LAJMI I FUNDIT:

Nga buxheti i rishikuar 52 milionë euro më pak

Nga buxheti i rishikuar 52 milionë euro më pak

Komisioni për buxhet dhe financa në Kuvendin e Kosovës ka bërë rishikimin e buxhetit për vitin 2015 me procedurë të përshpejtuar, gjë që kundër kësaj procedure kanë qenë disa nga anëtarët e këtij komisioni. Rishikimi i buxhetit me procedurë të përshpejtuar është bërë edhe për shkak të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), që afat të fundit për lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës parasheh datën 15 korrik.

Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave, duke raportuar për rishikim të buxhetit të vitit 2015 ka theksuar se Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë pasur një performancë të mirë, por që janë larg parashikimeve.
“Nga Doganat priten të hyra prej 946 milionë euro një rritje prej rreth 9%, por është më e ulët se sa buxheti fillestar. Kemi paraparë të 15 milionë euro nga të hyrat e njëhershme nga liberalizimi i tregut të telefonisë mobile, përkatësisht për marrje të licencave, të hyrat nga AKP-ja 7 milionë euro dhe implikimet që rrjedhin nga ligji për faljen e borxheve. Po ashtu të hyra prej 26 milionë euro nga tantiema, ndërsa pjesa tjetër e të hyrave kanë mbetur të pandryshuara”, ka theksuar Krasniqi.

Sa i përket shpenzimeve totale të buxhetit që janë 1 miliard e 644 milionë euro, prej tyre 33% janë për paga dhe mëditje, 13% mallra dhe shërbime, 26% për subvencione dhe transfere dhe 28% investime kapitale. “Për shkak të rishikimit të hyrave dhe për programin me FMN-në kursimet janë diku rreth 48.6 milionë euro. Nga këto kursime 25 milionë euro janë paga dhe mëditje, 10.6 milionë euro mallra dhe shërbime dhe 12 milionë euro subvencione dhe transfere”, ka shpjeguar Krasniqi.


Safete Hadërgjonaj, anëtare e komisionit nga radhët e PDK-së nuk është pajtuar me mënyrën e përshpejtuar të buxhetit, pasi që materialet i kanë marrë vonë dhe s’kanë mundur ta shikojnë.

“Nuk është e logjikshme, nuk është e arsyeshme që ne si komision të merremi me rishikimin e buxhetit kështu në mënyrë të përshpejtuar. Të paktën një ditë përpara është dashur të na vijë njoftimi me material se do ta kemi rishikimin e buxhetit në mënyrë të përshpejtuar. Para se me filluar mbledhjen kryetari nuk kam ditur se do ta rishikojmë buxhetin në këtë mbledhje. Kjo është diçka e keqe dhe nuk po e shoh të arsyeshme që të kemi një nxitim të tillë që ta shqyrtojmë një dokument kaq të rëndësishëm”, është shprehur Hadërgjonaj.

Kryetari i Komisionit për buxhet dhe financa, Naser Osmani, ka theksuar se për shkak të marrëveshjes me FMN-në është dashur ta fusin jashtë rendit të ditës rishikimin e buxhetit të vitit 2015. /Kosovalive/Telegrafi/