LAJMI I FUNDIT:

Një luan i gjuhës shqipe

Një luan i gjuhës shqipe

Në kujtim të prof. Isa Bajçincës (1940–2015)

Nga: Emil Lafe

Në ditët e fundit të dhjetorit 2015 u nda nga jeta gjuhëtari dhe profesori i shquar i gjuhës shqipe në Universitetin e Prishtinës, Isa Bajçinca. Isha njohur nga afër me të pesëdhjetë vjet më parë në ditët e Kongresit të Drejtshkrimit (20–25 nëntor 1972). Mungesa e I. Bajçincës në veprimtaritë e zhvilluara me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit ishte e ndjeshme dhe e dhimbshme për ne që e kemi njohur nga afër dhe kemi bashkëpunuar me të. Në atë Kongres I. Bajçinca ishte njëri ndër delegatët nga Kosova, dhe mund të them, ai që u kishte hyrë më në thellësi rregullave dhe problemeve të drejtshkrimit të shqipes, zhvillimit historik të tyre dhe veçanërisht projektit të vitit 1967 e më pas “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” të botuar pas Kongresit, më 1973.


Emri i I. Bajçincës është i mirënjohur në Kosovë. Ai përfaqëson një shëmbëlltyrë të kulturës së gjuhës shqipe, të kujdesit për ta shkruar e për ta folur gjuhën shqipe sa më drejt e sa më pastër, sipas normave letrare. Shumë breza studentësh e kujtojnë me nderim të thellë profesorin që i tërhiqte e i bënte për vete aq fort me njohuritë e tij të thella gjuhësore, me aftësitë e veçanta si mësimdhënës dhe me pasionin e tij të fortë e të patundur për t’i shërbyer zhvillimit kulturor të Kosovës. Mjeti me të cilin i pajiste ai studentët e vet për këtë mision, ishte zotërimi sa më i arsyetuar i normave të gjuhës letrare në tërësi, i rregullave të drejtshkrimit në veçanti dhe krijimi i shprehive të qëndrueshme për zbatimin e tyre në praktikë. Një nga studentët e tij, publicisti dhe studiuesi Tefik Selimi (mjerisht i ndarë nga jeta më 2019), do të shkruante me dhembje: “Nga dita, kur profesori ynë, Isa Bajçinca ndërroi jetë, sikur tek ne u “krijua” një ndjenjë e veçantë e dhimbjes për mungesën e tij në jetë. Akoma nuk po i besoja kësaj vdekjeje, e cila na lë të shokuar e pa fjalë… Vërtet, profesori Isa Bajçinca, na mungon. Na mungon, dhe ai nuk kthehet më. Shkoi në përjetësi. Sot, mungesa e tij është një humbje e madhe për kulturën tonë. Profesori ynë, Isa, ishte një intelektual i madh i jetës shkencore. Ishte pedagog i rrallë i Universitetit të Prishtinës. Ai ishte edhe një zë i pasur i dijes. Ky zë iku shpejt, por vepra e tij ka mbetur “e gjallë” e nuk vdes. Ajo jeton me ne, është gjithnjë me ne.”

Bajçinca ishte jo vetëm profesor e studiues, po edhe nismëtar e organizator i disa tryezave dhe konferencave shkencore për shqipen standarde në Kosovë, si “Gjuha shqipe në shkrime publike” (2004), “Kultura e gjuhës në universitetet tona” (2007), “Dyzet vjet të shqipes standarde – arritje dhe probleme aktuale” (2012), “Kultura e gjuhës në mediet tona – arritje dhe probleme aktuale” (2013). Ai pati edhe kënaqësinë që t’i shikonte frytet e punës së tij. Shumica e atyre që punojnë përditë në fushën e botimeve në Kosovë dhe kujdesen për rregullsinë e saktësinë gjuhësore, kanë qenë studentë të I. Bajçincës; nxënësit e shkollave të përfshirë me zell e me kënaqësi në konkursin e përvitshëm “Gjuhëtari i ri” nuk do ta harrojnë kurrë profesorin e tyre aq të dashur e miqësor, po edhe aq kërkues. I. Bajçinca dinte t’i bënte për vete dhe t’u rrënjoste dashuri për gjuhën amtare dhe bindje për domosdoshmërinë e zotërimit e të zbatimit të rregullave gjuhësore.

Një herë, kur ndodhej në Tiranë për mbledhjen e Këshillit Ndërakademik, më çoi fjalë që të takoheshim. Ishte gjithë duf. “Ta dish ti, – më tha, – unë atje luftoj si luan!” U trishtova nga këto fjalë. Si është e mundur që të ketë një forum akademikësh, ku dikush duhet të luftojë si luan, dhe për se? Për të mbrojtur nga rrënimi atë gjuhë letrare të përbashkët, të ndërtuar hap pas hapi nga shumë breza lëvruesish e studiuesish, të sanksionuar nga një Kongres i posaçëm, që mori edhe një mbështetje të gjerë mbarëkombëtare! M’u përforcua bindja se kisha vepruar mirë kur e pezullova pjesëmarrjen time në atë forum, duke ia shpjeguar arsyet kryesisë së Akademisë dhe Këshillit (2012), ndonëse nuk mora përgjigje për letrat e mia.

M’u ngulit në mendje shprehja e tij “luftoj si luan”. Dihet se luani është mbreti i savanës (gabimisht quhet edhe mbret i xhunglës), simbol i forcës së papërballueshme. Po ka edhe ai një armik të rreptë: hienat. Në dokumentarë të ndryshëm për jetën në savanat e Afrikës kisha parë skena të tilla të luftës së furishme të luanit me hienat, që i sulen t’i rrëmbejnë prenë e tij. Kundër tyre luani “lufton si luan”, por jo rrallë nuk ia del, sepse ato e sulmojnë në grup, ose, po ta themi me një shprehje më moderne, fitojnë “me shumicë votash”, d.m.th. “me procedurë demokratike”. Por në shkencë vlen arsyetimi, argumentimi, jo vota! Me shumicë votash Toka është e sheshtë, Dielli rrotullohet rreth Tokës dhe gjuha shqipe a ndonjë gjuhë tjetër (që merr votat e nevojshme nga folësit e saj) mund të dalë gjuha më e vjetër e njerëzimit! Në vrullin e një dufi të brendshëm I. Bajçinca do të shkruante: “Asnjë nga gjuhët standarde nuk ndodhet në një gjendje gjithnjë pezull, sikur të jetë vënë në tryezën e “terzinjve” me gërshërët në duar, të gatshëm për t’i hequr a për t’i vënë asaj, sa herë të duan e si të duan individë a grupe, një rrobë a një arnë, sikur e mendojnë disa.” Dhe me të njëjtën ndjenjë prof. E. Hysa do të shprehej në një artikull me titullin që flet vetë: “I jemi sulur standardit sikur ky të mos jetë një variant i shqipes”.

Mbrojtja e shqipes standarde, e veprës së Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (1968), që solli njësimin e gjuhës letrare për të gjithë shqiptarët, dhe e Kongresit të Drejtshkrimit (1972), që e sanksionoi atë njësim, është bërë një temë e rëndësishme shkrimesh dhe diskutimesh në shtypin shkencor dhe të përditshëm, sidomos nga vitet ’90 e këtej, kur shqipja standarde u etiketua (për qëllime të mbrapshta ose për motive të dobëta egoiste e karrieriste) si produkt i ideologjisë së një regjimi diktatorial. Pra, ajo që qe bërë, qenkësh bërë gabim, nën trysni, me dhunë dhe u dashkësh rishikuar fund e krye! Lidhur me pikëpamje të tilla, që u shprehën edhe në Konferencën “Gjuha letrare kombëtare dhe Bota Shqiptare sot” (Tiranë, 20–21 nëntor 1992), I. Bajçinca do të thoshte: “… në rast se njësimi i shqipes letrare kishte dhe ka ndonjë lidhje me ideologjinë, ajo është ideologjia kombëtare, pra njësimi i shqipes letrare nuk mund të lidhet as me ideologjinë e Partisë së Punës dhe as me filozofinë marksiste, po njësia e shqipes letrare lidhej dhe lidhet, madje shumë ngushtë, me ideologjinë e njësisë kombëtare” (theksuar nga autori). Në një rast tjetër, kur diskutohej që çështja e gjuhës letrare të përbashkët duhej vendosur “në mënyrë demokratike”, I. Bajçinca do të shpjegonte qëndrimin e tij: “Këtu një gjë më brengos. Çfarë do të thotë demokratizim në gjuhë? Për mua është absurd demokratizimi në gjuhë. Mos do të thotë kjo që sa herë të demokratizohemi, të merremi me probleme që i kemi zgjidhur njëherë! Gjuha letrare është krijuar, gjuha letrare duhet kultivuar dhe zbatuar. Ka shoqëri demokratike të cilat nuk bëjnë këso diskutimesh për gjuhën.”

Një diskutim i ngjashëm u zhvillua edhe në Seminarin XV të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare (1995) me shkas nga kumtesa e prof. B. Becit (atëherë drejtor i emëruar i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë) me temën “Gjuha letrare shqipe dhe baza e saj dialektore.” Duke kritikuar politikën gjuhësore të pasluftës, autori shprehej se, të dyja variantet letrare të shqipes (gegërishtja e toskërishtja), po të liheshin që vijonin në rrugën e përpunimit dhe pasurimit, “duke u ushqyer secili nga gurra e vet popullore, në mënyrë të natyrshme e në kohën e duhur do të shtrohej e zgjidhej edhe problemi i mënjanimit përfundimtar të atyre dallimeve që kishin mbetur në sistemin fonetik e morfologjik të tyre.” (Se kur do të ishte ajo “koha e duhur”, kur në mënyrë të natyrshme do të shtrohej e zgjidhej, p.sh. që në kushtetutën tonë të shkruhej: Shqipëria është republikë apo Shqipnia ose Shqypnia âsht republikë … këtë autori i kësaj tymnaje profetike nuk ka qenë kurrë në gjendje ta caktojë as përafërsisht. Por deri atëherë le të thuhej e të shkruhej edhe kështu, edhe ashtu!). Disa studiues në vend që ta vlerësojnë gjuhën standarde nga ana funksionale (si dhe sa i përmbush ajo funksionet e një gjuhe standarde), nxjerrin në plan të parë biografinë e saj (reminishencë e fortë e kohës së biografive!): nëse shqipja standarde s’është gjë tjetër veçse toskërishtja letrare e ngritur në standard, duke marrë aty-këtu ca elemente të gegërishtes, atëherë është e papranueshme; nëse standardi i sotëm vërtetohet se është rezultat i një bashkëveprimi dialektor, atëherë edhe mund të pranohet! Ithtarët e qëndrimeve të tilla biografike as që e shtrojnë pyetjen se cilat janë problemet shqetësuese dhe trysnitë e jashtme me të cilat përballohet gjuha shqipe! Ndërsa I. Bajçincën edhe në ditët e fundit të jetës e brente shqetësimi për ta çliruar gjuhën shqipe në Kosovë nga ndikimi i serbishtes, ashtu siç na bren edhe neve këtu shqetësimi për ta ruajtur gjuhën tonë nga ndikimi i italishtes dhe i globalizmit të anglishtes.

Prof. Idriz Ajeti (atëherë rreth 80 vjeç), ndërhyri në diskutim duke shpjeguar qartë e me urtësi për të disatën herë se zhvillimi historik i shqipes letrare eci nëpër një rrugë normale të zhvillimit gjuhësor: “Kemi një gjuhë letrare mjaft të stabilizuar dhe që ka marrë dhenë në gjithë botën shqiptare. Kam biseduar edhe me albanologë të huaj, të cilët nuk e kuptojnë përse duhet të rishikohet gjuha letrare shqipe. E kemi një gjuhë letrare. Unë them se është shumë e mirë. Aq më tepër që edhe kosovarët, që kanë një dialekt që është mjaft larg nga gjuha letrare, me dashamirësi e kanë pranuar. Në shkollat tona të rinjtë, të vegjlit, e përvetësojnë për mrekulli, pa kurrfarë vështirësie… Thuhet se politika ka ndikuar në çështjen e gjuhës letrare. Nuk e di se ku duket ai ndikim i politikës, i trysnisë në gjuhë. Toskërishtja letrare patjetër do të merret në konsiderim. Siç dihet, çdo dialekt i një gjuhe si parim e si praktikë mund të merret dhe të vihet në bazën e gjuhës letrare. Ai duhet të ketë disa epërsi, të ketë forma të stabilizuara. Dialektet toske, siç e dimë, e kishin krijuar një koine letrare. prandaj kjo ishte epërsia e tyre. Dhe diçka tjetër, po të mos kishte ndikuar politika, si do të bëhej puna e zgjidhjes së gjuhës letrare?” (Më tej vijon shënimi: Diskutimi u ndërpre për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të profesorit). I. Ajeti u dërgua në spital me urgjencë për çrregullime të zemrës, duke dhënë një shembull se për çështje të tilla madhore duhet luftuar me vendosmëri, me gjithë zemër, për të sqaruar ata që kanë nevojë të sqarohen, dhe për të treguar se në ç’rrugë pa krye e të rrezikshme mund të na shpien disa të tjerë, që e shikojnë çështjen e gjuhës letrare si një arenë ndeshjesh politike e ideologjike. Është e ditur se nuk mund të ketë shtet pa disiplinë gjuhësore, pa një formë gjuhësore të njëjtë e të përbashkët për të gjithë. Kryeministri Ahmet Zogu në janar 1923 nënshkroi një dekret me të cilin dialekti i Elbasanit caktohej si “dialekt zyrtar i shtetit”. Ndër kritikat e panumërta që i janë bërë qeverisjes së tij, nuk më kujtohet që ai dekret të jetë cilësuar si veprim antidemokratik, antipopullor, feudoborgjez etj.

Një vit pas ndarjes nga jeta të prof. Isa Bajçincës Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi veprën e tij shkencore, që përbëhet nga: studime dhe artikuj; shkrime për ngjarje, figura dhe veprimtari gjuhësore; recensione, diskutime, biseda e mendime, qëndrime e porosi për gjuhën shqipe. Libri “Shqipja standarde dhe probleme rreth saj” (mbi 500 faqe) është një pasqyrë e problemeve me të cilat përballohet edhe sot teoria dhe praktika e shqipes standarde, sidomos në Kosovë. Me këtë botim Instituti Albanologjik u vjen në ndihmë sidomos profesorëve dhe studentëve të fakulteteve filologjike në gjithë universitetet shqiptare. Fjala hyrëse “Një jetë kushtuar shqipes” nga prof. Hysen Matoshi, dhe shkrimi i prof. Qemal Muratit “Isa Bajçinca për shqipen standarde dhe kulturën gjuhësore” – të dy të hartuar me ndjenjë nderimi të thellë për kolegun e ndjerë – japin një portret të plotë të vlerave të prof. I. Bajçincës si gjuhëtar, profesor dhe intelektual i përkushtuar për një kulturë më të lartë në shoqërinë shqiptare nëpërmjet njohjes sa më të gjerë dhe të përpiktë të visareve të gjuhës sonë dhe të rregullave të saj. H. Matoshi e përmbyll fjalën e tij duke vlerësuar se prof. I. Bajçinca “me punën e tij të gjithëmbarshme në fushën e kulturës së gjuhës, qoftë si pedagog, qoftë si mendje kritike, është kthyer në një referencë për shqipen standarde në Kosovë dhe më gjerë”. Prof. Q. Murati e përmbledh personalitetin e tij shkencor, duke theksuar: “Çështjen e shqipes standarde prof. Bajçinca e shtronte me kompetencën e duhur dhe ishte dalëzotës i saj sa herë që ngrihej re e pluhur kundër kësaj gjuhe nga ata që kërkonin krahinën në gjuhë.” Prandaj ai ngulte këmbë për ta mbrojtur shqipen standarde edhe me dispozita ligjore, duke e vështruar atë si vlerën më të lartë kulturore kombëtare dhe si pjesë përbërëse shumë të rëndësishme të disiplinës së punës shtetërore e shoqërore.

Veprimtaria e gjithanshme dhe e admirueshme e Isa Bajçincës për ngritjen e kulturës gjuhësore në Kosovë, për zotërimin dhe zbatimin sa më të mirë e të plotë të gjuhës letrare shqipe nga nxënësit, puna e dendur që bënte me gazetarët dhe lektorët në shtëpitë botuese, në gazetat, revistat dhe radiotelevizion, janë kontribute me rëndësi shoqërore e kulturore të pazëvendësueshme. Prandaj emri i prof. Isa Bajçincës ka qenë dhe mbetet i nderuar, i vlerësuar e i paharruar, sa herë të vijë fjala për gjuhën shqipe si në Kosovë, ashtu dhe gjithkund ku gjallon tingulli dhe shpirti i gjuhës shqipe.