LAJMI I FUNDIT:

Në fund të fundit

Publikimi i listës së shteteve të Ballkanit Perëndimor sipas radhitjes për anëtarësim në Bashkimin Evropian ku Kosova e zë vendin e fundit nuk është ndonjë lajm i ri i cili mund të na befasojë, pasi që jemi të fundit ne e kemi ditur. Ajo që të befason më shumë është qëndrimi dhe rehatia e institucioneve tona karshi këtij procesi që si duket nuk shihet askund në agjendën e Kryeministrit. Sa për informacionin e publikut, ajo që e bënë Kosovën të rreshtohet e fundit janë shumë arsye, por është me rëndësi që ato të ceken: Së pari, Kosova nuk ka të nënshkruar asnjë marrëveshje bilaterale me Bashkimin Evropian me këtë dua të them se nuk ka Marrëveshje të Stabilizim Asociimit sikurse kanë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk ka Marrëveshje Tregtare apo Marrëveshje të Përkohshme për Tregti dhe Çështje tjera të lidhura me tregti, siç e kanë vendet fqinje. Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Ballkan që është në listën e zezë të Schengen-it që do të thotë se nuk ka fituar liberalizimin e vizave me BE, për më tepër për Kosovën akoma nuk ka filluar as dialogu për viza që paraprakisht fillon me dorëzimin e udhërrëfyesit zyrtar për viza. Këto janë vetëm disa nga prapambetjet e Kosovës në këtë proces që e bëjnë të jetë e fundit.

Së dyti, Kosova vazhdon të kritikohet në raportet e Progresit të Komisionit Evropian për mungesë të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, për gjyqësi të dobët dhe të korruptuar, për zhvillim të ulët ekonomik dhe për mungesë të sundimit të ligjit në gjithë territorin e Kosovës. Krizat politike të fundvitit që shkoi dhe këtij fillimviti padyshim që kanë bërë që imazhi të fundoset edhe më tej së bashku me akuzat në raportin e Dick Martit që e vendosi Kosovën edhe njëherë në kronikë të zezë të mediave botërore.

Së treti, Kosova vazhdon të mos njihet nga 5 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe politika jonë e jashtme nuk ka bërë pothuajse asgjë që të bindë këto shtete për njohjen e Kosovës apo të paktën për zhbllokimin e procesit. Mundësia më e mire që pati në dorë diplomacia kosovare deri më tani iku nga duart kur Kosova vendosi që të hyjë pa asnjë kusht në bisedime me Serbinë duke treguar edhe njëherë lojalitetin dhe servilitetin e tepruar. Çelja e bisedimeve mund të kushtëzohej me dorëzimin e udhërrëfyesit dhe me premtimin për liberalizim të vizave në një afat të caktuar, sikurse edhe me zhbllokimin e marrëveshjeve bilaterale nga 5 vendet që nuk kanë njohur Kosovën. Ky tren tashmë iku edhe përkundër thirrjeve publike që të shfrytëzohej momentumi, por disa përfitime akoma mund të nxirren duke ndërprerë takimet në dialog nëse nuk dorëzohet udhërrëfyesi. Ne kemi parë që Serbia përveç premtimit të Statusit Kandidat ajo tenton të përfitoj në maksimum nga ky proces duke vonuar shpesh dialogun, ku Kosova, më saktësisht Kryenegociatorja e Kosovës, madje e ka kritikuar si palë jo serioze Serbinë, se po ndërpret dialogun, nga i cili dihet që më së shumti përfiton pala serbe si parakusht i vënë nga BE.


Kjo gjendje e rëndë në procesin e integrimeve padyshim se fajtorë ka qeverinë e cila në 100 ditëshin e pare na tregoi një ndër performancat më të dobëta të të gjitha qeverive deri më tani, por titullari i saj duhet të ndjehet vërtetë në siklet pasi ai ka timonin e ndryshimeve që mund ta nxjerrin Kosovën nga kjo krizë e gjithanshme. Qeveria duket qartazi që nuk ka prioritete për këtë mandat qeverisës dhe vetëm sa ka vazhduar të thirret në projektet e mandatit të kaluar sikurse me autostradën “Rruga e Kombit” dhe me vendimin mbi premtimin elektoral-fatal për rritjen e pagave që e shtyri vendin në një krizë të thellë financiare me çka edhe ndaluan të gjitha projektet e investimeve publike.

Për një vend i cili është në fund të fundit të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, Ministria për Integrime duket sikur është më shumë dekor dhe vend i akomodimit të njerëzve se sa që po luan ndonjë funksion real. Në një qeveri me prioritet integrimin, kjo Ministri do të duhej të ishte më aktivja dhe më e rëndësishmja njëkohësisht e cila me ndihmën e Kryeministrit do të mund të kërkonte llogaridhënie në nivel kombëtarë për arritjen e objektivave të vendosura nga Komisioni Evropian. Sepse për këtë ekziston Kryeministri, ai ka vetëm një funksion; që të kërkojë llogari nga vartësit e tij për prioritetet e vendosura të qeverisë. Në një vend normal për një gjendje të tillë dikush duhej të jepte llogari para qytetarëve, duke kërkuar llogari nga ministrat për këtë performance të dobët, ose duke i ndërruar ata, ose duke ofruar vetë Kryeministri dorëheqjen për t’i hapë udhë progresit. Ky veprim, natyrisht që është vështirë të mendohet në një mentalitet të tillë qeverisës ku institucioni i dorëheqjes pothuajse nuk ekziston fare dhe ku dështimet ose arsyetohen ose mohohen.

Për të nxjerrë vendin nga kjo humnerë ku ka rënë në nga çdo anë, padyshim që duhet një energji e re dhe vullnet politik për të shndërruar fjalët bosh në veprime konkrete. Në aspektin e integrimit duhet sa më shpejtë të merret udhërrëfyesi (pa u arsyetuar që nuk po na japin) dhe të arrihet marrëveshja për tregti të lirë përmes diplomacisë aktive dhe njëkohësisht kushtëzuese. Sistemi i llogaridhënies që nuk është duke funksionuar duhet të instalohet brenda Kryeministrisë dhe mbi bazën e një plani kombëtar të kërkohen rezultate në afate rekorde pasi vendi ynë nuk ka komoditetin e pritjes dhe arsyetimit, por të angazhimit dhe mundimit dhe ata që dështojnë të ndërtojnë një qeveri të llogaridhënies duhet ta kuptojnë që duhet lëshuar rrugë sepse llogaridhënia është elementi më i rëndësishëm që dallon nga regjimet totalitare.

Alarmi për ndryshime ka ardhur moti dhe zhurma e tij do të duhej të depërtonte brenda qeverisë dhe të zgjonte nga gjumi Kryeministrin dhe ministrat e rehatuar në stër-poste qeveritare që duke e rehatuar vetën kanë harruar qytetarët dhe gjendjen e mjerë në të cilën ata janë, ku përveç skamjes dhe varfërisë, moszhvillimit ekonomik dhe rezultateve të dobëta në arsim, shkencë e kulturë e kudo, ata mbesin evropianët më të izoluar në planet.

(Autori është drejtor Ekzekutiv në OJQ “Çelnaja”)

Në trend

Më shumë
Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Magazina
Banorët thyejnë rregullat duke folur për nominime: Planifikojnë që nëse iu bie Kutia e Pandorës të nominojnë Gjestin, Eglin dhe Rozanën

Banorët thyejnë rregullat duke folur për nominime: Planifikojnë që nëse iu bie Kutia e Pandorës të nominojnë Gjestin, Eglin dhe Rozanën

Magazina

"Babait i ra pika, më tha nuk ke përkrahje prej familjes", Arbër Bytyqi tregon se nuk ia miratuan dëshirën për t'u bërë grimer dhe u detyrua të studionte diçka tjetër

Magazina
Kaplohet nga zjarri ish-kinemaja në qendër të Prishtinës

Kaplohet nga zjarri ish-kinemaja në qendër të Prishtinës

Kronika e Zezë
U munduan ta fusin në grackë duke e dehur dhe detyruar Loredanën ta joshë, Rozana zbulon kurthin që banorët përgatitën për Gjestin

U munduan ta fusin në grackë duke e dehur dhe detyruar Loredanën ta joshë, Rozana zbulon kurthin që banorët përgatitën për Gjestin

Magazina
Koreja e Veriut tërheq ushtarët nga vija e frontit në Ukrainë

Koreja e Veriut tërheq ushtarët nga vija e frontit në Ukrainë

Evropa
Kalo në kategori