LAJMI I FUNDIT:

Nuk ekziston ultimatumi i Majlindës

Nuk ekziston ultimatumi i Majlindës

Majlinda Kelmendi nuk i ka dhënë kurrfarë ultimatumi Qeverisë së Kosovës” për të realizuar premtimet për ta shpërblyer atë dhe Federatën e Xhudos për sukseset e arritura.

Olimpistja kosovare Majlinda Kelmendi së bashku me trajnerin e saj Driton Kuka së fundmi u raportua se i dhanë një “ultimatum” shtetit të Kosovës në afat prej 10 ditësh, për t’i realizuar premtimet për shpërblimet. Nëse nuk realizoheshin kërkesat që parashihen edhe me ligj për shpërblimet e sukseseve në arenën ndërkombëtare, atëherë, siç u raportua në media, ajo do të nënshkruajë me njërin nga tre shtetet e interesuara seriozisht për shërbimet e saj.

Mirëpo nuk ka vonuar shumë dhe ka reaguar Federata e Xhudos e Kosovës, e cila përmes një kumtese ka thënë se Majlinda “nuk ka dhënë” kurrfarë ultimatumi për Qeverinë e Kosovës.

“Federata e Xhudos dhe Majlinda Kelmendi nuk kanë dhënë kurrfarë ultimatumi për Qeverinë e Kosovës”, thuhet në komunikatë. Megjithatë “ikja” nga Kosova prapë është një opsion. “Si Federatë e Xhudos jemi të njoftuar se xhudistja jonë Majlinda Kelmendi ka marrë oferta nga disa shtete për t’i prezantuar ato në garat ndërkombëtare”.


“Ofertat janë serioze dhe e kemi kuptuar gjendjen seriozisht dhe të gjithë së bashku po punojmë për mbetjen edhe më të tutje të Majlindës në Kosovë. Për asnjë moment, as ne dhe as Majlinda nuk kemi kushtëzuar dhe nuk do të kushtëzojmë Republikën e Kosovës, shtetin tonë” thuhet më tutje në komunikatë të lëshuar nga kryetari Agron Kuka.

Ndërkohë në anën tjetër edhe MKRS-së ka reaguar me një tjetër komunikatë ku shpreh qëndrimin e saj mbi këtë çështje si dhe hapat të cilët do të ndërmarrë në vazhdim.

“Ne nuk kemi informata për ndonjë ultimatum dhe përkundër komunikimit të rregullt me Federatën e Xhudos të Kosovës. E gjitha çka kemi marrë sot nga Federata e Xhudos janë rekomandimet dhe plotësimet që ata mendojnë se duhet të bëhen në aktet nënligjore për shpërblimet e sportistëve, për bursat olimpike, pensionet sportive, etj”, thuhet në komunikatën e MKRS-së.

“Sipas procedurave, ne u kemi dërguar draftet e akteve nënligjore KOK-ut dhe Federatave Sportive për komente deri më datën 1 mars. Pas kësaj date ato do të vlerësohen dhe më pas do të shkojnë në instancat e tjera, siç e parashohin rregulloret dhe ligjet në fuqi dhe të miratohen. Besoj jeni informuar, për herë të parë tashmë ne po e rregullojmë infrastrukturën ligjore sa i përket shpërblimeve për sportistët tanë. Ne besojmë se pas konsultimeve që do të kemi me të gjithë aktorët, niveli i shpërblimeve do të jetë më i madh se sa në shumicën e vendeve të rajonit, siç është paraparë edhe me draftin e rregullores përkatëse. Gjithsesi, MKRS do të vazhdojë mbështetjen për Federatën e Xhudos dhe konkretisht për Majlindën, si edhe për të gjitha federatat sportive dhe sportistët tanë kulminantë”, thuhet më tutje në këtë komunikatë. Megjithatë duhet pranuar se MKRS-së respektivisht ministri Krasniqi ka punuar që Majlinda dhe ekipi i saj të kenë kushte të mira për përgatitje dhe për gara në nivel ndërkombëtar.

Në bashkëpunimin edhe me sektorin privat dhe me mbështetjen e Ministrisë në dy vitet e fundit Majlindës dhe trajnerit të saj i janë ndarë 55 mijë euro në formë page, gjatë përgatitjeve për Lojërat Olimpike dhe për sukseset e shënuara në gara ndërkombëtare. Po ashtu, në dy vitet e fundit, pra në vitin 2011 dhe vitin 2012, Federatës së Xhudos i janë ndarë mbi 120 mijë euro nga MKRS për t’i mbuluar shpenzimet gjatë fazave përgatitore, për kampingjet dhe garat e Majlinda Kelmendit dhe xhudistëve të tjerë, raporton Zëri. /Telegrafi/