Çka po kërkon Behxhet Pacolli nga institucionet e Kosovës dhe a po kërkojnë institucionet ndonjë gjë nga Behxhet Pacolli?

Më tutje, nëse konsensusi i koalicionit është që stafi aktual t’i mbajë edhe më tutje pozitat udhëheqëse. ministri Hyseni do të duhej t’i tregonte Kuvendit, përkatësisht qytetarëve kosovarë se cila është agjenda e mëtutjeshme e kësaj ministrie . Në të vërtetë, cili është plani B, sepse nëse ndonjëherë ka pasur ndonjë plan A, që mund të ketë qenë plani i letrave të ministrit Hyseni drejtuar shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, atëherë ai plan ka dështuar plotësisht.

Kjo është një çështje që duhet të zgjidhet para se të vendoset që punët e Ministrisë sonë të Jashtme t’i delegohen një kompanie të huaj, siç njoftohet në mjetet e informimit. Le të tregohemi më seriozë në krijimin e institucioneve tona, më përgjegjës ndaj funksioneve publike dhe ndaj parave të taksapaguesve kosovarë. Kosova ka nevojë për një diplomaci funksionale. Për një diplomaci që bashkon rreth vetes tërë potencialet vendore në rend të parë, duke mos lënë anash as ndihmën e ekspertëve të jashtëm. Çështja e njohjeve të Kosovës duhet t’u takojë njerëzve të vyeshëm të Kosovës, të cilët janë gjithkund, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës. Njerëzit që janë të paaftë vetë, paragjykojnë paaftësitë e të tjerëve duke krijuar kështu një atmosferë inferioriteti e defetizmi karshi botës që na rrethon. Një depresion i tillë nuk i duhet njeriut tonë të sotshëm. Kosova ka njerëz të devotshëm që dinë të punojnë për faktorizimin e saj të mëtutjeshëm si shtet i vërtetë. Qeverisë sonë i duhen dylbi për t’i parë të tillët, meqë syzet nuk i mjaftojnë.

Në trend

Më shumë

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori