LAJMI I FUNDIT:

NATO: Rusia të ruajë traktatin bërthamor

NATO: Rusia të ruajë traktatin bërthamor

NATO-ja bëri të ditur se Rusia është përgjegjëse për të ruajtur Traktatin e vitit 1987 për Armët Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF), duke mbështetur qëndrimin e SHBA-së, e cila kritikoi mosrespektimin e angazhimeve nga ana e Moskës.

”I bëjmë thirrje Rusisë që të rikthehet pa vonesa për një respektim të plotë dhe të verifikueshëm. Tani është radha e Rusisë që të ruajë Traktatin e INF-së“, njoftoi Aleanca Atlantike në një deklaratë të publikuar në një takim të krerëve të diplomacisë së vendeve anëtare në Bruksel, shkruan ATSH.

SHBA-ja kërcënoi në tetor se do të tërhiqej nga ky traktat, i nënshkruar gjatë Luftës së Ftohtë, duke argumentuar se dislokimi i fundit i raketave të reja nga Rusia nënkuptonte shkelje të tij.


Pala evropiane i kërkoi Uashingtonit të mos marrë një vendim të tillë, pasi ky traktat përbën një nga gurët themelorë të arkitekturës evropiane në fushën e sigurisë.