LAJMI I FUNDIT:

Një mesazh për liderët shqiptarë

I
Më 24 maj të këtij viti në një emision televiziv të TV Klan të Shqipërisë londineze u dha një kronikë mbi asfaltimin e rrugës së një fshati në afërsi të kryeqytetit Tiranës. Pas 18 vjet demokracie ky fshat kishte arritur të bëjë asfaltimin e kësaj rruge, e cila ishte rreth 5 kilometra. Por, kjo rrugë kishte një rëndësi të madhe për banorët e saj, sepse kishte ndryshuar imazhin dhe jetën e fshatarëve. Ky fshat, për çudi të përkujtonte fshatin socialist të “UTOPISË” së TOMAS MORIT dhe nga pamja televizive dukej shumë i bukur, me shtëpi të mira dhe pamje pitoreske.

Mbi 90 për qind të banorëve të saj ishin të punësuar, dikush në tregti, dikush në bujqësi e dikush gjetiu. Nuk kishte njerëz të papunë, përveç ndonjë pensionisti që kishte dalë në kafenenë e fshatit për ta ngritur ndonjë dolli. Banorët deklaronin, se të gjithë fshatarët punojnë dhe nuk kanë kohë të merren me punë të kota, me llafe të huaja. Ajo çfarë më intrigoi nga kjo kronikë ishte deklarata e një fshatari, i cili tha se për 40 vjet në këtë fshat nuk kishte pasur ndonjë ngatërresë, apo problem ndërmjet bashkëfshatarëve.

Shumica prej tyre jetonin në lumturi dhe harmoni të plotë në mes veti. Padyshim, se kjo më la mbresë të madhe dhe në mendjen time u fut një inat ndaj kësaj, dhe shtroja pyetjen vetes, pse të gjithë shqiptarët nuk janë sikur këta të këtij fshati. Kjo kronikë televizive në njërën anë më futi në dilemë dhe mendoja, vallë ndoshta për zili e ka Evropa që nuk po na integron në Bashkësinë e saj. Sepse, sipas kësaj kronike televizive del që ne shqiptarët kemi kritere dhe standarde edhe më të mira se disa vende të kësaj Evrope.


Po ashtu, mendoja se pse kjo Evropë na shikon me sy të dyshimtë e nuk na shikon si popujt tjerë si të barabartë dhe të jetojnë në një mirëqenie më të mirë ekonomike. Bile, në një moment mendova pse ky fshat nuk shërben si shembull për të gjithë shqiptarët, se si duhet punuar, jetuar në harmoni, por bile edhe të shërbej për ndonjë vend të Evropës. Në fund mendova, se si është e mundur që pas kësaj harmonie dhe lumturie të këtyre banorëve pushtetit i këtij vendi më në fund, pas shumë vitesh kishte arritur të bëjë asfaltimin e kësaj rruge, që vërtet e kishte ndryshuar fshatin shumë.

II
Të nesërmen, më 25 maj, po në një emision tjetër televiziv, por tani në TV Top Channel jepet një kronikë për një fshat të rajonin të Bulqizës, i cili që nga koha e Xhaxhit Enver kishin mbetur pa drita. Kjo kronikë përshkruante gjendjen e tmerrshme në të cilën jetonin banorët e saj për 18 vite pa energji elektrike. Kjo gjendje të përkujtonte poezinë e qiririt në “Poemën e Mjerimit” të Migjenit. Këtu, jeta ishte ndalur në shekullin e kaluar, ajo bëhet me qiri. Banorët e këtij fshati kryesisht merreshin me blegtori dhe bënin një jetë shumë të mundimshme. Deri më tani, rrëfehen banorët para kamerës televizive në këtë fshat nuk kishte shkelur këmba e pushtetit, por as edhe të ndonjëri faktori tjetër politik. Ata u ishin lënë Zotit dhe mëshirës së natyrës.

Edhe në këtë kronike, në fund më intrigoi thënia e një banore të këtij fshati, e cila tha se kush u ofron drita këtyre fshatarëve, ata do të votojnë për ta, ndërsa për punësim, shëndetësi, arsim dhe plotësim të ndonjë standardi tjetër jetësor as që bëhet fjalë. Këta fshatarë i kishte dërmuar skamja, këso pamje sigurisht se nuk ka në asnjë vend të Evropës. Tashti, në kokën time filluan të përplasen paragjykime të ndryshme për këtë vend. U shqetësova pa masë. Mendja dhe zemra nuk donin të pranonin një gjendje të tillë. Vetëm brenda një natë më humbi ai ngazëllimi dhe krenaria që pata për shembullin e parë dhe jetën e një fshati shqiptar. Mendoja se si është e mundur që në një vend kaq të vogël të ketë dy ekstreme të tilla.

Kontrasti i parë kishte të bëjë me Shqipërinë londineze bashkëkohore dhe demokratike, ashtu siç është edhe pjesa tjetër e botës, ndërsa i dyti paraqet Shqipërinë londineze të së kaluarës, skamjes, tmerrit dhe ferrit.

III
Tani, kur në këtë vend kemi fushatën zgjedhore dhe kemi premtime të mëdha të liderëve të tyre për ndryshime, dhe slogani kryesor i të gjitha subjektet politike, si të majtë, të djathtë, republikan, demokristian, socialdemokrat, etj, është “Shqipëria po ndryshon”, ”Shqipëria ndryshe”, ”Shqipëria me politikë të re”,etj. Këta liderë elektoratit shqiptar u premtojnë kulla dhe pallate, qumësht zogu dhe mjaltë, vetëm tu japin votën për pushtet, ndërsa po harrojnë të shikojnë këto kronika televizive, të ulen të mendojnë, por jo vetëm kaq, të veprojnë në mënyrë që ky ndryshim i madh shoqërorë sa do pak të zbutet në këtë vend.

Të jetohet me qiri në ditë sotshme në një vend anëtare të NATO-së dhe të dalësh në televizion të trumbetosh inkuadrimin në Bashkimin Evropian, kjo nuk është serioze dhe paraqet një demagogji të madhe politike. Këta liderë, daç të majtë daç të djathtë duhet të zbresin në tokë, të zbresin në vendbanimet e këtij populli, të shohin si jetojnë ata, a kanë ujë, rrymë, bukë, kripë e gjësende tjera për jetesë, që së pari të mund të jetojnë si njerëz, e jo të merren me dokrra politike. Evropa nuk i zgjidh problemet tona, ne që kemi jetuar në te e dimë mirë se ajo nuk na jep drita falas, as ujin, as bukën, por besa as gjë. Ajo mund të na ndihmojë me ndonjë lëmoshë, apo donacion, por ky vend njëherë e përgjithmonë duhet të mësohet të jetojë nga puna e vet, të ndryshojë në qasje të zhvillimit e saj.

Askush nuk mund ta mohojë progresin e arritur, por jo që të kemi dy ekstreme të tilla, siç pamë në kronikat televizive, që një pjesë e madhe e këtij populli të jetojë në varfëri të madhe, ndërsa pjesa tjetër e vogël të jetojë në luks. Kjo politikë në Shqipërinë londineze duhet të rishikohet, pa marrë parasysh a do të jenë të majtit, apo të djathtit në pushtet. Nuk është serioze të flitet për ndërtimin e Centralit bërthamor, kurse në një pjesë të këtij vendi banorët e saj të jetojnë me qirinj, pa drita elektrike. Ose rasti i mbytjes së një grua së bashku me vajzën e saj shtatë vjeçare në një lumë për shkak të mungesës së një ure për të kaluar. Këto janë imazhe të këqija për një vend që pretendon të bëhet pjesë e shoqërive të zhvilluara evropiane.

Hiq më mirë nuk qëndron puna as në Shqipërinë (Kosovën) Ahtisariane, sepse edhe liderët e këtij vendi ka një kohë që e kanë humbur busullën e orientimit kah baza, kah populli i saj. Më shumë po merren me interesat e tyre grupore e klanore, se sa të popullit. Më së miri tregon gjendja e tyre e mjerë si në sferën e punësimit, arsimit, shëndetësisë, por edhe në sferat tjera. Sot, nga Shqipëria Ahtisariane janë duke ikur me dhjetëra të rinj për në vendet e ndryshme të Evropës në kërkim të perspektivës së tyre, sepse ky vend është shndërruar në një vend të izoluar ndërkombëtar. Nga ky vend pa viza nuk mund të shkosh askund. Këtu, krejt bota është duke bërë biznes, por vetëm banorët e saj kanë embargo të dalin jashtë dhe të gëzojnë të drejtat sikur pjesa tjetër e botës. Këtu, po krijohet një shoqëri e paperspektivë, me një imazh negativ ku korrupsioni, krimi, nepotizmi dhe dukuritë e ndryshme negative nuk kanë të ndalur. Kjo shoqëri duhet të ndryshojë, sepse rrugë tjetër nuk ka.

Politika shqiptare si në Shqipërinë londineze dhe atë Ahtisariane duhet të hartojnë plane konkrete për zgjidhjen e problemeve të këtij populli. Këto vende duhet të zhvillohen në çdo cep të saj, sepse zhvillimi i barabartë i saj i ndihmon këtyre vendeve për një imazh të ri në mënyrë që të integrohen më shpejt me vendet e zhvilluara evropiane. Kjo gjendje nuk duhet toleruar, prandaj ju politikanët e Shqipërisë londineze dhe të Shqipërisë Ahtisariane zbritni në popull, zgjidhni hallet e tij, sepse këtë e keni për obligim, mos mendoni vetëm për pushtetin tuaj. Punoni për këtë popull, sepse këtij populli i ka ardhur shpirti te hunda, ai dinë edhe t’iu ndëshkojë. Në të kundërtën, mos u habitni mund të ndodhë që ky popull t’iu dërgojë në fundërresë të historisë.

Në trend

Më shumë

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori