Në shpalljen e pavarësisë dhe formimin e shtetit shqiptar, shumë i madh ishte kontributi i mërgimtarëve
Intervistë ekskluzive me Ish-Presidentin e Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z.Prof. Dr. Rexhep Meidani
Intervistoi: PhD.Dashnim Hebibi
Takimi me Presidenti Meidani ishte në Itali, konkretisht në Romë/Vatikan, në lumturimin e Nënë Terezës, në Zvicër dhe në Tiranë para pak muajve. Pasi e njoftova me projektin e helveticALforum.ch dhe Institutin Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, presidenti Meidani, gjeti mundësi që t`më jipte një intervistë të gjatë në lidhje me mërgatën tonë, me ç’rast e falenderova për shumë herë dhe e falënderoj për jetë. Kjo intervistë është speciale.
Z. President, diasporë, emigracion, gurbetçarë, apo si do t`ju drejtoheshit më së miri, asaj pjese të kombit, që jeton dhe vepron larg vendit të të parëve, por që kurrë nuk është shkëputur nga ajo tokë, apo kudo që ka shkuar e jeton e do të jetojë, e ka si nënshkrim në shpirt?
E ndjej si të nevojshme për të bërë, fillimisht, disa komente mbi dy termat e të parë, ndërkohë që termi i tretë, i “pagëzuar” gurbetçar, vjen nga fjala kurbet (që nënkupton mërgimin, për bukën e gojës, në dhe të huaj). Kështu, termi diasporë i referohet një popullsie të një trashëgimie të përbashkët, të shpërndarë jashtë vendit të origjinës, në pjesë të ndryshme të botës. Ndërsa, termi migrim u referohet individëve që, për arsye profesionale, social-kulturore, mjedisore, ekonomike e politike, zhvendosen brenda vendit (migrimi i brendshëm) apo jashtë vendit (migrimi i jashtëm, emigrimi apo emigracioni), në kërkim të një jete më të përshtatshme, të një mundësie më të mirë për punësim e strehim.
Edhe shqiptarët, si shumë qytetarë të tjerë nga vende më pak të zhvilluara, kanë emigruar e po emigrojnë, për kushte më të mira jetese, drejt vendeve perëndimore. Edhe për ta, ekzistojnë të dy mundësitë: të qëndrojnë atje për një kohë të dhënë (emigrimi i përkohshëm) apo të vendosen aty përfundimisht (emigrimi i përhershëm). Në rastin e dytë, kur vendi i origjinës (atdheu) ka një ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin e identitetit të vetë emigrantëve, atëherë një emigracion i tillë, në këtë proces kohor, bëhet dhe pjesë e diasporës. Pra, pavarësisht diferencës kohore, ekziston një ndërlidhje evolucionare midis dy koncepteve, ku vetë koncepti i diasporës ka dhe një përmbajtje historike.
Sipas një përkufizimi të këtij termi, në fjalorin e Kembrixhit, diasporë është një grup njerëzish që janë larguar nga vendi i tyre origjinë dhe janë shpërndarë në vende të tjera. Pra, ajo nënkupton një popullsi e konsiderueshme, të ndeshur në vende të tjera, gjeografikisht të ndryshëm prej vendit (vendbanimit) origjinë. E thënë ndryshe, si diasporë konsiderohet ajo bashkësi njerëzish të shpërndarë nëpër botë, të cilëve mund t’u identifikohen një territor dhe atdhe i përbashkët, të njëjtat tradita e mite, një histori e njëjtë dhe, mbi të gjitha, një gjuhë origjinë; pavarësisht të jetuarit në breza (deri shekuj), pa u asimiluar) në vende të tjera, të ndryshme nga vendi origjinë. Pra, e thënë ndryshe, në rastin e një diaspore ekziston një memorie kolektive, ruhen emocione e lidhje të fuqishme me vendin origjinë (atdheun). Anëtarët e saj vazhdojnë ta konsiderojnë atë si “shtëpinë mëmë”, si një rrënjëzim identitar, pavarësisht nëse ata e kanë ruajtur ose jo shtetësinë e origjinës, kanë zhvilluar më tej ose jo lidhjet kulturore e social-ekonomike, apo ato politike. Parë me këtë sy, ndryshe është puna në rastin e individëve dhe e grupeve të emigruara për një kohë të shkurtër (me kontratë apo për studime), që e ruajnë shtetësinë e vendit origjinë. Bashkësi të kësaj natyre, edhe pse mund të kenë disa vite shkëputjeje nga vendi amë, nuk janë pjesë e diasporës, pra nuk mund të konsiderohen si anëtarë të saj. Nën këtë optikë, edhe popullsia çame autoktone në Greqi nuk mund të konsiderohet diasporë. E njëjta gjë mund të thuhet, sot, përkundrejt Shqipërisë e Kosovës, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, apo të zonave të tjera të ish Jugosllavisë (si popullsia shqiptare autoktone në Luginën e Preshevës apo ajo që jeton në jugperëndim të Serbisë, etj.)
Ju lutem të na thoni se si e përkufizoni diasporën mbarëshqiptare në botë, në kuptim të rëndësisë dhe peshës që ajo ka bartur historikisht për ngritjen dhe fuqizimin e shtetit shqiptar?
Për t’iu përgjigjur pyetjes mbi rëndësinë dhe peshën e diasporës panshqiptare, në ngritjen dhe fuqizimin e shtetit shqiptar, duhen bërë dhe disa saktësime të tjera, aq më tepër që, aktualisht, në Ballkan ekzistojnë dy shtete shqiptare, që shfrytëzojnë si gjuhë zyrtare të njëjtën gjuhë standarde. Gjithashtu, popullsinë autoktone shqiptare (me origjinë të largët tek fiset ilire) e ndeshim, historikisht, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Serbi, Kroaci, Greqi, Itali, Turqi, etj. Por, shqiptarët përbëjnë dhe një diasporë të konsiderueshme të shpërndarë në vende të ndryshme të Evropës, në Amerikën e Veriut (ShBA e Kanada), Australi, etj. Fakti i origjinës së tyre nga troje të ndryshme shqiptare (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri, etj.) ka krijuar, në ndonjë rast, edhe konfuzion, jo pak vështirësi e pengesa në veçimin e numërimin, organizimin e unifikimin e vetë asaj diaspore, pra dhe të rolit e peshës së saj.
Historikisht, në krijimin e diasporës shqiptare ka ndikuar emigrimi i shqiptarëve në mesjetë, për arsye sociale, ekonomike e politike. E tillë ka qenë, p.sh., popullsia shqiptare, e quajtur arvanitase, e vendosur, midis shekujve 13-të dhe 16-të, në Greqi. Ajo, tashmë, në një pjesë të konsiderueshme, është e asimiluar. Një bashkësi tjetër shqiptare – ajo e arbëreshëve – u vendos, midis shekujve 11-të dhe 16-të, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut, në Sicili dhe Italinë Jugore. Në shtrirje të shekujve (gjatë perandorisë osmane dhe më vonë), në Turqi u instalua një komunitet i madh shqiptarësh, të quajtur arnautë. Ai, me prurjet e mëvonshme, llogaritet afro 5 milion, pavarësisht që një pjesë e rëndësishme e tij është asimiluar. Bashkësi më të vogla u vendosën në Kroacinë Jugore, Egjipt (sidomos gjatë sundimit të Muhamed Alisë), etj. Furnizuesit në vazhdimësi të kësaj diaspore të vjetër (pjesërisht dhe të absorbuar) kanë qenë dhe emigrimet shqiptare në shekujt e 19- të dhe të 20-të, gjatë luftërave e pushtimeve, kryengritjeve e përmbysjeve të sistemeve politike . Për fat të keq, në trojet tona, emigrimi ka mbetur i dukshëm dhe në dy dekadat e para të shekullit të 21-të. Ndryshe nga mesjeta, kontributi i diasporës ka qenë mbizotërues në ngjarje të rëndësishme, në jetën politike e kulturore të shqiptarëve, në dhjetëvjeçarët e parë të shekullin e 19-të. Ngjarje dhe procese të tilla shënuan fillimin e epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila mori hov në vitet 30 – 40 të shekullit të 19-të dhe u kurorëzua, më 1912, me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Në vetvete, ajo ishte një lëvizje e gjerë popullore me përmbajtje nacionaliste.
Në funksion të tipareve të veta ideologjike e organizative, ekonomike e shoqërore, politike e kulturore, ajo inkurajoi e synoi çlirimin e atdheut nga sundimi i huaj, frymëzimin e ndjenjës së përbashkësisë dhe konsolidimin e shqiptarëve si komb, ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, zhvillimin e arsimit dhe të kulturës kombëtare dhe, mbi të gjitha, bashkimin e trojeve shqiptare, integrimin e tyre në një shtet të vetëm kombëtar. Në mbështetje të këtij procesi ishin gjuha dhe kultura materiale e shpirtërore e shqiptarëve, të formuara në shekuj. Ato ishin një faktor i rëndësishëm unifikimi për shqiptarët, të shpërndarë në një territor kompakt (më parë dhe më të gjerë), që pothuajse përputhej me territorin e banuar dikur nga paraardhësit e tyre, ilirët e Jugut.
Me të vërtetë, në periudhën e Rilindjes përparimet ishin të mëdha në kulturën e shqiptarëve, sidomos në lëvrimin e gjuhës shqipe – nyje kjo qendrore përbashkuese e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht dallimeve fetare e krahinore. Për më tepër, u zhvilluan më tej prirjet konvergjente gjuhësore për afrimin e të folmeve krahinore dhe shkrirjen e tyre në gjuhën letrare, për hapjen, shtrirjen dhe rritjen cilësore të shkollës shqipe. Kjo krijoi jo vetëm kushtet për zhvillimin e kulturës së re kombëtare, por dhe fuqizoi ndjenjën e bashkësisë së interesave të integruara të të gjithë shqiptarëve përkundrejt të tjerëve. Në mënyrë të veçantë, idetë dhe kërkesat më të sistemuara të kësaj lëvizjeje kombëtare u formuluan, fillimisht, nga Lidhja e Prizrenit (1878) dhe, më vonë, edhe nga organizata të tjera panshqiptare; në radhë të parë, me kontributin e diasporës shqiptare.
Por, kjo lëvizje kombëtare u zhvillua me penë dhe me pushkë. Në radhët e saj milituan dijetarë, shkrimtarë e mendimtarë të shquar shqiptarë, që jetonin e punonin në vende të ndryshme të botës. Midis tyre mund të përmenden: Jeronim de Rada, Naum Veqilharxhi, Zef Jubani, Kostandin Kristoforidhi, Naim Frashëri, Jani Vreto, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Thimi Mitka, Anton Zako Cajupi, Hoxha Tahsini, Ndue Mjeda, Luigj Gurakuqi, Faik Konica dhe shumë e shumë të tjerë. Ata botuan traktate politike, vepra letrare e gjuhësore, tekste shkollore për edukimin dhe ngritjen e ndërgjegjes politike kombëtare të popullit, arsimimin dhe formimin kulturor të tij. Po ashtu, Rilindja Kombëtare nxori edhe mjaft udhëheqës të shquar politikë e ushtarakë si: Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Ismail Qemali, Isa Boletini, Çerciz Topulli, Mihal Grameno, dhe shumë e shumë të tjerë.
Në përmbyllje të këtyre komentuese saktësuese, pa frikë mund të thuhet se shumë nga ngjarjet më madhore në historinë e popullit dhe kombit shqiptar ose kanë pasur protagonistë kryesorë përfaqësues të shquar të diasporës shqiptare nëpër botë ose kanë pasur zanafillën në gjirin e komuniteteve të ndryshme të saj. Mjafton të kujtojmë që heroi ynë kombëtar, Skënderbeu, nga oborret e sulltanit, erdhi në Krujë dhe bashkoi shqiptarët në luftën e tyre 25 vjeçare kundër perandorisë osmane. Po kështu, siç u tha më sipër, rilindësit u bënë djepi i kulturës dhe identitetit tonë. Ndërsa, në shpalljen e pavarësisë dhe formimin e shtetit shqiptar, më 1912, shumë i madh ishte kontributi i mjaft mërgimtarëve, midis të cilëve mund të veçohet ai i Ismail Qemalit. Pranohet, po ashtu, se shpëtimi nga pushtimi e copëtimi i mëtejshëm i Shqipërisë, në fund të Luftës së Parë Botërore, u bë i mundur nga këmbëngulja e Presidentit amerikan Uillson, që ishte ndikuar mbi drejtësinë e çështjes shqiptare nga Fan Noli dhe zëra të tjerë të rëndësishëm midis shqiptarëve të Amerikës.
Kontributi i diasporës shqiptare për shtetbërjen e Kosovës?
Në të vërtetë, çdo përpjekje për të minimizuar kontributin e diasporës për çështjen kombëtare, sidomos gjatë dekadave të fundit, është jo vetëm e pakuptimtë dhe e pafrytshme, por dhe mjaft e dëmshme për historinë kombëtare. Kjo vlen edhe për rolin e diasporës në shtet-bërjen e Kosovës apo ndikimin dhe kontributin e saj në fuqizimin e rolit shtet- formues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Praktikisht, dy përpjekje monumentale për fitimin e të drejtave të shqiptarëve ne Kosovë e Maqedoni dhe, më tej, lufta e armatosur e popullit shqiptar në këto troje, në fund të shekullit të 20-të, u konceptua, u iniciua dhe u mbështet në mënyrë masive nga shqiptarët, që banonin jashtë këtyre trojeve. Por, po aq e domosdoshme dhe e rëndësishme ka qenë dhe ndihmesa materiale e diasporës shqiptare në mbijetesën kombëtare, sidomos në Kosovë, për shkollimin e fëmijëve dhe të rinisë (fondi “Vendlindja thërret”) apo për mbështetjen e luftës çlirimtare.
P.sh., nuk mund të harrohet përpjekja e komunitetit gjysmë milionësh shqiptaro-amerikan, dhe kontributi i tij në rrafshin material e financiar apo dhe atë të drejtpërdrejtë fizik (si luftëtarë në njësitë e UÇK-së).
Madje, në një optikë më të gjerë, pa përpjekjet e këtij komuniteti për të rritur ndjeshmërinë në të gjitha nivelet kryesore të administratës amerikane, midis deputetëve e senatorëve, deri te Sekretarja e Shtetit Ollbrajt dhe Presidenti Klinton, çështja shqiptare në Ballkan do të mbetej ende shumë larg zgjidhjes që kemi sot. Lidhur me mbështetjen monetare, nuk mund të lihen mënjanë edhe shpenzimet për fushatat elektorale të përfaqësuesve amerikanë, që mbrojnë interesat shqiptare; ato në ceremonitë e shtruara për personalitete të ndryshme në funksion të çështjes shqiptare, përfshirë dhe figurat politike shqiptare (pavarësisht krahut politik); paratë e shpenzuara për programe televizive me peshë apo artikuj të shtypit të përditshëm, për faqe të dedikuara të internetit, për gazeta e botime të ndryshme, për programe në radio e kanale televizive, etj. Vlen të theksohet, po ashtu, se kontributi i diasporës mbetet i domosdoshëm jo vetëm në kohë lufte, por dhe në kohë paqe, në funksion të investimeve e zhvillimit ekonomik, emancipimit social e kulturor, progresit demokratik e politik, forcimit të dinjitetit individual e kombëtar, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, etj.
Çfarë veprimesh konkrete keni ndërmarrë gjatë mandatit tuaj në raport me shtetet me përqendrim më të madh të shqiptarëve për t’ia lehtësuar diasporës shqiptare rregullimin e statusit të tyre, tejkalimin e barrierave për t’u integruar atje, si dhe zhvillimit të aktiviteteve kulturore e ekonomike në vendet ku ata jetojnë e veprojnë?
Ky është një detyrim kushtetues, por një gjë e tillë nuk është dhe aq e lehtë. Ajo kërkon mendim e veprim diplomatik dhe angazhim mjaft të kujdesshëm, që mos lexohet e vlerësohet si ndërhyrje në punën e brendshme të shtetit pritës. Sidoqoftë, diçka është bërë, por që mund të bëhet edhe më mirë me fuqizimin e mëtejshëm të shtetit mëmë, sidomos në kuadër të kornizës së të drejtave të njeriut. Këtij qëllimi, në Shqipëri, i ka shërbyer, më parë, Sektori i Diasporës në Ministrinë e Jashtme apo, aktualisht, Ministria e Diasporës. Po ashtu, janë bërë përpjekje për furnizim e shpërndarje librash shkollorë, janë organizuar kurse gjuhe e veprimtari kulturore, takime biznesi, biseda, konferenca e manifestime përkujtimore, etj. U synua dhe për krijimin e mundësive të shqiptarëve jashtë vendit për të votuar, por situata politike e asaj kohe, sidomos mungesa e besimit midis pozitës e opozitës, e bëri këtë votim të pamundur deri më sot. Por, në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit (2021), në Shqipëri, shpresohet që të realizohet me sukses një votim i tillë.
Gjatë mandatit, kam pasur bashkëpunim të dobishëm dhe me organizata të ndryshme të diasporës, në Greqi, Itali e Gjermani, apo Amerikë. Në rastin e fundit, mjaft i dobishëm ka qenë Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (National Albanian American Council), një organizatë kjo jo-politike në shërbim të çështjes shqiptare. Aty kontribuojnë personalitete të shquara dhe profesionistë të shkëlqyer të fushave të ndryshme: akademikë, juristë, artistë, ekonomistë, biznesmenë, politikanë, etj., nga të gjithë trojet shqiptare Ata u përkasin dhe besimeve apo pikëpamjeve të ndryshme politike. Emëruesi i tyre i përbashkët është mbrojtja e interesave të shqiptarëve kudo që ndodhen. Pra, misioni i këtij këshilli është “mbështetja e shqiptarëve dhe promovimi i paqes dhe zhvillimit ekonomik në Ballkan, përmes inkurajimit të politikave demokratike, promovimit të respektit për të drejtat e njeriut dhe zhvillimit të programeve për arsimin dhe zhvillimin.”
A mendoni që shqiptarët e shpërndarë nëpër botë do të gëzonin status më dinjitoz nëse ata do t’i përfaqësonte një shtet i vetëm shqiptar, e jo dy apo më shumë shtete në Ballkan? Sipas jush, cila do të ishte strategjia më e qëlluar për ta mbajtur diasporën shqiptare të unifikuar?
Pa dyshim. Një shtet i vetëm shqiptar do të rezultonte shumë më i fuqishëm në shumë plane, madje duke garantuar një mbështetje të ndërsjellë më të mirë midis shqiptarëve të diasporës dhe atyre në trevat shqiptare. Në shikimin tim, një gjë e tillë, në përmbajtjen e vet, do të arrihet nëpërmjet realizimit të ëndrrës së integrimit në BE, vetë proceseve bashkuese në kuadër të saj. Pavarësisht, integrimit fizik apo politik, një bashkim i tillë do të mishëronte një zë më të fortë në nivel lokal e global, por dhe do të luante një rol dukshëm më të unifikuar në organizimin e diasporës, konsolidimin dhe ruajtjen e mjaft tipareve kombëtare të saj. Por, nga ana tjetër, një status dinjitoz, siç pohoni ju, nuk lidhet patjetër me përmasën konkrete të shtetit mëmë (si popullsi, territor, ekonomi, etj.), sepse dhe shtete me përmasa disa dhjetëra apo qindra herë më të mëdha se Shqipëria apo Kosova mund të përballen, sot, me një trajtim shumë më pak të respektueshëm, ndërkohë që shtete me përmasa shumë më të vogla gëzojnë një status të privilegjuar.
Ama, copëzimet e ndarjet gjithmonë krijojnë dobësi e pengesa. P.sh., “ndarjet” që ekzistojnë në diasporën shqiptare në Amerikë, të përbërë nga rreth gjysmë milioni banorë, në mjaft raste janë të tepruara. Edhe pse kanë synime bazike të njëjta, midis tyre ekzistojnë paragjykime, opinione apo grupe interesash, që pasqyrohen dhe në vetë organizimin e vetë diasporës, në fuqinë apo dobësitë e saj. Në jo pak raste, i dukshëm është dhe dallimi midis diasporës së vjetër dhe asaj të re. Por, ajo që nuk duhet të harrohet është se, në shumicën e rasteve, ndarjet e kundërshtitë në gjirin e diasporës, janë dhe një pasqyrim i konflikteve dhe përplasjeve midis faktorëve politikë shqiptarë në Ballkan. Në se politika shqiptare, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi, do të ishte shumë më bashkëpunuese për çështje kryesore të zhvillimit ekonomiko-politik e social-kulturor, bazuar në tolerance, dialog e oponencë të ndershme, edhe e gjithë veprimtaria e diasporës shqiptare në botë, veçanërisht në Amerikë, do të kishte qenë shumë më efektive në mbrojtjen e interesave shqiptare, përfshirë dhe ruajtjen e veçorive kryesore të identitetit kombëtar, historisë e kulturës, gjuhës e traditave, dokeve e miteve.
Çfarë linjëveprimi politik keni ndjekur ju për përthithjen e fondeve potenciale të diasporës shqiptare për investim ekonomik në shtetin amë (duke përjashtuar remitancat)?
Nuk më duhet e drejtë që të përjashtohen remitancat! Në shumicën e rasteve ato kanë ndihmuar për një standard më të pranueshëm jetese në vendin origjinë, ndërkohë që jo të pakta kanë qenë dhe kursimet e dërguara për investime, përgjithësisht modeste, sidomos në shërbime e tregti. Po ashtu, janë ftuar përfaqësues me peshë financiare të diasporës për të marrë pjesë në projekte konkrete apo investime të ndryshme. Në mënyrë normale, disa janë përgjigjur pozitivisht, disa të tjerë e kanë gjykuar të panevojshme përfshirjen e tyre. Pjesa dërrmuese e atyre që kanë investuar kanë arritur rezultate të dukshme në rrafshin ekonomik e financiar. Megjithatë, me ndonjë përjashtim të rrallë, biznesi ka një logjikë tjetër, madje larg të bërit politikë apo jo patjetër në përputhje me orientimin shpirtëror kombëtar!…
Si do ta zgjidhnit dhe lehtësonit ju çështjen e të drejtës së votës së bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë kufinjve të shtetit të tyre amë?
Siç e përmenda pak më sipër, edhe në Shqipëri, është ndërtuar e miratuar, më në fund, baza ligjore për një votim të tillë në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021. Aktualisht, struktura shtetërore e zgjedhjeve po përpunon detajet e nevojshme për një votim të tillë. Le të shpresojmë për një rezultat të pakontestueshëm, dhe të krijohet një përvojë pozitive, që mund të zhvillohet e saktësohet më tej në zgjedhjeve pasuese.
Ku do të jetë gjenerata e re e mërgatës, nëse nuk do të përkrahet nga dy shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova?
Normalisht, në botën gjithnjë e më të globalizuar, ndërlidhja pritet të jetë shumë më e dukshme, sidomos në rrafshin elektronik apo virtual, me vendin mëmë. Një problem me peshë mbetet ai për shmangien, sa të jetë e mundur, e homogjenizimit njerëzor. Në fakt, në këtë botë të globalizuar, gjuha e kultura, të emetuara apo të transmetuara nga vende tepër të fuqishme nga ana ekonomike dhe me një cilësi të lartë të potencialit njerëzor e kulturor, mund të bëhen dominuese, deri asgjësuese për gjuhën dhe kulturën e një vendi të vogël dhe ekonomikisht të dobët. Kjo vlen dhe për shqiptarët apo për popullsitë e tjera në Ballkan, që duhet të bashkëveprojnë midis tyre, për ta vonuar apo për ta minimizuar një proces të tillë homogjenizimi.
Gjuha shqipe dhe ruajtja e saj. Cili do të ishte çelësi kryesor, që do të hapte dyert e ruajtjes së gjuhës sonë, gjeneratë pas gjenerate?
Në thelb, gjuha është një element bazik në formësimin e një grupi, pra dhe të kombit, identitetit të tij. Historikisht, diferencimet gjuhësore kanë çuar në mënyrë natyrore në gjuhë të veçuara, në përputhje me ndarjet gjeografike, migrimin, izolimin, etj. Veçse, sot, në kushtet e hapjes dhe të një kontakti masiv në rritje, siç janë ato që përjeton aktualisht vetë kombi shqiptar, një diferencim i ri, i pretenduar të paktën në nivel “dygjuhësor”, është teorikisht dhe praktikisht i pamundur, bile dhe mjaft i gabuar, deri i dëmshëm. Kjo edhe pse zhvillimi i gjuhës e diferencimi i saj lidhet edhe me pengesat e thyerjet e theksuara të komunikimit në një plan hapësinor e kohor sepse, në fund të fundit, gjuha është një produkt grupi. Ajo shpreh, krahas njësimit shpirtëror, dhe integrimin e artikulimit me organizimin perceptues e motorik, të pasqyruar në parametrat specifikë fonetikë, leksikorë e sintaksorë; dhe, për më tepër, pasurimin e vazhdueshëm të saj nga “terreni” popullor, seleksionimin e prurjeve të reja prej botës për rreth, nëpërmjet një konsultimi serioz shkencor. Nga ana tjetër, në një shtet modern bëhen përpjekje për integrim të të gjitha grupeve etnike, pra dhe të diasporës, që nënkupton se, duke jetuar në të njëjtin shtet, ato duhet të ndajnë midis tyre një varg vetish, qëndrimesh, vlerash të përbashkëta, sidomos kur problemi shtrohet në mënyrë politike. Por, pothuajse i tillë ai duhet të mbetet edhe në rrafshin social e kulturor. Nga ana tjetër, krahas interesimit të brendshëm të vetë diasporës, mund e duhet të funksionojnë në mënyrë qendrore edhe mekanizma institucionalë, jo vetëm për ruajtjen e identitetit të çdo grupi e nëngrupi, por dhe të vetë identitetit të çdo individi brenda hapësirës shtetërore.
Me të drejtë mund të shtrohet pyetja: A nuk duhet të merren në konsideratë edhe ndërthurje të tilla për një komunikim dhe unifikim gjithnjë e më të madh midis shqiptarëve? A nuk duhet të intensifikohet, më tej, përdorimi, përvetësimi e depërtimi masiv i shqipes standarde, vetë konvergjenca gjuhësore?
Bazuar në një shqyrtim të detajuar të së kaluarës sonë historike, situatës aktuale dhe perspektivës së saj, përgjigja nuk mund të jetë veçse “detyruese” pozitive…
Parë me këtë sy, për të gjitha këto bashkësi shqiptare, të vjetra apo të reja, duhet të ruhet me përparësi një nga tiparet dalluese, që ka qenë dhe mbetet gjuha shqipe. Ajo flitet sot në Shqipëri e Kosovë, në viset shqiptare të Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë jugore, në viset e Çamërisë në Greqi. Shqipja flitet, në variante më të vjetra, edhe në ngulimet shqiptare në Itali, Greqi, Bullgari, Ukrainë, apo nga shqiptarë të mërguar në viset e ndryshme të botës para Luftës se Dytë Botërore dhe në këto dhjetëvjeçarët e fundit. Ajo është gjuha amtare e afro 3 milion njerëzve, që jetojnë sot në Shqipëri (nga mbi 4 milion shqiptarë të regjistruar akoma aty), e afro 2 milion shqiptarëve në Kosovë, për mbi gjysmë milion në Maqedoni, disa qindra mijëra shqiptarë në Itali përfshirë dhe arbëreshët (folës të arbërishtes), disa qindra mijëra shqiptarë e arvanitas (shqiptarë më të hershëm) në Greqi, disa qindra mijë shqiptarë në Zvicër, afro 5 milion arnautë (shumica të asimiluar) në Turqi, plus disa dhjetëra mijëra shqiptarë të ardhur aty pas Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu, ajo është ende dhe gjuha për dhjetëra mijëra qytetarë në Gjermani, Francë e Mbretërinë e Bashkuar, etj.; për dhjetëra mijëra shqiptarë të tjerë në Serbi, për dhjetëra mijëra të tjerë në Mal të Zi, në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Slloveni, Rumani deri Ukrainë, apo për disa dhjetëra mijëra e qindra mijëra në Kanada e ShBA, etj.
Në një shtrirje të tillë ruajtja e gjuhës mbetet jo e lehtë. Madje, ajo shfaq probleme serioze, sidomos duke pasur parasysh dhe procesin e homogjenizimit njerëzor, të prekur pak më sipër. Prandaj, përdorimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i gjuhës standarde, pavarësisht disa reagimeve e pakënaqësive, është një fitore e madhe, që duhet të shoqërohet më gjerësisht me pasurimin e saj me elementë gjuhësorë e fjalë nga gegërishtja apo e folmja veriore. Por, jo të pretendohet në krijimin e një gjuhe të re, gjoja të një gjuhe kosovare, si gjuhë zyrtare për Kosovën! Për më tepër, një gjë e tillë do të ishte një pengesë e madhe për fuqizimin e fondit kulturor e letrar shqiptar, pse jo dhe një çarje kombëtare, përkundrejt vështirësive të komunikimit.
Së fundi, përveç ruajtjes së gjuhës shqipe, për anëtarët e diasporës mjaft e rëndësishme, madje e domosdoshme, është, pa dyshim, dhe njohja e gjuhës së vendit pritës. Kështu, p.sh., në thelbin e vet, të folurit me cilësi i anglishtes brenda komunitetit shqiptar, në Amerikë, është i domosdoshëm, madje, në mjaft raste, shumë më i dobishëm, për mbrojtjen e interesave kombëtare, se të folurit shqip. Ndërkohë që është tepër i lavdërueshëm dhe me pasoja pozitive afatgjata funksionimi në diasporë i shkollave apo kurseve për gjuhën shqipe, organizimi i festivaleve me këngë e valle shqiptare (p.sh., në Amerikë), mbështetja e botimeve serioze në gjuhën shqipe, financimi i gazetave, radiove e kanaleve televizive, që komentojnë dhe flasin kryesisht për ngjarje e zhvillime nga trojet shqiptare.
Çka do t’u sugjeronit drejtuesve të shtetit, ata që janë sot dhe që do të vijnë në të ardhmen, për mërgatën tonë?
Në fakt, në Shqipëri, bëhet gjithçka për të arsimuar minoritetet në gjuhët e tyre amtare, ndërkohë që, krahas këtij aspekti pozitiv, duhet bërë më shumë për të mbajtur të gjallë kulturën e gjuhën shqiptare nëpër botë. Në këtë prizëm, duhet të përmirësohet patjetër gjendja aktuale dhe, në radhë të parë, duhet të shtohen fondet për sponsorizimin e shkollave shqipe apo të kurseve të gjuhës shqipe në shtetet ku ka komunitete të mëdha shqiptarësh. Po kështu, kërkohet një konceptim më i drejtë për botimin e metodave dygjuhëshe për diasporën (shqip-anglisht, shqip-anglisht, shqip-greqisht, etj); dhurimi apo shpërndarja e institucionalizuar e filmave, programeve dhe librave shqip apo atyre të përkthyera në shqip (p.sh. atyre për fëmijë), etj.
Së fundi, kërkohet një bashkëpunim më i frytshëm midis diasporës dhe faktorëve politikë shqiptarë. Për t’u arritur kjo, është e nevojshme që të fuqizohet vetë roli që duhet të luajë diaspora apo “lobet” e saj në politikat e një shteti. Veçse, sot ndryshe nga dje, roli i lobeve shqiptare në diasporë, pavarësisht organizimeve të ndryshme, nuk duhet të konceptohet as si zgjatim i qeverisë, dhe as si zgjatim i opozitës. Në të vërtetë, shqiptarët në Ballkan kanë ende çështje të mëdha e të pazgjidhura, prandaj dhe përpjekjet vullnetare e dashamirëse të vëllezërve të tyre në diasporë nuk mund dhe nuk duhet të kanalizohen nëpër kulisa partiake.
Parë me këtë sy, ajo që duhet përmirësuar në vazhdimësi është institucionalizimi i marrëdhënieve me diasporën për të arritur një bashkërendim gjithnjë e më të dobishëm të veprimeve dyanëshe për realizimin e platformave gjithëkombëtare të zhvillimeve ekonomike, kulturore e politike. Për këtë qëllim duhen ndërtuar mekanizma efektivë në nivel institucional apo të shoqërisë civile me mision bazë përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Ballkan. Në gjykimin tim, edhe digjitalizimi e ka lehtësuar dhe do ta lehtësojë më tej një gjë të tillë.
Diaspora, emigracioni, mërgimi apo gurbeti, farë e humbur apo e harruar në të ardhmen nga shtetet tona amë?
Siç e thashë më sipër, anëtarët e diasporës janë një grup vullnetarësh të cilët nuk kanë interesa çasti pushteti. Për këtë arsye, faktorët politikë të popullit shqiptar në rajon, në një perspektivë afatshkurtër, duhet të orientojnë më drejt marrëdhëniet me diasporën, madje përveç kontributit ekonomik duhet të zhvillojnë një partneritet më të sinqertë në shërbim të interesave të popullit. Në këtë prizëm, vlen të diskutohet dhe, më tej, edhe të hartohet një bazë ligjore, që mundëson jo thjesht votimin e diasporës por dhe të përfaqësimit të saj në kuvendin e Shqipërisë apo të Kosovës.
Ku është shkëndija me e fortë e rrezeve të diellit, që do të duheshin të vijnë nga Shqipëria apo Kosova për gjeneratat e reja, që lindin, do të lindin larg vendit të të parëve?
Në gjykimin tim, në gjeneratat e reja, jo vetëm duhen transmetuar shumë zakone dhe elementë kulturorë amtarë, por duhet menduar e vepruar më me kujdes për ruajtjen dhe zhvillimin, krahas gjuhës shqipe dhe të kulturës amtare. Kjo, besoj shumë, në sajë të komunikimit digjital apo ndërlidhjes online, do të jetë shumë më e thjeshtë, po aq dhe më e suksesshme, në vitet e ardhshme, duke shfrytëzuar si median tradicionale ashtu dhe atë sociale.
Mërgata, ambasadori më i mirë i shtetit atje ku jeton?
Është e vërtetë se mërgata ka qenë dhe mbetet një urë lidhjeje e miqësie midis popujve, si një ambasadë e shtetit mëmë në shtetin mikpritës. Me këtë sy, sa më e ngritur është, nga pikëpamja kulturore, diaspora shqiptare në një vend, sa më miqësore e qytetare, sa më korrekte dhe e ndershme është sjellja e anëtarëve të saj, aq më i madh është dhe ndikimi i saj pozitiv në marrëdhëniet midis dy vendeve, aq më të integruara janë grupimet e saj me grupimet mikpritëse, që, normalisht, nga ndërveprimet përkatëse përftojnë në mënyrë të ndërsjellë dhe huazojnë mjaft element nga njëri-tjetri. Ndërkohë që një inkriminim, qoftë dhe i pjesshëm i saj, bën të kundërtën!… /www.helveticalforum.ch/
(Intervista është pjesë e librit “Vështrim Presidencial Mbi Diasporën Shqiptare” me autor PhD.Dashnim Hebibi)
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëBrohoritje 'Zdravo', 'Albin hajni' dhe mjete piroteknike gjatë tubimit të Kurtit në Skenderaj
Çfarë fsheh aksidenti në Çubrel ku vdiqën tre persona? Ekspertët kërkojnë hetime të thella dhe përgjegjësi
“Largohu, mos më hajde më”, Gjesti i ashpër me Eglin - banorja qan me dënesë
Vullnet Krasniqi flet për herë të parë pas daljes nga Big Brother: Më janë frikësuar dhe janë ruajtur nga unë
Trump i përgjigjet ofertës së Salmanit prej 600 miliardë dollarësh: Duhet t'i rrumbullakojë investimet në një trilion
I mituri rrëfen ngacmimin seksual nga 45-vjeçari: Më ka thënë hajde me mua, do të jap para, do të çoj këtu...
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Aksidenti me tre viktima në Çubrel të Skenderajt: Edhe pesë të lënduar, katër prej tyre zyrtarë policorë
Driloni: Banorët nuk më uruan fitoren, e di që më kanë inati
Kurti reagon pas aksidentit me tre të vdekur në rrugën Mitrovicë-Pejë
Publicisti serb: Beogradi duhet të përballet me realitetin për Kosovën, iluzion të pritet një ndryshim i politikës amerikane
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime
E quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”, OVL-UÇK në Pejë i reagon Gërvallës